web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Kerry në Tiranë për të mbështetur shtetin, jo pushtetin

13 Shkurt 2016, 21:00, Opinione CNA

baSir çollakuNga Basir ÇOLLAKU

Vizita e sekretarit amerikan të shtetit, John Kerry, nuk është thjesht një vizitë e madhe në një vend të vogël. Pavarësisht zhvillimeve me grafik te çrregullt në Tiranë, ardhja e kryediplomatit amerikan ka një rëndësi të pazakontë. Pesha e madhe e përfaqsimit ia shumëfishon vleren njëherësh edhe pritshmërinë. Por, në Shqipëri thika me dy presa gjithnjë e më shumë është instrumenti ndarës i shumë punëve. Mazhoranca dhe opozita kanë bërë kujdes maksimal të mendojnë se duhet dëgjuar më shumë, se sa duhet folur, në ato pak orë amerikanë të së dielës së Kerry në Tiranë. Ka një shqetësim prezent në Shqipëri prodhuar nga politika jonë në mënyrë të vazhdueshme, duke e shndërruar në ves produktin e përvetësimit të partneritetit. Eshtë përpjekje që i ka dhënë shenjat herët dhe ka të bëjë me leximin e njëanshëm të vëmendjes ndaj shtetit, si vëmendje ndaj pushtetit. Kjo sëmundje prek të majtë e të djathtë.
Vizitori i rëndësishëm do te përcjellë qartësisht mesazhet për të mos ia lënë partive tona Shën Valentinin e interpretimeve, si aksione të gatuara më vete për njërën palë. Janë shumë çështje në tryesë dhe minutat e takimeve janë të vlefshme deri në çdo sekondë. Eshtë reforma ne drejtësi, ligji i dekriminalizimit, është Byroja Kombetare e Hetimit, është mundësia e strehimit të iranianëve opozitarë, larg rrezikut ku ndodhen në vendin e tyre. Janë shumë çeshtje ku kërkohet plot vëmendje dhe janë diskutime që kapërcejnë kufirin e një qeverie dhe të një partie. Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu në deklarimet e tij ka thënë hapur se reforma në drejtësi është porosi e Shtëpisë së Bardhë dhe vizita e Kerry është dëshmi se nuk ka kohë as vend për dilema dhe kthim pas. Orët e mbetura duhet të kthjellojnë në sasinë e duhur tekanjozet partiakë për të mos bërë llogari amerikane me peshore shqiptare. Kerry është përcjellësi i mesazhit kundër oligarkëve në mbrojtje të demokracisë. Eshtë mesazhi i dëshëruar per tu ridëgjuar, do të ishte një kujtesë së transparenca dhe mungesa e kompromisit do të ndëshkojnë secilin që ka iluzione se mund të ndodhë ndryshe. Vlen kjo kujtesë në takime me aktorë të dyshuar dhe akuzuar herë si prodhues e herë si mosndëshkues të kësaj oligarkie, rrezikplotë e telasheshumë.
Kjo vizitë ka dy tehe ku shteti dhe pushteti në Shqipëri manipulojnë dhe shesin njeri-tjetrin për interesa të një grupi duke trukuar raportin me drejtësinë, flirtuar kurrizkthyer me partnerë të ndërmjetëm, e shpesh jo seriozë në kontrata afatgjata. Kerry është mundësia e qytetarëve, në orët e ditës së dielë ku mikpritësit e aleatit do të jenë shqiptarët, për hir të tyre duhet zbuar nga të gjithë trezat loja. Tekat por edhe interesat e pushteteve të partive, kamnë zvarritur drafte e dakortësi për thuajse të gjitha angazhimet serioze në drejtësi e shtetbërje. Kështu ka ndodhur e po ndodh me Byronë e Hetimit, me Paketën e reformës në drejtësi. E gjitha kjo ka një faturë për tu paguar nga ai, ose ata mendjendryshuar, të cilët nuk do eklipsojne dot transparencën e efekteve të ngjarjeve të pasvizitës së Kerry. Presidenti i vendit z. Nishani, e më pas Rama, Basha, Meta, janë qeveritarët politikë dhe institucionalë, ku do të ndalet porosia e njëherësh përgjegjësia. Rama është në provën e dytë, pas dështimit me armët kimike në bashkëpunimin me qeverinë amerikane, dhe do përpiqet të shfrytëzojë vizitën e Sekretarit të Shtetit, për të thelluar pozitën e cila i luhatet nga shumë faktorë sa qeverisës aq dhe politikë. Në inventarin e veprimeve dhe ekipit të dyshimtë politik, kryeministri do të duhet të dorëzohet në jo pak sektorë të fortë. Kë duhet të lëshojë deputetë e bashkiakë me rekorde kriminale, koncensione e investime të dhëna të huajve ku interesat amerikane nuk janë në sinkronë, apo të mënjanojë Metën, aleatin mollë sherri për histori drejtësie. Nga na tjetër kreu i opozitës Lulzim Basha, ngjan më komod njeheresh produktiv në betejat denoncuese konkrete. Ai duket të jetë garantuesi i nevojshëm për mirëmbajtjen e premtimeve që Kerry do të marre nga shteti dhe jo pushteti në vizitën e tij te 14 shkurtit në Tiranë. Kështu Basha vjen si përjashtim dhe domosdoshmëri në këtë axhendë të vizitës. Sekretari Kerry, konfirmon seriozitetin dhe vendosmerinë amerikane e përcjellë qartësisht nga ambasadori Lu, se me projektin e tyre strategjik të partneritetit me Shqipërinë nuk mund të bëjë kompromis individual asnjë politikan shqiptar. Aksionet e qytetarëve shqiptarë këtë herë i mbron dhe përfaqëson më mirë sekretari Kerry se sa pushteti ku ne gjendemi. Një mesazh konkret pa shumë diplomaci në këtë adresë, do të jepte shpresën se loja politike e aktorëve të Tiranës nuk prodhon tolerancë në Uashington. Rajoni shqiptar në Ballkan do të marrë porosinë e duhur e mesazhet mbërrijnë her ënë Tiranë e herë në Prishtinë. Nëse aktualët duan të dembelosen, servilosen, apo mendohen gjatë, atëhere partnerët dinë të gjejnë zëvëndësuesit e duhur. Madje më shpejt se sa rrok fantazia e pushtetit. Dhe, për këto arsye, besoj se kryediplomati amerikan do të jetë direkt, i drejtpërdrejtë me bashkebiseduesit, që mund të jenë manipuluesit potencialë dhe transparent me shqiptarët, që jane mikpritësit e sinqertë. Sepse vetem kështu do të na shërbejë ne dhe do të ruajë autoritetin amerikan nga korrodimi i politikës hipokrite. Kerry besojmë se vjen të na mbeshtese shtetin dhe jo pushtetin.





Lajmet e fundit nga