Pas ndeshjes, protestuesit zhvendosen te selia e PD-së: Opozitë e shitur
Pas ndeshjes, protestuesit janë zhvendosur para selisë së ...
Pas ndeshjes, protestuesit janë zhvendosur para selisë së ...
Nga Arjan GALDINI
Ka zemërate që shprehet me gjuhë të fortë kundër.
Por zemërata nuk është mendim.
Zemërata është vetëm ndjesi.
Ka edhe pakënaqësi që flet me gjuhën e saj kundër.
E as pakënaqësia nuk është mendim.
Pakënaqësia është gjendje.
Shqipëria me hir a me pahir, duartrokitëse 50 vjeçare gjatë Diktaturës Komuniste, është shndërruar në këto 3 dekada protodemokraci langaraqe, në një Shqipëri pezmi, mllefi, ngulcimash, dufi dhe shpërthimesh urrejtare.
Pse ndodh kjo?
Sepse, pas çdo fushate elektorale vjen zhgënjimi, e pas çdo zhgënjimi zbarkon kuturisja nëpër abiset e një bote pakuptimësie.
Them botë pakuptimësie, ngaqë nuk gjej dot fjalë a shpjegim të vlefshëm, për të përshkruar reagimet e qytetarëve shqiptarë, vit pas viti, që nga dhjetori 1990, kur u fitua pluralizmi politik dhe u ngrit trau për të kaluar në demokraci.
Në kushte normale, qytetari i zhgënjyer, nuk kuturiset.
Në kushte normale, ne presim që njeriu, qytetari i zhgënjyer, të marë vendim të qartë e të fortë distancues dhe refuzues ndaj shkaktarëve të zhgënjimit.
Nuk presim kuturisje.
Kuturisjet na çojnë në kafene, na bashkojnë me të singjashëm, na shtijnë në biseda të zjarrta ankimtare, e pastaj na vënë në matje me hijen që kemi lënë pas kudo ku jemi ankuar e kemi shprazur pakënaqësi.
Aq e madhe bëhet ajo hije gjatë ditës sonë, sa fillojmë e trembemi nga vetë hija jonë.Nuk është e vërtetë se ne trembemi nga zhgënjyesit. Ata janë në fakt në çdo sekondë, minutë, orë e ditë të jetës së tyre nga ne.
Ata e dinë që na kanë zhgënjyer, sikurse e dinë që këtë gjë e bëjnë me vetëdije të plotë. Jo se nuk janë frikacakë. Thjesht janë të pacipë. Ngase kanë frikë, kanë kaq shumë ankth për pushtetet.Ngase kanë frikë plaçkisin kaq shumë, që të bëhen aq të pasur sa të mos na shohin dot fare neve, nga lartësia e maleve të parave që kanë bërë.
Ngase kanë frikë, bëhen arrogantë e harbutë kur janë në zyra të pushteteve.
Ngase kanë frikë i bëjnë fushatat elektorale me këngë e valle.
Ngase kanë frikë dërgojnë si operatorë elektoralë terreni, burgaxhinj e të fortë, horra, xhepista e vrasës që të na kërcënojnë.
Ngase kanë frikë, filluan të kandidojnë drejtpërdrejtë për ofiqe pushteti, trafikantë e përdhunues.
Ngase kanë frikë, hedhin shumë, po shumë fare para për të na shitur e blerë votat.
Ngase kanë frikë na bashkëfajësojnë në ligësi, siç e kanë bërë me kanabisin.
Ngase kanë frikë, bëjnë rregulla e ligje elektorale për të vrarë demokracinë dhe mundësinë tonë të zgjedhjes.
Ngase kanë frikë, krijojnë podiume zëdhëniesh.
Ngase kanë frikë, blejnë e pushtojnë çdo media.
Ngase kanë frikë, na vënë kundër njëri-tjetrit duke na bërë të brohorasim se hajdutët dhe zhgënjyesit tanë janë më të mirë se ata të krahut tjetër.
