LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Vrasja e opozitës si Atu e pushtetit të Ramës

15 Shkurt 2023, 20:50, Editorial Ermal Mulosmani
Vrasja e opozitës si Atu e pushtetit të Ramës
Gazetari Ermal Mulosmani

Në pranverën e vitit 1998 Edi Rama u katapultua në karrigen e Ministrit të Kulturës të Shqipërisë. Qysh nga ajo ditë e deri më sot, ajo ka qenë karrigia më e ulët politike e tij. Për 25 vjet me radhë, karriera e tij njohu veç ngjitje:  2 vjet Ministër Kulture, 11 vjet Kryetar i Bashkisë më të madhe të vendit, 17 vjet Kryetar i Partisë Socialiste dhe prej 10 vjetësh e në vazhdim Kryeministër i Shqipërisë. Padyshim është personi më jetëgjatë dhe më stabil  në historinë e demokracisë shqiptare.

Pushteti i tij i sotëm mund të krahasohet vetëm me pushtetin e Enver Hoxhës në kohët më të errëta të diktaturës. Ai kontrollon direkt ose përmes fijeve të dirigjuara prej tij, të gjitha kapilarët e pushtetit, në të gjitha dimensionet. Një pushtet i frikshëm, hakmarrës, i pangopur, tërësor.

Dhe çfarë është më e keqja, me vellon joshëse të demokracisë veshur…

Vrasja e opozitës si Atu e pushtetit të Ramës

Qysh në vitin 2000 pak shqiptarë dyshonin në suksesin politik të Edi Ramës. Modern, energjik, elokuent, vizionar, egocentrist i pashoq, debatues fenomenal dhe antidogmë, ai projektohej si një lider i së ardhmes. Përballë tij vegjetonin disa fosile politike të kohës së komunizmit, mbijetesa e të cilëve gjatë dekadës së parë të postkomunizmit ishte pasojë e një tranzicioni të squllët e plot kompromise. Ata do të binin njëri pas tjetrit, pa rezistencë, duke i siguruar “yllit të ri” të demokracisë gjithë trashëgiminë elektorale komuniste.

Antikomunisti i konvertuar në socialist

Kur Haveli tha që antikomunisti më i keq është një komunist i kthyer në antikomunist nuk e kishte idenë se çfarë përfaqëson e kundërta e tij: Një Antikomunsit i kthyer në komunist. Ai është si një krijesë e ardhur nga ferri për kundërshtarët: I talentuar, cinik, i pabesë, ambicioz dhe pa skrupuj, jashtëzakonisht kreativ dhe manipulues brilant. Ai është inxhinier i përkryer social dhe njohës i thellë i teknologjisë politike. Një qenie e tillë mundet të mahnisë me fjalë të mrekullueshme, në të njëjtën ditë, edhe për Ahmet Zogun edhe për Avni Rustemin, edhe për Mit’hat Frashërin edhe për Qemal Stafën, Kasëm Trebeshinën apo Ismail Kadarenë. Ata që revoltohen paradite harrojnë pasdite dhe e kundërta.  Qëllimi i tij është vetëm një : Inxhinieringu i votave përmes manipulimit të ndjenjave. Ai është një qenie e dyzuar mes asaj çka përfaqëson vetë dhe asaj që i duhet të mbrojë në publik.

Vrasja e opozitës si Atu e pushtetit të Ramës

Shpresa për Reforma

Megithatë, thellë brenda meje, në kohët opozitare të Ramës, gjallonte bindja se natyrat ambicioze të tilla kanë brenda vetes edhe embrionin e objektivave të mëdha. Ata nuk e duan pushtetin vetëm si një synim në vetvete por si një mjet për të vulosur të ardhmen me vulën personale të emrit të tyre. Etja për një trashëgimi politike është ëndrra e tyre më e spikatur. Dhe e vetmja ATU për të arritur lavdinë është pushteti. Ashtu siç kërkon kirurgu instrumentin prerës për një operacion ashtu kërkon politikani pushtetin për të ushtruar talentin e tij. Nga kjo pikëpamje, isha mjaft i interesuar për të parë rrugën e tij pasi të merrte pushtetin. Aq më tepër kur slloganet elektorale tingëllonin bukur për veshët e një votuesi ëndërrimtar:

“Nuk është njeriu që korrupton sistemin por sistemi kriminal që korrupton njeriun”.

Apo tjetra:

“Ne nuk do t’i gjejmë njeriut punën por punës njeriun e duhur.”

