LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Pse protestat e reformës kundër pensioneve mund ta rrëzojnë qeverinë e Emanuel Makron

21 Mars 2023, 07:43, Kosova & Bota Henri Samuel
Pse protestat e reformës kundër pensioneve mund ta rrëzojnë
Presidenca e Emanuel Makron

Presidenca e Emanuel Makron po përballet me krizën e saj më të rëndë që nga rizgjedhja e tij vitin e kaluar, pasi ai tentoi të ndërmerrte një reformë në sistemin e pensioneve pa miratimin e parlamentit. Por cilat janë pasojat politike dhe a mund të mbijetojë ai apo qeveria e tij?

Çfarë ndodhi në parlamentin francez?

Pasi premtoi se do ta hidhte reformën e tij jopopullore të pensioneve - e cila rrit moshën e pensionit nga 62 në 64 deri në vitin 2030 - në një votim në parlament, Makron dredhoi javën e kaluar duke e miratuar reformën pa votim në parlament falë nenit 49 pika 3 në Kushtetutën franceze.

Por cili ishte reagimi?

Kryeministrja Elisabet Borne u kritikua ashpër nga opozita, e cila i bëri thirrje asaj të jepte dorëheqjen, duke theksuar se kjo lëvizje përbënte një mohim të demokracisë parlamentare. Protestat spontane shpërthyen në mesin e javës së kaluar në të gjithë vendin, dhe sindikatat kanë bërë tashmë thirrje për demonstrata dhe greva të reja gjatë javës së ardhshme.

A ishte kjo lëvizje një “mohim i demokracisë”?

Ishte e ligjshme. Dhe neni 49.3 është përdorur tashmë 11 herë nga qeveria Makron dhe 100 herë në 60 vitet e fundit. Megjithatë, është e pazakontë, madje edhe e parregullt ta përdorësh atë për një reformë të tillë kaq të rëndësishme. Elisabet Borne dhe Emanuel Makron mohojnë akuzat për anashkalimin e parlamentit, sepse deputetët do të kenë ende mundësinë që të shprehen përmes një votëbesimi, gjë që mund të ndalojë ende miratimin e reformës dhe ta rrëzojë qeverinë aktuale.

Aleanca e krahut të majtë të opozitës, NUPES, dhe partia populiste Tubimit Kombëtar kanë deklaruar se do të mbështesin një mocion mosbesimi të paraqitur nga një grup i vogël qendror i pavarur, LIOT, që do të shmangte sikletin e bashkimit të mocioneve të njëri-tjetrit.

A do të bjerë qeveria?

E vështirë, por jo e pamundur. Një mocion mosbesimi do të kërkonte një shumicë absolute kundër qeverisë, 289 vota. Ndërsa grupi i tij Renaissance (Rilindja) i Makron nuk e ka shumicën, ai mund të mbështetet te republikanët konservatorë, udhëheqësi i të cilëve, Erik Çioti, tha se nuk do të mbështeste një mocion mosbesimi. Megjithatë, ka jo pak pikëpyetje nëse deputetët e partisë së tij do t’i binden kësaj linje. Madje disa kanë shprehur publikisht dyshimet e tyre.

Çfarë ndodh nëse qeveria humbet votëbesimin?

Nuk ka asnjë garanci se kryeministrja do të jepte dorëheqjen, dhe Makron do të emëronte një drejtues të ri të qeverisë, dhe do të kryejë të paktën një riorganizim të kabinetit.

Po ashtu Makron mund ta shpërndajë parlamentin dhe të shpallë zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Por kjo nuk ka gjasa të ndodhë, sepse duke pasur parasysh mungesën e popullaritetit të tij aktualisht, partia e tij rrezikon të humbasë edhe më shumë deputetë.

Po sikur qeveria t’i mbijetojë votimit?

Partia e majtë Franca e Papërkulur, është zotuar ta rrëzojë reformën duke e apeluar vendimin në Këshillin Kushtetues, me arsyetimin se nuk ka pasur një “debat të qartë dhe të sinqertë në parlamentin francez”. Kjo mund ta vonojë me të paktën 9 muaj miratimin e reformës.

Po ashtu ajo ka kërkuar një referendum popullor - i cili kërkon mbështetjen e një të pestës së parlamentarëve dhe një të dhjetës së qytetarëve që kanë të drejtën e votës, pra 4.87 milionë njerëzve.

Konstitucionalisti Dominik Ruso shprehet se “ka pasur qartazi një mohim të demokracisë parlamentare”, dhe se sipas mendimit të tij qeveria “nuk mund të qeverisë më, pasi nuk ka më një shumicë as në projektligje të tjera”. “Nëse duam që të shmangim kaosin dhe dhunën, ose do të duhet të organizojmë një referendum ose ta shpërndajmë parlamentin aktual”- thotë Ruso.

Sido që të shkojnë protestat, a është aktualisht Makron një “rosë e çalë”?

Analistët politikë në Francë thonë se këto ngjarje kanë dëmtuar rëndë kredencialet reformiste të Makron. Por Moris Bontink i “Charente Libre” shkon më tej. “Një pyetje që po dominon mbi gjitha të tjerat pas kësaj dite historike, pra 11 muaj pasi filloi: A ka përfunduar tashmë mandati 5-vjeçar i Emmanuel Makron (i dyti)?”. Por përtej Makronit, kjo krizë politike do të nxisë thirrjet për të reformuar “regjimin e tij presidencial” në favor të një demokracie parlamentare më të fortë, dhe të lirë nga ndërhyrja e vazhdueshme e një kryetari shteti të plotfuqishëm.

A do të vazhdojnë grevat?

Sindikatat janë zotuar që të vazhdojnë me grevën si një formë ekstreme e protestës, duke përfshirë një të tillë këtë fundjavë dhe një tjetër më 23 mars, pavarësisht nëse qeveria bie. Protestat spontane shpërthyen në mesin e javës së kaluar në të gjithë Francën, kur dhe pati mbi 300 arrestime.

Sindikatat kanë paralajmëruar se nëse qeveria mbetet e shurdhër ndaj kërkesave të tyre, ato mund të mos jenë në gjendje të kontrollojnë protestat e ardhshme dhe vendi mund të zhytet në kaos, siç ndodhi gjatë revoltës së Jelekëve të Verdhë të vitit 2018./ Përshtatur nga CNA.al

Lajmet e fundit nga