web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Rreziqet dhe reagimi i trupit/ Çfarë duhet të dini për temperaturën

11 Tetor 2020, 14:04, Blog CNA

Si e rregullon trupi temperaturën e tij?

Kur zgjidhni se çfarë të vishni për të dalë jashtë, ju zakonisht mund përdorni telefonin, televizorin ose dritaren më të afërt për të kontrolluar si do jetë koha. Një ndryshim i temperaturës prej 10 gradësh, mund të nënkuptojë ndryshimin midis veshjes së një xhakete të lehtë, apo daljes me mëngë të shkurtra në një ditë të këndshme me diell.

Trupi juaj është edhe më vigjilent për rregullimin dhe gjurmimin e temperaturës së tij të brendshme.Neuroshkencëtari Shon Morrison i Universitetit të Shëndetit dhe Shkencës në Oregon, SHBA, shpjegon se si trupi dhe truri e rregullojnë temperaturën, dhe çfarë ndodh kur gjërat shkojnë keq.

Si përfshihet truri në rregullimin e temperaturës së trupit tonë?

Rregullimi i temperaturës së trupit, është si një refleks. Ju vetë nuk jeni të vetëdijshëm për këtë gjë.Trupi i njeriut ruan një temperaturë të brendshme prej rreth mesatarisht 37 gradë Celsius, edhe pse nga njeri tek tjetri kjo mund të ndryshojë paksa.

Trupi bën ndryshime të vogla që e mbajnë atë në një temperaturë të shëndetshme, në varësi të mjedisit dhe metabolizmit të trupit. Në tru, është hipotalamusi ai që e kontrollon këtë refleks. Ai luan gjithashtu një rol në sekretimin e hormoneve, gjumit dhe funksioneve të tjera.

Hipotalamusi merr të dhëna nga receptorët e temperaturës në lëkurë dhe organet e brendshme, përfshirë zorrën.Edhe gjatë pushimit në një mjedis me temperaturë optimale, hipotalamusi juaj mbetet vigjilent.Kur muskujt punojnë, ato prodhojnë një sasi të madhe nxehtësie, duke përfshirë zemrën, zorrët, madje edhe muskujt e diafragmës që mundësojnë frymëmarrjen.Mbajtja e një temperature të duhur të trupit, është një punë me kohë të plotë, edhe kur duket sikur nuk jeni duke punuar në mënyrë aktive me ndonjë muskul.

Cilat janë rreziqet kryesore kur rritet temperatura e trupit?

Qelizat e trupit, janë shumë të ndjeshme ndaj temperaturave të larta. Ndërsa temperatura rritet mbi 40 gradë Celsius, proteinat në qeliza mund të nisin të shpërbëhen. Kjo mund të dëmtojë funksionimin e qelizave, dhe në fund mund të çojë në vdekjen e tyre.

Në tru, kjo mund të ketë pasoja afatgjata, përfshirë dëmtimin e përhershëm të tij.Funksioni i zvogëluar i muskujve të zemrës, mund të jetë një rrezik real.Ndërsa temperatura e trupit rritet, zemra punon më shumë për të pompuar gjak në periferi për të ftohur trupin.

Ndërsa muskuli i zemrës dobësohet, dobësohet puna e tij dhe bie edhe furnizimi me oksigjen i organeve, përfshirë trurin. Rreziku më i madh në një mjedis të nxehtë është dehidratimi, dhe zvogëlimi i rrjedhjes së gjakut në tru. Nëse uji i humbur nuk zëvendësohet duke pirë ujë, gjë që mund të ndodhë në një shkretëtirë, atëherë vëllimi i gjakut do të ulet.

Kjo çon në dobësimin e punës së zemrës dhe në zvogëlimin e rrjedhjes së gjakut në tru. Kur zemra ngadalëson rrahjet, do të bjerë edhe rrjedha e gjakut në organet e tjera. Nëse fluksi i gjakut në tru bie shumë, viktimës nga goditja e vapës do t?i bjerë të fikët. Kjo është një teknikë adaptive, pasi është shumë më e lehtë për zemrën të pompojë gjak në tru kur jeni i shtrirë në tokë.

Çfarë ndodh kur temperatura e trupit bie?

Rënia e temperaturës së trupit, është shumë më pak e rrezikshme sesa rritja e saj.Ndërsa temperaturat e larta, mund të shkaktojnë shpejt vdekjen e qelizave, temperatura e ulët e trupit nuk ka të njëjtin efekt.Kjo është arsyeja pse disa gjitarë mund të hyjnë në periudha të letargjisë, ku temperatura e tyre trupore ulet ndjeshëm.

Ndërsa temperaturat e brendshme të arinjve mund të ulen vetëm disa gradë gjatë gjumit të tyre, temperatura trupore e ketrit të Arktikut mund të bjerë afër zeros, edhe pse vetëm për disa javë. Njerëzit nuk e kanë këtë aftësi, pasi hipotermia ndodh shumë më përpara.

Në temperatura të ulëta, funksioni qelizor nis të ngadalësohet. Njerëzit mund të bëhen konfuzë ose të çorientuar. Këto janë shenja se neuronet në trurin e madh apo në korteksin cerebral nuk po dërgojnë sinjale siç duhet.

Por rreziku kryesor nuk është aftësia njohëse. Ashtu si goditja nga vapa, kërcënimi nga hipotermia ka të bëjë kryesisht me zemrën dhe me zonat e trurit që e rregullojnë atë. Ndërsa temperatura e brendshme bie në nivele të rrezikshme, sistemi që rregullon rrahjet e zemrës nis të ç?akordohet.

Viktimat zhvillojnë aritmi – rrahje të çrregullta të zemrës që e ndryshojnë rrjedhën e gjakut në pjesën tjetër të trupit. Nëse gjaku nuk pompohet në organet kryesore, veçanërisht në tru, atëherë do të keni probleme. Aritmitë kardiake, që çojnë më pas në arrest kardiak, duket se janë ato që vrasin shumicën e njerëzve që ekspozohen ndaj hipotermisë./ Përshtatur nga CNA.al





Lajmet e fundit nga