Ishin sllogane elektorale të gjetura dhe premtuese.

Reformat e dështuara

Kryereforma me të cilën propaganda rilindase u mburr është ajo e Drejtësisë. Ajo u propogandua si çlirimi i drejtësisë nga pengmarrja politike apo kriminale që do sillte për pasojë dorëzimin e të ashtuquajturit “Peshk i madh” në burgjet e drejtësisë së re.

Vrasja e opozitës si Atu e pushtetit të Ramës

Mirëpo, me kohën, pritshmëritë morbide të vegjëlisë për burgosjen e peshkut të madh të Gërdecit apo urdhëruesve të 21 Janarit erdhën e u venitën. 7 vjet bëhen në Korrik nga miratimi i Reformës në Drejtësi dhe  në rrjetën e SPAK-ut kanë rënë kryesisht autorët e Reformave të tjera rilindase. Kështu, Reformatorët e Mjedisit vërtetë pastruan plehrat e lëna rrugëve por era e rëndë e parave të vjedhura kundërmoi më shumë sesa ajo e plehrave të dikurshme. E njëjta gjë edhe me Reformën në Shëndetësi. Harxhimet kolosale të parave publike për shërbime jo adekuate bënë që të shpërthejë edhe atje era e rëndë e vjedhjeve.

SPAK-u filloi të thërrasë një e nga një përfaqësues të lartë rilindas duke zhgënjyer pritshmëritë kryeministrore për të. Zhurma e skandaleve dhe burgosja e ish Ministrave socialistë treguan vërtetë atë që thotë Rama se “ne e ndëshkojmë krimin brenda nesh, nuk e mbrojmë atë”.  Por tregojnë edhe tjetrën ama. Gjithë fijet nervore që lidhin kokën e qeverisë me trupin qeverisës po dilnin të molepsura me kancerin e korrupsionit apo krimit të organizuar.

Këto ngjarje duket e dekurajuan përfundimisht Ramën. Sistemi i ri ka prodhuar megahajdutë milionerë, trafikantë e kriminelë që frymëzojnë skenare Netfliksi. Fatkeqësisht e vërtetë.

Vrasja e opozitës si Atu e pushtetit të Ramës

Dështimi i reformave e ka bërë Ramën të rikthehet te ajo që di të bëjë më mirë, fasada. Si të gjithë liderët autoritarë u rikthye te megalomania e kullave, porteve, aeroporteve, stadiumeve. Një lloj Gruevski por shumë më me stil. Investimet joproporcionale për ndërtime të tilla janë mënyra e tij për të fshehur ndryshimin e sistemit për të cilin fliste dikur. Nuk është kollaj të ndërtosh sisteme funksionalë që luftojnë korrupsionin dhe mbrojnë interesat e popullsisë, më kollaj është të ndërtosh kulla e stadium. Për shembull, i jep Çetit Liqenin Artificial, mushkëritë e Tiranës, dhe ai ndërton 8 kulla aty. Askush nuk bëzan as gëk as mëk.

Ylli politik i Ramës sot është si dielli i këtij Shkurti: Në qiellin e tij vërtetë nuk ka asnjë re, shkëlqimi është i plotë por ngrohtësa që përcjell është zero.

Pushteti i është kthyer tashmë në të vetmin qëllim; jo më një mjet për të realizuar qëllime. Nismat e tij janë të vakëta, të parealizuara, propagandistike. Çka reklamohet sot si një reformë e thellë që do na shpëtojë nga krimi dhe korrupsioni harrohet 6 muaj më pas si të mos kishte ekzistuar kurrë. Përmend këtu Operacionin Forca e Ligjit apo ligjin anti-KÇK sa për të përmendur diçka.

Demokracia e menxhuar  dhe Vrasja e Opozitës

Më keq se humbja e sensit reformator të qeverisjes është vullneti absolut për të mos e lëshuar këtë pushtet pa objektiva. Kurrsesi. Zbulimi i mijëra patronazhist-aktivistëve të shpërndarë në administratën publike është  treguesi kuptimplotë që, tani, e vetmja gjë që funksionon në perfeksion është propaganda dhe patronazhimi. Po shkojmë gradualisht drejt asaj që njihet si “demokraci e menaxhuar”. Manipulimi zgjedhor në raste të tilla ndodh përpara se të votohet jo gjatë apo pas votimit. Dita e zgjedhjeve kthehet në një llogaridhënie masovike të patronazhisto-aktivistëve për rezultatin e tyre personal më shumë sesa një dilemë se kush forcë politike fitoi. Fituesi thjesht dihet; demokracia e sondazheve e ka parathënë me kohë, zgjedhjet thjesht e konfirmojnë.

