LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Iljaz Bej Mirahori dhe Koçi Bej/ Të dhëna për dy personalitetet e shquara në perandorinë osmane

18 Prill 2024, 23:08, Kulturë CNA

Iljaz Bej Mirahori dhe Koçi Bej/ Të dhëna për dy

"Dy personalitete të shquara shqiptare në perandorinë osmane, Iljaz Bej Mirahori dhe Koçi Bej."

Është mbajtur sot në qytetin e Korçës, simpoziumi shkencor ndërkombëtar, një risi që nxjerr në pah vlerat historike të dy prej figurave më të shquara korçare që kanë kontribuar për shumë gjatë në perandorinë osmane. Iljaz Bej Mirahori, themeluesi i Korçës urbane dhe Koçi Bej, investitor në fshatin e tij të Mborjes, janë kryefjala e këtij simpoziumi që ka bërë bashkë përfaqësues të stafeve akademike të Turqisë dhe Korçës. Ky projekt u ideua dhe finalizua nga Fondacioni Alsar dhe që u prit aq mirë nga banorët e Korçës por edhe nga populli turk. Me një pjesëmarrje mjaft të lartë të fanatikëve të historisë, për disa orë u dëgjuan kumtesa, fakte dhe dokumenta të reja lidhur me jetën dhe kontributin e dy figurave shqiptare. Në një intervistë për Cna Tv, kryetari i fondacionit Alsar, Mehdi Gurra, ka treguar qëllimin e këtij simpoziumi.

"Ajo që po mundohemi të bëjmë është sjellja për studiuesin shqiptarë të materialeve të pazbuluara e të papërkthyera në gjuhën shqipe më parë dhe ardhjen në ndihmë të historianëve me materiale të reja. Sot në Korçë me këtë simpozium ne pretendojmë se kumtuesit që janë të ftuar nga universiteti i Stambollit dhe nga universiteti i Korçës, do të sjellin të dhëna të reja lidhur me këta dy figura, të cilët për një periudhë të gjatë të perandorisë osmane mbartin një vend të veçantë si Iljaz Bej Mirahori dhe Koçi Bej."

Iljaz Bej Mirahori dhe Koçi Bej njihen në historinë shqiptare mes botimeve që janë krijuar nga autorë të ndryshëm, por Gurra tregon më tepër fakte interesante sa i përket kontributit të vyer që këta dy shqiptarë kanë dhënë në administratën shtetërore osmane, duke u bërë vendimmarrës në politikat e atyre viteve, e më pas duke u kthyer në vendin e tyre të lindjes për të lënë edhe aty gjurmë në themelimin e qytetit. Mehdi Gurra tregon se në vijim do të nxirren të tjera dokumenta e fakte nga arkivi i Stambollit dhe dosjeve që ky arkiv përmban për dy shqiptarët, duke e pasuar edhe me nxjerrjen e një tjetër botimi me më shumë informacione lidhur me jetën dhe kontributin në histori të tyre.

"Do ta filloja me Iljaz Bej si më të vjetër në moshë dhe i përker një periudhe më të hershme, person i cili është themelues i qytetit të Korçës, u emërua nga administrata osmane e asaj kohe për të administruar këtë qytet. E filloi me ndërtimin e xhamisë, të pazarit, të qendrës urbane të Korçës, rreth të cilit studimet shqiptare ne i shohim të cunguara pasi materiali i arkivuar osman ka munguar për këtë figurë si për shumë figura të tjera. Ajo çka ne po mundohemi të bëjmë është që së pari studiuesve shqiptarë tu ofrojmë literaturën e munguar në këtë drejtim dhe së dyti të dhënat e reja të përpunohen dhe të rishkruhet një histori reale rreth themelimit të qytetit të Korçës dhe kësan figure që ka kontribut shumë të madh në kohën kur ka jetuar vetë në Korçë dhe vendet ku ka shërbyer si ushtarak i denjë në periudhën e tij. Në anën tjetër figura e Koçi Bej është një figurë që të shtang në momentin kur e lexon. Një shqiptar i viteve 163, arrin të bindë administratën qëndrore të perandorisë osmane për të riformatuar strukturën politike të gjithë shtetit osman, duke parë gabimet e kohës e duke mos kursyer fjalën e vërtetë duke thënë që është gabim e duhet rregulluar. Perandoria osmane i ka dhënë një vend të veçantë konsultës, shënimeve dhe raporteve që hartoi në këtë drejtim e duke i vënë në zbatim në kohën kur ai jetonte. Ai mund të quhet si një riformator i strukturës politike i shtetit osman dhe njëkohësisht riorganizues i jetës politike të atij shteti, në periudhë shumë të vështirë që ndodhej perandoria osmane. Këto të dhëna rreth kësaj figure të madhe me origjinë nga Korça nuk dihen, dihen shumë pak. Ne e morëm këtë iniciativë për ta pasuar me botimin e këtyre kumtesave, me nxjerrjen nga arkivi i Stambollit të dosjeve të të dhënave të këtyre dy figurave."

