web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Analizë e intervistës së Ismail (Ballist) Morinaj me Dritan Shakohoxhën (3)

19 Korrik 2015, 20:55, Opinione CNA

Nga Kastriot MYFTARAJ

Morinaj tha në emision se përmasat e ?flamurit? të dronit qenë 120×170 cm. Por duke i parë përmasat e ?flamurit? të dronit në raport me përmasat e trupit të lojtarëve në fushë, në momentin që ata luftojnë për të, duket qartë se përmasat e ?flamurit? janë më të mëdha. Morinaj i zvogëloi përmasat sepse e dinte që, nëse tregonte përmasat e vërteta më të mëdha, rritej pesha e ngarkesës së dronit, dhe ndërlikohej drejtimi i tij. Morinaj i quajti ?spango? litarët në të cilët ishte lidhur banneri te dronit. Por nga pamjet televizive u pa qartë se më tepër se spango ishin litarë. Morinaj nuk tha asgjë për arsyen se përse dy litarët qenë aq të gjatë dhe Shakohoxha nuk e pyeti për këtë gjë.

Arsyeja për të cilën Morinaj e shmangu shpjegimin per gjatësinë e litarëve sepse donte të zvogëlonte peshën e ngarkesës së dronit, por sepse i duhej të shpjegonte se përse e ndërlikoi kontrollin e dronit pasi gjatësia e litarëve krijonte një objekt fluturues me gjatësi mbi 20 metra. Arsyeja e gjatësisë së litarëve ishte që lojtari serb që do të kapte dronin të mos dëmtohej prej helikave të tij që nëse godasin në sy, ose në veshë shkaktojnë dëmtime jo të vogla.
Morinaj e shpjegoi kështu dërgimin prej tij të bannerit në dorën e një lojtari serb: ?Problemi ishte me ngjyrat e fanellave. Ngatërrova ngjyrat e fanellave. Ngjyra e kuqe, ngjyrat e zemrës nganjëherë të tradhtojnë, kjo ndodhi me mua atë natë. Ngjyra e fanellave ishte ajo që bani të vetën, duke mendu gjithmonë që janë lojtarët tanë. Ishte momenti ku gjithë ajo ideja që djaloshi nga Shkupi po më priste atje për flamur. Ishte një black out. Edhe mendova ok thashë, t? jau lëshoj çunave në dorë flamurin që t? i karikoj, t? i frymëzoj.?

Pse duhet ta ulte Morinaj dronin në fushë, kur plani ishte që ta nxirrte nga stadiumi dhe t? ia dërgonte djalit nga Shkupi i cili po priste në stacionin e trenit për të marrë flamurin? A nuk ishte ky plani? A mund të besohet se ky tifoz i zjarrë i përfaqësueses shqiptare, i cili kishte bërë kërkime deri edhe për parashikimin e motit në Beograd, në ditën e ndeshjes, të mos e kishte mësuar atë fakt që ishte bërë i njohur në media se përfaqësuesja shqiptare do të luante me uniformë të bardhë në Serbi? Pastaj kur e kishte parë ndonjëherë përfaqësuesen shqiptare Morinaj që të luante me uniformë krejt të kuqe, siç ishte veshur përfaqësuesja serbe në këtë ndeshje? A nuk i bëri atij përshtypje që stadiumi ishte i mbushur me tifozë me bluza të kuqe? Apo mendoi se ata ishin shqiptarë? Morinaj pati gjithë kohën e nevojshme që, ashtu siç bëri tre ditë më parë në Beograd kur pa në ekranin e telefonit fillimin e ndeshjes, ta shikonte fillimin e ndeshjes Serbi-Shqipëri për të parë se Shqipëria luante me uniformë të bardhë. Lojtarët shqiptarë qenë shumë mirë të karikuar në ato momente, po luanin shumë mirë dhe nuk kishin nevojë për një karikim shtesë.

Në vazhdim të intervistës, Shakohoxha e pyeti: ?Tani, flamuri u ul. Ti me tënden ia dorëzove një nga lojtarëve tanë, djemve tanë më saktë, kujtdo prej tyre??

Morinaj u përgjegj: ?Në atë moment kam kuptuar që kam gabuar krah, në moment që vërsulen dy fanellat e bardha, kanë qenë Xhaka dhe Lila, aty kam kuptu që kam gabu krah. Kam tentu dy herë që t? i jap dronit goditje që t? ia tërheq nga duart, por lojtari serb filloi ta ulte. Kuptova që misioni im tani dështoi, këtë mendova unë që dështoi, sepse gjithmonë flamuri nuk duhet të binte në dorë të atyre. Dhe thashë ok, misioni im mbaroi, misioni tjetër është tani të pshtoj veten, të dal jashtë.?

