web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Një jetë në teatër/ Mjeshtri i Madh, Koço Qëndro feston 97-vjetorin e lindjes

15 Maj 2024, 19:08, Kulturë CNA

"Mjeshtri i Madh" i skenës së teatrit, Koço Qëndro, këtë 15 maj festoi ditëlindjen e tij të 97. Për Korçën dhe Shqipërinë, ai është aktori më i vjetër në moshë, ikonë dhe fat i madh i qytetit. Artisti ka rritur breza të tërë spektatorësh, prej viteve 1950 kur nisi karrierën e tij të gjatë në skenë, me qindra role, po ashtu edhe në estradë, duke dhuruar të qeshura pafund tek publiku.

Cna Tv sjell rrëfimin e mjeshtrit, mbresat e tij në skenë, marrëdhëniet e tij me artistët e tjerë, kujtimet më të bukura të këtij rrugëtimi të gjatë artistik.

Koço Qëndro ka përjetuar një adoleshencë ndryshe nga brezat e sotëm, mes viteve të zjarrta të 1943-1944. Ai ëndërrote të bëhej mësues, por sapo mbushi 15 vjeç, u bë partizan. Një periudhë disa vjeçare në ushtri, duke u liruar më pas për shkak të një operacioni.

Një jetë në teatër/ Mjeshtri i Madh, Koço Qëndro

"Një jetë e tërë, 97 vite. Në adoleshencë të rinjtë e imagjinojnë se çfarë do të bëhen dhe mua më pëlqenin librat, historia në veçanti. Mirëpo unë adoleshencën e kam kaluar në ato vite të zjarrta të luftës dhe për tu çuditur, ëndërroja të bëhesha ndonjë mësues por ato vite më përfshinë edhe mua. Në vend të librave, fillova si gjithë shokët e mi të shikoja patickat, dylbitë, gjerdanët. Sapo mbusha 15 vjeç, u bëra partizan. Vitet 1943-1944 ishin vite të zjarrta shumë, të cilat më kanë lënë mbresa të shkëlqyera e të paharruara. Pas rinisë dhe detyrave ushtarake, u lirova nga ushtria sepse bëra një operacion, më nxorrën të paaftë për të shërbyer në ushtri dhe dallgët e jetës më hodhën këtu në Korçë."

E pabesueshme për Koço Qëndron që të bëhej aktor profesionist në qytetin e Korçës. Ai kurrë nuk e kishte menduar që do të arrinte deri këtu. Për "Mjeshtrin e Madh", Korça ka histori të ndritur të teatrit, ndërsa shprehet mjaft i lumtur që u bë bashkëkohës i atyre që vendosën gurët e themelit në artin korçar.

Një jetë në teatër/ Mjeshtri i Madh, Koço Qëndro

"As e kisha menduar kurrë se do të vinte një ditë që unë të bëhesha aktor profesionist, dhe ku? Në qytetin e Korçës, në Parisin e Vogël, në skenën korçare me tradita të shkëlqyera. Është një fjalë goje që të thuash, të bëheshe aktor po ku? Në Korçë. Historia e teatrit të Korçës është një histori e ndritur, për të cilën unë kam qenë i lumtur që u bëra bashkëkohës i atyre që vunë gurët e themelit në artin profesionist korçar. S'ma merrte mendja. Unë isha filiz, një fjalë e bukur popullore thotë që "Filizi e ka të vështirë të hedhë shtat nën hijen e lisave", se nuk e lenë lisat dhe me të vërtetë me ata aktore dhe aktorë që pata fatin të bashkëpunoj që në vitet 1950, ishin me të vërtetë aktorë dhe kishin disa karakteristika që mua më lanë një mbresë të jashtëzakonshme."

Qëndro ka kujtime mjaft të veçanta në rolet e tij në skenën e teatrit të Korçës. Piro Mani, një nga personalitetet më të shquara në historinë e teatrit shqiptar, një nga mjeshtrat e rregjisurës, ka qenë pikërisht ai njeri që aktivizoi Koço Qëndron në teatër. Shfaqja që riktheu në skenë Qëndron ishte Nata e Dymbëdhjetë, vepër e Shekspir, me rolin e vështirë të Sir Endrju Eguiçik.

