web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Abuzim me tenderët/ SPAK dërgon për gjykim kryebashkiakun e Kolonjës dhe zyrtarë të tjerë

19 Qershor 2026, 16:01, Aktualitet CNA

Prokuroria e Posaçme ka dërguar për gjykim kryebashkiakun e Kolonjës, E.I dhe zyrtarë të tjerë të bashkisë e Autoritetit Rrugor Shqiptar për kryerjen e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.

Hetimet janë zhvilluar në lidhje me procedurën e prokurimit me objekt “Ndërtimi i rrugës Korçë Ersekë, Loti 2 (pjesa parë)”; procedurën e prokurimit me objekt: “Supervizim i punimeve për ndërtimin e rrugës Korçë-Ersekë, loti i 2 (pjesa e parë)” dhe procedurën e prokurimit me objekt: “Mbikëqyrje Punimesh Ndërtim i Ujësjellësit Ersekë dhe të disa fshtarave Faza e dytë nga burimet e Kozelit”.

Njoftimi i plotë:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet dhe ka dërguar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykimin e procedimit penal nr. 280/1 të vitit 2020, në ngarkim të të pandehurve:

1. E.I, me detyrën e kryetarit të Bashkisë Kolonjë, i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuara nga nenet 248 e 25, 258 e 25 të Kodit Penal;

2. E.M, ish zëvendëskryetare e Bashkisë Kolonjë, e akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës“, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal;

3. E.V, ish Drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës“, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal;

4. E.E, ish Drejtor i Drejtorisë së Planifikimit Strategjik dhe Operacioneve, pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës“, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal;

5. G.R, me detyrën e përgjegjësit të sektorit të preventivit pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës“, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal;

6. D.Sh, ish specialiste e nivelit të lartë pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar, e akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës“, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal;

7. K.K, ish specialiste e nivelit të lartë pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar, e akuzuar për kryerjen e veprës akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258, 25 i Kodit Penal;

8. N.M, me detyrën e specialistit të nivelit të lartë pranë Autoritetit Rrugor shqiptar, e akuzuar akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258, 25 i Kodit Penal;

9. E.S, me detyrën e përgjegjësit të sektorit të hartimit të projekteve të huaja pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258, 25 i Kodit Penal;

10. E.C., E.D., E.Z, punonjës të Bashkisë Kolonjë, të akuzuar për kryerjen e veprave penale “Falsifikimi i dokumenteve, në bashkëpunim”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuara nga nenet 186/ 2, 258 e 25 të Kodit Penal;

11. A.T., M.T., Sh.L., punonjës të Bashkisë Kolonjë, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258, 25 i Kodit Penal;

Nga kryerja e veprimeve hetimore provat e administruara rezultuan fakte penale për personat përgjegjës të autoritetit kontraktor dhe institucionet e tjera shtetërore, ndërvepruese në disa procedura prokurimi, të zhvilluara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Bashkia Kolonjë.

1.Në lidhje me procedurën e prokurimit me objekt “Ndërtimi i rrugës Korçë Ersekë, Loti 2 (pjesa parë)”, me fond limit 2,879,999,858.89 (dy miliardë e tetëqind e shtatëdhjetë e nëntë milion e nëntëqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë e tetëqind e pesëdhjetë e e tëtë pikë tetëdhjetë e nëntë) lekë me tvsh, zhvilluar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar në datën 24.09.2020, ka rezultuar se:

Në lidhje me projektin e paraqitur si nismë e Bashkisë Kolonjë, në kuadër të procedurës së ndjekur për “Shërbim projektimi në formë dhurimi/donacioni” me objekt “Ndërtim rruga Korçë–Ersekë, Loti 2”, nga veprimet hetimore dhe provat e administruara është konstatuar se Bashkia Kolonjë nuk ka disponuar dokumentacion projektues të përgatitur prej saj për këtë objekt, ndonëse ekzistojnë korrespondenca zyrtare me Autoritetin Rrugor Shqiptar në të cilat paraqitet e kundërta.

Nga provat e administruara, mbështetur edhe nga eskpertimi grafik i shkrimit dhe nënshkrimit të dokumentit, ka rezultuar se grupi i punës së Bashkisë Kolonjë, i përbërë nga shtetasit E.C., E.D., në bashkëpunim me personin që ka dhuruar projektin, shtetasen E.Ç., administratore e shoqërise “A& E Enginieering”sh.p.k, kanë falsifikuar procesverbalin e marrjes në dorëzim të projektit nga Bashkia Kolonjë, ndërkohë që rezulton se nuk ka pasur projekt. 

Sa i takon, përcaktimit të fondit limit për procedurën e prokurimit, nga ana e shtetasve E.V., në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor dhe personave të tjerë përgjegjës të Autoritetit Rrugor Shqiptar, shtetasit E.E., G.R. dhe D.Sh, nuk rezulton të jetë ndjekur rruga ligjore për përcaktimin e fondit limit.

Në kohën e hartimit të preventivit përfundimtar, të përgatitur nga ana e shtetasve E.E., G.R., D.Sh., dokument i miratuar edhe nga Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar, shtetasi E.V., nuk rezulton të ketë pasur projekt të hartuar dhe propozuar nga Bashkia Kolonjë, siç është paraqitur si dokumentacion i formalizuar nga Bashkia Kolonjë.

