LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Zgjedhja që bënë italianët tregon që e kaluara nuk mjafton më

26 Shtator 2022, 12:51, Editorial Elvi FUNDO
Zgjedhja që bënë italianët tregon që e kaluara nuk
Giorgia Meloni

Fitorja e Giorgia Melonit në Romë është në krye të titujve të medias së të gjithë botës.

CNN, në një koment mbi zgjedhjet parlamentare italiane shkruan:

“Italia nuk ka pasur një qeveri kaq të djathtë që prej kohës së Luftës së Dytë Botërore".

Nga fituesit e zgjedhjeve, edhe pse ata konsiderohen si të djathtë dhe euroskeptikë, hidhen poshtë akuzat se kjo fitore ka lidhje me trashëgiminë e Bennito Musolinit. Dhe në fund mund të rezultojë vërtetë kështu!

Por sot rezultatet e dueleve elektorale bëjnë të mendohesh dhe duhen analizuar gjatë nga këndvështrimi i votuesit që zgjodhi. Analiza e Italisë duhet dhe kërkon analizë për sjelljen politike të liderave që ka prodhuar Europa në këto vite.

Sigurisht Shqipëria nuk mund t’i largohet kësaj analize, me gjendjen e mungesës së lidershipit në drejtimin e Partisë Demokratike nga njëra anë dhe të boshllëkut së lidershimit të gatshëm përtej Ramës, që reflektohet dhe në Partinë Socialiste.

Në Itali dueli elektoral në një nga zonat elektorale të Milanos, e quajtur “Sesto San Giovani”, zonë në rajonin e Lombardisë, përplasi dy emra simbolikë në historinë italiane.

Zgjedhja që bënë italianët tregon që e kaluara nuk
Emanuele Fianno

Partia Demokratike Italiane (PDI), përfaqësohej nga Emanuele Fianno. Fianno është arkitekt dhe djalë i të vetmit hebre të mbijetuar nga kampi shfarosës i Auschwitz, Nedo Fianno.

Përballë kishte Isabella Rauttin, vajza e Puno Rautti, lideri i të djathtës neofashiste në Itali. Rautti që në fund të viteve '60 u akuzua për terrorizëm, ishte gazetar militant i së djathtës neofashiste dhe arriti të bëhej lider me qëndrime publike në të cilat glorifikonte fashizmin.

Dje, në zgjedhje, e bija e liderit neofashist, mundi të birin e të mbijetuarit nga Auschwitz - 45% me 30%.

Zgjedhja që bënë italianët tregon që e kaluara nuk
Isabella Rautti

Një rezultat që mund të merret si simboli i zgjedhjeve parlamentare të 25 shtatorit në Itali e që duhet analizuar për të kuptuar se çfarë ka ndodhur me votuesin italian kur zgjodhi të paktën midis këtyre 2 kandidatëve.

Minimumi që dëshmon ky rezultat është se e shkuara nuk mjafton, e shkuara nuk kushtëzon dot më. Origjina e atij që synon të marrë lidershipin nuk mjafton më. Jeta e prindit, nuk bind më votuesin për të birin apo nuk kushtëzon më votën kundra birit.

Në një epokë të re, mes frymës liberale ku shoqëria civile është fokusuar përshembull deri tek liritë personale përfshirë ato të identitetit seksual, është e tejkaluar analiza mbi "CV-në e babait".

Nëse shtrihet në Shqipëri kjo analizë atëherë do kuptojmë që votuesi shqiptar e ka bërë prej kohësh kapërcimin e epokave, përpara dhe pas dikaturës.

Sot nuk bindin më artikulimet e Sali Berishës për rrezikun e atyre që ai i quan "pinjollë të bllokut". Shqiptarët e kanë zgjidhur me kohë ngërçin e zgjedhjes apo refuzimit sipas parimit "është djali/vajza e filanit".

Të besosh se në politikën e vitit 2022, mund të jetosh, apo të imagjinosh të fitosh, me shprehje dhe artikulime të vitit 1991, është varfëri kauzash dhe mjerim idesh.

