web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Ese pa titull, në një Shqipëri buzë greminës!

7 Gusht 2025, 21:01, Opinione Genci Shehaj

Ese pa titull, në një Shqipëri buzë greminës!
Të dashur miq! Dua të ndaj me ju një përvojë timen, të cilën po e përjetoj çdo ditë e më shumë.
Të gjithë ju që më njihni personalisht e dini se unë prej vitit 2015 kam jetuar në Kosovë, aty ku ndërtova familjen time, ndërtova një biznes krejtësisht timin dhe u përfshiva me modesti në jetën politike si aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje!

Ata që më njohin pak më mirë e dinë se unë rrjedh nga një familje patriotike nga zona e Përmetit dhe pas Luftës së Dytë Botërore gjyshërit e mi nga babai u zhvendosën në Korçë ku gjyshi u emërua oficer. Po, gjyshi im ishte anëtar i partisë komuniste mbas Luftës së Dytë Botërore, si asnjë tjetër në familjen Shehaj, mbasi ai kishte qenë partizan. Ishte dhe një artilier i zoti, ishte edhe një njeri i ndershëm që e respektonin të gjithë.

Ai shpejt u përjashtua nga partia, për shkak të bashkëpunimit të pjesës tjetër të familjes SHEHAJ me Ballin Kombëtar, por 3 prej 5 fëmijëve të tij arritën të siguronin të drejtën e studimit. Ata u bënë njerëz të nderuar në jetë... Njëri prej tyre ishte babai im! Babai im është një simbol i punës dhe i ndershmërisë së qytetit të Korçës. Ai e nisi gjithçka nga zero dhe me vullnet, mund dhe sakrifica arriti të ndërtonte gjithçka që ne sot kemi. Çdo gjë që kemi është meritë e tij dhe e nënës, sigurisht.

Ai me profesion është inxhinier, por pak e njohin si të tillë. Ai është marrë dhe me politikë, shumica e kanë harruar. Ishte bashkëpunëtor i Sabri Godos, njeriut që e deshi si vëlla. Prej ikjes së Sabriut nga politika edhe babai u largua dhe nuk u mor kurrë më me politikë.
Nëna ime është... nëse fola për ndershmërinë e babait, ajo është edhe përkufizimi i ndershmërisë. Një mësuese e talentuar fizike, e cila u detyrua të linte profesionin për t’iu përkushtuar biznesit privat. Shembull i modestisë gjithashtu.

Kam edhe një vëlla, për të cilin jam shumë krenar dhe për të cilin nuk gjej dot fjalë ta përshkruaj.
E nisa prej familjes, se këto ditë kam parë në qarkullim një foto të ish-kryeministres britanike Thatcher ku citohej: Kam fat që jetën e nisa me dy prindër të mirë...

Por kush jam unë?!
Unë jam një shpirt rebel i cili kam hequr mbi shpinën time shumë padrejtësi. Por asnjëherë nuk jam dorëzuar! Për të tjerat ju ftoj të më njihni, koha do ta tregojë!

Pse them kështu?!
Të dashur miq, kam vendosur të merrem seriozisht me politikë.
Përfshirja ime në zgjedhjet e 11 majit ishte një luftë shpirtërore me veten, një sakrificë që ma prishi rehatinë që kisha krijuar prej vitesh, por që më riktheu aty ku u linda dhe u rrita, në Korçë!
Me thënë të drejtën pas kaq shumë vitesh që e frekuentoja shumë pak atë vend, në fillim e njihja pak, por fatkeqësisht tani e njoh çdo ditë e më pak. Korça, por kam përshtypjen dhe gjithë Shqipëria është kthyer në një vatër të njerëzve që kanë humbur udhën.

