web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Inceneratori i Tiranës drejt dështimit zyrtar, landfilli i Sharrës nuk ka më vend

19 Qershor 2025, 07:48, Denoncim CNA

Inceneratori i Tiranës drejt dështimit zyrtar, landfilli i

Emisioni investigativ "Plug" solli fakte të reja për aferën e inceneratorëve dhe mbetjeve urbane në vendin tonë. Ndonëse janë paguar më shumë se 190 milionë euro deri më tani për ndërtimin e inceneratorëve të Tiranës, Elbasanit dhe Fierit, asnjë prej tyre sot ose nuk është ndërtuar, ose është jashtë funksionit dhe kërkon miliona euro shtesë për t’u vënë në punë. Në program u sollën fakte të reja që tregojnë se për shkak të aferës së inceneratorëve, bashkitë Tiranë, Durrës, Fier dhe Vlorë kanë rritur taksat dhe tarifat, duke rënduar xhepat e qytetarëve.

Të paktën 210 milionë euro janë paguar deri më tani nga taksat e qytetarëve për ndërtimin e tre inceneratorëve – Tiranës, Elbasanit dhe Fierit – si dhe për landfillin e Sherishtës në Vlorë. Por, teksa miliona euro janë paguar nga qytetarët, sot asnjë nga këto vepra nuk është në funksion. Emisioni investigativ "Plug" zbardhi fakte të reja që tregojnë se vendi do të përballet shumë shpejt me emergjenca mjedisore në zonat e sipërpërmendura. Një dokument i Agjencisë së Pasurive të Sekuestruara tregon se në landfillin e Sharrës nuk ka më vend për depozitimin e mbetjeve urbane, ndërsa për herë të parë u kërkohet bashkive të gjejnë zgjidhje alternative për menaxhimin e tyre. Ndonëse deri më tani janë paguar 130 milionë euro për inceneratorin e Tiranës, kjo vepër duket se nuk do të ndërtohet kurrë.

Jo vetëm kaq, por të dhënat e bilanceve tregojnë se kompania e sekuestruar e inceneratorit ka zhdukur më shumë se 47 milionë euro nëpërmjet parapagimeve apo borxheve, që duket se nuk do të kthehen kurrë.

Ekskluzivisht për "Plug", administratori i inceneratorit të Elbasanit pranoi se kjo vepër nuk punon. Sipas Leli Kajës, për vënien në punë të inceneratorit të Elbasanit duhen edhe 4 milionë euro shtesë, të cilat duket se do të gjenerohen duke rritur çmimin për depozitimin e mbetjeve nga bashkitë e qarkut në landfill.

As inceneratori i Fierit nuk është funksional dhe duket se nuk do të vihet kurrë në punë, pasi vetë bashkitë që tentuan ta merrnin në dorëzim kanë hequr dorë nga iniciativa e tyre. Në Vlorë janë investuar më shumë se 22 milionë euro për landfillin e Sherishtës, por prej të paktën tri vitesh vënia në funksion e tij është zvarritur, duke shkaktuar ndotje masive për shkak të djegies së plehrave në landfillin që ndodhet në lagjen “24 Maji”.

Kostot e mbetjeve urbane kanë rënduar drejtpërdrejt xhepat e taksapaguesve. "Plug" publikoi të dhëna që tregojnë se për shkak të dërgimit të mbetjeve urbane, bashkitë janë detyruar të rrisin tarifat e pastrimit, duke zhvatur më shumë para nga taksat e qytetarëve. Rasti më flagrant është në Durrës, ku bashkia paguan 10 milionë euro në vit – apo rreth 1/3 e buxhetit – për menaxhimin e mbetjeve, nga të cilat 2.5 milionë euro merren drejtpërdrejt nga buxheti i shtetit, ndërsa pjesa tjetër gjenerohet duke rritur tarifat e pastrimit ndaj qytetarëve./ Syri TV





Lajmet e fundit nga