Kështu del se Morinaj provoi që ta ngrinte peshë në ajër me atë dron të vogël lojtarin serb Stefan Mitroviç, 189 cm shtatlartë, i cili e kishte kapur tubin e poshtëm të bannerit. A mos ndoshta ky është sensi i humorit i tij? Morinaj thotë se që nga ky moment e quante që misioni i tij ishte të shpëtonte jetën e vet. Pra, ai i krijoi një situatë shumë të rrezikshme për jetën e lojtarëve shqiptarë të cilët gjendeshin në fushë, në ndërkohë që vetë ishte i fshehur dhe pastaj u largua fshehtas.

Shakohoxha i tha: ?Ndërkohë që nuk dështoi se ishin dhe disa djem të tjerë atje, që nuk e lanë!?

Morinaj ia ktheu: ?Atë e mora vesh më vonë. Unë që ditët e para iu kam kërkuar falje djelmoshave të kombëtares edhe që në të njëjtën kohë kam thënë se jam superkrenar me veprimin e tyre, edhe mendoj që reagimi i tyre ka perfeksionuar edhe më shumë idenë time se ta nxirrja flamurin nga jashtë. Ka qenë diçka shumë e bukur.?

Reagimi i lojtarëve të përfaqësueses shqiptare ishte i detyruar se ata u gjendën në një situatë të provokuar djallëzisht. Lojtarët shqiptarë panë portretet e dy etërve të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë Etnike, panë një hartë detajet e së cilës nuk qenë në gjendje t? i kuptonin dhe e perceptuan këtë si një simbol kombëtar që duhej mbrojtur, nuk duhej lënë në dorë të serbëve. Zyrat e posaçme serbe që bënë dhe zbatuan skenarin e dronit me flamur të zi nuk donin që thjesht droni të zbriste në stadium por edhe që lojtarët tanë të luftonin për të, se kështu bindej bota se flamuri i zi i dronit, i ngjashëm me flamurin e ISIS, shtetit islamik, dhe me hartën e rreme është një simbol kombëtar shqiptar.
Shakohoxha e pyeti Morinajn: ?Ismail, ke bërë vetëm një fotografi, nuk ke bërë video, ke pasë një telefon me vete që mund të bëje shumë gjëra. Pse nuk i ke bërë??

Morinaj u përgjegj: ?Tani e para e së parës, unë aty nuk kam shku me hangër fara, unë jam kënë tuj ba diçka që ka pasë të bëjë direkt me jetën time dhe të personit që ka qenë me mu. Njerëzit duhet të kuptojnë një gja, adrenalina të gjitha gjanat aty, do ishte absurde t? i kërkoje dikujt një gjë të tillë, sepse emocionet, momenti kur flamuri hyn në stadium nuk mundet të jesh gjakftohtë dhe të bësh selfe, asht e pamundun, më beso.?

Por a nuk ka qenë ky njeri ai i cili ka bërë video në shumë faza të tjera të ?operacionit? që nga provat me dronin në Itali, te kryerja e procedurave në doganën serbe, udhëtimi në rrugët e Serbisë, nxjerrja e flamurit të zi në një dhomë hoteli, largimi nga Beogradi. Përse nuk ka bërë qoftë edhe një videoregjistrim me telefonin e tij ku të shfaqej në sfondin e stadiumit, në çatinë e kishës, duke nisur dronin? Dhe një video ku të shfaqej droni në qiellin e Beogradit në sfondin e stadiumit? Të gjithë dashamirësit e Morinajt prisnin që ai në këtë emision të nxirrte video ku të shfaqej duke ngritur dronin në Beograd. Por asgjë e tillë nuk u shfaq. Në mungesë të këtyre videove, nuk mund të mos thuhet se Morinaj vetëm se a ka marrë përsipër ngritjen e dronit, dhe nuk është ekzekutor i asaj që ndodhi në Beograd. Ai ka bërë video vetëm sa për të marrë përsipër ngritjen e dronit, jo për të vërtetuar se është ekzekutori.
Morinaj e rrëfeu kështu largimin nga vendngjarja: ?Kam lanë telekomandën aty, gjëja e parë që kam ba, kam lanë telekomandën aty, kam rrëshqitë për tubi poshtë, aty jam vra pak këtu në dorë dhe në moment që kam ra me këmbë në tokë, nga zyrat e kësaj Akademisë që kisha në shpinë në këtë moment, nga po ulesha, më shan njëri serbisht që më pa, edhe në krahun e majtë kishim tifozët para stadiumit, në krahun e majtë (Morinaj foli dy herë për krahun e majtë) kishim daljen nga jashtë, nga mbrapa kishe që futesh në brendësi të asaj Akademisë që ishin ca fusha, ca gjëra, kam kalu gjithë këtë perimetër pronësie, kam kapërcyer një gardh, gardhi komplet i strukturës. Aty kam lajmëru dhe çunin nga Shkupi gjithmonë me atë idenë që ka dështu çdo gjë.?

