LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Deklarimet për SPAK/ Aksionerët e inceneratorit: Kemi bërë blerje me kusht të siguronim financimin

8 Gusht 2023, 16:37, Aktualitet CNA

 

Deklarimet për SPAK/ Aksionerët e inceneratorit: Kemi bërë
SPAK

CNA vazhdon me publikimin e dosjes së plotë të akuzës që SPAK ka ngritur ndaj kompanisë së inceneratorit të Tiranës, ku pas shumë kohësh u konfirmua me fakte dhe prova se pronarët e vërtetë janë Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri.

Të gjithë aksionerët e kompanisë holandeze theksojnë se dokumentat e tyre janë përdorur pa autorizim në Shqipëri, nuk janë në dijeni dhe nuk i njohin drejtorët dhe administratorët. Ata nënvizojnë se njohin Klodian Zoton dhe Mirel Mërtirin, si njeriun kryesor që merrej me projektin e incenetarorit në Tiranë.

CNA publikoi rreth 22 faqe në shkrimet e ditëve të shkuara. Sot po sjellim disa fakte të tjera. Sipas SPAK, është bërë verifikimi në Qendrën Kombëtare të Biznesit për kompaninë “Integrated Energy BV SVP” dhe për mëmën e saj.

Në faqen 23 qartazi SPAK tregon se cilat janë lidhjet e kompanisë mëmë në Holandë, kompanisë “ITS” të Klodian Zotos, kompanisë “Energy Recuperator”, e cila është një nga aksionerët në themelimin e kompanisë mëmë në Holandë dhe kompanisë “Paul Wurth Italia S.P.A”, edhe kjo aksionere në themelimin e shoqërisë.

Deklarimet për SPAK/ Aksionerët e inceneratorit: Kemi bërë

Të trija së bashku kanë ardhur në Shqipëri dhe kanë marrë kontratën për landfillin dhe inceneratorin e Tiranës.

Më pas, dy kompanitë “Energy Recuperator” dhe “Paul Wurth” janë larguar për t’ja lënë të plota aksionet Klodian Zotos.

Ky i fundit është përpjekur që t’i fusë në fondacione, apo t’i kalojë në emra të tjerë, siçështë rasti i Giuseppe Ciaffagliones apo shitje me kusht të aksioneve për vlera qesharake.

SPAK ka bërë të gjitha verifikimet, mënyrën se si janë krijuar kompanitë. Në faqen 24 tregohen procedura, procesverbalet, këqyrja e dokumentave, letërporositë e dhëna, provat e mbledhura dhe marrja në pyetje e shtetasve, të cilët ishin pronarë në momentin e themelimit të shoqërisë.

Deklarimet për SPAK/ Aksionerët e inceneratorit: Kemi bërë

Më intersanti është deklarimi i shtetasit italian Alberto Pressezzi, i cili është Presidenti i shoqërisë “Bruno Pressezzi”. Në të gjithë shpjegimin e tij, ai thekson se personi që ka pasur kontakt quhet Giuseppe Ciaffaglione. Ata kanë komunikuar diku nga viti 2017 për turbinën e inceneratorit të Fierit.

Rreth vitit 2018-2019 Giuseppe Ciaffaglione ka nisur t’i flasë për projektin e Tiranës dhe më pas merr propozim edhe nga ky i fundit që të hyjë si aksioner në kompaninë holandeze “Geogenix” (Emri i ri i kompanisë “Integrated Energy”) dhe së bashku me një partner që bashkëpunonte me shoqërinë e Pressezzit, shoqëria zviceriane “Icare”, në pronësi të shtetasit Max Abitbol. Në vitin 2022, Pressezzi deklaron se kanë hyrë si aksionerë të fjetur (sleeping partner).

Qartazi në faqen 25 të SPAK-ut, deklarimi i Alberto Pressezzit thotë se është aksioner i fjetur në shoqërinë holandeze “Geogenix”, pra atë që CNA e ka shkruar ditë pas dite, atë që gazetari Elvi Fundo e ka denoncuar me fakte dhe dokumente publikisht, duke theksuar se aksionerët janë me kusht, janë të fjetur dhe qëllimi i marrjes së aksioneve të tyre është sigurimi i financimit prej 100 milionë eurosh që duhej të sigurohej për inceneratorin e Tiranës, e këtë e thotë edhe Pressezzi.

Pasi të sigurohej financimi nga këto shoqëri, atëherë do të aktivizoheshin si aksionerë të plotë të shoqërisë “Geogenix” në Holandë për një periudhë të caktuar kohe dhe kjo konfirmohet nga vetë Alberto Pressezzi, i cili thekson gjithashtu se nuk ka përfituar asnjë të ardhur apo përfitim tjetër nga kompania e holandeze, mëma e inceneratorit të Tiranës.

Ndërsa në lidhje me ndryshimin e drejtorëve menaxhues të shoqërisë holandeze, të bëra vitin e kaluar, thotë se pavarësisht se së bashku me kompaninë zviceriane “Icare” kanë mazhorancën e kuotave të shoqërisë holandeze, ata nuk kanë marrë ndonjë vendim në lidhje me ndryshimin e drejtorëve menaxhues të kësaj shoqërie dhe nuk kanë dijeni se si është bërë ky ndryshim.

Deklarimet për SPAK/ Aksionerët e inceneratorit: Kemi bërë

Pra, edhe këtu duket se kemi të bëjmë me një falsifikim apo një mashtrim që u është bërë këtyre aksionerëve të fjetur.

Ai ka theksuar se nga koha që rezulton si aksioner i fjetur nuk ka dijeni për ndonjë mbledhje të asamblesë së shoqërisë “Geogenix”, e cila në fakt ka pasur një njoftim, sipas një email-i të publikuar në janar për tu bërë në Vjenë, ku ndodhet Mirel Mërtiri.

