web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Çfarë halli ka avokati i Carlo Bollinos dhe Erion Veliajt që i shmanget gjyqeve duke thënë se ka vdekje?

14 Prill 2026, 17:10, Aktualitet REDAKSIONALE

Çfarë halli ka avokati i Carlo Bollinos dhe Erion Veliajt që i

Sot në Gjykatën Penale të Tiranës, rreth orës 13:00, do të zhvillohej seanca e disatë e paspadisë së bërë në Gjykatën Penale nga shtetasi Carlo Bollino, botuesi dhe pronari i “Shqiptarja.com” dhe “Report TV”.

Bollino ka paditur deputetin demokrat Belind Këlliçi dhe anëtarin e Këshillit Kombëtar, Jamarbër Malltezin. Dy seanca në orë të ndryshme.

Sipas asaj që u tha publikisht, pasi edhe Këlliçi, edhe Jamarbër Malltezi, dhe avokatja e tyre Adriana Kalaja dolën përpara gjykatës, avokati Aranit Roshi, i studios ligjore të kreut të Dhomës së Avokatisë Tiranë, Fatmir Braka, nuk ishte paraqitur në gjykatë.


30 minuta më vonë, në të njëjtën gjykatë, pranë Gjykatës Penale Tiranë, zhvillohej seanca gjyqësore e shtetasit Carlo Bollino ndaj CNA Media. E njëjta situatë: avokati Aranit Roshi nuk u paraqit.

Justifikimi në të treja rastet, kjo e konfirmuar nga CNA, ka qenë se avokatit i ka vdekur një familjar i afërm.

Pra, një rast vdekjeje. Dhe siç theksoi përpara gjykatës avokatja Adriana Kalaja, në të tilla raste, përpara se të jenë në gjyq apo të jenë politikanë, raste të tilla janë të prekshme, të rënda dhe gjithkush është i justifikuar.

E njëjta situatë dhe me CNA.

Avokatja e palës së akuzuar, Brikena Kasmi, ka theksuar se jemi përballë një rasti të dhimbshëm pasi theksohet që ka ndërruar jetë një familjar i afërm dhe jemi dakord që çështja të shtyhet.

Por çfarë ndodh me Aranit Roshin?

Çfarë halli ka avokati i Carlo Bollinos dhe Erion Veliajt që i
Aranit Roshi

Aranit Roshi është avokati i Carlo Bollinos dhe Erion Veliajt, që ka shtyrë sipas të dhënave zyrtare nga gjykata, të paktën shtatë seanca për çështjen kundër Malltezit dhe Këlliçit, dhe është seanca e tretë apo e katërt që shtyhet ndaj CNA Media.

Pra, dhjetëra seanca gjyqësore të shtyra.

Nga të dhënat zyrtare, Aranit Roshi është dhe avokati i Erion Veliajt në paditë e bëra ndaj CNA Media. Çuditërisht i njëjti njeri edhe për Carlon, edhe për Erionin. Çuditërisht i njëjti njeri i cili shtyn dhe seancat. Është i studios ligjore të Fatmir Brakës që drejton Dhomën e Avokatisë së Tiranës dhe kreu i Avokatisë është famozi Maks Haxhia.

Janë këta avokatë që shkojnë bëjnë paditë, shkojnë në gjykatë dhe nuk paraqiten. Problemi nuk është se nuk shkoi apo solli një justifikim se i ka vdekur një familjar i afërt.

CNA ka mundur të sigurojë të dhëna zyrtare se sot, në orën 15:15, po ky avokat Aranit Roshi ka qenë prezent në Gjykatën Civile të Tiranës për një çështje tjetër.

Pra, i njëjti avokat që i ka vdekur një familjar i afërt dhe nuk paraqitet në orën 13:00, 13:30 apo 14:00 në gjyqet ndaj CNA Media, Belind Këlliçit, Jamarbër Malltezit apo të tjerëve, paditë e bëra nga Bollino, Erion Veliaj e të tjerë, shkon një orë më vonë në Gjykatën Civile të Tiranës.

