web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Serenatisti Devi Becolli/ Artisti që bën krenar zonën e Devollit

30 Prill 2024, 13:46, Kulturë CNA
Serenatisti Devi Becolli/ Artisti që bën krenar zonën e Devollit
Devi Becolli

Korça njihet për traditën, kulturën e më shumë për serenatën. Ndonëse thuhet se Korça është qyteti i serenatave, duket se rrënjët e thella të kësaj muzike janë në Ziçisht e Qytezë të Devollit.

Këtë fakt e kemi dëgjuar shpeshherë nga banorët e këtij rrethi, por sërish nuk është e vërtetuar. Megjithatë, zona e Devollit ka një sërë personazhesh shumë të veçantë që mbajnë gjallë traditën e serenatës. E jo thjesht serenatën, por ato këngët e vjetra që janë krijuar vite më parë, e që nuk ju dihet as autori apo krijuesi.

Në reportazhin e radhës, shikuesit Cna Tv do të njihen me një profil të veçantë serenatisti. Pikërisht me Devi Becollin, në jetë me një profil krejt ndryshe, me profesionin ekonomist, ndërsa me pasionin për të kënduar serenatë e për të luajtur në kitarë prej më tepër se 15 vitesh.

Serenatisti Devi Becolli/ Artisti që bën krenar zonën e Devollit

Devi Becolli është artisti që po bën krenar zonën e Devollit, mjafton të ketë në dorë një kitarë dhe aty nxjerr në pah talentin e tij për të luajtur këtë instrument dhe për të kënduar serenatat aq bukur.

Devi tregon se prej vitit 2009 ka nisur ky rrugëtim i bukur i tij, me një rrjedhë tjetër ndryshe nga rutina e përditshme, duke u bërë pjesë e grupit të serenatistëve të Bilishtit. Kitarën e mësoi mes tyre, hera herës duke ua "vjedhur" pak zanatin, akordet apo tingujt.

"Kanë qenë shumë të bukura. Diku në vitet 2009-2010, atëhere kam filluar ti bashkohem grupit të serenatistëve të Bilishtit ku fillova të këndoj me ta. Më pas, mbas atij momenti duke mësuar, duke vjedhur edhe nga ata ndonjë tingull apo ndonjë akord, filluam të bëhemi disi edhe më të njohur jashtë Bilishtit, edhe në Korçë e më gjerë. Është vërtet kënaqësi të këndosh për serenatën, janë tekste të bukura, perla e poezi. Është gjë e rrallë, nuk është komerccializëm, është natyrale. Del nga zemra, del nga shpirti, është vërtet e bukur, më beso", u shpreh ai. 

Serenatisti Devi Becolli/ Artisti që bën krenar zonën e Devollit

Emocionet që i fal serenata janë të pafundme e të papërshkrueshme për artistin Becolli. Këtu ai thekson rëndësinë dhe vlerën e madhe që ka një këngë e serenatës. Këngë të shkruara shumë vite më parë, që madje as krijuesi nuk mund të gjendet dhe në përfundim ngelet e shkruar nga populli.

"Pafund emocione. Sidomos pjesa e atyre këngëve kur pyes se kush e ka shkruar këtë këngë, kush e ka bërë këtë poezi dhe të gjithë ngrejnë supat duke thënë që nuk e dinë. E ngelet që e ka shkruar populli. Imagjino sa të vjetra janë ato poezi, janë perla. Në mes të një kënge mund të dëgjosh një histori 40 vjeçare", tha artisti.

Çdo këngëtar e ka një këngë shumë pranë zemrës, mbase për historinë që ajo ka, mbase për gëzimin apo dhimbjen që përcjell. Ndërsa e pyesim Devin se cila është kënga që veçon, ai thotë se nuk mund t'i ndajë nga njëra-tjetra.

Serenatisti Devi Becolli/ Artisti që bën krenar zonën e Devollit

"Kjo është një pyetje që unë e marr shpesh dhe përgjigjen e kam standarde, të njëjtën. Nuk i ndaj dot! Janë shumë të bukura. Njëra më e bukur se tjetra. Sa këngon njërën, të kujtohet tjetra, nuk i ndan dot, është e pamundur. Çdo këngë ka veccantinë e vet, ka tekstin dhe poezinë, si dhe historinë e saj. Nuk e ndan dot, e pamundur", tha ai. 

