Mandati i Presidentit/ Meta: Kam mbrojtur interesat e kombit

22 Qershor 2022, 20:53, Politikë CNA
Mandati i Presidentit/ Meta: Kam mbrojtur interesat e kombit
Presidenti Ilir Meta

Presidenti Ilir Meta ka folur mbrëmjen e sotme lidhur me mandatin e tij 5-vjeçar si President i Republikës.

Meta tha se gjithçka ka shkuar sipas parashikimeve të tij, ndërsa pretendon se ka mbrojtur interesat e kombit.

"Jemi në përmbyllje të një Presidence 5-vjeçare apo më saktë mandatit të parë të Ilir Metës si President i Republikës. Gjithçka mund të thuhet se ka shkuar sipas parashikimeve të mia dhe betimit tim mbi Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë 5 vite më parë, në raport me përmbushjen e këtij detyrimi shumë të lartë kushtetues.

Kam thënë kur jam betuar, që do të mbroj interesin kombëtar, dhe këtë e kam bërë në të gjitha rastet, edhe në kushtet e një presioni të jashtëzakonshëm për të cenuar interesin kombëtar, ose për të mbyllur sytë përpara cenimeve të tilla, duke u bërë bashkëfajtor në heshtje.

Kam mbrojtur vetëm interesin publik dhe kombëtar. Kjo është shumë evidente dhe ajo që është më e rëndësishme, në të gjitha debatet që janë hapur midis Institucionit të Presidentit dhe Parlamentit, apo Qeverisë, si në Komisionin e Venecias dhe në Gjykatën Kushtetuese, që nuk është ndonjë sekret për asnjë, që është nën ndikimin e mazhorancës aktuale, të gjitha këto beteja janë fituar nga Presidenca, që ka shkëlqyer në drejtim të kushtetutshmërisë dhe të respektimit të saj me përkushtim maksimal.

Nuk ka qenë e thjeshtë, përkundrazi. Kjo Presidencë ka pasur më pak kompetenca se çdo Presidencë tjetër  e Republikës së Shqipërisë”, u shpreh ai në emisionin “Aktualitet”.

Gjithashtu ai përmendi edhe djegien e mandateve nga opozita, teksa e quajti sërish atë një akt vetëvrasës.

Sipas tij, opozita ka bërë pikërisht atë që ka dashur mazhoranca.

Për fat të keq, opozita ndërmori një hap vetëvrasës, jo thjeshtë për të, se për një pjesë të mirë të opozitës dhe për lidershipin e saj ishte një hap përfitues. Por, për demokracinë në vend, parlamentarizmin, dhe institucionet e pavarura, duke djegur mandatet dhe duke ekspozuar edhe Presidentin përballë një mazhorance prej 122 kartonësh.

Për fat të keq, opozita ka bërë pikërisht atë që ka dashur mazhoranca. E ka ndihmuar dhe ia ka lehtësuar rrugën në kapjen e sistemit të drejtësisë, përmes bojkotit të reformës dhe në bojkotimin e zgjedhjeve lokale.

Në kushtet e një rrethimi të plotë dhe të gjithanshëm të këtij institucioni, me një mazhorancë që kishte uzurpuar çdo institucion, ajo që unë dhashë si premtim besoj se u përmbush, që deri në 24 korrik 2022, kjo Presidencë dhe ky institucion do të vazhdoj të jetë një kështjellë e pamposhtur e demokracisë dhe e interesit kombëtar, dhe kështu do të vazhdojë deri në ditët që vijnë deri në 24 korrik 2022”, theksoi Kreu i Shtetit./ B.A. – CNA.al

Lajmet e fundit nga