web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Çfarë është prokurori i SPAK-ut, Dritan Prençi?

4 Korrik 2025, 14:17, Denoncim CNA
Çfarë është prokurori i SPAK-ut, Dritan Prençi?
Dritan Prençi

Risjellim në vëmendjen e opinionit publik sërish prokurorin e SPAK-ut, Dritan Prençin.

Një njeri që për më shumë se 7 vite qëndron mbi dosjet e inceneratorëve. Ne kemi sjellë fakte, prova, kemi thënë a e shikon këtë dokument, a e shikon këtë dosje.

Dritan Prençi është një nga prokurorët e SPAK-ut si shumë të tjerë që ne i kemi mbështetur vazhdimisht, por kur faktet, dokumentet, dosjet dhe materialet na tregojnë se ka problematika, atëherë lindin disa pyetje, lindin disa dyshime.

Është prokuror i paaftë, është prokuror i korruptuar apo çfarë po ndodh me të?

Dosja e inceneratorëve është dosja e shekullit.

Dritan Prençi e kishte në dorë të tregonte sa profesionist ishte, si hetohet, si investigohet, si zbulohet korrupsioni, sepse hetimet e tij nuk fillojnë thjesht me inceneratorin e Tiranës, por nisin që në Fier.

Dhe, nga Fieri në Tiranë, nëpërmjet personave të njëjtë, Klodian Zoto e Mirel Mërtiri, dhe lidhjeve të tyre politike, klienteliste dhe korruptive, nëpërmjet asaj që në fakt para dy vjetësh u quajt grupi i strukturuar kriminal, ku mungojnë shumë emra.

Dritan Prençi deri tani ka marrë në akuzë dhe ka hetuar disa zyrtarë, nga nivelet e ulëta, pra njësitë e zbatimit të projektit, zyrtarët e poshtëm deri te Lefter Koka, të cilin e kanë bërë si një dardhë boksi për gjithçka, a thua se ishte Lefteri personi përgjegjës për çdo gjë sepse ishte në një ministri që nuk kishte fonde për të tilla koncesione që shkojnë në qindra miliona euro.

Vetëm koncesioni i projektuar i Tiranës në 30 vite do të merrte nga qeveria shqiptare 300 milionë euro, iu shtuan qindra miliona euro të tjera nga depozitimi i mbetjeve të Durrësit, pa shkuar më tej te të ardhurat që do të vinin nga prodhimi i energjisë, nga shitja e materialeve të riciklueshme etj.

Në pak vite rreth 130 milionë euro mori kompania “IEBV”, kompani kjo e Klodian Zotos dhe Mirel Mërtirit, e cila mori një koncesion dhe dokumentet Dritan Prençi i ka në të gjitha gjuhët, nga Holanda, në dokumente zyrtare në guaska, në Tiranë te përfituesit, me lidhje direkte dhe indirekte.

Një hetim që po zgjat dhe nuk ka kokë, e në rast se Dritan Prençi mendon se koka mbetet Lefter Koka ky është një hetim që nuk do të mbyllet kurrë, pasi media nuk do të ndalet, ne të paktën do të vazhdojmë dhe do të denoncojmë, se nuk mundet që përgjegjës të jetë një ministër, i cili nuk kishte buxhet. Ai mund të ketë gjynahet e tij, fajet e tij, korrupsionin e tij, por kjo është pjesë tjetër.

Deri më tani përqendrimi është Lefter Koka.

Por kush janë të tjerët?

A e bënte dot Lefter Koka pa Erion Veliajn, të cilin e kemi në shkresa që jep miratim në kundërshtim me ligjin dhe me fakte e prova të tjera për shkak se ai është përfituesi dhe ai duhet ta menaxhonte landfillin e Tiranës, në të cilin nuk ekziston inceneratori dhe është në prag të një katastrofe mjedisore. Kështu, zoti e ruajttë Tiranën sepse me atë që ndodhi në Elbasan gjithçka duket si një skenar shumë i frikshëm.

