web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Mbledhja e fondeve për bamirësi/ Ambasada Britanike organizon Marketin e Krishtlindjeve

13 Dhjetor 2025, 11:35, Qyteti im Alida Tota

Marketi i Krishtlindjeve ndriçoi rrugën e ambasadave në Tiranë, por u bë edhe dritë shprese për mijëra njerëz në nevojë, pasi të ardhurat që do të mblidhen nga shitjet do të dhurohen për bamirësi. Marketi i Krishtlindjeve u organizua nën kujdesin e Ambasadës Britanike në Shqipëri.

“Çdo vit ambasadat dhe misionet diplomatike në Tiranë organizojnë Panairin e Krishtlindjeve. Ne sigurohemi që të jemi të gjithë bashkë me një shpirt festiv për bamirësi, pasi fondet e mbledhura do të dhurohen për bamirësi. Po ashtu edhe misionet e tjera diplomatike, të ardhurat që do të realizojnë nga shitjet do t’ua japin organizatave të ndryshme që veprimtarinë e tyre kanë bamirësinë dhe që janë zgjedhur nga secili mision në mënyrë individuale”, u shpreh përfaqësuesi i ambasadës britanike.

Si e priti publiku shqiptar Panairin e Krishtlindjeve, organizuar nën kujdesin e ambasadorit britanik në Tiranë?

“Publiku shqiptar e vlerësoi shumë panairin, pasi pëlqen të mësojë nga kulturat e ndryshme që shpalosen në këtë panair. Publiku shqiptar e pëlqen gjithashtu të jetë pjesë e këtij organizimi dhe pjesë e komunitetit të ambasadave të huaja. Këtu ne kemi dyqanin e ambasadës britanike. Dhe ne kemi zgjedhur lloje të ndryshme të gatimeve tradicionale britanike. Mince Pies janë shumë popullore në Britani dhe janë gatuar nga stafi ynë i ambasadës. Gjithashtu kemi përgatitur edhe reçel dhe marmelatë, si dhe shumë produkte të tjera”, tha përfaqësuesi i ambasadës britanike, Thomas Wilson.

“Pothuajse kemi shitur gjithçka. Më të shituara kanë qenë biskotat e Krishtlindjeve për fëmijë. Këto janë shitur të gjitha. Gjithashtu edhe ëmbëlsirat tradicionale të Britanisë së Madhe, Mince Pies”.

Mbledhja e fondeve për bamirësi/ Ambasada Britanike organizon Marketin

CNA intervistoi ambasadorë e diplomatë për të përcjellë emocionet e Marketit të Krishtlindjeve, në rrugën e ambasadave në kryeqytet. Shkëlqesia e tij, ambasadori i Çekisë në Shqipëri, Pavel Vaçek, vlerësoi se kjo traditë festive ngjall shpresë për të gjithë. Ambasadori na shoqëron në stendën e produkteve çeke dhe na tregon se si disa prej tyre janë gatuar nga ai dhe stafi i tij.

Mbledhja e fondeve për bamirësi/ Ambasada Britanike organizon Marketin

“Faleminderit CNA që jeni këtu për të parë nga afër Panairin e Krishtlindjeve. Unë do t’ju tregoj produktet që kemi ekspozuar nga Çekia. Kemi vaferin, kemi vodkën tonë të prodhuar në Çeki. Pjesa më e madhe e produkteve janë gatuar nga stafi i ambasadës, nga kolegët. Është shumë mirë të jemi bashkë në këto aktivitete. Ky është momenti kur të gjithë ambasadat shijojnë momente bashkë, duke ndarë eksperiencat dhe kulturat e tyre. Dhe qëllimi është që me paratë që kemi mbledhur gjatë shitjeve të produkteve tona, të ndihmojmë sa më shumë njerëz në nevojë”, u shpreh ambasadori çek, Vaçek.

Atasheu kulturor i Ambasadës Gjermane në Tiranë, Jan Maibom, tha për CNA se Panairi i Krishtlindjeve është shumë popullor edhe për vetë punonjësit e ambasadës, pasi një pjesë e produkteve që shesin gatuhen nga vetë ata.

Mbledhja e fondeve për bamirësi/ Ambasada Britanike organizon Marketin

“Ne marrim pjesë çdo vit në Panairin e Krishtlindjeve që organizohet këtu në bllokun e ambasadeve. Për ne është edhe një lloj celebrimi i fundit të vitit dhe e shijojmë shumë. Panairi i Krishtlindjeve është shumë popullor edhe për ne si punonjës. Përjetojmë emocione të mëdha edhe gjatë kohës që përgatisim produktet dhe e shijojmë shumë momentin kur shesim gatimet dhe artikuj të tjerë që janë mjaft popullorë në Gjermani, duke e imagjinuar veten si në shtëpinë tonë.

