web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Ballkani Perëndimor/ Një histori e rreme e evropianizimit

14 Tetor 2020, 07:32, Blog CNA

Nga Borjan Gjuzelov ?Emerging Europe?

Javën e kaluar, Komisioni Evropian bëri publike ??’Paketën e Zgjerimit? për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë. Kjo do të thotë që 6 vendet e rajonit (Shqipëria, Bosnja, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia) si aspirante për t?u anëtarësuar në BE, morën notat e tyre për ?progresin? e tyre gjatë vitit të fundit, dhe detyrat e shtëpisë për vitin e ardhshëm.

Në periudhën vijuese, ata do të bëjnë atë që e kanë parë shumë herë në të kaluarën: do të pretendojnë sikur po evropianizohen duke ndryshuar qindra ligje në përputhje me legjislacionin e BE, pa adresuar problemet kryesore të qeverisjes:informaliteti, korrupsioni dhe sundimi i dobët i ligjit.

Nga ana tjetër, për të ruajtur ndikimin e vet gjeostrategjik, dhe për të mbajtur gjallë perspektivat modeste të demokratizimit të Ballkanit Perëndimor, ?Paketa e Zgjerimit 2020? ofron një pasqyrë realiste të gjendjes së punëve në këto vende.

Në krahasim me raportet e mëparshme, këtë vit pati udhëzime më të qarta mbi reformat e nevojshme, bazuar në metodologjinë e rishikuar mbi negociatat e anëtarësimit. Metodologjia e re, pritet të ringjallë negociatat e pranimit me vendet e rajonit, duke siguruar një angazhim më të fortë politik.

Ndër ndryshimet e tjera, ajo parashikon një rol të shtuar për vendet anëtare të BE, për të vëzhguar dhe nëse është e nevojshme, bllokuar faza të caktuara të negociatave, nëse vendet kandidate nuk arrijnë të kryejnë reformat e kërkuara.

Dhe ndoshta më e rëndësishmja:paketës së këtij viti, i bashkëngjitet një Plan Ekonomik dhe Investues gjithëpërfshirës për të gjithë rajonin, që ofron një fond prej deri 9 miliardë euro, që synon kryesisht të përmirësojë ndërlidhjen midis ekonomive të rajonit, dhe përputhshmërinë e tyre me BE.

Sidoqoftë, përkundër metodologjisë së rishikuar të negociatave, ata që i ndjekin vazhdimisht këto procese, nuk do të shohin asnjë surprizë:raportet mbi këto vende, kanë nxjerrë në pah prej një dekade të njëjtat probleme.

Edhe pse raportet u referohen fazave të ndryshme të progresit në fusha të ndryshme në të gjashta vendet, me fraza si ?progresi i besueshëm në fushën e sundimit të ligjit, mbetet një sfidë e rëndësishme?; ?korrupsioni është i përhapur në shumë fusha, dhe mbetet një çështje shqetësuese?, ?ka një angazhim të pamjaftueshëm ndaj parimeve të pavarësisë së gjyqësorit?, ato vazhdojnë të nënvizojnë problemin kryesor tek të gjitha këto vende:mungesa efektive dhe e paanshme e sundimit të ligjit.

Dhe ndërsa koha ikën, në shumicën e vendeve të Ballkanit Perëndimor i kushtohet gjithnjë e më pak vëmendje ?asaj që thotë BE-ja?. Edhe pse ekziston ende një konsensus i përgjithshëm pro-BE, entuziazmi i hershëm se anëtarësimi në union do të sjellë një shtet ligjor dhe prosperitet, dalëngadalë po zbehet.

Paralelisht, prania në rajon e aktorëve autoritarë si Rusia, Kina dhe Turqia është në rritje. Vendet e rajonit, vazhdojnë të karakterizohen nga një polarizim i madh politik dhe mungesa e dialogut, abuzimi me burimet publike, dhe korrupsion e klientelizëm i përhapur në institucionet publike.

Në vend të reformave të rëndësishme institucionale, besnikëria politike mbetet një faktor dominues mbi profesionalizmin, paanshmërinë dhe meritat individuale. Këtyre u bashkohet shpesh një nacionalizëm i sponsorizuar nga shteti, me një propagandë politike bajate. Sot më shumë se kurrë po bëhet e qartë, se këto vende nuk janë në gjendje të demokratizohen më tej, pa nxitjen e jashtme të një perspektive të besueshme dhe të parashikueshme të anëtarësimit në BE.