E dini se kush e humb rrugën më së shumti? Ai i cili ka humbur guximin!
Sa shumë njerëz njoha në Korçën e 2025-ës që luftojnë për mbijetesë, sa shumë padrejtësi pashë dhe dëgjova!
Padrejtësitë vazhdojnë çdo ditë edhe tani pas zgjedhjeve. Disa u bëhen atyre që rebelohen, disa u bëhen vetë veglave të pushtetit, disa u bëhen qytetarëve të thjeshtë, disa u bëhen të huajve, por më e madhja është padrejtësia që ne po ia bëjmë vetes!

Jo më kot ju tregova histori me partizanë dhe ballistë më herët, veçse në Korçën e 2025-ës s’ka më as partizanë as ballistë. Ata që kanë marrë "timonin" shumica janë pa shtyllë kurrizore!
Ka dhe aty këtu ndonjë "sojlli", por edhe ata heshtin.
Ata që janë poshtë në institucione janë ndarë në dy-tre kategori.

Kategoria e parë janë zhvatësit! Janë ata njerëzit që marrin paratë e taksapaguesve dhe i fusin në xhepat e tyre. Tek këta ka njerëz që një pjesë të parave i ndajnë me drejtorët dhe një pjesë i fusin në xhep. Ka edhe nga ata që janë kuzhiniere personale të eprorëve ose edhe u bëjnë pazarin. Ka dhe nga ata që u këndojnë serenata.

Kategoria e dytë janë njerëzit e ndershëm që heshtin dhe për të ruajtur njëfarë garancie shpirtërore, përkrahin në heshtje mafiozët që kanë mbi kokë.
Sa keq më vjen që këta që po i etiketoj mafiozë shpesh janë ca tipa që dalin xhiro me sandale dhe me brekë të shkurtra dhe që fizikisht nuk i ngjasojnë fare mafies, por faktikisht nga "bëmat" ndoshta ia kalojnë edhe mafies më të sofistikuar italiane.
Në Shqipërinë tonë as mafien nuk ditëm ta kopjojmë!
Ka dhe nga ata që duken aq të pafajshëm, madje ne vetë ndjejmë një lloj keqardhje kur i shohim, sa të pafajshëm duken!

Kategoria e dytë për t’u çliruar ka nevojë për atë që quhet opozitë dhe që fatkeqësisht në vitet e fundit mungon.
Në fakt unë jam pjesë e përpjekjes për një opozitë të re, të mirëfilltë, jo si opozita e plakut që dikur aq shumë e doja.

Kategoria e tretë janë rebelët, ku edhe unë vetë bëj pjesë. Ata janë socialistë, demokratë, centristë të Shabanit, populistë të Llapajt, fansa të Enverit, Ramizit, Nanos, Salës, ka ca që janë dhe me Metën, harrova më të rëndësishmin e rebelëve në Shqipëri: Qorrin!
Ka dhe ca që i kanë dashur të gjithë këta personazhe, por edhe disa që nuk e duan asnjë.
Më i miri mes rebelëve të Shqipërisë nuk jeton më, ai ishte idhulli im në politikë. Emri i tij ishte Sokol, mbiemrin jua merr mendja të gjithëve!

Njerëzit e kësaj kategorie që punojnë në institucione goditen në mënyrë të paskrupullt nga eprorët e tyre. Goditen sepse ata nuk mund të kontrollohen.
I godituri i parë që unë njoh nga kjo kategori është një mësues socialist gjysmë-shkencëtar, i fundit është një shok imi sot, me të cilin dikur ishim kundërshtarë, ai numëronte votat e PS ndërsa unë të PD në të njëjtën tavolinë numërimi. Kohë të tjera...

Shqipëria e 2025-ës është kthyer në një vend ku luftohet për vende pune në administratë, por lufta më e madhe është për ta mbajtur vendin e punës.
Edhe drejtorët nuk i njoha më në Korçë, mbas 10 vitesh që isha shkëputur nga Korça, ata kishin ndryshuar mënyrën e jetesës, ishin pasuruar shumë dhe madje kishin ndryshuar edhe sjelljen.
Disa prej tyre ishin bërë trima, aq trima sa edhe drejtorët e partisë time të vjetër, ata të PD-së (ku isha aktivist si adoleshent dhe i ri), nuk do të guxonin kurrë të bënin para 15 vitesh gjëra që disa prej tyre i bëjnë tani!
Atëherë pa SPAK, e tani me SPAK.
Disa të tjerë ishin bërë të paskrupullt, disa të tjerë dinakë!

