LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Disa orë “perandor” në perandorinë e çajit

25 Prill 2023, 16:52, Opinione Edmond Laçi
Disa orë “perandor” në perandorinë e çajit
Edmond Laçi

Ndërsa për ne shqiptarët dhe një pjese të mirë të njerëzimit kafeja mund të jetë pija "e preferuar", bota në të vërtetë rrotullohet rreth çajit. Përveç ujit, sot çaji është pija më e konsumuar në botë, me rreth 300 miliardë litra në vit. Dhe pikërisht në Ballkan, ndodhet vendi ku konsumohet më shumë çaj për frymë se askund tjetër në botë: çdo turk përdor mesatarisht 1300 filxhanë çaji në vit, ose 3.5 kilogram, ndërsa pas tyre renditen Irlanda dhe Britania e Madhe. Megjithatë perandoria e vërtetë e çajit në botë është Kina.

“Atdheu” i çajit prodhon sot rreth 2.8 milion tonë në vit nga 6 gjithsej që është prodhimi global. Pikërisht në këtë vend rriten edhe lulet e çajit më të vlerësuara në botë: Da Hong Pao që kushtojnë plot 1.2 milionë dollarë kilogrami. Kina është gjithashtu edhe vendi me konsumin më të madh: 70 miliard litra çaj të ngrohtë dhe 15 të ftohtë në vit. Nëntorin e kaluar "Teknikat tradicionale kineze të prodhimit të çajit” u regjistruan në Listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit nga UNESCO...

Të ndjehesh për disa orë “perandor” në perandorinë e vërtetë të çajit nuk mjafton vetëm të jesh në Pekin. Por duhet të kesh fat dhe të ndodhesh aty gjatë kohës që hapet Ekspozita e 14-të Ndërkombëtare të Çajit dhe Ceremonisë së Çajit. Për katër ditë me radhë 1 mijë brende çaji, 10 mijë produkte nga kompani publike dhe private me emër, u shfaqën në 1.300 stenda, në një sipërfaqe prej 26.000 metrash katrorë.

Mes mijëra vizitorëve, shumica janë profesionistë që vijnë në ekspozitën më me ndikim dhe më të vlefshme të çajit pranveror në Kinë, për biznes. Por ka edhe të tjerë, si mua, që çajin e kanë pirë vetëm kur kanë qenë me temperaturë, edhe atëherë, duke ia dhënë me zor. Gjithsesi sado tifoz të jesh për “lëngjet” e tjera, nuk ke si të mos provosh ritualin kinez të ceremonisë së çajit që vjen deri në ditët e sotme pothuajse e njëjtë me atë të krijuar nga dinastia Tang (618–907).

Mjafton të ulesh në stolat e vegjël të një stende çfarëdo për të provuar më tepër se çajin, ceremoninë “Gong fu cha”, që mund të përkthehet "përgatisni çaj me kujdes dhe përkushtim". Në tavolinën e degustimit, është çajniku i vogël, një tas ku hidhet fillimisht çaji, kupat e aromës dhe shijimit, por edhe mjete të tjera, si darë të vogla, lugë bambuje, tabaka çaji, si dhe një furçë për kujdesin e çajnikëve prej balte Yixing. Ndjehesh një “perandor” i vërtetë, madje më shumë, sepse këtu mund të provosh çaj nga të gjitha viset e Kinës. Që nga plantacionet jugperëndimore, në Yunnan, Sichuan e Guizhou ku prodhohen i famshmi çaji i zi Dianhong, i verdhi Mengding dhe jeshili Duyun Maojian.

Për të vazhduar me plantacionet e Kinës Jugore në Guangdong, Guangxi, Fujian e Hainan, ku rriten çaji i errët Liu Bao dhe ai Oolong, ose gjysëm i fermentuar. Pikërisht nga kjo zonë është edhe Da Hong Pao, një filter dygramësh i të cilit llogaritet 2.400 dollarë. I përkthyer fjalë për fjalë "fustan i madh i kuq", gjethet e këtij çaji vijnë nga vetëm gjashtë bimë që kanë mbijetuar gjatë shekujve dhe janë rritur në Fujian, në malet Wu Yi, ish-kopshtet e dinastisë Ming (1368–1644). Legjendat thonë se ky çaj shëroi nënën e një perandori nga një sëmundje e rëndë.

