“Europa si detyrë”: Cilat do të jenë prioritetet e presidencës çeke të BE-së

3 Korrik 2022, 18:25, Opinione Alexander Cwalina

“Europa si detyrë”: Cilat do të jenë prioritetet e

Në ceremonialin e dhënies së çmimit “Karli i Madh” për vitin 1996 në Ahen të Gjermanisë, presidenti i atëhershëm çek, Vasllav Havel, i bëri thirrje Europës të linte mënjanë historinë e saj të dominimit dhe pushtimit, të korrigjonte të metat e saj dhe të udhëhiqte përmes shembullit të unitetit, prosperitetit dhe kapacitetit të kontinentit për bashkëjetesë në multipolaritetin e ri të botës multikulturore.

Teksa Europa është e përfshirë sërish në konflikt pas pushtimit rus të Ukrainës, presidenca çeke e Këshillit të Bashkimit Europian që ka nisur më 1 korrik dhe përfundon më 31 dhjetor të këtij viti, i është rikthyer vizionit të Havelit për frymëzim, dhe ka si moto termin “Europa si detyrë”, që buron nga i njëjti fjalim që mbajti Havel 26 vite më parë.

Presidenca e Republikës Çeke, shpreson të ndjekë këshillën e Havelit për ta “rimenduar, rindërtuar dhe rifuqizuar” Europën. Kjo përfshin garantimin e sigurisë dhe paqes në kontinent, ecjen përpara drejt tranzicionit të gjelbër dhe atij dixhital, si dhe përballjen me krizat ekonomike dhe humanitare emergjente dhe afatgjata të shkaktuara nga pushtimi rus i Ukrainës.

Udhëheqja çeke do të planifikojë dhe kryesojë takimet në Këshillin Europian, do ta përfaqësojë Këshillin në marrëdhëniet e tij me Komisionin Europian dhe Parlamentin, dhe do të zbatojë një kalendar çështjesh që planifikon të adresojë. Meqë shumë nga axhendat e propozuara nga një presidencë janë afatgjata, dhe kërkojnë bashkëpunim të rëndësishëm dhe ndërmjetësim të marrëveshjeve midis shteteve anëtare, presidencat bashkëpunojnë në treshe.

Çekia përbën mesin e një tresheje me Francën që i paraprin, dhe Suedinë që vjen pas saj. Presidenca franceze që sapo u mbyll, ishte fokusuar në tranzicionin ekologjik dhe dixhital europian, si dhe në forcimin e pranisë së Bashkimit Europian si një aktore sovrane në skenën botërore.

Pushtimi rus i një vendi tashmë kandidat për në BE, Ukrainës, e ka ndryshuar trajektoren e presidencës çeke, duke krijuar përgjegjësi, por edhe mundësi shtesë për vendin e Europës Qendrore. Në krye të prioriteteve të Pragës është menaxhimi i pasojave të luftës ruse në Ukrainë. Duke bashkëpunuar me Komisionin Europian, shtetet anëtare, organizatat dhe shoqërinë civile, presidenca çeke do të punojë për një transferim më fleksibël të fondeve dhe për krijimin e strukturave që do të ofrojnë arsimim, kujdes shëndetësor dhe një proces për integrimin afatgjatë për refugjatët, por edhe për rindërtimin e Ukrainës, që është tashmë një vend kandidat për në BE.

Përballë sfidës ruse, presidenca Çeke e cilëson sigurinë energjetike dhe qëndrueshmërinë ekonomike strategjike europiane si pjesë kyçe të prioriteteve të saj. Sigurisa energjetike do të përqendrohet në reduktimin e varësisë nga gazi, nafta dhe qymyri rus, si nëpërmjet diversifikimit të burimeve të energjisë siç përshkruhet nga “REPowerEU”, por edhe dekarbonizimit të vazhdueshëm të industrisë së BE-së përmes programit “Fit for 55” për të reduktuar emetimin e gazrave serrë në atmosferë. Presidenca çeke do të ketë një theks të shtuar tek efikasiteti i energjisë, energjia e rinovueshme dhe zhvillimi i një rrjeti të pastër transporti transeuropian, duke balancuar gjithashtu edhe ndikimin negativ që ka çmimi i lartë i energjisë te qytetarët europianë.

