web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Investigimi/ Gjykata kap në flagrancë Erion Veliajn, shpërdorim detyre me vendim

19 Qershor 2025, 13:08, Denoncim Elvi FUNDO

Investigimi/ Gjykata kap në flagrancë Erion Veliajn, shpërdorim

Telashet e kryebashkiakut Erion Veliaj nuk kanë të mbaruar.

Pas 13 akuzave të ngritura për katër nene të rëndësishme të Kodit Penal si kryerja e “Korrupsionit aktiv dhe pasiv i të zgjedhurve vendorë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, “Futja e sendeve të ndaluara në qelitë e paraburgimit”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, Erion Veliaj tani është kapur nga një gjykatë tjetër, raporton CNA.al.

Pra, nuk është SPAK-u që ka ngritur një akuzë ndaj kryebashkiakut të Tiranës, por CNA ka mundur të sigurojë dhe të investigojë nëpërmjet një vendimi të Gjykatës Administrative që thekson shpërdorimin e detyrës dhe konfliktin e interesit të bërë nga kryebashkiaku Erion Veliaj. Kjo ka ndodhur gjatë kohës që Veliaj ka qenë në burg me vendimin e Apelit të GJKKO-së, pas arrestimit të tij më 10 shkurt 2025, shkruan CNA.

Me një vendim të datës 27.03.2025 të gjyqtarit Gentian Hamiti, Erion Veliaj është kapur në flagrancë nga Gjykata Administrative e Apelit, pasi ka shpërdoruar detyrën duke ndërhyrë në Planin e Përgjithshëm Vendor, i cili është kompetent për t’u miratuar nga KKT dhe në mënyrë abuzive me një Plan të Detajuar Vendor ka ndërhyrë për të ndërtuar një rrugë.

Sipas PDV-së së miratuar, Njësia Tr-7 kufizohet nga katër rrugë kryesore Rr. “Bardhyl”, Rr. “Derhemi”, Rr. “Hoxha Tahsim” dhe Rr.“Qemal Stafa” dhe e vetmja rrugë e brendshme që përshkon njësinë është Rr. “Faik Tërnova”.

Në PDV Tr-7, rezulton një rrugë inekzistente në brendësi të saj, e cila mbivendoset mbi prona private duke cenuar interesat pasurore të pronarëve të tjerë, anëtarë të shoqërisë.

Investigimi/ Gjykata kap në flagrancë Erion Veliajn, shpërdorim
Rruga "Faik Tërnova"

Pra, kemi një vendim që e firmos kryebashkiaku në kundërshtim me ligjin për të ndërtuar një rrugë.

Në pamje të parë ndërtimi i rrugës sjell zhvillim në zonë. Gjithçka duket normale.

POR DARDHA E KA BISHTIN MBRAPA...

Firmosja e kësaj rruge të re nëpërmjet një plani vendor ishte në shkelje totale të ligjit, pasi për të ndërtuar një rrugë duhet të kalojë në Këshillin Kombëtar të Territorit sepse plani zhvillues i kryeqytetit nuk e përmbante atë rrugë.

Banorët ankohen dhe çështja shkon në Gjykatën Administrative të Apelit, e cila është edhe kompetentja për të tilla përplasje.

Është mjaft e thjeshtë.

Dy organizata, “ResPublica” dhe “Shoqnia Tirona Autoktone”, ngrenë një padi në Gjykatë duke thënë se vendimi i marrë nga Veliaj ishte në shkelje të ligjit dhe në kushte të konfliktit të pastër të interesit.

“Vendimi i kryetarit të bashkisë për miratimin e PDV-së për njësinë strukturore Tr-7 është nxjerrë në kushtet e konfliktit të interesit për shkak të interesave private të tërthorta që kanë ndikuar në këtë vendimmarrje. Nga ana tjetër vlen të theksohet se miratimi i këtij plani nga kryetari i bashkisë është bërë pa realizuar më parë konsultimin publik me palët e interesuara”, thuhet ndër të tjera në padinë e bërë nga dy organizatat.

CNA ka mundur të zbulojë dhe palët, të zbërthejë komplet skemën, kush janë personat e përfshirë dhe përse është ndërtuar kjo rrugë.

Por në pjesën e parë po sjellim këtë vendim.

Faqja e parë dhe e fundit e vendimit tregojnë se kryebashkiaku i Tiranës është kapur në flagrancë nga Gjykata Administrative e Apelit.

Investigimi/ Gjykata kap në flagrancë Erion Veliajn, shpërdorim
Vendimi i Gjykatës Administrative të Apelit për Veliajn
Investigimi/ Gjykata kap në flagrancë Erion Veliajn, shpërdorim
Vendimi i Gjykatës Administrative të Apelit për Veliajn
Investigimi/ Gjykata kap në flagrancë Erion Veliajn, shpërdorim
Vendimi i Gjykatës Administrative të Apelit për Veliajn
Investigimi/ Gjykata kap në flagrancë Erion Veliajn, shpërdorim
Vendimi i Gjykatës Administrative të Apelit për Veliajn

Nuk dihet nëse SPAK-u e ka pjesë të dosjes këtë çështje, duke parë datën 27.03.2025 duket se përtej dosjes që SPAK ka për Erion Veliajn është zbuluar edhe një dosje tjetër, e cila është me vendim gjykate shpërdorimi i detyrës.