Policia Serbe nuk thënë që të ketë gjetur pultin e drejtimit të dronit në çatinë e kishës, ndonëse kisha është përmendur në shtypin serb që në ditët e para si vend prej ku dyshohej se ishte ngritur droni. Apo mos ndoshta pas shfaqjes së këtij emisioni Policia Serbe shkoi të bëjë kërkime në pullazin e kishës? Në pultin e drejtimit të dronit duhet të jenë dhe gjurmët e gishtave të tij ashtu si dhe te droni dhe banneri. Ndonëse Policia Serbe tashmë e ka dronin, bannerin dhe logjikisht, edhe pultin, duhet të ketë të dhëna për gjurmët e gishtave të drejtuesit të dronit. Asnjë gjë nuk ka thënë Policia Serbe për to! Nëse Morinaj është vrarë pak duke rrëshqitur nëpër tubin e shkarkimit të ujrave në murin e kishës, atëherë ai ka lënë atje lëndë gjenetike, të cilën duhen ta kenë gjetur ekspertët kriminalistë serbë. Në momentin që u ul droni në stadium, u dha alarmi për krejt forcat policore që gjendeshin në stadium dhe përreth tij, kështu që mbikqyrja policore u rrit. Prandaj në këto momente Morinaj nuk mund të largohej nga kisha pa rënë në sy të policëve dhe në ato momenti çdo njeri që ikte nga zona afër stadiumit ishte një i dyshuar si drejtuesi i dronit. Në momentin që droni u ul në fushë, në stadium dhe zonën përreth tij u aktivizua ndalimi total valor nga Policia Serbe dhe kështu nuk funksiononte më asgjë që punonte me valë, nuk funksiononin telefonët celularë. Kështu që Morinaj nuk mund t? i kishte telefonuar bashkëpunëtorit të tij në momentet që gjendej ende në zonën e ndalimit valor.

Nuk mund të mos të të bëjë përshtypje fakti që Morinaj deri në fund të emisionit e quajti ndërtesën në anë të stadiumit ?Partizani? si Akademia Ushtarake, kur Akademia Ushtarake gjendet në jug të stadiumit tjetër të Beogradit atij ?Rajko Mitiç? (stadiumi i ?Crvena Zvezdës?). Akademia Ushtarake është 2. 3 km larg stadiumit ?Partizani?. Ndërtesa në anë të stadiumit ?Partizani? është Internati (konvikti) i Gjimnazit Ushtarak. Më tutje, Morinaj rrëfen: ?Kam ba gjithë atë rrugën, kam ra deri afër autostradës, kam ecë buzë autostradës dhe jam kthy te makina ku e kisha afër hotelit, ku po më priste dhe djaloshi nga Shkupi. Kemi hypë direkt në makinë, pa një pa dy, kemi kthy makinën dhe aty është autostrada 30 metra, 50 metra, jemi futë në autostradë. Kemi ba rrugëtimin.?

Morinaj nuk thotë se e ka pyetur djalin nga Shkupi që ta sqaronte për ato që kishin ndodhur në stadium dhe as djali nga Shkupi nuk i dha ndonjë sqarim. Morinaj duket se e quante të natyrshme që djali nga Shkupi të mos dinte asgjë më tepër se ai. Por përse djali nga Shkupi në kohën që priste nuk e shikonte ndeshjen ne ekranin e telefonit të tij, ashtu siç kishte bërë Morinaj tre ditë më parë në Beograd kur kishte parë ndeshjen Shqipëri-Danimarkë në ekranin e telefonit të tij? Është e habitshme që ?Molos Parthini? nuk ishte në gjendje që t? i thoshte Morinajt se çfarë kishte ndodhur në stadium pasi qe larguar ai nga çatia e kishës. Morinaj thotë se u informua për atë që kishte ndodhur në stadiumin e Beogradit nga një mik i tij i cili i telefonoi nga Italia: ?Nisemi autostradës poshtë, aty më merr një shok nga Italia, më përgëzon por unë i them që ndëgjo ka dështuar çdo gjë sepse flamurin e muarën ata. Aty ka qenë pikërisht momenti që ai më tregon që jo, flamurin e kanë marrë djemtë e kombëtares. Kam ndjerë aty njëfarë emocioni sa i bija me grusht timonit dhe bërtisja.?