Reformat që kërkohen nga Brukseli, kanë nevojë për një perspektivë të besueshme të anëtarësimit, por ky i fundit mbetet i largët derisa reformat të bëhen të suksesshme. Për më tepër, perspektivat e anëtarësimit në BE mbeten të paqarta, jo vetëm për shkak të ritmit të ngadaltë të reformave, por edhe për shkak të lodhjes së dukshme të zgjerimit që vërehet në BE.

Në krahasim me valët e hershme të zgjerimit në vitet 2004 dhe 2007, sot BE-ja po përballet me skepticizëm në rritje dhe me një opinion publik skeptik mbi zgjerimin e mëtejshëm, bazuar pjesërisht në të dhënat shqetësuese të disa prej vendeve të tjera post-komuniste, që iu bashkuan më herët unionit.

Nga ana tjetër, me sjelljen e tyre të dykuptimtë, elitat politike kombëtare në vendet e rajonit, janë kampione të reformave fasadë dhe autoritarizmit të kamufluar. Ato i kanë të gjithë reformat e kërkuara nga BE në krye të agjendave të tyre zyrtare politike.

Por njëkohësisht ato janë burimet kryesore të gjithçkaje, që e minon evropianizimin e këtij rajoni. Megjithëse ata fitojnë zgjedhjet, dhe fitojnë legjitimim ndërkombëtar për shkak të agjendës së tyre të shpallur pro-evropiane, në praktikë të gjithë ata (në shkallë të ndryshme) i shfrytëzojnë mandatet e tyre politike për të kontrolluar dhe abuzuar në mënyrë jozyrtare me institucionet shtetërore dhe burimet publike, për të mbajtur dhe zgjeruar pushtetin e tyre.

Si të tilla, elitat politike të rajonit, në vend se të jenë agjentët kryesorë të ndryshimit në shoqëri (siç e etiketojnë shpesh veten e tyre), janë ato që në fakt po e pengojnë evropianizimin e mëtejshëm të rajonit.

Mjerisht, as e ardhmja nuk duket veçanërisht e ndritshme. Ndërsa 6 vendet e rajonit po rrinë në ?dhomën e pritjes? së BE-së, çdo vit mijëra qytetarë të tyre emigrojnë në vendet e unionit. Kjo dukuri ka tashmë ka një ndikim demografik dukshëm negativ në pjesët më pak të zhvilluara të rajonit, dhe karakterizohet nga një largim i dukshëm e profesionistëve të kualifikuar në disa fusha kryesore, si kujdesi shëndetësor apo arsimi i lartë.

Përveç kësaj, kriza aktuale e Covid-19 do të thellojë ndarjet ekzistuese sociale në këto shoqëri:papunësia (tashmë e lartë) do të rritet, transferimet e parave nga diaspora që luajnë zakonisht një rol të rëndësishëm për ekonomitë kombëtare do të tkurren, ndërsa pakënaqësia e publikut do të vazhdojë të rritet.

Njëkohësisht, BE-ja ka të ngjarë të hyjë në një cikël të ri të të menduarit për vete, që mund të shmangë çdo zgjerim të mundshëm në të ardhmen e afërt. Më shumë se 30 vjet më parë, regjimet komuniste të karakterizuara nga mashtrimi masiv dhe kontradiktat e shumta, u ilustruan në mënyrë fenomenale me anekdotën e ?Gjashtë paradokseve të socializmit?:

?Nuk ka papunësi, por askush nuk punon. Askush nuk punon, por produktiviteti rritet. Produktiviteti rritet, por dyqanet janë bosh. Dyqanet janë bosh, por frigoriferët janë plot. Frigoriferët janë plot, por askush nuk është i kënaqur. Askush nuk është i kënaqur, por të gjithë votojnë njëzëri për partinë?. Druaj se edhe fabula e rreme e evropianizimit të Ballkanit Perëndimor, do të karakterizohet së shpejti nga një anekdotë e ngjashme./ Përshtatur nga CNA.al





Lajmet e fundit nga