Ngase kanë frikë, na bëjnë të ndihemi të pavlerë, të kotë, të pafuqishëm.
Ndërkohë që ne, edhe pse nuk kemi asnjë arsye për të pasur frikë prej tyre, sillemi si dhjaksa kronikë, duke ngatërruar frikën prej zhgënjyesve me frikën nga hija e ankimeve tona.
Ne që kemi gjithë pushtetin për të vendosur për ti refuzuar e ndëshkuar me votën tonë zhgënjyesit tanë, ne kandisemi në kuturisje, e në vend që të marim vendime, ia nisim veç të ankohemi.
Aq shumë ankohemi sa të krijohet gjendja e nderë se këtu nga dita në ditë diçka e madhe do ndodhë, e gjithë kjo pakënaqësi e madhe popullore do shpërthejë si vullkan.
Hyn nëpër kafene, e gjithçka vibron si paralajmërim shpërthimi.
Takon miq, kolegë, të njohur a të panjohur, e përsëri ajëri dridhet si kumtues shpëthimi.
Lexon gazeta, blogje, portale online, statuse e komente facebooku e mezi mer frymë nga pezullia shpërthyese.
Hap TV, sheh lajme e debate dhe damari mes ballit të pëlcet nga vërshimi i gjakut.
Dhe është kjo rëndesë që kemi mbi krye që nxit analistë e studiues, politikanë dhe aktivistë që të kridhen në ujërat e pakënaqësisë për tu bërë dëshmitarë apo administratorë të vullkanit social e politik që pritet të nxjerrë bërthamën e globit deri lart mbi re.
Çudia ime nuk është pse nuk ndodh shpërthimi, por si nuk e kanë kuptuar ende këta analistë, studiues, politikanë dhe aktivistë që kjo histori është e përvitshme, madje pandryshueshmërisht e përditshme.
Këtu Protestat bëhen me organizim partie, me autobuza, me sanduiçe dhe lekë në xhep.
Këtu votimet bëhen me organizim partie, me votues që meren me makina partie, e me të fortë që rrinë nëpër oborre qendrash votimi për të mbajtur shënim kush erdhi nga tanët e sa nga të palës tjetër.
Këtu votat shiten dhe blihen edhe me çmimin e një gote rakie qyl në mejhanen e lagjes a fshatit.
E ju prisni që të shpërthejë ndonjë vullkan?
Këtu kemi 50% të ekonomisë informale, kemi një ndërlidhje shumë të afërt dhe dinamike mes biznesit dhe politikës, kryesisht sipërmarrja është e suksesshme nëse ka qasje në dhomat e pushteteve politike, një pjesë e madhe e të pasurve në këtë vend janë ose politikanë të koruptuar e plaçkitës, ose sipërmarës klientelë e politikës, ose trafikantë, horra e mafiozë.
Prandaj nuk ka para të pastra që të mbështesin, ide, nisma, organizata civile apo politike, njerëz, akademikë që duan të bëjnë ndryshim në Shqipëri.
Kush ka para në këtë vend, i ka ose nga politika, ose nga afërsia me politikën, ose nga krimi.
Këtu nuk dua as të përgjithësoj, e as të fus këdo në të njëjtin thes.
Asesi.
Ka edhe shume sipërmarës të zotë, të ndershëm dhe të talentuar që ia kanë dalë mbanë të pasurohen drejtësisht dhe ligjshmërisht, e gjithësesi këta janë pak.
Ndaj, kush ka një projekt, një nismë, një ide, një organizatë politike apo civile për të propozuar para publikut, nuk gjen dot asnjë, absolutisht asnjë burim të brendshëm financiar që ta mbështesë.
Kësisoj ose do të zhvillohet shumë ngadalë, modestisht, e vullnetarisht, ose do të ndalet, dështojë, dorëzohet, rrëzohet.
Në rastin e parë, duhet që ideatori, nismëtari apo organizata të përgatiten për shpërfilljen, moskonsiderimin, përqeshjen, e ndoshta dështimin.