Por meqënse i kishin telefonat aktivë dhe nuk i kishin fikur, përse nuk shikonin në telefon atë që thuhej në televizion për ndeshjen? Në kohën që ata nisën udhëtimin me makinë vazhdonte ende debati për ndeshjen në televizione. Si mund të duronin të qëndronin kështu të painformuar për atë që kishte ndodhur? Shakohoxha e pyeti: ?Direkt keni marrë rrugën për???

Morinaj u përgjegj: ?Për jug. Drejt Kosovës. Ideja ka qenë fillimisht gjoja për t? u larguar nga Hungaria por unë ngaqë e kisha vizituar në gusht, kur isha, korrik-gusht, dhe e dija pikën e kalimit kufitar Konçul dhe Dheu i Bardhë, dhe e dija, e njifja doganën.?

Në fakt, më e kujdeshme do të kishte qenë që të kishin dalë nga Serbia nëpërmjet rrugës veriore të Hungarisë, se me rastin e asaj që kishte ndodhur në Beograd duhej pritur Policia Serbe do të rriste mbikqyrjen dhe kontrollet në rrugën jugore për në Kosovë. Një tjetër pakujdesi e madhe ishte që po largoheshin nga Serbia me të njëjtin automjet me të cilin hynë atje, gjë që e shtonte shumë rrezikun që të kapeshin nga Policia Serbe. Kuptohet nëse Policia Serbe donte vërtet t? i kapte. Vendkalimi kufitar i Dheut të Bardhë gjendet pranë Gjilanit, në juglindje të Prishtinës. Morinaj dhe bashkëpunëtori i tij qenë duke dalë nga Serbia nga rruga më e gjatë. Rruga më e shkurtër dhe që përdoret më së shumti në udhëtimet Beograd-Prishtinë dhe asnasjelltas është ajo Beograd-Merdarë-Prishtinë. Kjo rrugë është 374 km e gjatë dhe normalisht bëhet për diçka më tepër se katër orë. Nga Beogradi në Prishtinë, nëpërmjet Dheut të Bardhë janë 447 km. Sipas atyre që tregoi Morinaj, ai duhet të jetë nisur nga Beogradi e shumta në orën 22: 30. Rrugëtimi Beograd-Prishtinë zgjat pesë orë. Kështu që Morinaj duhej të kishte arritur në Prishtinë e shumta në orën 03: 00 të mëngjesit. Por ai thotë se: ?Dhe diku nga ora pesë e mëngjesit, në Prishtinë.?

Përse arriti ai dy orë me vonesë, kur nuk thotë se ka ndaluar diku gjatë rrugës? Duke dashur ta dramatizojë fundin e udhëtimit të tij, Morinaj tha: ?Kemi vazhdu rrugëtimin, diku lemë autostradën futem për Bujanoc. Mbërrimë në kufi te dogana. Ideja ka qenë kjo, që dyshimi më i vogël nga pala serbe, marshin makinës dhe do shpërtheja në krahun tjetër. Edhe unë kisha besim nga krahu tjetër sepse ishin vëllezërit tanë, e dija që nuk do të më dorëzonin.?
Policia Serbe është sjellë në mënyrë çuditërisht të shkujdesur dhe naive në krejt këtë histori, që nga momenti kur Morinaj hyri në Serbi dhe deri kur doli prej saj. Dhe Policia Serbe nuk u soll ndryshe as në vendkalimin kufitar. Morinaj tha për sjelljen e policëve serbë në vendkalimin kufitar: ?Afrohem afër, i japim dokumentat. Komunikon kryesisht djaloshi nga Shkupi me të. Ai drejtohet te unë sepse djali nga Shkupi kishte hyrë një natë para, në 13, unë kisha hy në 11, katër net i binte, dhe më thotë: Ti ku ke ndejtë gjatë kësaj kohe. I thashë: kam do shokë këtu në Preshevë.

