web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Kultivimi i qershisë në Dvoran/ Fermerët ankohen: Mungon fuqia punëtore, nuk kemi leverdi

2 Qershor 2026, 10:27, Sociale CNA

Sezoni i vjeljes së qershisë pritet të nisë në fshatin Dvoran të Korçës, një nga zonat më të njohura për kultivimin e këtij fruti.

Kultivimi i qershisë në Dvoran/ Fermerët ankohen: Mungon fuqia

Megjithëse këtë vit prodhimi konsiderohet i mbarë, fermerët shprehen të shqetësuar për mungesën e fuqisë punëtore dhe pasigurinë e tregut, probleme që sipas tyre po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë mbajtjen gjallë të aktivitetit bujqësor.

Kultivimi i qershisë në Dvoran/ Fermerët ankohen: Mungon fuqia

Prej 25 vitesh në kultivimin e qershisë, fermeri Baftjar Rexhep thotë se situata është përkeqësuar nga viti në vit. Ai tregon se, ndonëse prodhimi është i bollshëm, çmimet e shitjes mbeten të ulëta, ndërsa mungesa e punëtorëve rrezikon që një pjesë e konsiderueshme e prodhimit të mbetet pa u vjelë.

“Kemi mungesë të fuqisë punëtore edhe nuk e dimë si do të jetë edhe çmimi, tregu si do shkojë, se s’ka treg. S’ka treg të mirë. Ne kemi 25 vite që merremi me qershinë. Edhe sa vjen më dobët vit pas viti. Prodhimi është i mbarë, kemi prodhim. Po e kemi shitur me 1000-1200 lekë të vjetër, prapë aty-aty është vërdallë. Nuk e dimë si do vejë se s’kemi filluar të shesim. Tirana, Durrësi dhe Vlora janë tregjet ku shkon prodhimi. Korça nuk ka treg. Më shumë njerëzit kanë ikur jashtë dhe nuk ka fuqi punëtore. Mund të kemi rreth 8 tonë qershi dhe jemi vetëm dy veta për t’i vjelë. Kërkojmë krah pune dhe nuk gjejmë”,-theksoi fermeri.

Fermeri tregon se familja e tij pret të sigurojë rreth 8 tonë qershi këtë sezon, por aktualisht janë vetëm dy persona që mund të merren me vjeljen. Sipas tij, largimi i të rinjve dhe mungesa e fuqisë punëtore po krijojnë vështirësi serioze për fermerët e zonës.

Kultivimi i qershisë në Dvoran/ Fermerët ankohen: Mungon fuqia

Edhe Sefedin Kodra, i cili merret me kultivimin e qershisë prej më shumë se tri dekadash, shprehet pesimist për të ardhmen e këtij sektori. Ai thotë se kostot e prodhimit janë rritur ndjeshëm, ndërsa çmimet e shitjes nuk mbulojnë shpenzimet për plehra, ilaçe dhe punëtorë sezonalë.

“Kam mbi 30 vite që merrem me kultivimin e qershisë. Më përpara i shisnim dhe vinin na i merrnin vetë. Kurse tani u dorëzuam fare. Punëtorë s’ka, nuk ka kush t’i mbledhë. Atje do të mbeten. Të rinjtë kanë ikur. Unë kam pesë dynym qershi dhe tetë dynym baçe. Edhe qershitë do të mbeten në pemë. Me 500 lekë të vjetër kilogramin dhe me punëtorë që kërkojnë mbi 30 mijë lekë në ditë, çfarë leverdie kam unë? Do ilaçe, do pleh, të hipën kostoja shumë. Shteti nuk të ndihmon. Neve na kanë braktisur. Kush do ta hajë gjithë këtë prodhim? Ne me plakën nuk ia dalim dot”,-tha Kodra.

Sipas tij, shumë fermerë po e humbin interesin për të vazhduar aktivitetin, ndërsa mungesa e mbështetjes dhe emigrimi i popullsisë po ndikojnë drejtpërdrejt në bujqësinë e zonës.

Kultivimi i qershisë në Dvoran/ Fermerët ankohen: Mungon fuqia

Ndërkohë, banori i Dvoranit, Pëllumb Çaushi, i cili jeton prej vitesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, propozon një zgjidhje që sipas tij mund të lehtësojë mungesën e fuqisë punëtore. Ai sugjeron që institucionet përgjegjëse të investojnë në teknologji moderne për vjeljen e qershive, siç përdoren në vendet e zhvilluara.

“Mungesa e fuqisë punëtore ekziston, si këtu edhe në vende të tjera, por nuk është problem i pazgjidhshëm. Do t’i bëja një kërkesë Ministrisë së Bujqësisë që të sjellë makineritë e posaçme për vjeljen e qershive. Në Amerikë kam parë me sytë e mi se si punon kjo teknologji. Makineria e tund pemën, qershitë bien dhe mblidhen automatikisht. Nuk ka nevojë për shumë punëtorë. Kjo do të ishte një ndihmë e madhe për fermerët që kanë sipërfaqe të mëdha dhe nuk po gjejnë dot krah pune. Duhet të investohet te teknologjia moderne dhe jo vetëm te mjetet e vjetra bujqësore”,-shprehet Çaushi.

Çaushi thotë se në fermat amerikane procesi i vjeljes kryhet kryesisht me makineri të specializuara, duke reduktuar ndjeshëm nevojën për punëtorë sezonalë. Sipas tij, futja e këtyre teknologjive edhe në Shqipëri do të ndihmonte fermerët të përballonin mungesën e krahut të punës dhe të shmangnin humbjen e prodhimit.

Kultivimi i qershisë në Dvoran/ Fermerët ankohen: Mungon fuqia

Por, pavarësisht vështirësive, fermerët e Dvoranit shpresojnë që tregu të stabilizohet gjatë javëve në vijim dhe që prodhimi i këtij viti të mos mbetet në pemë. Megjithatë, ata kërkojnë më shumë mbështetje për sektorin e bujqësisë, si në drejtim të mekanizimit, ashtu edhe të garantimit të tregut për produktet vendase./CNA 

 





Lajmet e fundit nga