Gjithçka varet nga rezistenca që këta kanë.
Në rastin e dytë, pothuajse të gjithë përfshihen aty.
Çdo ide, projekt, nismë apo organizatë, ka nevojë për një buxhet minimal ekzistence dhe funksionimi.
Ky buxhet sigurohet ose nga kontributi me kuota a vetëfinancim prej ideatorit (ideatorëve), nismëtarit (nismëtarëve), anëtarëve e të angazhuarve në organizatë, ose nga donacione dhe mbështetje të pastra dhe ligjore nga sipërmarrës dhe njerëz që kanë pasuri mjaftueshëm për të shpërndarë pak nga pasuria e tyre për hir të përgjegjshmërisë dhe së mirës publike e të përgjithshme.
Në Shqipëri, kuotat dhe vetëfinancimi, janë një ëndërr e bukur ose një gënjeshtër e madhe.
2/3 e popullsisë jeton në varfëri të paimagjinueshme dhe pagat që marin nuk mjaftojnë as për të ushqyer femijet e tyre.
Shtresa e mesme është ende e vogël dhe kryesisht e pasigurtë e jostabel në vendin dhe për burimet që ka.
Politika dhe pushtetet e saj kontrollojnë pothuajse çdo burim financiar, çdo të ardhur, çdo të mirë që prodhohet në këtë vend.
Edhe Profesionet e Lira, duhet ta mendojnë mirë para se të angazhohen në ide, projekte, nisma a organizata politike apo civile që duan realisht ndryshim.
Imagjinoni të punësuarit në Sektorin Privat e aq më keq ata në Sektorin Publik, sesa këllqe e shanse kanë të japin veten, apo kontributin e tyre për ndryshim.
Edhe ata që punojnë në Organizata e Sipërmarrje Ndërkombëtare, pak e kanë ngasjen që të dalin jashtë ishullit të tyre ku jetojnë mirë e të mbrojtur me kontratë.
Ajo pakicë që nuk varet, nuk cënohet dot, apo ka mendjendarësinë të mos pyesë prej Zotëruesve të Pushteteve e Burimeve Financiare dhe të të Mirave, është numerikisht e përmbledhur në disa mijëra, por jo shumë mijëra.
Llogaritë mes numrave dhe cilësisë le ti bëjmë në një botë ideale e me rregulla loje.
Sepse këtu në këtë botën tonë, sidomos në këtë vendin tonë të vockël, numrat janë ngahera më të zëshëm e përmbysës dërrmues të çdo cilësie.
Elementi që i vë kapakun të gjithë kësaj pritshmërie është edhe dijenia e gjithëpranueshmëria deri në dorezim fatal, se në Shqipëri edhe sikur dikush a disa, tia dalin mbanë që përtej ngushticave e pamundësive financiare a numerike, gjithësesi kur vjen puna tek zgjedhjet, nuk ka kush tia numërojë a mbrojë dot votat.
Votat shiten dhe blihen.
Votat komisionohen dhe numërohen nga Partitë e Sistemit.
Votat vidhen dhe tjetërsohen nga Komisionerët dhe Numëruesit e Partive të Sistemit.
Atëherë, këta analistë e politikanë që këlthasin për Lëvizje a Parti Antisistem, mbi ç’bazë, mbi ç’kriter, me ç’logjikë e kërkojnë këtë zgjidhje a zgjedhje sociale, kulturore dhe politike në Shqipëri?
Është kjo një klithmë e pafajshme, e dlirë që e sheh zgjidhjen tek sokëllima në Luginën e Asgjësë, pra që pret thjesht të dëgjojë jehonën e vetvetes?
Apo është një lojë e mirëpaguar e sistemit që duke vendosur si të vetmen zgjidhje, pikërisht këtë të pamundurën, mbyt a plandos në jerm çdo mundësi a rrugë tjetër zgjidhjeje e zgjedhjeje.