Ky polic serb sigurisht që ishte në dijeni të asaj që kishte ndodhur në Beograd. Prej disa orësh në të gjithë Serbinë kërkohej njeriu që ngriti dronin. Dhe ja ku në vendkalimin kufitar serb me Kosovën shfaqeshin bashkë në të njëjtin automjet një shqiptar i Shqipërisë, i cili kishte hyrë në Serbi nga Kroacia tre ditë para ndeshjes Serbi-Shqipëri, dhe një shqiptar i Maqedonisë i cili kishte hyrë në Serbi një ditë para ndeshjes. Disa orë pas ndeshjes, në fakt aq sa duhej për të udhëtuar nga Beogradi në kufirin me Kosovën, duke llogaritur dhe ndonjë vonesë në Beograd, këta të dy qenë shfaqur në kufirin Serbi-Kosovë. A nuk duhej që t? i krijohej dyshimi i arsyeshëm këtij polici se këta të dy kishin të bënin me ngritjen e dronit? A nuk duhej që së paku t? i bënte një kontroll automjetit të tyre? Nëse policët serbë do ta kishin kontrolluar automjetin, do të zbulonin dy dronet e tjerë që kishte Morinaj me vete. Pas kësaj policët serbë do t? i ndalonin këta dy shqiptarë të dyshimtë për të hetuar se çfarë lidhje kishin ata me dronin e Beogradit. Nëse Morinaj do të ishte ndaluar nga Policia Serbe në vendkalimin kufitar serb, në kufirin Serbi-Kosovë, atëherë do të mjaftonte një kërkim i thjeshtë rreth personit të tij që të rriteshin dyshimet për të. Se do të zbulohej që ai kishte bujtur tre ditë në një hotel në Beograd, në afërsi të stadiumit ?Partizani?. Do t? i merreshin gjurmët e gishtave dhe do të krahasoheshin me ato që ishin gjetur te pulti i dronit në çatinë e kishës. Do të kishte mjaftuar që të bëheshin kërkime në Google me fotografinë e tij dhe do të zbulohej se ai ishte ?Ballist Morina? që u ngjit në rrjetën rrethuese të stadiumit në Slloveni. Dhe kështu do të nisnin kërkimet në profilin në Facebook të Ballist Morinës e zyrat e specializuara serbe, të cilat qenë duke punuar intensivisht për të zbuluar autorin e dronit, do të mësonin për postimet e Morinajt në Facebook, nëse këtë gjë nuk e dinin ende. Pa kaluar paraditja e datës 15 tetor, Ismail Morinajt do t? i ishte kumtuar arrestimi si përgjegjës për ngritjen e dronit në Beograd. Një Polici më pak e aftë se ajo serbe, do ta kishte bërë këtë gjë. Por polici serb nuk dyshoi aspak dhe vetëm pyeti: ?A kini ndonjë gjë mbrapa??

Morinaj u përgjegj: ?Kurrgjë rroba, kështu.?

Me kaq, polici serb i lejoi të kalojnë kufirin. Morinaj tha: ?Ma jep pasaportën, me pishman ma jep. Edhe kalojmë ne, dalim në krah tjetër, te policët tanë.?

Çfarë ngurimi kishte polici serb? Sigurisht që një polic serb duhej të kishte dyshuar shumë te këta dy shqiptarë, në ato rrethana, nëse gjërat ishin vërtet ashtu si thotë Morinaj. Por gjërat ishin ndryshe. Policët serbë në vendkalimin kufitar qenë të udhëzuar që të mos i nxirrnin pengesa Morinajt për të kaluar në Kosovë. Morinaj tha se me djalin nga Shkupi u ndanë në stacionin e autobusave në Prishtinë ku ai mori autobusin për në Shkup. ?Molos Parthini? praktikisht nuk bëri asgjë në Beograd. ?Molos Parthini? shkoi në Beograd si dëshmitar i rremë, për të dëshmuar se Morinaj e kishte kryer vërtet aktin e pretenduar. Por, ironia e madhe është se ?Molos Parthini? nuk ka qenë me Morinajn te kisha kur u ngrit droni. ?Molos Parthini? thjesht qëndroi në një stacioni treni në Beograd, në kohën që luhej ndeshja Serbi-Shqipëri.