Vrasja e opozitës si Atu e pushtetit të Ramës

Marifetet zgjedhore

Nuk mjafton vetëm sistemi favorizues zgjedhor, i fragmentuar në qarqe të cilat zhdukin forcat politike të vogla dhe dekurajojnë krijimin e forcave të reja. Duhet edhe një fraksionim i mëtejshëm i opozitës, përmes përçarjes që të sigurojë fitoren totale, në çdo qark, në çdo bashki.  Fjalia:  “Do realizojmë objektivin” ka zëvendësuar çdo dogmë të së shkuarës.

Karta e tij kryesore propagandistike është demonizimi i Opozitës ekzistuese kombinuar me bllokimin e hyrjes së çdo force të re në skakierën politike. Këta të fundit luftohen me po aq forcë edhe nga kundërshtarët e Ramës. Opozitarët e sotëm më shumë sulmojnë një forcë të re politike sesa pushtetin absolut të Ramës. Një monizëm në kohë demokracie.

Nëse ndjek emisionet e darkës bindesh se fatkeqësia më e madhe e këtij vendi është Opozita. Pavarësisht se ka 10 vjet që ka lënë çdo lloj pushteti. Manipulatorët thonë se suksesi i Ramës është dëm kolateral i dështimit të Opozitës pa e analizuar aspak se pse nuk ka Opozitë. Në media gjen gazetarë, pronarët  e të cilëve punojnë për njërin prej tre bajraktarëve politikë. Ata janë pagatorë të tyre jo zëdhënës të interesit publik.  Nga përplasja e tre palëve publiku duhet të hamendësojë të vërtetën. Ajo është si një rebus për tu zgjidhur prej tij. Një opinionist i pavarur është i padëgjueshëm. Sa më qartë të thuhet e vërteta aq më pak merret në konsideratë. Arsyeja ka humbur në zhurmën e militantizmit dhe luftës propagandistike.

Vrasja e opozitës si Atu e pushtetit të Ramës

Nëse në këto 10 vjet ka pasë një sukses absolut ka qenë Vrasja e Opozitës. Dy herë e ndryshoi Kushtetutën, një herë për ta vrarë demokracinë brenda Partisë dhe herën tjetër për të vrarë Opozitën. Herën e parë me Sali Berishën në 2008-ën herën e dytë me naivitetin idiot të Lulzim Bashës në 2020-ën! Kështu edhe ua mbyll gojën opozitarëve: “E ndryshova me votat tuaja”. Sepse ciniku demagog nuk ka skrupuj moralë. Pasi e vrau dhe e sakatoi Opozitën drejton gishtin për të na treguar “Është kufomë”!

Po zoti Kryeministër, kufomë është. Por e vrave ti! Përmes makinacioneve ligjore zgjedhore dhe kulisave dinake të përçarjeve. Korrupsioni i nivelit më të lartë është ai politik, ai që bëhet me votat e deputetëve ditën për diell. Duke sfiduar gjithë opinionin publik, shpirtin opozitar, ndërkombëtarët në emër të sovranitetit! Kur arrihet në këtë stad të kujtohet shprehja e mëposhtëme:

 “Ajo çka e dallon monarkun e një regjimi të vjetër si Luigji i XIV nga një tiran modern populist si Napoleoni është se i pari (Luigji XIV) i shtypte njerëzit ndërsa tjetri (Napoleoni) i shtypte duke i detyruar të thonë se janë të lirë”

Kjo sentencë e marrë nga një politolog i perëndimit (Stephen Holmes) për të shpjeguar ndryshimin e politikës ruse nga epoka sovjetike në atë putiniane më duket mjaft e përshtatshme edhe për vendin tonë. Me ndryshime fare të vogla.

Ne ndjehemi të vjedhur e të mashtruar por kemi humbur të drejtën për tu ankuar!

Nëse Rama ka bërë një reformë të suksesshme është kjo. Ai jo vetëm e ka vrarë Opozitarizmin por edhe e ka ndërgjegjen e qetë. Më kujton atë shprehjen e famshme të Ledit Makbeth drejtuar të shoqit që sapo kishte vrarë Mbretin Dunkan:

“Si ti i kam duart por më vjen turp që kam një zemër kaq të bardhë”

Lajmet e fundit nga