web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

"Ujë vetëm pak orë në ditë"/ Banorët e Memëlishtit ngrenë alarmin

20 Korrik 2026, 15:04, Sociale CNA

Banorët e fshatit Memëlisht në Bashkinë Pogradec kanë ngritur alarmin për mungesën e ujit të pijshëm, një problem që, sipas tyre, vijon prej vitesh dhe që gjatë sezonit të verës është bërë edhe më i rëndë. Ata thonë se furnizohen me ujë vetëm për një ose dy orë në mëngjes dhe po aq në mbrëmje, ndërsa pjesën tjetër të ditës rubinetat mbeten të thatë.

"Ujë vetëm pak orë në ditë"/ Banorët e

Për të siguruar nevojat më bazike, shumë prej banorëve detyrohen të mbushin kova e bidona sa herë që uji vjen ose të blejnë ujë të pijshëm.

“S’kemi si t’ia bëjmë. Kujt t’i thuash. Mbushim kova me ujë edhe çfarë të bëjmë. Mbushim bidona kur ka ujë në mëngjes, atë përdorim dhe për të pirë. Përdoret ai ashtu? T’i jepet një rrugëzgjidhje. Pa ujë nuk rrihet. E dinë edhe institucionet që jemi pa ujë. Në orën 6:00 në darkë na vjen uji, pastaj mbyllet në orën 8:00. Tani s’ka hiç”,-shprehet një banor.

Banorët shprehen se situata është paradoksale, pasi edhe pse është investuar në rrjetin e ujësjellësit dhe është ndërtuar një depo e re, furnizimi vijon të jetë me orar. Ata pretendojnë se rezervuari mbushet, por uji nuk shpërndahet rregullisht në rrjet, ndërsa problemet me infrastrukturën janë shtuar.

 “Problemi është shumë i madh. Ujë këtu nuk ka. U bënë kanalizimet, u bë depo e ujit e re, ujë prapë na vjen me orar, siç thonë, po prapë ujë nuk ka. Dy orë në mëngjes, dy orë në darkë, me aq nuk na plotësohen nevojat jetike. Është problem i madh. Uji gjithmonë, kur depoja mbushet, derdhet në lumë, edhe ujin e mbajnë të mbyllur. Është turp në vitin 2026 të diskutohet ende problemi i ujit të pijshëm. Institucionet janë në dijeni, por askush nuk e vë ujin në zjarr. Të mendojnë për popullin që s’ka ujë të pijë. Rrugët, siç i shihni, i bënë katastrofë. Ishin të shtruara, u çanë tubacionet, doli ujë i papijshëm. Nuk dimë kujt t’i drejtohemi. Uji është gjë që konsumohet çdo sekondë. Ka një burim afër lumit të Tëranit dhe atje shkojmë mbushim ujë. Ju bëjmë thirrje të merren me këtë problem sepse është një nevojë jetike”,-tregon njëri prej banorëve të zonës.

"Ujë vetëm pak orë në ditë"/ Banorët e

Sipas banorëve, mungesa e furnizimit të vazhdueshëm e bën të pamundur kryerjen e aktiviteteve të përditshme, ndërsa familjet detyrohen të përshtasin gjithë rutinën me orarin e ujit.

“Pjesën më të madhe uji është me orar. Nuk është i mjaftueshëm, sepse uji duhet 24 orë. Do banja, do lavatriçja. Një orë ujë vjen. Në këtë të nxehtë problem është. Ky problem ka nisur që kur u vu rrjeti i ri. Vetëm për dimër kemi ujë. Nuk furnizohet depoja. I gjithë fshati e ka këtë problem. Shumë rrallë kanë puse ose depozita”,-thotë një banor tjetër.

Një pjesë e banorëve fajësojnë mënyrën se si është realizuar projekti i ujësjellësit, duke pretenduar se rrjeti u zgjerua për të furnizuar edhe zona të tjera, pa u shtuar burimet e ujit.

“Kur u bë ujësjellësi, ne kemi debatuar me ata zotërinjtë e firmës, sepse e zgjatën rrjetin e ujit deri në Gur të Kuq dhe e futën edhe në fshatin Çervenakë, me atë ujë që kishim ne më përpara. Prandaj nuk kemi ujë. Rrjeti u zgjerua, por uji mbeti po ai. U thamë që atëherë të shtohej burimi, por nuk u bë. Na thanë se do të kishim ujë 24 orë. Burime ka shumë, por nuk i çuan në depo. Premtuan depo të madhe, por asgjë nuk u bë. Çanë rrugët dhe tani tubacionet kanë vazhdimisht defekte. Që kur u vu ujësjellësi, kjo është situata. Ne e blejmë ujin e pijshëm, ndërsa ky që vjen përdoret vetëm për larje. Na thanë se është i pijshëm, por analizat dolën keq. Vetëm për ujë paguajmë rreth 15-20 mijë lekë në muaj. Me një orë ujë nuk mbaron as lavatriçja”,-tha njëri prej banorëve.

"Ujë vetëm pak orë në ditë"/ Banorët e

Edhe banorë të tjerë pohojnë se në orët e ditës uji mungon plotësisht dhe detyrohen të mbledhin ujë në depozita për të përballuar nevojat e familjes.

“Tani nuk ka ujë, në këtë orar jo. Në 6:00 vjen uji deri në orën 8:00-9:00. E mbledhim ujin dhe presim derisa të vijë prapë. Ujin e paguajmë. Çfarë zgjidhjeje? Ai që është për atë punë e di. Në këtë orë të gjithë pa ujë janë.”

“Me orar, dy orë ujë në ditë kemi. Si të bëjmë? E mbajmë në depozitë edhe me të keq. Ashtu janë bërë punimet. Është shumë e vështirë. Unë kam një depozitë. Uji është i papijshëm, por me atë rregullohemi.”

Në mungesë të një zgjidhjeje, banorët e Memëlishtit kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse për garantimin e furnizimit të pandërprerë me ujë të pijshëm.

"Ujë vetëm pak orë në ditë"/ Banorët e

Nga ana tjetër, drejtori i Ujësjellësit pranon se Memëlishti ka probleme me furnizimin me ujë për shkak të shterimit të burimit ekzistues. Ai deklaron se fshati furnizohet rreth 8 orë në ditë dhe se situata është rënduar edhe nga përdorimi i ujit të pijshëm për vaditjen e tokave bujqësore. Sipas tij, brenda tri javësh pritet të përfundojë shpimi i dy burimeve të reja, të cilat do të përmirësojnë furnizimin me ujë për banorët e fshatit./CNA





Lajmet e fundit nga