Nga intervista e Morinajt u kuptua se atij i mungon intelekti minimal për të kryer teknikisht një operacion aq të ndërlikuar sa ngritja e dronit në Beograd dhe dërgimi i tij në stadium. Shakohoxha nuk e pyeti Morinajn se cili është shkollimi i tij dhe as ky i fundit nuk e tha këtë gjë kur rrëfente për vetveten. Morinaj thotë se ai ka punuar vinçier në Itali, por ai nuk ka nxjerrë asnjë video ku të shfaqet duke punuar vinçier.

Nga një njeri si Morinaj, që pretendon se ka kryer një operacion kaq të ndërlikuar dhe të vështirë, siç është ngritja e dronit në Beograd, duhet pritur që ai të ketë ndërmend t? ia kushtojë të ardhmen veprave të mëdha për çështjen kombëtare. Por, çuditërisht Morinaj tani kërkon të kthehet në jetën rutinore të njeriut të thjeshtë që sheh punën e vet, dhe ka si shqetësim kryesor që të sigurojë të ardhura për të jetuar. Ai tha: ?Ideja ka qenë që menjëherë që të paguaj shtëpinë, të filloj të mendoj për një kredi tjetër, për të blerë një vinç. Vinçi kushton sa shtëpia.?

Sigurisht që Morinaj ka të drejtë dhe detyrim që të mendojë për familjen e tij dhe të përpiqet për mirëqenien e saj. Por shumëçka nuk shkon në këtë histori të këtij njeriu që befasisht bëri një akt prej supermeni, dhe që tani thotë se është duke bërë përpjekje për t? u rikthyer në rutinën e jetës së tij të dikurshme. Duket sikur njeriu që ngriti dronin në Beograd dhe Morinaj që flet për shlyerjen e kredisë dhe blerjen e vinçit, nuk janë i njëjti njeri. Në të vërtetë kjo përshtypje krijohet se nuk ekziston Morinaj që ka ngritur dronin në Beograd. Ekziston vetëm Morinaj që ka udhëtuar nëpër Serbia to ditë, duke ndaluar dhe në Beograd, në mënyrë që të kishte sadopak prova për aktin që do të merrte përsipër. Prova të mjerueshme, asnjëra e drejtpërdrejtë.

Të vërtetën e raportit që ka me shtetin e Serbisë Morinaj e zbuloi pa dashje kur foli për rrezikun që i kërcënohet atij për shkak të aktit që bëri në Beograd. Morinaj tha: ?Jeta ime ka ndryshu radikalisht, nuk e kam kuptu akoma pozitivisht apo negativisht por të paktën efektet kryesore m? i ka dhënë negativisht se efekti i parë negativ është që unë nuk kam kontakt ashtu siç du me familjen time. Unë shkoj i vizitoj, një javë kthehem, tre ditë kthehem, isha para ca kohësh që kisha ditëlindjen e vajzës, kam ndejtë vetëm tre ditë. Rutina e përditshme që unë baja, unë për momentin e kam të pamundur ta baj.?

Shakohoxha e pyeti: ?Pse Ismail, nga kush ke frikë??

Morinaj u përgjegj: ?Arsye sigurie janë këto, personale. Frikë, tani nuk mendoj që shteti serb mund të jetë i fokusum te unë, por ne dimë shumë mirë që në Serbi ka shumë grupe radikale, paramilitarësh, historia ka, Serbia një histori të bujshme me këto gjana dhe një nga këto, pikërisht nga këto elementë që mund të veprojnë kundër meje.?

Shakohoxha e pyeti: ?Që të të gjejnë një ditë në befasi në Itali, apo jo??

Morinaj u përgjegj: ?Po, po, po, kjo.?

Pra, Morinaj nuk ka frikë nga shteti serb, se me të ka një marrëveshje të fshehtë, por ka frikë nga ata ekstremistë serbë të cilët nuk e dinë se Morinaj është agjent serb. Sigurisht që shteti serb nuk mund t? u bëjë me dije ekstremistëve të vërtetën e rolit të Morinajt në ngritjen e dronit. Morinaj nuk tha gjë për shpërblimin prej 1 milion euro që është thënë se ka vënë për kokën e tij një biznismen serb, dhe as Shakohoxha nuk e pyeti për këtë gjë. Për këtë shpërblim Morinaj ka folur një herë në një video përshëndetëse që ka bërë në dhjetor për Moscow Club Tirana.

As Shakohoxha nuk e pyeti për këtë gjë. A mund të udhëtojë lirisht në Itali për të shkuar të takojë familjen herë pas here një njeri për kokën e të cilit është vënë një shpërblim prej një milion euro?