Një element kyç është edhe qëndrueshmëria ekonomike ndaj inflacionit dhe paqëndrueshmërisë së tregut global. Presidenca çeke ka një listë të detajuar të synimeve të saj për të stabilizuar zinxhirët e furnizimit nëpërmjet prodhimit konkurrues brenda BE-së, si dhe përmes thellimit të bashkëpunimit transatlantik duke përdorur kuadrin e Këshillit të Tregtisë dhe Teknologjisë BE-SHBA (TTC).

Plani çek përfshin mbështetjen e politikave të investimeve të BE-së drejt thellimit të tregut të brendshëm, veçanërisht në shërbimet dixhitale dhe punësimin, duke promovuar gjithashtu një treg efikas dhe të drejtë të të dhënave. Po ashtu, prioritet është edhe krijimi i një portofoli europian të identitetit dixhital, një mjet paneuropian për të provuar në mënyrë të sigurt identitetin e një qytetari.

Pas rolit të zëvendëspresidentes Çeke të Komisionit Europian për Vlerat dhe Transparencën, Vera Jurová, në promovimin e rritjes së të drejtave të privatësisë dixhitale dhe luftimin e dezinformimit, presidenca çeke premton një zgjerim të tregjeve dixhitale europiane, duke forcuar gjithashtu aftësitë e mbrojtjes dhe të sigurisë kibernetike të Europës.

Ndërtimi i aftësive të mbrojtjes, përfshin investime në teknologjitë kritike, sigurimin e zinxhirëve të furnizimit dhe zbatimin e temave kyçe në bashkëpunim me NATO-n dhe busullën strategjike të BE-së. Po ashtu, presidenca do të përmirësojë sigurinë kibernetike dhe qëndrueshmërinë dixhitale të institucioneve dhe agjencive të BE-së përmes zhvillimit të shpejtë të “Kutisë së Veglave Hibride” të BE-së për t’iu kundërvënë kërcënimeve dixhitale.

Së fundi, presidenca çeke planifikon të fokusohet në përmirësimin e shoqërisë civile europiane përmes rritjes së transparencës së institucioneve me ndikim, sigurimit të pavarësisë së mediave dhe promovimit të dialogut të hapur me qytetarët. Kjo përfshin dialogun e vazhdueshëm me të rinjtë europianë përmes Vitit Europian të Rinisë, dhe vazhdimin e punës së Konferencës për Ardhmërinë e Europës për të ofruar një hapësirë për të rinjtë që të marrin pjesë në politikat e BE-së.

Presidenca e BE-së ofron një mundësi unike për Republikën Çeke që të drejtojë të ardhmen e Europës, si në përballjen me kërcënimin e agresionit rus, po ashtu edhe në vazhdimin e ecjes përpara të Europës në transformimin e saj të gjelbër dhe dixhital. Për të cituar Vasllav Havel “Vizioni nuk mjafton, ai duhet të kombinohet me sipërmarrjen. Nuk mjafton të shohësh shkallët, por duhet edhe t’i ngjisësh ato!”.

Përkthyer dhe përshtatur në shqip nga CNA.al 

10:31 Opinione Lutfi Dervishi

Lajmësi nuk ka faj…

Një gazetar i bëri një pyetje shumë të vështirë ish-se...

17:39 Opinione Ylli Dylgjeri

Xhaçka gjallon!

U be e disata here qe zonja Xhacka, here me miqesi, he...

09:05 Opinione Erion Dasho

Shteti, kundër mjekut

Keqtrajtimet e shtetit Rilindas ndaj qytetarëve të tij...

Lajmet e fundit nga