web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Kampionati i parë Ndërliqenor “Liqeni i Bashkuar”/ Shahu bashkon Pogradecin, Ohrin dhe Strugën

21 Korrik 2026, 14:17, Sociale CNA

Për herë të parë, Pogradeci mirëpriti Kampionatin Ndërliqenor të Shahut “Liqeni i Bashkuar”, një aktivitet që mblodhi në një tryezë sportistë të të gjitha grupmoshave nga Pogradeci, Ohri dhe Struga. I organizuar më 20 korrik, në Ditën Ndërkombëtare të Shahut, turneu nuk ishte vetëm një garë sportive, por edhe një simbol i miqësisë dhe bashkëpunimit ndërmjet tre qyteteve që ndajnë të njëjtin liqen.

Kampionati i parë Ndërliqenor “Liqeni i Bashkuar”/ Shahu

Sipas nënkryetares së Bashkisë Pogradec, Entela Gusho, ky kampionat synon të shndërrohet në një traditë të përvitshme dhe të promovojë jo vetëm sportin e shahut, por edhe lidhjet mes komuniteteve ndërliqenore.

“Kampionati ndërliqenor i shahut, ‘Liqeni i Bashkuar’, zhvillohet për herë të parë në Pogradec. Ai zhvillohet pikërisht më 20 korrik, në Ditën Ndërkombëtare të Shahut. Pogradeci gjithmonë është shquar për shahistë, të cilët kanë qenë pjesëmarrës në kampionate të ndryshme kombëtare. Ndaj në këtë kuadër ne duam që ky sport të jetë një vazhdimësi e suksesit të sportistëve tanë, të jetë sa më tepër masiv, të marrin pjesë në këtë kampionat grupmosha të ndryshme dhe të jetë edhe një simbol i bashkëpunimit ndërliqenor midis bashkive. Dhe ndaj është dhe quajtur ‘Liqeni i Bashkuar’. Ka si synim që kampionati të jetë në vazhdimësi dhe në vitet e tjera, sepse dhe një moto e shahut është ‘Shahistët janë miq’. Pra, është sporti i durimit, i miqësisë, dhe pikërisht kjo është një motivacion i fuqishëm për një bashkëpunim ndërkombëtar midis tre bashkive: Ohër, Strugë dhe Pogradec. Është kampionat me të gjitha grupmoshat, sepse ne kemi dhe të rinj shumë të talentuar, por kemi dhe ish-kampionë. Kështu që dëshirojmë që gjithsecili të ndihet i vlerësuar në këtë kampionat dhe të marrë fitoren e merituar”,-tha Gusho. 

Në këtë aktivitet morën pjesë edhe emra të njohur të shahut pogradecar, të cilët rikthyen kujtimet e dekadave të tyre në këtë sport.

Ish-kampioni Veli Hysenbegasi tha se shahu mbetet një disiplinë që kërkon përgatitje të vazhdueshme, përkushtim dhe durim, pavarësisht moshës.

“Unë kam që më 1965-ën me Pogradecin, Elbasanin, në ekip të parë. Atëherë ishte me grumbullim pikësh. Kam marrë pjesë në ekip të parë në gjysëm finale, një herë me Labinotin në vitin 1974. Shahu është lojë e vështirë. Edhe mosha bën të sajën”,-tha Hysenbegasi. 

Kampionati i parë Ndërliqenor “Liqeni i Bashkuar”/ Shahu

Kampionati solli përballë brezat, duke bashkuar në të njëjtën garë veteranë dhe të rinj. Mes tyre ishte edhe Kleo Ismaili, i cili e nisi rrugëtimin në shah që në moshën gjashtëvjeçare dhe e konsideron këtë sport një mënyrë për të zhvilluar logjikën dhe për të sfiduar veten.

 “Kam që në moshën gjashtë vjeçare. Kam mësuar prej gjyshit tim dhe shahu më duket lojë shumë e veçantë. Jam stërvitur, kam luajtur shumë. Unë isha kampion i vjetshëm në një lojë tjetër, dola fitues. Është shumë i bukur, stërvit mendjen, argëtohem dhe jam i kënaqur”,-tregoi Ismaili. 

Kampionati i parë Ndërliqenor “Liqeni i Bashkuar”/ Shahu

Pjesëmarrësit nga Struga e vlerësuan organizimin si një hap të rëndësishëm për bashkëpunimin ndërmjet klubeve të shahut në rajon. Përfaqësuesi i ekipit strugan, Xhemi Hajredini, tha se ky kampionat duhet të zgjerohet edhe në vitet e ardhshme dhe të organizohet me radhë në të tre qytetet.

“Kjo ishte një iniciativë e mrekullueshme. Shahistët u kënaqën. Unë isha i bindur që Struga do ta marrë vendin e parë edhe fituam, por nuk ishin më të dobët dy ekipet e Pogradecit dhe njëra nga Ohri. U zhvilluan disa lojëra shumë interesante mes shahistëve edhe të gjithë ishin të mirë. Ky kampionat ndërliqenor duhet të zgjerohet pak me komunat përreth dhe të shëtisi, një herë të jetë në Pogradec, e një herë në Strugë, më pas në Ohër edhe kështu me radhë. Jemi duke menduar që ky sport të futet si lëndë zgjedhore nëpër shkollat fillore dhe të mesme. Deri më tani nuk e kemi arritur. Në Strugë ne po vimë sot me nga dy lojtarë nga çdo skuadër. Janë dy skuadra, Flamurtari edhe Mbretëresha e Liqenit. Mendoj se interesimi pas këtyre aktiviteteve do të shtohet”,-u shpreh Hajredini. 

Edicioni i parë i Kampionatit Ndërliqenor “Liqeni i Bashkuar” hodhi themelet e një tradite të re sportive mes Pogradecit, Ohrit dhe Strugës, duke dëshmuar se shahu mbetet një urë komunikimi mes brezave dhe popujve. Organizatorët synojnë që ky aktivitet të zhvillohet çdo vit, duke u kthyer në një pikëtakim të rëndësishëm për shahistët e rajonit dhe një model bashkëpunimi ndërkufitar përmes sportit./CNA

 

 





Lajmet e fundit nga