Gjithsesi, Morinaj e kupton se fakti që Serbia nuk ka nxjerrë urdhër arrestimi për të e kompromenton shumë, prandaj u ofrua vullnetarisht që të bëjë pesë-gjashtë muaj burg në Serbi. Shakohoxha e pyeti: ?Mos vallë tani zyrtarisht je i rrezikuar, dimë se ka dhe një proces të hapur për ty në Serbi??

Me të vërtetë, zyrtarisht Serbia e ka cilësuar terrorist Ismail Morinajn. Në Serbi nisi një hetim për akt terrorist për çështjen e dronit dhe me këtë rast Qeveria e Serbisë i dërgoi një notë proteste zyrtare Qeverisë së Shqipërisë, duke protestuar për kryerjen e një provokimi me qëllime terroriste në dëm të Serbisë. Pse nuk ka frikë Morinaj se Serbia do të nxjerrë një urdhër arrestimi ndërkombëtar ndaj tij. Aq më tepër tashmë kur ka dalë vendimi i CAS që i jep Shqipërisë tre pikët por e shpall fajtore për dronin, nëse Ismail Morinajn do ta kishte dërguar dronin në stadiumin e Beogradit pa bashkëpunuar me serbët, gjëja e parë që do të bënte Serbia tani ishte që të nxirrte më në fund një urdhër arrestimi ndaj Ismail Morinajt.

Morinaj u përgjegj: ?Tani, unë nuk bëra ndonjë që mund ta shohim si kriminale. U ngrit një flamur shumë i bukur, vetë e ke thanë, flamuri më i bukur në botë. Edhe për mu asht. Nuk vrava kënd, nuk vjedha kënd, nuk dhunova kënd, as nuk ofendova kënd, mendoj. Ata le të vazhdojnë, ashtu ai muhabeti, pushka top ju baftë. Le t? ju bahet pushka top. Kuptohet që nuk mund t? i neglizhoj gjanat, sepse për princip, për kod etike, në moment që fillon i neglizhon gjanat e ke humbë betejën. E unë betejën nuk du me e humbë në mënyrë absolute. Më janë ofrua studio avokatie shqiptarësh që janë në Londër, në Neë York e këtej, pikërisht për këtë aspekt, në aspektin pikërisht të kësaj mundësisë që mund të dënohem atje. Por do më dënojmë, nëqoftë se do më kapin do bëj pesë-gjasht muaj burg, çfarë do bëj, burgi për burra asht e do kthehem, shpresoj të kthehem se zakonisht shumë shqiptarë nuk janë kthy nga burgjet e atyre.?

Pse Morinaj mendon se ka gjasa që të kalojë pesë-gjashtë muaj në burgjet serbe, kur Serbia nuk ka nxjerrë udhër arrestimi ndërkombëtar për të? Morinaj nuk e kupton se problemi më i madh i Serbisë në rastin e tij është gjyqi, ku duhet të dalë në mënyrë bindëse se Morinaj e ka kryer vërtet aktin e pretenduar dhe nuk ka bërë thjesht marrjen përsipër të tij. Serbia nuk e do arrestimin e tij, se gjyqi i tij do t? i krijonte probleme këtij vendi, pasi në gjyq, edhe nëse Morinaj do të vazhdonte ta merrte përsipër aktin, do të dilte tërthorazi e vërteta se droni ishte skenar serb, pasi në këtë gjyq do të duhej të pyeteshin si dëshmitarë edhe shumë pjestarë të forcave të sigurisë të Sërbisë, të cilët duhet të shpjegonin në mënyrë të detajuar veprimet dhe mosveprimet e tyre në raport me fabulën e Morinajt.

Pjesa e fundit e emisionit ishte konceptuar në mënyrë që t? i shërbente fushatës për mbledhjen e parave, për të ndihmuar Morinajn, që nisi fill pas emisionit. Shakohoxha e pyeti Morinajn për problemet financiare të tij: ?Ato obligime që ke ndaj familjes tënde i mbulon dot, kishe një objektiv për të paguar një kredi çdo muaj, për të mbajtur një familje çdo muaj. Kishe dhe atë ëndrrën tënde që duket se është largu shumë tani, apo jo, ajo ëndrra që kishit bashkë me gruan.?