Pra, nuk kanë shumë nevojë as SPAK-u, as prokurorët e as hetuesit të investigojnë dhe të hetojnë. Mjafton vendimi i Gjykatës Administrative të Apelit, dokumentet e bashkëngjitura nga avokatët e çështjes dhe Erion Veliaj ka tashmë një akuzë para gjykatës, që është shpërdorimi i detyrës dhe SPAK-u mund ta çojë në GJKKO ende pa përfunduar hetimet për çështjet e tjera që po zhvillohen procedura përkatëse.

Erion Veliaj është i akuzuar për shpërdorim detyre me vendim të Gjykatës Administrative të Apelit.

Në vendimin e gjykatës thuhet se ka shkelur ligjin se nuk ka qenë kompetencë e tij.

“Duke iu kthyer çështjes, objekt gjykimi, rezulton se nga tërësia e provave shkresore, pala e paditur nuk ka respektuar standardet e procesit të rregullt ligjor, pasi nuk ka informuar palët e interesuara përmes një a më shumë mjeteve tradicionale të informimit dhe të ketë kryer takime publike me ta (pika 7 e nenit 22 të ligjit nr.104/2014). Në këto kushte, krahas mungesës së kompetencës për nxjerrjen e akteve administrative, objekt gjykimi, Gjykata Administrative e Apelit konstaton dhe mosrespektim të procedurës së nxjerrjes së tyre. Për rrjedhojë, aktet administrative, objekt gjykimi, janë pjesërisht absolutisht të pavlefshme, bazuar dhe në pikën ii) të germës a) të nenit 108 të K.Pr.Administrative, sipas së cilës, akti administrativ është absolutisht i pavlefshëm kur vjen në kundërshtim të hapur dhe flagrant me një dispozitë urdhëruese të këtij Kodi dhe legjislacionit në fuqi lidhur me: ii) procedurën e nxjerrjes së tij. Në çështjen, objekt gjykimi, Gjykata Administrative e Apelit thekson se mungesa e kompetencës është arsyeja/shkaku kryesor i pavlefshmërisë së pjesshme të akteve administrative. Ndërkohë që shkeljet procedurale që kanë të bëjnë me mosinformimin e palëve të interesuara (personave të tretë), trajtohet vetëm si argument mbështetës, jo si element që qëndron në të njëjtin nivel me mungesën e kompetencës”, thuhet në vendim.

Nga ana tjetër Gjykata Administrative e Apelit nuk e gjen në kushtet e konfliktit të interesit kryebashkiakun Erion Veliaj, por thjesht dhe vetëm në vendim thotë se rrëzohen pika e parë dhe e dytë duke hedhur poshtë dhe duke thënë se këto vendime të marra nga kryebashkiaku janë në shkelje të ligjit.

“Gjykata, bazuar në nenet 40, 41 të ligjit nr. 49/2012 datë 03.05.2012 ‘Për gjykatat administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative’ Vendosi:

1-Pranimin e pjesshëm të padisë.

VENDOSI:

2. Konstatimin e pavlefshmërisë absolute të pjesshme të Planit të Detajuar Vendor, Njësia Strukturore TR/7 – Faza 1, miratuar me vendimin e kryetarit të Bashkisë Tiranë Nr. 36848, datë 24.09.2021.

3. Konstatimin e pavlefshmërisë absolute të pjesshme të Planit të Detajuar Vendor, Njësia Strukturore TR/7 - Faza 2, për njësinë strukturore TR/7_3, miratuar me vendimin e kryetarit të Bashkisë Tiranë Nr.36848/1, datë 24.09.2021.

 4. Rrëzimin e padisë për kërkimet e tjera”, thuhet ndër të tjera në vendim.

Investigimi/ Gjykata kap në flagrancë Erion Veliajn, shpërdorim
Vendimi i Gjykatës Administrative të Apelit për Erion Veliajn

Tashmë CNA do të sjellë edhe më tej materiale për të treguar cilat janë palët e përfshira, si është zhvilluar ky proces, a ekziston vërtetë konflikti i interesit për të zbardhur më tej një tjetër dosje skandaloze të kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili ka shpikur një rrugë për ta çuar në interesat korruptive personale të familjarëve të tij dhe këtu jo vetëm ka shpërdoruar detyrën dhe ka shfrytëzuar postin, por në konflikt të pastër interesi ka kërkuar të zhvillojë pronat, paratë e të cilave shkonin në xhepat e familjarëve të Erion Veliajt, por kjo i përket pjesës së dytë të investigimit.

Erion Veliaj mund të kërkojë të ndërtojë rrugë, por duhet të shpronësojë pronarët.

Pjesa e parë është ky vendim, i cili na tregon qartë se Erion Veliaj është kapur mat nga gjykata Administrative e Apelit dhe tashmë SPAK-u ka në dorë një dosje të kopsitur thjesht dhe vetëm për ta çuar në Gjykatë me akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Pas 13 akuzave, kjo duket të jetë e 14-ta./ CNA





Lajmet e fundit nga