LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Shpërthim i ri i një virusi të vjetër: Sa i lartë është rreziku pandemik?

29 Maj 2022, 11:44, Sociale CNA
Shpërthim i ri i një virusi të vjetër: Sa i lartë
Foto ilustruese

Në një botë që vuan ende pasojat e pandemisë COVID-19, përhapja e një tjetër sëmundjeje ndez alarmin. Lia e majmunëve është një infeksion viral që njihet prej dekadash, por rastet aktuale me të janë të pazakonshme, për shkak të përhapjes së gjerë gjeografike.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se situata duhet të përcillet me seriozitet, por ka bërë thirrje kundër panikut, duke vlerësuar se sëmundja është ende “e kontrollueshme”.

“Është e rëndësishme të kuptojmë tani se ky shpërthim mund të frenohet me anë të gjurmimit të kontakteve dhe izolimit”, ka thënë Rosamund Lewis nga kjo organizatë.

Lia e majmunëve është zbuluar për herë të parë në majmunë, në vitin 1958, në Afrikë. Rasti i parë në njeri është regjistruar në vitin 1970 në Republikën Demokratike të Kongos. Deri më tani, lia e majmunëve ka qenë e përqendruar vetëm në një numër të vogël të vendeve afrikane. Rastet e eksportuara tjetërkund kanë qenë të rralla ose joekzistente.

Por, javëve të fundit ato janë shfaqur shpejt në disa shtete të Europës, SHBA-së, Australisë e të tjera. Numri i tyre ka arritur tashmë në disa qindra.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, - vendi i të cilit bart barrën më të rëndë të sëmundjes COVID-19, me mbi një milion viktima - ka thënë se do të ketë pasoja të mëdha nëse lia e majmunëve vazhdon të përhapet.

“Është diçka që duhet ta shqetësojë secilin. Po punojmë shumë për të kuptuar se çfarë duhet të bëjmë dhe çfarë vaksine mund të jetë e disponueshme”, ka thënë Biden.

Pas më shumë se dy vjetësh jetë në pandemi, ndjenja e frikës është e kuptueshme. Por, zyrtarë të OBSH-së thonë se lia e majmunëve nuk ka gjasa të krijojë skenar të ngjashëm me atë të sëmundjes COVID-19, edhe nëse zbulohen më shumë raste.

“Me zgjerimin e mbikëqyrjes, presim edhe më shumë raste. Por, duhet ta kuptojmë që [lia e majmunëve] nuk është COVID”, ka thënë Maria Van Kerkhove nga OBSH-ja.

Sipas OBSH-së, simptoma klasike e lisë së majmunëve është skuqja e lëkurës, që shpesh fillon në fytyrë dhe pastaj përhapet në gjymtyrë dhe pjesë të tjera të trupit. Skuqja ndryshon dhe kalon nëpër faza të ndryshme, derisa shndërrohet në puçrra, të cilat pastaj egërsohen dhe bien.

Simptomat tjera përfshijnë edhe ethe, kokëdhimbje, ënjtje dhe dhimbje muskujsh. Sëmundja, sipas OBSH-së, përhapet nga kontakti i afërt me një person ose kafshë të infektuar. Ajo i ka dy variante: i Kongos, i cili është më i rëndë - me vdekshmëri deri në 10 për qind - dhe varianti i Afrikës Perëndimore, i cili ka një shkallë të vdekshmërisë në rreth 1 për qind të rasteve. Rastet aktuale - jashtë kontinentit afrikan - janë raportuar si variant i Afrikës Perëndimore.

Ndryshe nga sëmundja COVID-19, të cilën e shkakton një koronavirus i ri, i panjohur më parë, lia e majmunëve është zbuluar në njerëz që më shumë se 50 vjet. Ajo bën pjesë në familjen e sëmundjes së lisë, e cila besohet se ka ekzistuar për së paku 3,000 vjet. Andaj, shkencëtarët e dinë se si përhapet dhe shprehen të bindur se është ndryshe nga COVID-i.

Chad Roy, profesor i mikrobiologjisë dhe imunologjisë në Universitetin Tulane në SHBA, thotë për programin Expose të Radios Evropa e Lirë se lia e majmunëve do kontakt shumë të afërt për t’u përhapur - në të shumtën e rasteve lëkurë me lëkurë. Për dallim, COVID-i mund të përhapet thjesht duke folur me një person të infektuar ose duke ndarë të njëjtën dhomë.

“Duket se nuk ka fare gjasa që [lia e majmunëve] të transformohet në një situatë të ngjashme me COVID-in, edhe pse e kuptoj që kjo është në kokën e njerëzve, për shkak të përjetimit të pandemisë. [Lia e majmunëve] është një virus krejt tjetër, me manifestime të tjera klinike dhe me modele të tjera transmetimi”, thotë Roy.

Neil Mabbott, profesor i imunopatologjisë në Universitetin e Edinburgut, thotë për Exposenë se lia e majmunëve është më pak ngjitëse se COVID-i dhe se rrallë shkakton probleme të rënda te të prekurit.

