web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Një lloj yndyre mund të përshpejtojë plakjen e trurit, por shkencëtarët thonë se ka një zgjidhje

9 Maj 2026, 10:02, Shëndeti CNA

Një lloj yndyre mund të përshpejtojë plakjen e trurit, por

Një studim i ri shkencor ka zbuluar se yndyra viscerale, dhjami që grumbullohet rreth organeve të brendshme, mund të lidhet me plakjen më të shpejtë të trurit dhe rënien e funksioneve njohëse.

Hulumtimi u drejtua nga studiues të Ben-Gurion University of the Negev në Izrael dhe sugjeron se reduktimi i kësaj lloj yndyre përmes stilit të shëndetshëm të jetesës mund të ndihmojë në mbrojtjen e trurit nga atrofia dhe plakja e parakohshme.

Sipas studiuesve, yndyra viscerale ndikoi negativisht në strukturën dhe funksionin e trurit, ndërsa yndyra nënlëkurore, ajo që ndodhet nën lëkurë dhe ndikon më shumë në peshën trupore, nuk tregoi lidhje të rëndësishme me shëndetin e trurit.

Studimi analizoi të dhënat e 533 të rriturve, të cilët u ndoqën për periudha nga 5 deri në 16 vjet. Pjesëmarrësit iu nënshtruan skanimeve MRI, testeve njohëse dhe analizave të gjakut për të matur ndryshimet në tru dhe nivelin e sheqerit në gjak.

Rezultatet treguan se personat me më pak yndyrë viscerale kishin:

-vëllim më të lartë të trurit,

-performancë më të mirë njohëse,

-dhe ritëm më të ngadaltë të atrofisë së trurit.

Shkencëtarët zbuluan gjithashtu se nivelet e larta të glukozës në gjak dhe rezistenca ndaj insulinës mund të luajnë rol kyç në dëmtimin e trurit.

Epidemiologia Iris Shai tha se kontrolli i glukozës dhe reduktimi i yndyrës abdominale mund të jenë objektiva të rëndësishëm për të ulur rrezikun e rënies njohëse dhe sëmundjeve neurodegjenerative.

Studiuesit theksojnë se edhe humbja modeste e yndyrës viscerale përmes dietës së shëndetshme dhe aktivitetit fizik mund të ketë përfitime të rëndësishme për shëndetin e trurit.

Megjithatë, ata paralajmërojnë se nevojiten studime të mëtejshme, pasi pjesa më e madhe e pjesëmarrësve në kërkim ishin meshkuj dhe persona mbipeshë./ CNA





Lajmet e fundit nga