Nuk po mar përsipër të them a dal në konkluzione se kush e si flet për antisistemin, vepron dlirë apo luan me pagesë të lartë.
Secili prej tyre e di vetë, e veç Zoti e di ç’kanë ata në zemër e ndërgjegje.
Punë për ta.
Ç’ka mua më duket më me vlerë është që të qëmtojmë e kërkojmë shtigjet që na çojnë tek e vërteta e si rrjedhojë drejt kuptueshmërisë së përbashkët që ndoshta mund të na urtësojë edhe për të marë vendime, e jo të shtyjmë ditët me ankime.
Nëse jemi të pakënaqur kemi rënë në një gjendje limontie që na gërryen shpresën.
Nëse jemi të zemëruar, na verbohet gjykimi dhe emocionet na bëjnë vetëhamës e dëmbërës të pariparueshëm.
Si të pakënaqur apo si të zemëruar, e sigurte është se pak vend lëmë si të tillë, për mendimin, reflektimin dhe dijen e urtësinë.
Pa mendim, kemi vetëm opinione.
Pa reflektim kemi vetëm ankimime.
Pa urtësi, kemi vetëm shpresëvrarje.
Si shprehet kjo politikisht?
Qytetaria e pakënaqur apo e zemëruar, ose shet votën, ose shpërdoron votën, ose braktis vendin.
Sistemi këtë kërkon.
Sistemi do qytetarë që bëhen klientë ose qytetarë që ose mbeten militantë, ose hedhin votë kundërshtie.
Qytetari më i rrezikshëm për sistemin është qytetari që mendon, reflekton dhe vepron me urtësi.
Ky lloj qytetari as e shet votën, as e strehon veten për siguri në militantizem, as e përdor voten si akt inatçor apo snobist.
Sa më të pakënaqur e sa më të zemëruar të jenë e sillen qytetarët, aq më të lehtë e ka sistemi mbijetesën dhe fortifikimin.
Mjafton të rrisë përmasat e plaçkitjes dhe me varfërimin tonë rrit pakënaqësinë tonë, me polarizimin nxit zemëratën tonë, me trysninë dhe represionin e pushteteve dhe të horrave thyen guximin tonë, ndërsa me operatorët antisistem shkakton drejtpërdrejtë dekurajimin tonë.
Shumë e thjeshtë kjo.
Sa më të lartë e të besueshëm të jenë zërat e atyre që shajnë e mallkojnë sistemin, aq më kokëulur bëhen ata që rrine gjithë sy, mendje e zemër në pritje të reagimit qytetar që kurrë nuk vjen.
Po si mendoni ju, në një vend ku paratë i ka Sistemi, mediat i ka Sistemi, votat i numëron Sistemi, kush mund të jetë ai njeri, nismëtar apo ajo organizatë politike që mund të shfaqet antisistem, e me paratë, mediat dhe votat e numëruara nga Sistemi, ta ketë seriozisht, vërtetësisht sfidën antisistem?
Dualiteti Sistem – Antisistem, është balanca dhe mekanizmi i përsosur për ta mbajtur në këmbë e të palëkundshëm Sistemin.
Kur ka dualitet, ka ndarje në pro dhe kundra, në dy palë, ku më e forta është fitimtarja që bën historinë dhe rregullat.
Duke qenë se Sistemi i ka vetë edhe paratë, edhe mediat, edhe votat për vete dhe për antisistemsat, afërmendsh që fitimtari i kahershëm është Sistemi.
Andaj, qytetarët janë në udhëkryq.
Aktivistët dhe organizatat civile apo politike që nuk kanë ndërlidhje e as janë pjesë e marrëveshjes me Sistemin, nuk kanë as para, as media e as garanci për mbrojtjen e numërimin e votave.
Pa para, pa media, këta janë të padukshëm, të pazëshëm, e vetvetiu edhe të shpërfillur e joekzistent prej Sistemit.
Qytetarët kanë si pikë referimi fuqinë e lëvizjes logjistike dhe organizative, sepse vetëm kështu kanë parë nga Sistemi.