“Te disa njerëz, shumë rrallë, sëmundja mund të jetë e rëndë dhe të çojë në sepsë. Gjithashtu, mund të keni sasi të madhe puçrrash në lëkurën tuaj dhe kjo mund të shkaktojë probleme. Por, te shumica, sëmundja është zakonisht e lehtë - aq e lehtë, saqë njerëzit mund të mos e dinë se janë të infektuar me virus”, thotë Mabbott.

Nëse infektoheni me linë e majmunit, zakonisht duhen pesë deri në 21 ditë që të shfaqen simptomat e para. Andaj, periudha e izolimit për rastet e kontaktit rekomandohet të jetë tri javë. Te COVID-i, simptomat mund të shfaqen nga dita e dytë deri në ditën e 14-të, pas ekspozimit.

Ekspertët shëndetësorë nuk mund të thonë me siguri se çfarë e ka shkaktuar valën e tanishme të të infektuarve me linë e majmunëve. Një skenar i mundshëm është rritja e udhëtimeve, pas heqjes së shumicës së kufizimeve, që ka imponuar pandemia COVID-19. Ndërsa, për gjasat që lia e majmunëve të ketë pësuar ndonjë mutacion, profesori Mabbott shpjegon më shumë:

“Po, është e mundur që virusi të ketë ndryshuar në ndonjë mënyrë, për të qenë më efikas në përhapjen midis njerëzve. Janë bërë disa teste fillestare në gjenomin, në materialin gjenetik të lisë së majmunëve, që po qarkullon aktualisht”.

“Dhe, këto studime fillestare sugjerojnë se nuk ka prova të fuqishme se virusi ka ndryshuar. Kjo nuk do të thotë se nuk ka ndodhur, por të dhënat nuk e sugjerojnë këtë”, thotë Mabbott.

Agjencitë shëndetësore të disa vendeve që kanë raportuar raste me linë e majmunëve, kanë thënë se numri më i madh i të infektuarve është regjistruar në mesin e homoseksualëve apo burrave që kryejnë marrëdhënie seksuale me burra. Këtë e pohon edhe Roy, por, sipas tij, nuk ka ende shpjegim se përse ndodh kjo. Lajm i mirë, thotë Roy, është se trajtimi për linë e majmunëve ekziston, pasi vlen ai që përdoret për rastet e lisë.

“Kemi antiviralë që mund ta trajtojnë në mënyrë efektive këtë sëmundje, që janë dëshmuar klinikisht si të suksesshëm. Kemi po ashtu vaksinën”, thotë ai.

Lia dhe lia e majmunëve janë pjesë e familjes së virusve “Orthopox”. Lia, në një kohë, ka vrarë miliona njerëz në vit. Ajo është çrrënjosur në vitin 1980, me anë të një fushate mbarëbotërore të vaksinimit.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, vaksina e lisë është rreth 85% efektive kundër lisë së majmunëve, megjithëse ky efektivitet zbehet me kalimin e kohës.

Disa vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara, i kanë ruajtur vaksinat e lisë në kuadër të rezervave strategjike dhe tani mund t’i përdorin për të frenuar shpërthimin e lisë së majmunëve.

Në Evropë, disa vende, përfshirë Gjermaninë dhe Spanjën kanë porositur ose blerë vaksina të lisë. Mbretëria e Bashkuar ka filluar tashmë t’i vaksinojë punonjësit e kujdesit shëndetësor, që mund të jenë në rrezik më të lartë nga lia e majmunëve.

Kryeministri britanik, Boris Johnson, ka thënë se vendi i tij po vëzhgon nga afër edhe mundësinë e vendosjes në karantinë të vizitorëve, por jo tash për tash.

“Është një sëmundje shumë e rrallë dhe, deri më tash, pasojat nuk duken shumë serioze. Por, është e rëndësishme që ta përcjellim dhe kjo është ajo që po bën Agjencia e Sigurisë Shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar”, ka thënë Johnson.

Organizata Botërore e Shëndetësisë u ka bërë thirrje njerëzve të mos i stigmatizojnë ata që diagnostikohen me linë e majmunëve. Në një deklaratë të lëshuar për mediat, më 23 maj, OBSH-ja ka thënë se ka parë mesazhe që stigmatizojnë grupe të caktuara njerëzish.

“Duam ta bëjmë të qartë se kjo nuk është e drejtë, sepse kushdo që ka kontakt të ngushtë fizik - të çfarëdo lloji - me dikë që ka linë e majmunëve, është i rrezikuar, pavarësisht se kush është ai, çfarë bën apo me kë zgjedh të ketë marrëdhënie seksuale”, ka thënë OBSH-ja.

Gazeta amerikane "New York Times", në një artikull për linë e majmunëve, ka cituar disa hulumtime, që tregojnë se mundësitë që njerëzit të kontraktojnë viruse nga kafshët, janë rritur dekadave të fundit, për shkak të rritjes së urbanizimit dhe shpyllëzimit. “Disa kafshë që bartin viruse, si lakuriqët e natës dhe brejtësit, janë shtuar, ndërsa të tjerat i kanë zgjeruar ose përshtatur vendbanimet e tyre, për shkak të zhvillimit urban dhe ndryshimeve klimatike”, ka shkruar "New York Times"./rel

Lajmet e fundit nga