Gjithashtu, thekson se nuk ka dijeni se ku shkojnë të ardhurat që grumbullon kompania koncesionare në Tiranë, e cila zotërohet nga shoqëria holandeze.

Po ashtu, ai deklaron për SPAK se nuk i njeh aksionerët e mëparshëm, shtetasit Ernesto Granelli, Thomas Hasmann, si dhe nuk e njeh aksionerin e regjistruar në vitin 2021, shtetasin Salvatore Ruselli.

Ai shprehet se njeh Klodian Zoton dhe Mirel Mërtirin, të cilët ia ka prezantuar shtetasi italian. Giuseppe Ciaffaglione. Zoton dhe Mërtirin i ka takuar shumë herë gjatë vitit 2022, me të cilët ka folur për çështje pune, konkretisht për inceneratorin e Tiranës. Në këto takime ka qenë prezent edhe italiani Ciaffaglione.

Ai dëshmon për SPAK se për inceneratorin e Tiranës ka diskutuar me Mërtirin që përpara hyrjes së tij si aksioner te shoqëria “Geogenix”.

I pyetur nëse e njeh shtetasin Herman Daniel Vermeulen, administratorin e shoqërisë së inceneratorit të Tiranës që nga viti 2022, aksioneri kryesor deklaron se nuk e njeh dhe nuk ka dijeni se kush e ka emëruar si administrator shoqërie.

Ai nënvizon se shtetasi Mirel Mërtiri kishte një peshë të madhe në shoqërinë “Integrated Energy BV SVP”, pasi merrej me anën teknike, bisedonte me të gjithë furnizuesit, etj.

Po ashtu, ai deklaron se të gjitha kuotat që ka blerë për të hyrë si aksioner i shoqërisë holandeze i ka marrë nga shtetasi Giuseppe Ciaffaglione, kundrejt një shume simbolike.

I pyetur në lidhje me të dhënat e pasaportës që kanë shërbyer për regjistrimin në QKB të pronarëve fundorë përfitues të shoqërisë "Integrated Energy BV SPV", në vitin 2021, SPAK thekson se Pressezzi ka deklaruar se nuk ka autorizuar asnjë person që të kryente ndonjë veprim me pasaportën e tij në Shqipëri.

Gjithashtu, Pressezzi, ka dorëzuar dokumentacionin që dispononte, pra marrëveshjen e aksionerëve e të tjera si këto, kutotat përkatëse sipas të dhënave që theksohet në dokumentacionin e Prokurorisë së Posaçme.

Deklarimet për SPAK/ Aksionerët e inceneratorit: Kemi bërë

Më pas, vazhdon deklarimi i shtetasit Salvatore Ruselli, i cili thotë se nuk ka dijeni nëse ka përfunduar ose jo puna në landfillin e Tiranës, pasi ai ka pasur një kontratë me kompaninë koncesionare rreth 3.6 milionë euro, me parapagim prej 550 mijë eurosh, por kontrata nuk është finalizuar pasi duhet të përfundonin punimet civile. Ai thotë se nuk ka dijeni nëse kanë përfunduar këto punime.

Ruselli thekson më tej se nuk e di se kush e zotëron shoqërinë në Shqipëri, por e di se kush janë aksionerët e shoqërisë holandeze, ku ai dhe Ciaffaglione kanë 1 kuotë pa të drejtë vote. Megjithatë ai nënvizon se nuk e mban mend nga kush e ka marrë këtë kuotë dhe në çfarë kohe.

Ai shprehet se ka marrë kërkesë formale nga përfaqësuesja e shoqërisë, Denisa Tollkuçi. CNA ka mësuar se Denisa Tollkuçi tashmë është larguar drejt SHBA-së, pas momentit të plasjes së skandalit me aferën e inceneratorit të Tiranës. Tollkuçi njihet si një nga njerëzit më të afërt të Klodian Zotos.

Deklarimet për SPAK/ Aksionerët e inceneratorit: Kemi bërë

Ndërsa në lidhje me ndryshimet që janë pasqyruar në QKB në Tiranë përsa i përket pronarëve përfitues, ku rezulton edhe shtetasi Salvatore Ruselli, ai deklaron se nuk ka dijeni, nuk është i informuar për këtë gjë dhe nuk e njeh administratorin Herman Vermeulen, i cili është edhe njeriu që menaxhon kompaninë “Integrated Energy BV SVP” në Tiranë.

I pyetur për të dhënat e pasaportës së tij dhe regjistrimin në QKB, ai ka theksuar se nuk ka autorizuar asnjë person në lidhje me këtë çështje.

Këto janë dy nga deklarimet, sipas dokumentave të SPAK-ut, të dy nga aksionerëve të kompanisë mëmë në Holandë, të cilët edhe njëherë konfirmojnë atë që ka raportuar CNA dhe denoncimet e bëra publike nga gazetari Elvi Fundo, i cili ka theksuar se aksionerët e vërtetë janë Klodian Zoto e Mërtiri dhe tashmë kjo është e provuar.

Gjithashtu, është provuar edhe fakti nga SPAK se aksionerët nuk kanë emëruar administratorët, nuk kanë emëruar drejtorë menaxhues, nuk kanë dhënë autorizime për përdorimin e pasaportave të tyre.

Pra, përtej falsifikimit të faturave, tashmë jemi përballë të një skandali tjetër, vjedhjes së të dhënave, falsifikimit të të dhënave dhe të dokumentave që janë paraqitur pranë zyrave të shtetit shqiptar në lidhje me lëvizjet e aksionerëve fundorë, shitjen e tyre, apo emërimin edhe të administratorit dhe drejtorëve menaxhues./ CNA

Lajmet e fundit nga