web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

1 Qershori/ Një fëmijëri në “xhunglën” e betonit

1 Qershor 2026, 08:55, Sociale CNA

Sot nën dritën e rreme të festimeve zyrtare, Shqipëria përpiqet të mbulojë me ngjyra një realitet që po bëhet gjithnjë e më i hidhur për brezin e ri. Mijëra fëmijë shqiptarë vazhdojnë të përplasen me një realitet ku ëndrrat e tyre janë të kufizuara nga muret e betonit, varfëria dhe mungesa totale e sigurisë.

Shndërrimi i qyteteve tona në "burgje" prej çimentoje ka asgjësuar të drejtën më themelore të një fëmije, lojën e lirë. Në mungesë të parqeve dhe hapësirave të gjelbra, rruga është shndërruar në të vetmen pistë loje, një zgjedhje që shpeshherë kthehet në fatalitet.

Kronikat e zeza të javëve të fundit janë dëshmia më e dhimbshme e këtij dështimi, ku fëmijët duke mos pasur vend ku të shfrytëzojnë energjinë e tyre, janë përballur me aksidente, të cilat kanë lënë pas jetë të humbura dhe familje të shkatërruara nga indiferenca institucionale.

Përtej rreziqeve fizike para shtrohet edhe sfida për mirëqenien e shëndetit mendor. Në shkolla ku bullizmi ka gjetur terren të lirë, fëmijët po rriten të pambrojtur dhe të izoluar në botën e tyre virtuale. Kjo vetmi, e imponuar nga një shoqëri që prioritet ka kullat dhe jo qytetarët e vegjël, po rrit një brez të pambrojtur emocionalisht.

Sot "1 Qershori" duhet të jetë një ditë reflektimi dhe kërkim llogarie. Derisa fëmijët të vazhdojnë të luajnë në mes të rrugëve të rrezikshme dhe të ndihen të braktisur nga sistemet që duhet t'i mbronin, çdo festim mbetet një hipokrizi, një fyerje për fëmijërinë që po vritet dita-ditës.





Lajmet e fundit nga