web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Nuk mund ta rivendosni sistemin nervor, por ja si ta ulni stresin

4 Maj 2026, 17:13, Shëndeti CNA

Nuk mund ta rivendosni sistemin nervor, por ja si ta ulni stresin

Shumë këshilla të përhapura në rrjetet sociale flasin për “rivendosjen” ose “shërimin” e sistemit nervor gjatë periudhave të stresit, por ekspertët theksojnë se kjo nuk është një koncept mjekësor i saktë.

Sipas specialistëve, sistemi nervor autonom, i cili kontrollon funksione të pavullnetshme si rrahjet e zemrës, tretjen dhe reagimet emocionale, ndahet në dy pjesë: sistemi simpatik, që aktivizohet në situata stresi, dhe ai parasimpatik, që ndihmon trupin të rikthehet në gjendje normale.

Kur stresi bëhet kronik, për shkak të ngarkesës së punës, problemeve financiare apo faktorëve të tjerë afatgjatë, njerëzit mund të përjetojnë lodhje, nervozizëm dhe ndjeshmëri më të lartë. Megjithatë, kjo gjendje nuk përbën një “çrregullim të sistemit nervor” në kuptimin mjekësor, por më tepër një reagim natyral ndaj stresit të zgjatur.

Ekspertët theksojnë se termat si “mbingarkesë e sistemit nervor” apo “rivendosje nervore”, të përdorura gjerësisht në internet dhe në industrinë e mirëqenies, nuk kanë përkufizim shkencor të qartë dhe nuk mbështeten nga prova të forta mjekësore.

Ndërkohë, teoria polivagale, shpesh e përmendur në këtë kontekst, është vënë në pikëpyetje nga komuniteti shkencor dhe nuk konsiderohet një bazë e fortë për trajtime klinike.

Specialistët sugjerojnë se menaxhimi i stresit duhet të bazohet në metoda të provuara shkencërisht, si aktiviteti fizik i rregullt, gjumi i mjaftueshëm, ushqyerja e shëndetshme, meditimi dhe teknikat e frymëmarrjes. Po ashtu, kalimi i kohës në natyrë dhe aktivitetet artistike mund të ndihmojnë në uljen e niveleve të stresit.

Në rastet e stresit të lartë ose të vazhdueshëm, ekspertët këshillojnë kërkimin e ndihmës profesionale nga psikologët ose specialistët e shëndetit mendor.

Sipas tyre, përmirësimi i gjendjes nuk ndodh përmes “rivendosjeve të shpejta”, por përmes ndryshimeve graduale dhe të qëndrueshme në stilin e jetesës./ CNA





Lajmet e fundit nga