Çfarë është prokurori i SPAK-ut, Dritan Prençi?
Shkresa e Erion Veliajt

Dhe, përgjegjës për këto situata është dhe vetë prokurori, i cili e ka zgjatur hetimin dhe në fund na ka sjellë dy-tre emra.

Nuk kemi ndonjë ndryshim të madh nga Elbasani, Fieri etj.

Dritan Prençi po fle mbi dosje.

Duket se i ka fikur dritat dhe e ka futur dosjen në errësirë.

Ne i kemi sjellë dokumente dhe fakte që ai i di, i ka aty brenda dhe ende nuk janë çuar në gjykatë si prova, ende nuk ka njerëz të tjerë nën akuzë. Dhe, kur Erion Veliaj merret nga kolegët e tij pas një hetimi të shpejtë me 14 akuza për 4 vepra të rënda penale, Dritan Prençi hesht.

As nuk e sheh minimalisht shpërdorimin e detyrës të Erion Veliajt.

Ndaj dhe shtrohen pyetjet: Është i paaftë?

Po si mund të jetë i paaftë dikush që ka dosjet e dokumentet dhe i lexon?

A është i korruptuar? Kush e ka kapur Dritan Prençin?

Në media janë ngritur aludime, akuza se është takuar me kryebashkiakun e Tiranës.

Ka akuza në publik se ka lidhje me biznesmenë të fuqishëm, oligarkë. Por këto le të ngelen në kuadër të fjalëve, ama ku janë veprat e Dritan Prençit?

A është i paaftë apo i korruptuar,  sepse nuk u ka shkuar deri në fund hetimeve për të zbardhur deri në fund skemat përfituese. Sepse janë me mijëra katrorë sipërfaqe pronash të paluajtshme, të cilat Dritan Prençi nuk i ka sekuestruar dhe ne po sjellim një rast që e kemi raportuar sot.

Si ky janë me dhjetëra që janë para të paguara nga qytetarët që më pas të hapeshin gropat, të depozitoheshin dherat dhe të përfitonin pasuri të paluajtshme dhe para pa fund Mirel Mërtiri me Klodian Zoton dhe bashkëpunëtorët e tyre.

Çfarë është Dritan Prençi në të gjithë historinë e hetimit të inceneratorëve? Ai që po i vë kapakun pusetës apo ai që po bën drejtësi?

Drejtësi me copa dhe të pjesshme nuk ka. Sidomos po nuk u gjetën paratë dhe po nuk u ndëshkuan bashkëpunëtorët, sepse historia do të përsëritet. Po nuk mori përgjigje media, ata që u korruptuan dhe morën miliona eurot e shqiptarëve, të cilat duhet t’i kthehen buxhetit të shtetit, nga kushdo që janë vjedhur, me çfarëdolloj skeme, nga çdo lloj kompanie, qofshin edhe mediat më të mëdha apo biznesmenët më të fuqishëm në vend.

Atëherë Dritan Prençi do ta kishte bërë detyrën e tij, por në këtë rast nuk e dimë çfarë është, prokuror apo çfarë?

Deri tani ka ngelur në kuadrin e një njeriu që nuk po bën as më shumë, as më pak, thjesht dhe vetëm po e zgjat në pafundësi hetimin e çështjes së inceneratorëve, e cila në fakt skemën e ka mjaft të mbyllur. Dokumentet Dritan Prençi i ka në dosje, por nuk vepron. Ndoshta dhe nga frika apo paaftësia, por e vërteta është se Dritan Prençi ende nuk i ka dhënë përgjigjen përfundimtare dhe nuk i ka vënë kokën dosjes më famoze, më skandaloze dhe më korruptive si ajo e inceneratorëve.

Edhe pse Elbasanit po i del tymi i zi, Dritan Prençi nuk po u nxjerr dot tym të bardhë hetimeve për Tiranën./ CNA





Lajmet e fundit nga