Qytetarët kanë si pikë referimi vetëm Famën Mediatike, sepse vetëm kështu quhesh i konsiderueshëm nga Sistemi.
Paradoksi është i ulur këmbëkryq.
Qytetarët e pakënaqur a të zemëruar, duan ndryshim, por e duan nga të famshmit dhe të grazhduarit me para nga Sistemi.
Ec e jepi dum këtij qorrsokaku.
Ngërçi më i madh vjen nga vetë këta analistët, gazetarët a politikanët e shpallur si antisistemsa.
Këta gërthasin për luftë pa kompromis kundër Sistemit, e në fund konsiderojnë si faktorë a aktorë antisistem vetëm të famshmit dhe të grazhduarit me para nga Sistemi.
A janë naivë këta analistë, gazetarë apo politikanë?
Unë nuk e besoj.
Por nuk është përgjigja e kësaj pyetjeje ajo që ka rëndësi parësore për mua.
Tek e fundit, secili prej nesh mund ti bëjë vetë llogaritë e ti japë përgjigjet sipas mendjes së vetë.
Psh, duke u nisur nga rasti im personal, unë kam qenë vetë drejtpërdrejtë në studio të vogla a të mëdha televizive në debate me këta analistë, gazetarë a politikanë, por asnjëherë, asnjëherë nuk i kam lexuar, dëgjuar apo parë ata që të më referohen si ekzistencë.
Unë ndonëse ia kam dalë mbanë të bëhem zë e emër modestisht publik, ndonëse kam bërë pafundësisht beteja dhe aktivizma civile dhe politike që kanë qenë gjerësisht të mediatizuara, ndonëse kam shkruar qindra artikuj e dhënë dhjetra intervista në gazetat më të mëdha në vend, ndonëse konfirmohem e pritem me respekt e nderime nga personalitetet më të larta politike e shtetërore, në Kosovë, Maqedoni e Mal te Zi, ndonëse europarlamentarë, deputetë britanik?, kongresmenë amerikanë dhe diplomatë kryesorë të Perëndimit në Tiranë më kanë përmendur e janë shprehur publikisht me vlerësime e konsiderata pozitive për mua, etj, etj, unë gjithësesi nuk ekzistoj për këta analistët e gazetarët antisistemsa.
Parodia vazhdon kur sheh, lexon e degjon se edhe këta antisistemsat, flasin e shkruajnë vetëm për emra, njerëz dhe organizata që u vijnë me leje e listëporosi nga Sistemi.
Ti nuk ekziston për ta edhe sikur të dalësh përditë në Opinion, nëse nuk je me lejen a listëporosinë e Sistemit.
Ti nuk ekziston për ata edhe sikur të shkruash e botohesh çdo ditë në Panorama, Gazeta Shqiptare, MAPO, Koha Jonë, Standard, etj, etj.
Ti nuk ekziston për ata edhe sikur 10 – 15 Portale online, të botojnë çdo ditë shkrime e opinione të tuat.
Ti nuk ekziston për ata, nëse je normal e nuk gabon.
Po u anormalizove apo po gabove atëherë sistemsat dhe antisistemsat kujtohen se ti ekziston, dhe ia nisin të tjerrin e tjerrin pambarimisht mbi anormalitetin apo gabimin tënd.
Nëse nuk anormalizohesh e as gabon, e megjithatë ia del të bësh diçka që tërheq vëmendje, sistemsat dhe antisistemsat shpifin për ty, e pastaj tjerrin e tjerrin pambarimisht mbi shpifjen që vetë e kanë sajuar paturpësisht.
Përndryshe, me ide, shkrime, aktivizëm politik e civil, me punë akademike, me njohje ndërkombëtare, çfarëdo që të kesh e bësh nga këto, nëse je pa lejen dhe jashtë listëporosisë së Sistemit, ti nuk ekziston.
