web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Kujt i duhej intervista e Irakli Koçollarit në "Opinion"?

26 Tetor 2022, 15:50, Aktualitet CNA
Kujt i duhej intervista e Irakli Koçollarit në "Opinion"?
Ish-shef i Shërbimit Informativ Shtetëror, Irakli Koçollari

Irakli Koçollari është ish-shef i Shërbimit Informativ Shtetëror. Koçollari ka shërbyer në shërbimet e inteligjencës ku ai ka mbajtur postin e Drejtorit të Shërbimit Informativ Shtetëror.

Në CV-në e tij peshën më të madhe e zënë shërbimet sekrete.

Sipas një interviste që ka dhënë për "TV Klan" pasardhësi i tij, Gazidede, ka dëshmuar se në periudhën 1991-1992 kur shërbimi sekret ishte ende i inkuadruar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, qenë zhdukur mbi 10 mijë dosje me firmën e ministrit Gramoz Ruçi.

Në këtë shifër përfshihej edhe një numër dosjesh që kish djegur Koçollari. Për asgjësim të qëllimshëm informacioni Koçollari u dënua me 6 vjet burg, prej ku doli më 1997.

Kjo është CV-ja publike e Irakli Koçollarit, njeriut që rëndom i referohen si mbajtësi i kopjeve të dosjeve të ish-sigurimit të Shtetit.

Dje Irakli Koçollari ishte i ftuari special i Blendi Fevziut në një intervistë kokë më kokë në "Opinion".

Njeriu që është dënuar me burg dhe ka vuajtur dënimin për zhdukjen me djegie të dosjeve, dje dëshmoi që gjithçka është e ruajtur në mikrofilma dhe se një profesionist di të gjejë gjithçka.

Askush nuk e pyeti se pse qenkësh dënuar dikur Zoti Koçollari dhe a i kish sqaruar ai gjyqtarët e kohës për mikrofilmat për të cilët flet sot.

Por Fevziu zgjodhi të zbardhë këtë pjesë të intervistës:

Blendi Fevziu: Meqenëse çështja e hapjes së dosjeve, kontrollit, verifikimit të figurave, përfundimisht u mor një vendim nga parlamenti, edhe pse është shumë vonë se 32 vjet kanë vdekur bashkëpunëtorë, kanë vdekur personat e ruajtur. Ju jeni i sigurt që asnjë dosje nuk mund të eliminohet, nuk mund të fshihet, nuk mund të zhduket? Dhe nuk mund të sajohet nga fillimi.

Irakli Koçollari: Absolutisht jo! Është e pamundur. Verifikohet menjëherë.

Blendi Fevziu: Pra nuk sajohet dot dosje, nuk fshihet dot dosje, nuk fshihet dot bashkëpunëtor, nuk fshihet dot skedë bashkëpunëtori.

Irakli Koçollari: Jo!

Blendi Fevziu: Është e vërtetë që materialet janë dhe në skeda, dhe në mikrofilma?

Irakli Koçollari: Patjetër. Të mikrofilmuara të tëra. Edhe nëse ai ka hequr dy fletë do të gjendet diku. Një profesionist di ta gjejë.

Kjo ështe pjesa e intervistës të cilës edhe portali i "Opinion" si dhe televizioni "Klan", ka zgjedhur të zbardhë si dhe ka përzgjedhur të hedhë në "YouTube". Pjesa tjeter e intervistës kishte nota relativizimi të shërbimit të ish-sigurimit të shtetit, zhvlerësimi dhe zvogëlimi të rëndësisë së shërbimit më famëkeq të diktaturës.

Koçollari ngjyrosi me ngjyra neutrale rolin e shërbimit: "s'kanë qenë më shumë se 800 zyrtarë në gjithë Shqipërinë", apo "shërbimi përdorte metoda klasike që përdorin gjithë shërbimet, edhe sot". Sigurimi i Shtetit nuk paska torturuar e as detyruar të përfshijë në shërbim, bilè gjithkush ishte i lirë të largohej thjesht duke deklaruar që nuk dëshironte më të vazhdonte shërbimin.

Në debatin e madh të hapjes së dosjeve, jo një njeriu dosido, por vetë drejtuesit të fundit i Sigurimit të Shtetit i hapet ekrani në PrimeTime dhe i jepet hapësira e florinjtë mediatike nëpërmjet së cilës Irakliu dhe jo Fevziu të thotë çfarë ka për të thënë. Të përcjellë publikisht mesazhe, paralajmërime, kujtesa etj. Aq sa donte ai, kujt të donte ai, për qëllime që i di vetëm ai dhe ata që i hapën studion e "Opinion".

Debati sot duhet të ishte se sa e vërtetë bëhet hapja e dosjeve nga ndryshimet e ligjit. A do zgjedhë Autoriteti që të hapë dosjet që duhen dhe të "mos gjejë" ato që nuk duhen. A do përdoret Autoriteti për spastrime nga një krah politik dhe për certifikime nga krahu tjetër? A ka mjaftueshëm ligji i rifreskuar, dispozita procedurale që garantojnë përgjegjësi dhe përgjegjshmëri të Autoritetit dhe sidomos trajtim të barabartë të të gjitha kërkesave që pritet të përcillen në Autoritet. E të tjera si këto. Fevziu nuk kishte kuriozitet për këto pyetje.

Në bisedë ish-sigurimi i shtetit u trajtua si kuriozitet adoleshentësh për një përrallë për të cilën ata kishin dëgjuar dikur. Dhe si për t'i vënë kapak të gjithave vetë Irakliu filloi të tregonte kuriozitete nga jeta e tij, kohë më vonë nga periudha kur ai kishte drejtuar atë që quhej "arma më e fuqishme e diktaturës së proletariatit".

Adoleshentët u njohën nga biseda se si dikur Irakliu paskësh bërë shokë ish-shefin Amerikan të zbulimit me heroin Shqiptar që asgjësonte bandat që ish-shefi i zbulimit amerikan dërgonte në Shqipëri. E meqë u shtruan vendçe për muhabet, Fevziu u mbivendosi kujtimeve të Irakliut edhe tregimet e veta me disa kujtime që nuk kishin lidhje as me problematikat që ligji i rifreskuar pritet të mbartë, e as përrallave të Irakliut për paqtim midis 2 ish-spiunëve të 2 organizatave dikur armike.

Emisioni u pa, u zbardh, u hodh në "YouTube" dhe secili mori, kuptoi dhe përcolli atë që donte. Gjithçka qenka ruajtur në mikrofilma tha Koçollari. Nuk e pyeti njeri a dispononte zoti Koçollari kopje të mikrofilmave. Fatkeqsisht në studion ku u ul Irakli Koçollari nuk kishte asnjeri që mund të bënte pyetje. Nuk e dimë si do të vijojë në muajt e vitet në vazhdim debati për dosjet. Dimë me siguri që pasoja e sotme është vënia në dispozicion të Irakli Koçollarit e as më pak e as më shumë sesa studioja e një ish-të përndjekuri politik, i cili shikonte, dëgjonte dhe admironte çdo fjali që nxirrte nga goja shefi i fundit i shërbimit sekret shtetëror të diktaturës komuniste./ CNA.al





Lajmet e fundit nga