LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Kaosi në Mitrovicën e Veriut ka sjellë bumin më të madh të kriptomonedhave në Evropë

17 Dhjetor 2022, 08:40, Aktualitet CNA

Kaosi në Mitrovicën e Veriut ka sjellë bumin më të madh

Qytete të ndara ekzistojnë në mbarë botën. Disa janë të ndarë me mure, disa nga postblloqe që ruhen me armë. Por shumë të tjerë ndahen vetëm nga frika dhe mosbesimi. Në qytetin e Mitrovicë në veri të Kosovës, shteti më i ri i Evropës, simboli i ndarjes është një urë.

Ajo kalon mbi lumin Ibër dhe ndan më pak se 40.000 serbë nga pjesa tjetër e Kosovës shqiptare, dhe nga qeveria e saj, forcat e rendit, gjykatat, faturat e energjisë dhe së fundmi kërkesat për mbajtjen e targave të shtetit të ri. Ditën që kalova urën, disa paqeruajtës italianë më pyesnin nëse jam gazetar, por nuk më kërkuan ndonjë mjet identifikimi.

Popullsia serbe e Mitrovicës së Veriut është e rrethuar me simbole nacionaliste kundër sundimit të qeverisë së dominuar nga shqiptarët. “Askush nuk po vritet. Pasi nëse do të ndodhte kjo, mendoj se NATO në bashkëpunim me policinë kosovare do ta arrestonin atë që do të guxonte të bënte diçka të tillë”- më thotë një banor serb, që nuk pranoi të identifikohej.

Sepse të gjithë në Mitrovicë e njohin njëri-tjetrin, dhe i frikësohen gangsterëve vendas, që janë kthyer në politikanë duke garantuar zbatimin e porosive nga Beogradi. “Këtu nuk ka ligje, qeveri apo zbatim të vërtetë të ligjit. Kështu ne nuk i paguajmë faturat tona për shërbimet lokale? Kjo është arsyeja pse të gjithë filluan të merret me Bitcoin”- shton banori.

Kaosi në Mitrovicën e Veriut ka sjellë bumin më të madh

I pyetur nëse e kishin prodhuar vetë kriptomonedhën, banori e ndërpreu në moment komunikimi  me mua: “Nuk është mirë të flas këtu me ju për këtë çështje”.

Prodhimi i kriptomonedhave kërkon 3 gjëra bazë: serverë për të zgjidhur probleme komplekse matematikore, një mënyrë për t’i mbajtur këta serverë të freskët dhe sasi të mëdha të energjisë elektrike. Kjo e fundit rezulton të jetë kostoja më e madhe.

Por këtu edhe sugjerimi për t’i detyruar të gjithë të paguajnë faturat e energjisë elektrike mund të shkaktojë luftë. Prandaj energjia për këtë aktivitet është falas, prandaj prodhimi i Bitcoin është përhapur gjerësisht në të gjithë Kosovën Veriore.

“Në vitin 2017, unë e nisa aktivitetin me vetëm një server, që e bleva 500 euro. Shumë shpejt vura në punë 8 serverë që i bleva për 5000 euro. Në Mitrovicë është shumë e rrezikshme të kesh para. Këtu të gjithë dinë gjithçka, ndaj më quani ‘Konstantin’”- më thotë ai.

Në fillim, në vitin 2018, ai fitonte rreth 400 euro në muaj, ndërsa gjatë viteve 2019- 2020, drei në 8.000 euro. “Ishte diçka e mrekullueshme, me të cilën po merreshin të gjithë. Çdo shofer do të kishte një ose dy serverë në garazhin e tij, dhe do të fitonte 100-200 euro shtesë në muaj duke mos bërë bërë pothuajse asgjë”- thekson Kostandini.

Sipas policisë dhe figurave politike në Prishtinë, të cilët nuk donin të identifikoheshin për arsye politike apo sigurie, operacionet më të mëdha në këtë fushë nisën nga shqiptarë me përvojë, të cilët shfrytëzuan çmimet historikisht të ulëta të energjisë elektrike në Kosovë për të prodhuar kriptomonedha në një shkallë më të vogël.

Kaosi në Mitrovicën e Veriut ka sjellë bumin më të madh

Por falas është gjithmonë më mirë se sa çmimet e ulëta, dhe rreth vitit 2018 ata misin të lidhin marrëveshje me serbët në veri të lumit për të marrë me qira garazhe dhe ferma, dhe çdo godinë të lidhur me rrjetin elektrik. “Grupet kriminale punojnë gjithmonë së bashku, dhe e njëjta gjë ndodh edhe me kriptomonedhat”- thotë Dushan Radakoviç, drejtor ekzekutiv i OJQ-së në Mitrovicë, Qendra e Mbështetjes për Kulturën Demokratike. Radakoviç është një serb që flet edhe shqip dhe punon mes Mitrovicës dhe Prishtinës.