Morinaj u përgjegj: ?Po, tani kuptohet që një krah pune atje që unë e bëja, mungon, unë nuk punoj nga ai moment. Me të ardhurat, me ato që kemi pasë vu, si i thonë, njat anë, po menaxhojmë situatën tani. Kuptohet kam një këste kredie shumë të lartë, që paguaj shtëpinë. Ëndrra ime, ëndrra ime ka qenë që të paguaj shtëpinë dhe menjëherë që arrij ta likuidoj, prapë me kredi, domethënë gjithmonë borxh, ta kem atë vinç që unë e shof me pasion, është e vetmja punë që unë e bëj me pasion, edhe jo rastësisht edhe droni me telekomandë, për mendimin tim, jo rastësisht çdo gjë ndërlidhet, më përshtatet shumë, është një diçka që e bëj me shumë pasion. Edhe ideja ka qenë që menjëherë që të paguaj shtëpinë, të filloj e të mendoj për një kredi tjetër, kuptohet me ndihmën e gruas, për të ble nji vinç, të cilin e drejtoj unë dhe nuk asht dikush tjetër që më thotë mu hyp se asht nji, në këtë aspekt.?

Shakohoxha i tha: ?Paske vërtet një ëndërr shumë të çuditshme Ismail, këtë nuk e kisha dëgjuar ndonjëherë. Droni kushtonte një mijë euro, po vinçi??

Morinaj u përgjegj: ?Vinçi kushton shumë, sa shtëpia!?

Ndonëse Morinaj foli në mënyrë lirike për pasionin e tij, vinçin, ai nuk tregoi asnjë video duke punuar me vinç, madje asnjë fotografi. Pse nuk shkoi Shakohoxha me Morinajn në shtëpinë e tij në Itali të na tregonin se ku banonte, dhe ku punonte? Morinaj e tha se ai shkon herë pas here në Itali të takojë familjen kështu që mund të kishte shkuar edhe këtë herë, me shpenzimet e Digitalb. Në emision nuk u shfaq as një video nga shtëpia e Morinajt në Itali, asnjë video që të tregonte familjen e tij. A thua se kjo gjë u bë për shkaqe sigurie që serbët të mos mësojnë vendndodhjen e shtëpisë së tij në Itali dhe të njohin anëtarët e familjes së tij? Nuk duket e besueshme. Shërbimet serbe e kanë shumë të lehtë të zbulojnë shtëpinë e Morinajt në Itali, dhe ata me siguri që kanë video me pamjen e shtëpisë së tij dhe të familjes së tij. Dhe këto serbët i kanë bërë jo pas ngjarjes me dronin në Beograd, por më herët. Shërbimet e fshehta serbe historikisht kanë qenë shumë aktive në Itali, ku kanë lidhje me bankat, biznisin, si dhe krimin e organizuar. Ku më mirë se në Itali mund të kishin gjetur serbët një shqiptar, i cili të pranonte që kundrejt shpërblimit në para, merrte përsipër ngritjen e dronit në Beograd. Them në Itali, sepse ky njeri duhet të ishte emigrant, që jeta e tij të mos njihej në Shqipëri. Çfarë dinë shqiptarët për jetën e Morinajt, edhe sot pas emisionit të tij? Asgjë veç fabulës që tregoi ai. Përralla e djaloshit vinçier duhej që ai të shfaqej si një njeri punëtor, por edhe që ka bërë punë teknike më parë, pra mund ta drejtonte dronin. Ndonëse, ndryshe nga çfarë tha Morinaj nuk ka lidhje mes vinçit dhe dronit. Fushata e mbledhjes së parave, e ndërmarrë nga Digitalb, i shërben në mënyrë të përkryer Morinajt për të legalizuar shpërblimin në para që ai ka marrë nga Serbia për marrjen përsipër të ngritjes së dronit në Beograd. Morinaj nuk mund t? i përdorte në Itali paratë e shpërblimit të marrë nga Serbia, se duhej të tregonte origjinën e parave. Tani ato para do të riciklohen, duke u pjestuar në shuma të vogla të dhuruara në llogaritë bankare të krijuara për të ndihmuar atë. Është ironi e madhe që Morinaj do të marrë edhe një shpërblim financiar nga idiotët shqiptarë, përveç shpërblimit nga shërbimet e fshehta serbe. Sa për dy vargjet që u thanë në fund të emisionit për Morinajn, si këngë për të, ai do të meritonte këto vargje: Ismail Morinaj, burrë faqezi/ i dha kombit flamurin e zi!





06:22 Opinione

Tre pikë dhe vapë

Nga Artan FUGA Pasionet na drejtojne mendjen.Kur na i moren ...

Lajmet e fundit nga