web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Rama heq dorë nga telefonatat/ Këshilla qytetarëve me email: Mos harroni të lani duart

29 Prill 2020, 14:59, Politikë CNA

Kryeministri Edi Rama ka gjetur një tjetër mënyrë se si të komunikojë me shqiptarët gjatë këtyre ditëve të pandemisë.

Ndonëse në fillim të izolimit të vendit, Rama i dilte me zë çdo shqiptari sapo merrte dikë në telefon dhe i këshillonte të lajnë duart e të mbajnë distancë, tashmë kreu i qeverisë ka zgjedhur t’i dërgojë emaile.

Duke qenë se Shqipëria ka hyrë në fazën e hapjes, Rama i kujton qytetarëve nëpërmjet emaileve të kenë kujdes, si dhe i rikthen sërish ndërmend këshillat që kanë dhënë mjekët.

Kryeministri paralajmëron se pasojat ligjore të shkeljes së rregullave do të jenë të rënda, ndaj kërkon që gjithësecili t’i respektojë.

“Uroj të jeni mirë me shëndet familjarisht!

Teksa po hyjmë çdo ditë e më shumë në fazën 2 të përballjes me Covid-19, duke rihapur punën në gjithë sektorët e ekonomisë, si edhe zgjeruar hap pas hapi fashën orare të lëvizjes, qoftë për këmbësorët e qoftë për automjetet, sjellja jonë në raport me rregullat ka një rëndësi jetike. Secili prej nesh duhet të bëjë me vetëdije të lartë detyrën karshi familjes dhe shoqërisë, në respektimin rigoroz të rregullave, për të mos lejuar zhbërjen e sakrificave të deritanishme dhe një kthim të dhimbshëm mbrapsht nëse Armikut të Padukshëm i hapen shtigje nga abuzimi me rregullat.

Ju lutem mos harroni se kur dilni nga shtëpia, jeni nën shënjestrën e tij dhe lani duart shpesh, vendosni krahun para gojës kur tështini, hapni sa më shumë dritaret. Mos ecni në këmbë me më shumë se sa një person tjetër në krah, mos krijoni asnjë grumbullim dhe ruani distancë 1.5m nga tjetri në radhat e pazareve. Jini të vëmendshëm në vendin tuaj të punës dhe mos lëvizni me automjet me më shumë se një person tjetër brenda, diagonal me shoferin. Pasojat ligjore të shkeljes së rregullave janë të rënda, por secili prej nesh duhet t’i respektojë këto rregulla, jo thjesht pse kështu thotë ligji, po mbi të gjitha sepse vetëm kështu ruan veten, familjen, popullin dhe vetë Shqipërinë nga e keqja e madhe, që deri tani e kemi shmangur me kaq sukses së bashku.

Ne duhet e do ta fitojmë këtë luftë medoemos dhe do të dalim prej saj më të mirë dhe më të fortë! Së bashku!

Më e mira do të bëhet, me durim, besim, solidaritet. Qofshi gjithnjë mirë familjarisht,

Edi Rama”, thuhet në emailin e kreut të qeverisë./ CNA.al





Lajmet e fundit nga