Përcaktimi i fondit limit nga ana e grupit të punës, personat përgjegjës të Autoritetit Rrugor Shqiptar, shtetasit E.E, G.R., dhe D.Sh., është bërë mbi bazën e të dhënave të përgatitura dhe të paraqitura dorazi nga vetë personi i interesuar, shtetësja, E.Ç., administratorja e shoqërisë “A & E Engineering” sh.p.k, e cila që ka fituar më pas kontratën e mbikëqyrjes së zbatimit të punimeve për këtë objekt, ndërtimi i rrugës Korçë-Ersekë, loti i 2 (pjesa e parë).

Në përgatitjen e preventivit që ka shërbyer edhe për përcaktimin e fondit limit të autoritetit kontraktor, nga ana e shtetasve  E.V. në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe personave përgjegjës të tjerë, shtetasit E.E., G.R., dhe D.Sh., është vepruar në kundërshtim me ligjin nr.162/2020 “Për prokurimin publik”, VKM nr.914, datë 29.12.2014 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, i ndryshuar, ligjin nr. 10296, datë 8.7.2010, “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin”, të ndryshuar, ligjin nr.10164, datë 15.10.2009 “Për Autoritetin Rrugor Shqiptar”, VKM nr.276, datë 16.5.2018 “Për miratimin e organizimit, të strukturës, organikës dhe statutit të Autoritetit Rrugor Shqiptar”.

Nga provat e administruara, mbështetur edhe nga ekspertimi teknik vlerësues dhe kontabël, ka rezultuar se fondi i përcaktuar nga autoriteti kontraktor për këtë procedurë prokurimi është fryrë në vlerën 590,213,874(pesëqind e nëntëdhjetë milion e dyqind e trembëdhjetë mijë e tetëqind e shtatëdhjetë e katër) lekë, që përbën edhe dëm ekonomik të shkaktuar shtetit.

2.Procedura e prokurimit me objekt: “Supervizim i punimeve për ndërtimin e rrugës Korçë-Ersekë, loti i 2 (pjesa e parë)”, me fond limit  22,704,145 (njëzet e dy milion e shtatëqind e katër mijë e njëqind e dyzet e pesë) lekë me tvsh, zhvilluar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar në datën 14.10.2020,  ka rezultuar se:

E.S., K.K, N.M., nën cilësinë e anëtarëve të komisionit të vlerësimit të ofertave kanë vepruar në kundërshtim me ligjin nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, i ndryshuar dhe VKM nr.914, datë 29.12.2014 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, i ndryshuar, duke krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për shoqërinë e shtetases E.Ç, “A&E Engineering” sh.p.k.  

3.Procedura e prokurimit me objekt: “Mbikëqyrje Punimesh Ndërtim i Ujësjellësit Ersekë dhe të disa fshtarave Faza e dytë nga burimet e Kozelit”, me fond limit 4,623,021.7 lekë me tvsh, zhvilluar nga Bashkia Kolonjë, zhvilluar në datën 06.10.2020, ka rezultuar se:

Në lidhje me përllogaritjen e fondit limit dhe hartimin e specifikimeve teknike, shtetasit M.T., E.D., E.Z., nën cilësinë e anëtarëve të komisionit të përllogaritjes së fondit limit dhe hartimin e specifikimeve teknike, në bashkëpunim me titullarin e autoritetit kontraktor, shtetasin E.I., kanë vepruar në kundërshtim me ligjin nr.162/2020 “Për prokurimin publik”, si dhe VKM nr. 914, datë 29.12.2014 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, i ndryshuar, me qëllim favorizimin dhe krijimin e privilegjeve të padrejta për shoqërinë fituese të kësaj procedure prokurimi, shoqëria “A&E Engineering” sh.p.k.

Anëtarët e komisionit të përllogaritjes së fondit limit dhe hartimin e specifikimeve teknike,  shtetasit M.T., E.D., E.Z., në përllogaritjen e fondit janë bazuar pa kryer një studim real të tregut, duke u mbështetur në oferta fiktive të përgatitura nga vetë shoqëria fituese e kësaj procedure prokurimi, shoqëria “A&E Engineering” sh.p.k. Si dhe specifikimet teknike janë përgatitur nga administratorja e shoqërisë “A&E Engineering” sh.p.k.,shtetasja E.Ç.

Në lidhje me hartimin e dokumenteve standarde të tenderit, anëtarët e njësisë së prokurimit, shtetasit A.T., E.C., Sh.L., në bashkëpunim me titullarin e autoritetit kontraktor, shtetasin E.I., kanë vepruar në kundërshtim me ligjin nr.162/2020 “Për prokurimin publik”, si dhe VKM nr. 914, datë 29.12.2014 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik” i ndryshuar, me qëllim favorizimin dhe krijimin e privilegjeve të padrejta për shoqërinë fituese të kësaj procedure prokurimi, shoqëria “A&E Engineering” sh.p.k. 

Anëtarët e njësisë së prokurimit, shtetasit A.T., E.C., Sh.L., në bashkëpunim me titullarin e autoritetit kontraktor, shtetasin E.I., kanë miratuar dokumentet standarde të tenderit duke vendosur kritere të përcaktuara nga vetë shoqëria fituese e kësaj procedure prokurimi, shoqëria “A&E Engineering” sh.p.k.

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë. /CNA





Lajmet e fundit nga