web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Misteri i Nefertitit/ Mbretëresha e fuqishme e Egjiptit që u zhduk papritur

10 Tetor 2020, 06:41, Blog CNA

Busti i Nefertitit, është ndoshta një nga veprat më të famshme të artit të lashtë egjiptian në botë. Mbretëresha e njohur, sundoi mbi Egjiptin e lashtë gjatë një periudhe ndryshimesh kulturore të jashtëzakonshme, pasi ajo dhe burri i saj, faraoni Akhenaten, e ridrejtuan fokusin politik dhe fetar të Egjiptit.

Nefertiti kishte ndërkohë një ndikim të paparë si grua në oborrin mbretëror. Por pastaj në vitin e 12-të të sundimit 17-vjeçar të burrit të saj, ajo zhduket befas nga të gjitha rekordet historike. Zhdukja e mbretëreshës, i ka intriguar historianët për shekuj me radhë.

Po kush ishte Nefertiti? Ndërsa dihet pak mbi origjinën e saj, besohet se ajo lindi rreth vitit 1370 Para Krishtit, dhe ndoshta u rrit në qytetin e Akhmimit, si mbesa apo vajza e një zyrtari të quajtur Ay. Ky ishte një këshilltar i rëndësishëm i mbretit, dhe në fund u bë vetë faraon kur mbreti Tutankhamun vdiq në vitin 1323 Para Krishtit.

Megjithatë historianë të tjerë, pohojnë se Nefertiti ishte në fakt një princeshë e ardhur nga Mbretëria Mitani në Sirinë Veriore. Në atë kohë, për egjiptianët e lashtë ishte e zakonshme të favorizonin një perëndi mbi tjetrin, dhe Nefertiti u tha banorëve që të nderonin më shumë perëndinë egjiptiane të diellit Aten.

Pavarësisht nga origjina e saj, Nefertiti u martua me Amenhotepin IV, djalin e Amenhotepin III, kur ishte vetëm 15-vjeçe. Amenhotepi III, i njohur ndryshe si Amenhotep i Madhërishmi, ishte faraoni i nëntë i Dinastisë së 18-të.

Gjatë gjithë asaj dinastie, egjiptianët që favorizonin perëndinë e Diellit dhe Ajrit, Amun, ishin bërë shumë të fuqishëm dhe kishin fituar aq shumë pasuri dhe prestigj, sa të sfidonin edhe fuqinë e faraonit në kohën kur në fron u ngjit Amenhotepi IV.

Kur u ngjit në fron në Tebë rreth vitit 1353 Para Krishtit, Amenhotepi IV dhe Nefertiti nisën të ndërmerrnin ndryshime të mëdha në shoqërinë egjiptiane. Ata ndërprenë praktikat e vjetra fetare në Egjipt, mbyllën tempujt dhe e hoqën pushtetin nga kulti i Amunit në favor të perëndisë së tij të preferuar dhe Nefertitit, Aten.

Amenhotepi IV e vuri Aten në fokusin kryesor të jetës fetare, teksa përdhosi emrat dhe imazhet e Amun. Ai ndërtoi që në vitin e tij të parë të sundimit, një seri tempujsh kushtuar Aten në kompleksin tempullor të Karnak afër Luksorit.

Egjiptologu Xhejms Alen vëren se Amenhotep madje punoi për të ndryshuar ?perënditë? e shumta në një ?Perëndi? të vetme. Historianët besojnë se ky ndryshim, nënkuptonte dëshirën e tij për të konsoliduar pushtetin vetëm nën veten e tij dhe Nefertitin.

Pastaj, në vitin e pestë të mbretërimit të tij, Amenhotepi IV e ndryshoi emrin e tij në Akhenaten, që përkthehet në ?Fryma e gjallë e Aten?. Nefertiti e ndryshoi emrin në ?Neferneferuaten?, që do të thotë ?Të bukura janë bukuritë e Aten, një grua e bukur ka ardhur?.

Pastaj çifti e zhvendosi kryeqytetin në veri, më afër diellit, në Amarna. Ata sunduan me një fuqi të tillë të paparë, sa që madje besohet se Nefertiti mund të ketë qenë vetë një Faraon.

Akhenaten dhe Nefertiti përshkruhen së bashku me një frekuencë të tillë, saqë shumë besojnë se të dy kishin pushtet të barabartë mbi Egjiptin.