Për historianin Petrit Zeneli, simpoziumi i sotëm është një risi për Korçën dhe po ashtu një vlerësim që i bëhet qytetit duke nxjerrë në pah historinë e dy figurave të njohura. Për Zenelin ky është simpoziumi i parë pas vitit 1995, ndërkohë që u pasua me një pauzë shumëvjeçare por më në fund u realizua. Si Iljaz Bej Mirahori, po ashtu edhe Koço Bej, kanë dhënë një kontribut mjaft të madh për qytetin e Korçës dhe fshatin e Mborjes, duke treguar vlerat e paçmueshme që kanë patur në perandorinë osmane dhe sistemin e asaj kohe.

Iljaz Bej Mirahori dhe Koçi Bej/ Të dhëna për dy

"Duhet të them që simpoziumi i sotëm që mbahet në Korçë është një ngjarje shumë e rëndësishme për këtë qytet, i pari rast që diskutohet në botën akademike. Mbaj mend që i fundit simpozium në Korçë ka qenë në vitin 1995 dhe u krijua një pauzë, ndaj ky është vlerësim që i bëhet qytetit të Korçës. Në qendër të sumpoziumit janë dy figura shumë të rëndësishme të figurës osmane, por kanë kontribut të jashtëzakonshëm për qytetin e tyre. Ata kanë origjinë nga ky vend, Iljaz Bej Mirahori është nga Panariti dhe Koçi Bej nga Mborja. Të dy kanë bërë karrierë në perandorinë osmane dhe gjithë pasurinë e tyre e kanë shkrirë për vendlindjen. Iljaz Bej për Korçën, themelimin e Korçës urbane kurse Koçi Bej ka investuar shumë në Mborje duke gjallëruar dhe ngritur mbi nivelin e niveleve të qyteteve të tjera të Shqipërisë. Vlerësimi që u bë sot pasuron historinq shqiptare, shemb tabu sepse kujtohet sikur perandoria osmane ka vetëm pjesën e saj negative por në fakt ka vlerat e veta që brezi i ri duhet të njihet dhe të heqë disa paragjykime që kanë për këto figura."

Duket se marrëdhëniet mes dy shteteve janë ruajtur prej vitesh tashmë. Mehdi Gurra thekson një fakt mjaft interesant që tregon shumë për shqiptarët, e më konkretisht për këto dy figura. Ai thotë se në atë kohë shteti osman ka qenë shtet i shqiptarëve pasi integrimi i tyre në politikë ka qenë mjaft i madh.

"Së pari, shqiptarët janë i vetmi popull që në perandorinë osmane kanë arritur me të vërtetë në krye të administratës në krye të asaj perandorie. Shteti osman ka qenë një shtet i shqiptarëve për atë periudhë, vetëm kryeministra kemi 33, por e gjithë struktura shtetërore osmane nuk ka patur nivel që mos kishte shqiptarë të integruar. Kontributi i Turqisë për Shqipërinë paskomuniste është shumë i madh, investimet turke janë shumë të larta, përpjekja që bën qeveria turke është rritur ndjeshëm me numrin e studentëve shqiptarë që studiojnë në Turqi. Kemi një bashkëpunim të një niveli shumë të lartë, me marrëdhënie mes dy vendeve, pa harruar edhe ndihmën në fushën fetare."

Edhe për Petrit Zenelin, lidhja shpirtërore që kanë shqiptarët me popullin turk vijon të ruhet edhe sot e kësaj dite. Kjo shihet qartë nga rezultati i politikave të të dyja shteteve por edhe nga ndikimi që kanë patur Iljaz Bej Mirahori dhe Koço Bej në zhvillimin e aktivitetit të tyre në Turqi e më pas në Shqipëri.

"Marrëdhëniet me Turqinë në mënyrë permanente kanë qenë të mira dhe këto si rezultat i politikave të dy shteteve por edhe i lidhjeve të ngushta që kanë mbajtur shqiptarët, duke ruajtur lidhjet shpirtërore. Ajo që duhet theksuar është që figurat shqiptare e kanë zhvilluar aktivitetin e tyre edhe në Turqi dhe e kanë pasqyruar edhe këtu si vëllezërit Frashëri. Është për kuriozitet që Iljaz Bej Mirahori ka një lidhje me vëllezërit Frashëri pasi e ëma e tyre Emineja, ishte nga familja e Mytevelinjve. Pra këto lidhjet shpirtërore kanë mbetur të vazhdueshme dhe kuptohet që marrëdhëniet sot janë shumë të mira."

Simpoziumi shkencor ndërkombëtar i mbajtur sot në qytetin e Korçës është një tregues mjaft i mirë që dy shtetet vijojnë të mbajnë gjallë historinë, duke hulumtuar edhe sot e kësaj dite për figurat e shquara korçare e duke i dhënë atyre vendin që meritojnë. Iljaz Bej Mirahori nga fshati Panarit i Korçës dhe Koço Bej nga fshati Mborje do të ngelen dy nga figurat më të shquara që kanë investuar për ta ngritur një qytet e për ta rigjallëruar atë. Pritet që vitin tjetër, të hartohet një tjetër botim me dokumenta e fakte interesante që do të dalin nga dosjet e arkivit të Stambollit, një risi që do të tregojë shumë për historinë e qytetit të Korçës./ CNA

Lajmet e fundit nga