Sistemi na plaçkit, na sundon, na dhunon, dhe grazhdon me para e mediatizim antisistemsat, që ne të vazhdojmë të mbetemi e sillemi si qytetarë të pakënaqur a zemëruar që vetëm ankohemi, e kurrë nuk vendosim.
Ndaj unë nuk kam fare asnjë shpresë tek antisistemsat.
Antisistemsat në Shqipëri i shoh si Klerikë të Zemëratës.
Sepse me dashje a pa dashje, me hile a pa të keq, ata na sistemojnë e paketojnë sipas kërkesave të Sistemit.
A e dini çfarë?Kam vendosur ta besoj plotësisht Edi Ramën ku...
Nga Zef ZEFISi sot e katër vjet më parë sipas plagjatures ob...
Kurrë më parë, egjiptianët dhe romët e Shqipërisë nuk kanë p...
Çdo ditë e më teper të mbushet mendja që në këtë vend gjërat...
Nga Zef ZEFI*Kur më 2014 opozita denoncoi në Kuvend avionët ...
Sipas fjalorit shqip-shqip, turp do të thotë: “ndjenjë e for...
Nga Andi Bushati*Telenovela popullore e largimit apo qëndrim...
Nga Ilir LEVONJA* Këtej nga një rrugë e heshtur, me ca shina...
Nga Dr. Bledar Kurti*Një pyetje të thjeshtë i bëri gazetarja...
Nga Ilir Levonja*Asnjëherë si më parë Edi Rama dhe rilindja ...
Nga Aurel Plasari*Do të ketë, këtij viti, 100-vjetorin: e pa...
Nga Ilir Levonja*Nga një podium i vogël, brenda ambjenteve t...
Nga Ilir Levonja*Eshtë sot një nga lajmet më të pakta të dit...
Nga Enkel DemiDje, katër të rinj, studentë u lënduan me thik...
Nga Dr. Bledar Kurti *Përse ky vend është vështirë të bëhet?...
Nga Mero Baze Arrestimi i biznesmenit që trafikoi 613 kg kok...
Nga Ilir Levonja*Mos u mallëngjeni me Sajmirin. T’i themi fa...
Rasti i trajtuar këtë të mërkurë, më 3 qershor, në emision...
Emisioni “Stop” transmetoi këtë të mërkurë, më 3 qershor, ...
Irfan Hysenbelliu, pretendon që është biznesmen i madh, nj...
Emisioni “Stop” trajtoi këtë të martë, më 2 qershor, një r...
Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) vendosi këtë të hën...
Vettingu i KPA-së vendosi këtë të enjte shkarkimin e p...
Suela Salavaçi, me detyrë prokurore në Prokurorinë e T...
Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka rikthyer në detyrë pro...
Një aksident rrugor ka ndodhur mbrëmjen e sotme në autostr...
Policia e Lezhës ka dalë me reagim zyrtar lidhur me ngjarj...
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organi...
Një banesë është përfshirë nga flakët në lagjen nr. 4 në q...
Një shifër alarmante prej më shumë se 166.4 mijë shqiptarë...
Moti ditën e sotme do të jetë kryesisht i kthjellët dhe me...
Sezoni i vjeljes së qershisë pritet të nisë në fshatin Dvo...
Sistemi arsimor në Shqipëri po përballet me një realitet s...
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Tru...
Asambleja e Përgjithshme e Kombet e Bashkuara ka përfundua...
Të paktën nëntë persona kanë humbur jetën si pasojë e sulm...
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Bakersfield të Kaliforni...
Korça është gati të çelë sezonin veror me një nga ngjarjet...
Dy vite pas ndarjes nga jeta, poeti i njohur korçar, Skënd...
Muzeu Etnografik i Beratit ka hapur dyert për vizitorët pa...
Historia e Harilla Bakallit është një nga dëshmitë më rrëq...
Ministri i Financave, Petrit Malaj, njoftoi sot një vendim...
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, priti m...
Sot, në tregun e këmbimit valutor, një dollar amerikan bli...
Deputeti i PD-së Igli Cara ka depozituar në Kuvend pro...