web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Grida Duma: Ajo që duam nga Evropa mund të arrihet vetëm këtu

2 Shtator 2015, 18:43, Opinione CNA

*Grida DUMA

Jorge Semprún, luftëtar i Rezistencës franceze dhe i mbijetuar i kampeve të përqendrimit, përshkruan një ngjarje që sot ma kujton shumë fort pamja e foshjave refugjate nëpër brigjet e Evropës, nëpër telat me gjemba të Hungarisë. Semprún tregon se një ditë, rojet SS dhe qentë e tyre iu sulën fëmijëve hebrenj të sapozbritur nga treni që i kishte sjellë në Bukenvald. Brenda pak minutash i vranë thuajse të gjithë. Në fund nga fëmijët mbetën vetëm dy që ikën me vrap, njëri më i madh, tjetri më i vogël. Për ta, Semprún shkruan:

“Më i vogli filloi të mbetej pas. SS-të dhe qentë thuajse i arritën… Atëherë, fëmija më i madh ndali hapin dhe mori më të voglin për dore. Së bashku ecën edhe pak metra, derisa goditjet e shkopinjve i rrëzuan. Fytyrat për tokë, doçkat e tyre të vogla të shtrënguara në përjetësi.?

Shtrëngimi i atyre duarve është gjithçka që realisht vlen në këtë botë.

Në këto ditë, qindra fëmijë, të rinj dhe pleq nga Lindja e Mesme gjejnë vdekjen në det dhe asfiksimin nëpër kamionë trafikantësh, në një përsëritje katastrofike të fatit të dhjetëra-mijëra shqiptarëve që kërkuan Evropën. Sot nuk janë më kërbaçët e esesëve, – është dhuna e padukshme strukturore, pamundësia ekonomike, terrori, që vret foshnja dhe pleq në brigjet e Evropës, në gjembat e gardheve moderne të saj.

Për vite me rradhë, u përpoqëm ta arrijmë Evropën. Jo si qytetarë shqiptarë ?por si refugjatë nga Kosova dhe Shqipëria. Dorë për dore, si fëmijët e Buhenvaldit, shqiptarët u vranë dhe u mbytën në tokë dhe në det. Tani shohim se si rradhën e kanë të tjerët. A jemi në Evropë? Ende jo. Duket se ajo që kemi fituar deri më sot janë ulëset relativisht komode nëpër autobusët e mërgimit, ndërsa popujt e tjerë me të cilët ndajmë të njëjtin fat, nuk kanë të njëjtin komoditet.

Populli sirian, një nga popujt më krenarë, më tolerantë, më të kulturuar të Mesdheut, sot e sheh veten të ndryrë nëpër barqe anijesh që pikojnë naftë, gjak dhe lot. Tragjedia e këtij populli, anijet e dyndura me njerëz që luhaten mes vdekjes dhe jetës neve s?mund të na kujtojë veçse një tjetër tragjedi ? atë tonën.

Siria, ashtu si Shqipëria, shquhet për tolerancën fetare ? më të ndërlikuar, më të vështirë, më të lashtë se e kujtdo populli tjetër. Kishat dhe xhamitë e saj ngrihen pranë e pranë, ndajnë të njëjtin ajër me tempujt e mahnitshëm të lashtësisë. Një kulturë e jashtëzakonshme e krijuar nga një popull i mrekullueshëm sot përballet me shkatërrimin total. Përballë kësaj katastrofe, ajo që lexojmë sot për Shqipërinë dhe Kosovën të kujton një reportazh tragjikomik për Sodomën dhe Gomorrën: nuse që shkojnë nëpër dasma me helikopterë. Bashki shqiptare që dënojnë me ashpërsi jezuite urinuesit e jashtëligjshëm. Qytetarë që hanë misra rrugëve dhe që u mbetet në dorë kuponi tatimor, ndërsa bukën e blejnë me listë.

Ka një të vërtetë më të madhe në gjithë këtë. Shqiptarët nuk e duan Evropën si një automat banke. Nuk e duan as si kamzhik tatimesh, as si kamp pushimi, as si mollë sheqeri. Nuk e duan si fasadë për ta lyer, as si tavë për ta ngjyer. Gjithmonë kam besuar tek intuita e shqiptarëve se nxitimi ynë për të hyrë në Evropë nuk lidhet, as me dëshirën për të ?hedhur bojë? as me lakminë për të ?bërë lekë?. Çka duam nga Evropa, më shumë sesa lekët, është diçka tjetër ?janë rregullat e lojës, standardet e tregut, cilësia e jetës.

Ajo që duam nga Evropa është që tregimi i Jorge Semprún për foshnjat e Evropës të mos përsëritet më nëpër gardhet dhe telat e saj me gjemba, sepse mjaft është përsëritur deri tani.

Ajo që duam nga Evropa mund të arrihet vetëm këtu.





Lajmet e fundit nga