web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

“Të shtyhet afati i komisionit”/ Zhupa te “Territorialja”: Duhet mendimi i ekspertëve ndërkombëtarë për ndarjen e re

15 Korrik 2026, 16:00, Aktualitet CNA

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka kërkuar në mbledhjen e Komisionit Parlamentar të Reformës Territoriale të zgjatet afati i punimeve të komisionit.

Zhupa u shpreh se detyrimet e komisionit nuk janë përmbushur ende, ndërsa theksoi se i duhet dërguar kërkesë Kongresit të Autoriteteve Lokale Vendore për një mendim se si e shikojnë ndarjen më të mirë të pushtetit lokal në Shqipëri.

Ndër të tjera, deputetja tha se dëgjesat publike u ndërprenë sepse sa më shumë flitej, aq më shumë kuptohej dështimi i Reformës Territoriale. Sipas saj, kritika për reformën kishte edhe nga vetë socialistët.

“Komisioni i Zgjedhores ka po ashtu një afat si ky dhe nuk kanë mbaruar akoma detyrat e vendosura, dhe prandaj po e shtyjnë. Ne nuk i kemi mbaruar detyrimet që kemi për këtë komision. Tregohet se afati nuk qenka i shkruar në gur. Siç e zgjasin ata, ta zgjasim dhe ne për të njëjtën arsye, se nuk kemi mbaruar detyrat e caktuara që në fillim. Ky komision duhet t’i ishte drejtuar Kongresit të Autoriteteve Lokale Vendore. Nuk mund të mbyllim një komision pa marrë mendimin e ekspertëve ndërkombëtarë se si e shikojnë ndarjen më të mirë dhe eficiencën më të mirë të pushtetit lokal në Shqipëri. Morën opinionin e Komisionit të Venecias dhe tani palët kanë një material. Të njëjtën duhet të bëjmë edhe ne, që të kemi një material, por fillimisht duhet çuar kërkesa.

Problematika kryesore e ndalimit të dëgjesave ishte fakti se në çdo dëgjesë nuk ka pasur socialist, demokrat apo shoqëri civile që të kenë thënë se ishte reformë e mirë. Edhe socialistët kanë thënë se reforma ishte e keqe, sepse na kanë ikur institucionet nga bashkitë tona. Dhe prandaj doni ta ndaloni, sepse sa më shumë të flitej, aq më shumë do të kuptohej dështimi. Siç do të zgjatet afati i Komisionit të Zgjedhores, duhet të zgjatet edhe afati i këtij komisioni dhe t’u dërgohet kërkesë ekspertëve ndërkombëtarë. Ndryshe, nuk ka asnjë kuptim që ju të sillni një hartë gati dhe ta miratoni pa bërë asnjë diskutim”, tha Zhupa. /CNA





Lajmet e fundit nga