Por sot, të paktën për disa orë, “perandori” jam vetë. Duhen parë e provuar ende çaji nga plantacionet në jug dhe në veri të lumit Yangtze, duke filluar me Zhejiang, Jiangxi e Hunan deri te Shandong, Gansu, Shaanxi, Henan si dhe pjesët veriore dhe jugore në Jiangsu, Hubei dhe Anhui. Këtu prodhohen çaji i famshëm jeshil Dragon Well, si dhe Keemun, Phoenix Dancong e Xinyang Maojian.

Duhet thënë se nuk ka asnjë sistem emërtimi për çajrat kinezë, të cilët njihen nga malet, vendet e shenjta dhe personazhet mitologjike. Dhe ndërsa vazhdojmë të mësojmë gjëra të reja, rituali vazhdon: uji i nxehtë hidhet mbi tavolinën e çajit pa pushim, pastaj vetë çaji shpëlahet për të mos rrezikuar cilësinë e infuzionit, derisa çajniku zbrazet i gjithi në filxhanin e provës. Një degustim të tillë do ta kishte zili edhe Shen Nungu, babai i mjekësisë dhe bujqësisë kineze, të cilit i atribuohet zbulimi i çajit rreth vitit 2750 para Krishtit.

Sot çaji është bërë një artikull i sofistikuar konsumi. Kjo pasi njerëzit tani po kërkojnë opsione më të rafinuara, duke detyruar prodhuesit jo vetëm të ruajnë metodat mijëravjeçare, por edhe të krijojnë aksesorë të ndryshëm për t'i shtuar shije dhe elegancë çajit. Kjo është edhe arsyeja që “Ekspozita e Çajit të Pekinit”, prej vitit 2011 është shndërruar në platformën më të mirë të tregtimit dhe komunikimit për prodhuesit, shpërndarësit, krijuesit e kompleteve të çajit dhe dashamirësit e kësaj pijeje që ka pushtuar botën. Kombet e Bashkuara dhe FAO kanë caktuar 21 majin e çdo viti si Ditën Ndërkombëtare të Çajit, për të reflektuar mbi mundësitë e pafundme dhe për të tërhequr vëmendjen ndaj veçorive ekonomike e kulturore të këtij produkti.

Që nga monografia e parë, e shkruar në vitin 758 nga Lu Yu, deri sot askush nuk ka më dyshim te cilësitë e çajit. Vitaminat B, C dhe E, kripërat minerale, proteinat, por mbi të gjitha antioksidantët që janë të pranishme kryesisht në llojin e zi dhe jeshil, janë të shkëlqyera për parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare ose atyre ishemike të zemrës. Për më tepër, llojet Pu'er dhe Oolong janë detoksifikues të pakrahasueshëm, të përsosur për ata që duan të lënë duhanin, por edhe për të luftuar obezitetin dhe kolesterolin e lartë. Një shprehje e urtë kineze thotë se “Pirja e një filxhani çaji në ditë sigurisht që do ta lërë të vdesë urie farmacistin”. Për mua farmacisti do ta ketë jetën e gjatë, por të paktën për disa orë isha “perandor”. Pikërisht në perandorinë e çajit. (CRI)

10:45 Opinione Mitro Çela

Ujku me dy këmbë?!

Duke qënë me nge, nisa të “kullos” nëpër internet. Ha...

16:41 Opinione Lutfi Dervishi

Agjërim… digjital

Po sikur të provonim agjërimin digjital? Të shkëputem...

15:08 Opinione Hysni Gurra

Kallaji i rrogave...

Ditë për ditë, deri në ditën e fundit të fushatës elek...

Lajmet e fundit nga