Çdo vit ne bashkëpunojmë me shoqërinë civile për të vendosur se me cilën organizatë do të bashkëpunojmë për të mbështetur kategoritë e njerëzve në nevojë në Shqipëri. Këë vit të ardhurat e ambasadës gjermane nga Panairi i Krishtlindjeve do të shkojnë për shoqatën Dikonia Albania, e cila mbështet nerëzit në nevojë dhe ndihmon në projekte sociale për strehimin dhe integrimin në tregjet e punës”, tha atasheu kulturor i Ambasadës Gjermane në Tiranë, Jan Maibom.

Cilat produkte janë shitur më së shumti në stendën e ambasadës gjermane?

“Ndër ushqimet që janë shitur më shumë në stendën tonë ishin salçiçet popullore gjermane dhe ëmbëlsirat e vogla që janë bërë nga ne i gjithë stafi i ambasadës. Këto janë shitur tashmë të gjitha”, u shpreh ai.

Ambasada e Indisë në Tiranë u paraqit për herë të parë në Panairin e Krishtlindjeve me gatimet tradicionale të gatuara nga stafi i diplomatëve, që kanë afro një vit që janë vendosur në Shqipëri. Më shumë se 200 persona kanë shijuar gatimet indiane dhe përfaqësueset e ambasadës, që i kanë gatuar me duart e tyre, janë mëse të kënaqura që shqiptarët e kanë shijuar ushqimin tradicional indian.

Mbledhja e fondeve për bamirësi/ Ambasada Britanike organizon Marketin

“Ne zonjat indiane jemi më të talentuarat në botë për gatimin. Unë e besoj fort këtë sepse ne mund të gatuajmë dy deri tri herë në ditë dhe nuk ndihemi të lodhura”, u shpreh përfaqësuesja e Ambasadës së Indisë.

Po djemtë dhe burrat, a ju ndihmojnë në gatim?

“Ata na ndihmojnë, por ne jemi ato që i udhëheqim në gatim. Ne jemi mastershefet dhe jemi krenare ta pohojmë këtë. Më shumë se 200 persona kanë shijuar gatimet indiane dhe përfaqësueset e ambasadës, që i kanë gatuar me duart e tyre janë mëse të kënaqura që shqiptarët e kanë shijuar ushqimin tradicional indian”, u shpreh ajo.

Përfaqësuesja e ambasadës së Indisë tregon edhe recetën e brijanit, gatimit që indianët përdorin për të nderuar mikun.

“Ne përdorim orizin që prodhohet në Indi, llojin basmatik dhe shumë erëza tradicionale tonat, mes tyre shafrani, një erëz shumë e shtrenjë, gjingjer po ashtu dhe e shtrojmë radhë-radhë me mish pule”, tregoi ajo.

Por indianët kanë edhe kutinë karakteristike të kursimeve, të cilën e prezantuan në marketin e Krishtlindjeve.

 “Ne përgjithësisht përdorim këtë kuti me motive nga India për të mbajtur kursimet tona. Por gjithashtu për të ruajtur edhe monedhat indiane që janë përdorur ndër vite”.

Atmosfera e krijuar në Marketin e Krishtlindjeve frymëzoi të gjithë të pranishmit.

Mbledhja e fondeve për bamirësi/ Ambasada Britanike organizon Marketin

“Panairi i Krishtlindjeve është një ngjarje e madhe. Këtu mblidhemi ne të gjithë përfaqësuesit e ambasadave dhe ekspozojmë pjesë të kulturës dhe gatimeve tradicionale. Shqiptarët janë shumë kureshtarë për të njohur kultura të ndryshme.

Është shumë interesante të takohesh në këtë Panair Krishtlindjesh. Është një moment festiv, shumë miqësor. Ne përcjellim emocionet e të qenit bashkë në prag festash”, tha një student në Kolegjin e Europës.

Marketi i Krishtlindjeve organizohet çdo vit nga ambasadat e huaja të akredituara në Shqipëri. Në këtë vigjilje të Krishtlindjeve ishin britanikët ata që udhëhoqën fushatën e bamirësisë të ambasadave dhe misioneve diplomatike në Shqipëri./ CNA





Lajmet e fundit nga