“Në shumë raste ishin shqiptarët ata që kishin më shumë eksperiencë në këtë fushë në jug të vendit dhe janë zhvendosur këtu për shkak të energjisë elektrike që nuk paguhet. Shqiptarët e nisin shpeshherë një veprimtari të re, por 80 për qind e serbëve do të punojnë me ta. Policia nuk bashkëpunon përtej linjave etnike, ndaj ky aktivitet u bë shumë me rëndësi për disa njerëz”- shprehet ai.

Radakoviç tregon se refuzoi kur një mik i kërkoi të investonte 5.000 euro për të vendosurnjë server. “Tani ai është një milioner. Shumë shpejt nisa të shoh sisteme të mahnitshme të instaluara gjithandej, në shtëpi, garazhe, ferma, apartamente”- kujton Radakoviç.

Këto sisteme më të vogla mund të prodhonin vetëm disa qindra euro në muaj, por për shumicën e banorëve të Mitrovicës, ku paga minimale është rreth 300 euro në muaj, kjo

ishte një e ardhur e mirë me shumë pak rreziqe në dukje. “Këtë e bënin të gjithë, dhe askush nuk kishte nevojë t’i jepte ryshfet policisë. Ajo nuk mund t’i shqetësonte të gjithë. Njerëzit këtu nuk kanë punë ose marrin paga të ulëta, ndaj të gjithë i përdornin kriptomomedhat për të siguruar jetesën”- deklaron Konstadin.

Ndërkohë tani kjo gjë është më e vështirë, dhe ata pak që merren ende me to janë të shqetësuar se një ditë qeveria do t’u trokasë në derë për të gjitha detyrimet e prapambetura. Gjithsesi, një zyrtar i qeverisë së Kosovës më tha se mbledhja e faturave të vjetra konsiderohej politikisht e pamundur, ndaj qeveria do të ishte e kënaqur të siguronte vjeljen e pagesave nga tani e në vazhdim.

Aktiviteti nisi nga rreth 20 njerëz që përdornin kartat e tyre të kreditit për të porositur serverë, dhe fitimi minimal ishte 300 euro në muaj. Më pas nisën të mbërrinin serbët që filluan të vinin nga Beogradi. “Serbia ka një situatë ekonomike më të keqe sesa Mitrovica. Paga në Serbi është më e ulët, dhe duhen paguar faturat për energjinë elektrike dhe taksat. Prandaj 300- 400 euro në muaj kanë një peshë të madhe”- vijon Konstandin.

Serverët filluan që të mbërrinin në rrugë legale nga Kina gjatë vitit 2018, por shërbimi doganor i Kosovës nuk dyshoi për asgjë. Në fillim me qindra - më vonë me mijëra - kompjutera të krijuar posaçërisht për të prodhuar Bitcoin dhe kriptovaluta të tjera.

Ato ishin sigurisht importe të pazakonta për vendin më të ri të Evropës, por taksat për to ishin paguar dhe nuk kishte asgjë të paligjshme në importimin e tyre thotë Adriatik Stavileci, një zyrtar i doganave. Kështu më shumë se 20.000 serverë të tillë u importuan ligjërisht në Kosovë, ose afro 1 server për çdo 90 banorë të Kosovës.

Autoritetet vunë re një rritje alarmante të përdorimit të energjisë elektrike të përqendruar në pjesën e vogël veriore të vendit, të kontrolluar nga pakica e trazuar serbe e Kosovës mbi lumin Ibër. Deri në vitin 2019, konsumi i energjisë elektrike në veri të Kosovës u rrit nga rreth 2 për qind në vit në më shumë se 10 për qind në vit.

Në dimrin e vitit 2021, sistemi energjetik ishte shumë nën presion. Dhe rritja e çmimeve të energjisë për shkak të pushtimit rus të Ukrainës, e futi vendin në krize, duke përjetuar ndërprerje të vazhdueshme të energjisë. Ndaj Prishtina dërgoi policët mbi lumin Ibër për të filluar sekuestrimin e serverëve.

Gjatë atij operacioni policia filloi të vinte re një mbivendosje midis këtij aktiviteti dhe krimit të organizuar. “Në një rast zbuluam një fermë krejt të re të kultivimit të kanabisit. Ne nuk kishim parë kurrë diçka të tillë në veri. Kjo gjë ndodh zakonisht në jug në Shqipëri. Pormafia do ta gjejë gjithmonë një mundësi”- thotë Stavileci.

Përkthyer nga CNA.al

Lajmet e fundit nga