Grupi i këngëtarëve nga Bilishti është një nga grupet më të veçantë që ka juglindja. Të gjithë pjesëtarët e grupit kanë profesione të ndryshme në jetë, dikush ekonomist si Becolli, një tjetër farmacist, përkthyes, e kjo e spikat këtë grup nga të tjerët. Ata bëjnë muzikë për kënaqësi e gëzimi më i madh për ta është kur të tjerët kënaqen ndërsa i dëgjojnë të këndojë.

"Koeçidenca është që asnjëri prej pjesëtarëve të grupit nuk është këngëtar i mirëfilltë. Njëri është ekonomist, njëri jurist, njëri përkthyes, njëri farmacist. Dhe ky është detaji që ne na spikat dhe na bën disi më të veccantë", tha ai. 

Serenatisti Devi Becolli/ Artisti që bën krenar zonën e Devollit

Gjithsecili prej tyre në bagazhin e makinës ka me patjetër një kitarë, e kjo për shkak se kudo ku shkojnë nëpër ambjente të ndryshme, njerëzit që i njohin u kërkojnë që të këndojnë. Organizimet e tyre janë shumë të shpeshta, jo vetëm në fundjavë, por edhe gjatë mbrëmjeve të ditëve të javës, mjafton të jenë 2 prej pjesëtarëve të grupit që të krijohet atmosfera dhe tavolinës ti shtohen edhe të tjerë.

Duket se vitet e fundit, serenata ka pësuar ndryshime, më konkretisht në tekstet dhe fjalët që vit pas viti kanë janë transformuar sado pak. Por, Devi Becolli thotë se serenata duhet kënduar sicc është në origjinalitet, në të kundërt nuk mund të quhesh që e këndon. Ai së bashku me grupin e Bilishtit mundohet të ruajë traditën e vjetër, stilin e këngës, tekstet origjinale të saj, për tua përcjellë edhe të moshuarve të njëjtin emocion që kishin dikur në rininë e tyre.

" Pra nuk mund ti ndërhysh serenatës. Nëse do ta ruash atë për ccka është dhe për ccka njerëzit duan ta dëgjojnë. Nëse do ta ndryshosh e ke mundësinë por origjinaliteti nuk duhet ngacmuar dhe kjo na karakterizon ne si grup që mundohemi të ruajmë atë traditën, stilin e këngës, tekstet dhe atë muzikë që njerëzit më të mëdhenj se mosha ime i kanë dëgjuar dhe i dëgjojnë rishtazi në të njëjtën formë. Po ua ndryshove atyre, nuk i bën të ndihen komodë", tha ai. 

Serenatisti Devi Becolli/ Artisti që bën krenar zonën e Devollit

Fshati Ziçisht është ndër të parët ku u këndua serenata në Devoll. Për Devin dy personazhe janë mjaft të dashur për të, njerë të cilët ai i quan emblema, e që ka mësuar shumë prej tyre.

"Dy emblema. I pari ka pas qenë xhaxha Nashoja që nuk është më, na dëgjon nga lart tani. Kemi mësuar shumë e shumë këngë nga ai, një plak shumë i mirë nga Ziçishti prej të cilit kam mësuar shumë këngë të vjetra. Dhe i dyti që vazhdojmë ta kemi në mesin tonë është Papa Viktori, prifti i Ziçishtit. Është një perlë. Edhe ai ka të njëjtën pjesë me ne që profilin dhe jetën e tij ka pas qenë zdrukthtar, marangoz. Është prift, por këndon", tha ai. 

Njerëz si Devi Becolli janë të paktë në numër jo vetëm në zonën e Devollit, por edhe në Korçë. Artistë të tillë kanë trashëguar nga të vjetrit pasionin për serenatën e sot përcjellin mes zërit melodioz, emocione të mrekullueshme, duke frymëzuar këdo që e pëlqen atë. Për Shqipërinë është fat që të mbahet gjallë tradita e vjetër me këngët origjinale që tregojnë vlerat e paçmueshme të një zone./ CNA





Lajmet e fundit nga