Muret e tempujve dhe varreve të ndërtuara gjatë sundimit të Akhenaten, tregojnë se Nefertiti së bashku me faraonin shfaqet me një frekuencë të tillë që egjiptologët dhe historianët besojnë se ata qeverisnin bashkë. Asnjë mbretëreshë tjetër egjiptiane, nuk është përshkruar përkrah faraonit të saj aq shpesh sa Nefertiti.

Në vitin 1912, busti i Nefertiti u zbulua në Amarna, Egjipt, nga arkeologu gjerman Ludvig Borshardt. Paraqitje të shumta e tregonin Mbretëreshën Nefertiti në pozicionet të fuqisë, nga mposhtja e një armiku në betejë, tek udhëheqja e ceremonisë së adhurimit ndaj perëndisë Aten, tek drejtimi i një karroce.

Ajo madje ishte përshkruar edhe me kurorën e një faraoni. Pasi lindi 6 vajza, Akhenaten u martua me gra të tjera – përfshirë motrën e tij, me të cilën lindi mbreti Tutankhamen. Mbreti Tut përfundimisht do të merrte për grua vajzën e tretë të Nefertitit, Ankhesenamun.

Por, pavarësisht se ndikoi në ndryshime të tilla thelbësore në adhurimin fetar dhe kulturor, dhe potencialisht edhe në bashkëqeverisjen e Egjipt, Nefertiti u zhduk papritur. Pas 12 vjetësh sundimi mbi Egjiptin me burrin e saj, ajo zhduket nga çdo përshkrim.

Deri më sot, nuk ka asnjë konsensus midis historianëve mbi atë që i ndodhi asaj. Edhe pse shumica e studiuesve kanë arritur në përfundimin se ajo thjesht vdiq. Një teori tjetër që ndahet nga ekspertë të tjerë, është se ajo e mashtroi publikun duke u maskuar si burrë.

Kjo mund të ketë ndodhur kur Akhenaten e ngriti statusin e saj nga mbretëreshë në bashkë-regjent, me fuqi të barabartë me faraonin. Por për këtë nuk ka prova të qarta. Një tezë tjetër propozon që Nefertiti u dëbua nga Egjipti, kur adhurimi ndaj Amen-Ra u rivendos pas fundit të mbretërimit të Akhenaten.

Megjithatë, disa studiues të tjerë sugjerojnë që Nefertiti sundoi si faraone. Ata argumentojnë se ai që vdiq ishte Akhenaten, dhe se pasardhësi i tij Faraoni Smenkhkare, ishte në fakt Nefertiti i maskuar. Por nuk ka prova të forta që e mbështesin këtë tezë.

Disa studiues besojnë se Akhenaten e dëboi Nefertitin pasi ajo lindi 6 vajza dhe asnjë trashëgimtar mashkull. Nëse Akhenaten vdiq, ka gjasa që si faraon i ri, Nefertiti të ketë ndryshuar politikat fetare të burrit të saj. Edhe koncepti që ajo e maskoi veten si një burrë, nuk është i paprecedentë.

Faraoni femër Hatshepsut, e drejtoi Egjiptin nën një maskim të tillë gjatë shekullit XV-të Para Krishtit; madje ajo përdorte një mjekër të rreme. Së fundmi, disa besojnë se Akhenaten e dëboi Nefertitin pasi ajo ishte e paaftë për t?i dhënë një trashëgimtar mashkull, ndërsa të tjerë besojnë se Nefertiti kreu vetëvrasje kur vajza e saj Mekitaten vdiq gjatë lindjes së një fëmije në moshën 13-vjeçare.

Por asnjë nga këto teori nuk mund të vërtetohet. Në vitin 2015, egjiptologu Nikolas Rivs dhe arkeologu Mamduh Eldamati, zbuluan atë që ata besojnë të jetë një derë e fshehur brenda varrit të Tutankhamun. Brenda tij ka disa anomali strukturore, që lënë të kuptohet ekzistencën e një dhome të fshehtë, ku mund të ndodhet sarkofagu i Nefertitit.

Në shkurt të këtij viti, një studim i botuar në revistën ?Nature?, përshkroi një vëzhgim premtues me radarë depërtues në terrene të forta (GPR) rreth varrit të mbretit Tutankhamun. Gjetjet i dhanë besim teorisë së Rivs se varri i mbretit, përmbante një varr të fshehur më të madh brenda tij. Ndërkohë, disa ekspertë besojnë se busti i Nefertiti që ndodhet sot në Berlin, është i rremë. /allthatsinterestingPërshtatur nga CNA.al





Lajmet e fundit nga