Sot e nisëm me administratën, por që mos ju lodh, s’po kaloj në tema të tjera...

Po bëhen dy muaj që zgjedhjet kanë mbaruar dhe unë jam në një luftë me veten...
A ia vlen të harxhoj kohën time, një zë vërtet i fortë dhe më i vërteti absolut kundër kësaj Korçe që nuk e njoh, apo të rikthehem në realitetin tim të këtyre 10 viteve të fundit?

Në fakt, ju që më njihni mirë, e dini përgjigjen: unë s’mund të bëj kompromis me asnjë shejtan të vogël apo të madh të politikës.
Politika është pasioni im, kam ndihmuar shumë njerëz, por në momentin që ka dalë në pah shejtanllëku i tyre, rrugët tona janë ndarë!
Rruga e nderit është më e vështira, por siç më thoshte babai kur isha fëmijë:
“Ti je lindur për të qenë i mirë.”
S’mund të jem në anën e gabuar, por edhe të heshtësh ndonjëherë është të jesh në anën e gabuar!

Pse e bëra gjithë këtë tregim?
Kam një peng brenda zemrës sime! Nuk kam folur saç duhet dhe ndonjëherë nuk kam folur deri në fund!
Ndoshta për hatër të një familjari, ndoshta për hatër të një miqësie të vjetër, ndoshta për hatër të një miku!
Por nga sot e në vazhdim, lufta ime kundër çdo abuzimi, kundër çdo njeriu të korruptuar do të jetë e paskrupullt.

Nga sot, lufta ime opozitare do të kalojë në një tjetër nivel/dimension.
Edhe sikur të jem i vetmi zë, do bëj të pamundurën që ai zë të ngrihet në “Kupë të Qiellit”.
Kjo sepse dua që fëmijët e mi të njohin Korçën që unë kam njohur, dhe jo Korçën që unë sot nuk e njoh më!

Korça është vend i vogël dhe unë e kam marrë vendimin tim: disa miq do të mërziten, disa të tjerë do të gëzohen!
Jam i bindur se janë edhe me qindra e mijëra njerëz të tjerë që nuk do të ndalen, ashtu si unë.
Ata i ftoj të më bashkohen në këtë rrugë!
Nga sot, ata që luftojnë padrejtësinë shoqërore që po kalon Shqipëria do të jenë bashkudhëtarët e mi në këtë rrugë!
Do të jem zëri i secilit prej jush, pa dallim të bindjeve tuaja politike!

Në këmbim nuk dua asgjë!
Të gjithë duhet të vëmë nga një tullë në themelet e një shteti të vërtetë demokratik dhe ta rrëzojmë nga pushteti kancerin që ka kapluar Shqipërinë!
Këtë mund ta bëjmë vetëm duke qenë pjesë e një organizate politike që është e pastër si kristali, dhe me njerëz që nuk i kanë duart e përlyera, duke punuar me dinjitet dhe përkushtim përkundër interesave tona personale!

Fluturimi ynë quhet “Mundësia”!
Ai është i pari për ne dhe i fundit për shejtanët e politikës!
Rruga është e gjatë, por ajo fillon sot!
Dhe gjysma e një pune të mirë mbaron ditën që ajo fillon!

 





10:51 Opinione Ardi Stefa

Një qytet normal

Nuk ka nevojë për shumë fantazi që të përfytyrosh një qyte...

09:37 Opinione Lutfi Dervishi

Muskujt kundër mendjes

Një polic godet me shpullë një kamarier 18-vjeçar. Fadroma...

Lajmet e fundit nga