"Të them të drejtën Piro Mani u bë shkak që më aktivizoi në teatër. Kam shumë role në teatër. I pari, Piro Mani më ngarkoi të luaja "Natën e Dymbëdhjetë" të Shekspirit. Ishte një ngjarje tepër interesante, ai një vit përpara se të vinte në skenë këtë vepër, rrinim të një kafe ku është bashkia tani para se të vinim në prova. Atje Piro na tha "hajdeni trima se vitin që vjen do të vemë në skenë Shekspirin.". Kur dolëm jashtë i them Pandi Raidhit që teatri ka dhe dy premiera për të dhënë, kurse Piro mendon për vitin e ardhshëm?! Kur erdhi vitin e ardhshëm na ndan tekstet e "Natës së Dymbëdhjetë". Kur erdhi puna që do të ndaheshin rolet në sallën e teatrit, salla ishte plot. Të gjithë të teatrit dridheshin se a do të kishin rol apo jo. Unë isha atjë në fund fare. Piroja bëri një rezyme të të gjitha roleve, të zinte frika ti dëgjoje gjithë ata. Që të mos mbetej asnjë aktor pa rol, kishte rolin e parë, të dytë, të tretë, të katërt. Kur erdhi roli tjetër ishte Sir Endrju Eguiçik. Në rolin e parë të Sir Endrju Eguiçik do të jetë Koço Qëndro. Mua më erdhi si bombë, thirra edhe u ngrita përpjetë. Kush foli tha Piroja. Unë u ula se të nxirrte përjashta ai. Kërkova fjalën duke i thënë "me lejë regjisor?". "Si e ke punën?" - më tha. I thashë "Faleminderit drejtorisë, këshillit artistik edhe ju që më besoni një rol të tillë.". Më pyeti se çdoja të thoja me këtë. Ju përgjigja "Këtu kanë mbaruar shkollën e lartë, le ta bëjë dikush nga këta, le të jem edhe unë andej nga fundi.". Më tha JO."

Nëse qytetarët do të dëgjonin emrin e Koço Qëndros, menjëhëherë do tu kujtohej "Kopraci", vepër e Molierit me personazhin e Harpagonit, personazh qe Qëndro e realizoi me aq mjeshtëri. Shfaqja "Kopraci" u rikthye pas 42 vitesh në skenën e teatrit të Korçës, kur Qëndro ishte 92 vjeç. Atë vit, Koço Qëndro me shumë mjeshtëri, falë fuqisë së aktrimit dhe asaj shpirtërore, e solli personazhin e Harpagonit në një nga shëmbëlltyrat më të suksesshme. Këtë vepër ia besoi mjeshtri Dhimitër Orgocka.

Një jetë në teatër/ Mjeshtri i Madh, Koço Qëndro

"E njëjta gjë është edhe për punën e Kopracit. Këto rolet e mëdha janë tepër të vështira, është fat për aktorin të ketë role të tilla në skenë. Duhet menduar mirë kur e merr përsipër, për mua ishte tepër e vështirë. Këtë ma besoi Dhimitër Orgocka me të cilin u njoha që kur erdhi me pantallona të shkurta e iku me flokë të bardha nga skena. E kisha të vështirë për dy arsye, e para ishte se këtë rol e kishin luajtur edhe të tjerë, i paharruari Dhimitër Trajçe, kurse në Shkodër e kishte luajtur Zef Jubani. Tani unë nuk duhet të bija në interpretim sepse ata e kishin luajtur shumë mirë. Ishte tekst i madh sepse është rol që dy orë duhet të jesh në skenë, më dukej vetja sikur isha në fushën e Korçës dhe Molieri ishte në majë të Moravës dhe më thoshte "hajde, hajde.". Filluam provat, të gjithë ishin entuziastë sepse hyra më mish e me shpirt për ta përballuar këtë rol. Tekstin e përvetësova, në tavolinë më tregonin që isha mirë, në prova e në skenë isha mirë."

Sokrat Mion, aktori e konsideronte si mësuesin e tij, apo edhe personin që duhej me patjetër ti merrte konfirmim për interpretimet e roleve. Në kohën kur do të bënte provat në skenë për vepra të ndryshme, Qëndro e priste me padurim një shenjë pozitive nga Mio, i cili shkëputej për disa minuta ta shihte aktorin e më pas largohej, duke e lënë në ankth e në merak për interpretimin e tij. Koço Qëndro e kujton e sot e kësaj dite fjalinë që i dha kurajo aktorit, pa harruar të përmendë edhe mbështetjen që i ka dhënë publiku në çdo shfaqje.

Një jetë në teatër/ Mjeshtri i Madh, Koço Qëndro

"E të luash tragjedinë në skenë, e ti bësh njerëzit të qeshin është tepër e vështirë." -më tha ai. Më inkurajuan, në çdo shfaqje më besoni. Në gjithë jetën time ky mbetet, kam role shumë, kam role në estradë, në teatër, në kinematografi mirëpo dy rolet e mia, mbeten Sir Eguiçik i "Natës së Dymbëdhjetë" dhe Harpagoni i "Kopracit"."

E gjithë shtëpia e Koço Qëndros mbart plot  histori, me dekorata, çertefikata mirënjohje, libra teatri e fotografi në çdo raft, fotot e artistit në mure. Korça ka fatin të ketë mes saj një prej ikonave të teatrit, mjeshtrin e madh të skenës, artistin me shpirtin e pastër dhe qytetarin aq të dashur. CNA i uron mjeshtrit në këtë 97 vjetor, të ketë jetë sa më të gjatë dhe i shpreh falenderimet për atë çka ka dhënë në karrierën e tij artistike duke lënë gjurmë në historinë shqiptare./ CNA





Lajmet e fundit nga