Ndoshta varrimi ka qenë në mëngjes, ndoshta avokati s'e ka ngrënë drekën, ndoshta gjyqi civil i tij është më i rëndësishëm se ai penal te kallëzimet që ka bërë vetë. Këtë nuk dimë ta themi.

Por dimë të themi se, avokati nuk ka qenë prezent në Gjykatën Penale dhe CNA do të bëjë një verifikim të plotë, në detaje, për të zbuluar të vërtetën e Aranit Roshit: ka mashtruar apo jo gjykatën?

Cili është familjari i afërt që i ka vdekur? Ndjesë pastë nëse është e vërtetë, se në orën 13:00 apo 14:00 të mos shkosh në gjyq dhe të shkosh në orën 15:00, pas një ore, ka diçka që nuk shkon.

Në parim, gjykata, palët e tjera në gjykim e pranojnë menjëherë sapo thuhet se ka vdekur një i afërm dhe jepen dhe ngushëllimet.

Përtej një gjyqi penal apo civil, kemi të bëjmë me njerëz, me familjarë.

Por si ka mundësi i njëjti avokat, që i kishte vdekur një familjar i afërt në orën 13:00 apo 14:00, në orën 15:15 shkon në gjykatë?

Aranit Roshi duhet të tregojë të vërtetën deri në fund. Çfarë e ka munduar që të shmanget te gjyqet e Carlo Bollinos dhe të shkojë te gjyqet civile?

Se Gjykata Penale ka të tjera procedura. Te Civilja shkon, te Penalja nuk shkon.

Te Gjykata Penale, Aranit Roshi i studios së Fatmir Brakës na ka thënë se ka vdekur një familjar i afërt. Ky është njoftimi që ka për gjykatën.

Shtyhen seancat pafundësisht.

Çfarë halli ka avokati i Carlo Bollinos që ka bërë paditë e tilla? Janë padi koti? Janë paçavure? Çfarë janë ato padi? Kujt duan t’i mbyllin gojën? Të vërtetës? Të ndalen zyrtarë dhe qytetarë të denoncojnë Carlo Bollinon? Për çfarë të ndalojnë?

Të ndalen mediat të thotë të vërtetën për objektin që ka marrë Carlo Bollino, për kontratat dhe përfitimet nga të tretët, për pasurinë e shtuar gjatë pushtetit të socialistëve dhe rilindjes? Për çfarë janë këto padi?

Carlo Bollino mendon se do të ndalë mediat duke bërë padi dhe duke përdorur avokatë si Aranit Roshi, i cili nuk shkon në Gjykatën Penale dhe pas një ore paraqitet në Gjykatën Civile, pasi ka thënë tek e para se i ka vdekur një i afërm.

Pse i fshihet Carlo Bollino?

Pse ikën avokati që ka bërë paditë? Çfarë i shqetëson që marrin arratinë? Pse nuk paraqiten në gjykatë të përballen?

Ndoshta dikush mendon se do heshtin njerëzit dhe mediat se bëhen paditë në gjykatë.

E vërteta vonon por nuk harron.

Askush nuk do të heshtë, jo vetëm për të vërtetat e Carlo Bollinos, por dhe të këtyre avokatëve që në një gjykatë thonë se u ka vdekur një i afërm dhe te tjetra shkojnë dhe paraqiten.

Dhe provat janë atje: në kamera, në seancën e gjyqit që është zhvilluar te Gjykata Civile. Dhe dokumenti është atje, në Gjykatën Penale, ku është çuar në disa seanca të ndryshme nga i njëjti avokat, nga ai i Bollinos dhe ai i Erion Veliajt.

Gjithmonë këta të fundit lidhen shumë me njëri-tjetrin. Tani nuk i lidhin vetëm faktet dhe provat që ka denoncuar CNA apo shumë zëra të opozitës, por edhe avokati që duhet të tregojë të vërtetën e “vdekjes” të të afërmit të tij./ CNA





Lajmet e fundit nga