Të besosh sot, pas 30 vjetëve demokraci që Partia Demokratike, qenkësh vetëm parti e pasardhësve të ish të persekutuarve do të thotë të mos njohësh jo vetëm votuesin dhe elektoratin shqiptar, por as realitete në rradhët e kundërshtarit politik, në rradhët e të cilit (deri në përfaqësimin më të lartë) militojnë pasardhës të ish-të përndjekurve, të atyre që PD e di që akoma janë votues të vet të verbër.

Zgjedhja që bënë italianët tregon që e kaluara nuk
Sali Berisha

Shqipëria ka ecur shumë më shumë sesa artikulimi i Sali Berishës apo ndonjërit që beson se thjesht duke i vjedhur fjalitë Berishës, mund të shpallesh automatikisht "Berish".

Problemi i PD nuk është mungesa e votuesve, por mungesa e lidershipit që i fton ata në votim.

Sjellja tipike, e rregullt dhe sistematikisht humbëse është shfaqja që jep përditë opozita shqiptare.

Simbol ishte sjellja qesharake dhe e shëmtuar gjatë zgjedhjes së Presidentit! Në atë shfaqje pamë një tufë njerëzish pa lidership që torolliteshin në diskutime për emrat, për të fshehur PROBLEMIN duke shpikur problemet.

Në debatin për Presidentin, ajo, PD-ja e vërtetë, siç pretendon Alibeaj, u hallakat në diskutime emrash, në lista me kandidatë ku secili përmendte emrin e shokut të ngushtë, ndërsa Rama tallej dhe priste i qetë dështimin e liderve pa lidership që pretendojnë të jenë PD-ja e vërtetë.

PD-së i mungon lidershipi politik, jo lista e shoqnisë. Elektorati shqiptar nuk bëhet për vete thjesht meqë psh Enkelejdi thote "jam ish i përndjekur". Elektorati shikon dhe vlerëson lidershipin. Edhe të Enkeledit! Sidomos të Enkeledit!

Zgjedhja që bënë italianët tregon që e kaluara nuk
Selia e PD-së

Elektorati di më shumë sesa drejtuesit e opozitës për kuptimin që ka një negociatë politike.

Elektorati e di, shqiptarët e trajnuar tashmë në një ekonomi biznesi shpesh të egër, e dinë që rregullat e kompromisit kërkojnë që propozimi të jetë i pjekur.

Propozimi i Presidentit ishte propozim politik dhe në politikë, aq më shumë kur je në opozitë, propozimi përveçse i pjekur duhet të jetë i tillë që të nderojë opozitën, jo sepse kandidaturat që propozohen janë shokët e deputetëve të saj, por për shkak se janë më shumë sesa opozita e zgjedhur.

Propozimet e opozitës duhet të obligonin mazhorancën, jo sepse mazhoranca mund të trembej prej tyre, por për shkak se ajo nuk mund t’i refuzonte ato pa u skuqur dhe pa marrë përsipër fajin e abuzimit me pushtetin.

Lidership bën ai që tregon sesa të shëndosha i ka mullaqet e veta. Jo sesa trima kanë qenë të parët e fisit të vet.

Proceset politike bëhen të tilla që njerëzit të kuptojnë aftësinë e opozitës për të bërë detyrën dhe jo që të shohin sesi pasi maxhoranca ndan thelat e pushtetit, opozita bën të njëjtën gjë me ato që beson se i takojnë.

Debati shterp përshembull brenda opozitës (në mbledhje të mbyllura apo studio televizive), rreth origjinave familjare, është i gjithi debat që fsheh problemin e vërtetë dhe mungesën e lidershipit të mbetjeve të PD, për të ushtruar përgjegjësitë.

Zgjedhjet e Italisë dëshmuan qartë të paktën që origjina e kandidatëve nuk mjafton më. Italianët nuk i bindi më pasardhësi i të internuarit në Aushviz. I bindi pasardhësja e drejtuesit të një partie neofashiste.

Se çfarë kërkuan italianët përtej rezultatit mbi forcat politike, kjo do duket më vonë.

Por halli jonë këtu është se opozita nuk kupton çfarë duan shqiptarët dhe pastaj qahen se Rama u ka vjedhur ekektoratin!/ CNA.al

Lajmet e fundit nga