web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Vjeshta e trazuar e Lulzim Bashës

18 Korrik 2015, 10:33, Opinione CNA

Nga Agron GJEKMARKAJ

 

Lulzim Basha në zgjedhjet lokale të 21 qershorit u ballafaqua për herë të parë me vetveten nëpërmjet mosbesimit dhe besimit popullor që mori. Nuk ra nokdaun, ndonëse i mundur dhe me plagë që kullojnë, doli nga ringu me këmbët e veta. Rezultati nuk i ka dhënë shumë mundësi të gëzohet për çfarë ka bërë mirë, më tepër e ka vendosur në kushtet për të pranuar domosdoshmërinë e të kuptuarit çfarë ka bërë keq. Nëse ndien nevojën për të kuptuar?! Gjithsesi, ai doli nga historia e të tjerëve për të ndërtuar historinë e vet. Deri dje ai ishte pjesë e projektit të Berishës, duke mos mbajtur lavdi për sukseset e as peshë për humbjet.

Që të marrësh status prej saj (historisë), duhet intuita për të gjetur se çfarë risish i nevojiten për të ndryshuar ritmin, kahjen, vendin dhe njerëzit. Lulzim Basha duket i qetë. Thonë është vapë e s?ka çfarë bën. Ndonëse për mua akuzat e fundit për disa afera korruptive të rënda, nëse vërtetohen, janë kurajoze dhe shenjë e një gjuhe të re. Kundërshtarët që shtohen si mizat e lisit nga vesi për t?iu turrur opozitës synojnë deligjitimimin e tij. Refreni është ?ai nuk ndien asgjë, sepse është aty thjesht si amanetqar plot nostalgji për t?u kthyer në Holandë?. Mbështetësit shpresojnë se ai e ka një plan për të ringritur opozitën dhe Partinë Demokratike. Unë dua t?u bashkohem të dytëve.

Nuk është aksioni politik i deritanishëm i Lulzim Bashës, i cili më shtyn drejt një besimi të këtillë, por nevoja emergjente që ka vendi për një opozitë të besueshme dhe të fuqishme si alternativë pushteti. Po kaq më josh dëshira për të besuar se nuk do të jetojmë përgjithmonë nën peshën e një mallkimi fatidik, ku çdo gjë bëhet më keq duke zgjuar nostalgji për të shkuarën. Respekti për etiken e njeriut për të ndërtuar një të ardhme, e cila nuk ka kult batakçillëkun, si dhe forca e bindjes se demokracia po pëson digresion dhe goditet brinjë më brinjë nga krimi dhe mafia si kontur i politikës, duke na poshtëruar ballazi.

Më shtyn kulturalisht kah besimi korrupsioni ulëritës, biri më i dashur i kësaj martese, retorika fyese e delenxhinjve antiliber dhe antishkollë që vendosin se në cilat rrugë do të ecin fëmijët tanë, në çfarë spitalesh do të kurohen, në çfarë shkollash do të mësojnë, madje dhe se çfarë modeli u imponohet, ligjërimi hipokrit e arrogant i personazheve që nuk vuajnë për asgjë, të cilët fjalët popull, shoqëri, demokraci, integrim i mbllaçitin si çamçakëz duke u zgërdhirë para kamerave, tek mendojnë drekën nën hije me shpurën e djallëzuar të servilëve që u këndojnë muzikën e dashur për veshët.

Një tjetër dorë që më shtyn të investoj besim te Lulzim Basha ma jep simptoma totalitare e Edi Ramës me vokacionin e tij për të ndërtuar ligje mbi dëshira dhe jo parime, për interesa klanesh dhe jo si perspektiva shoqërore. Projektligji për arsimin e lartë është një shembull i mjerueshëm i konceptit të tij për dijen. Zgjedhjet e 21 qershorit gjithashtu ishin vizioni i Edi Ramës, i bërë materie për lirinë dhe vullnetin demokratik, vobektësia mendore e ministrave është po kaq tronditëse.

Ndikim në krenari, e cila shërben si kontekst për çdo lloj besimi, ka gjithashtu fakti se zërat kritikë po rrudhen aq sa qeveria një ditë për të ruajtur fasadën demokratike do të detyrohet t?i paguajë disa që ?ta shajnë?. Dhe kthej sytë nga opozita i kushtëzuar nga gjithë sa thashë, por edhe nga nostalgjia për termin ?e djathtë?, sepse pragmatizmi prej vitesh ka mbytur çdo lloj idealizmi me referencë ideologjike.

Pak optimizëm fare pak si dritë qiriu! Asgjë e re nuk ka ndodhur tash dy vjet në PD veç selisë ish-SHQUP. Faji për humbjen e 2013-s i mbetet një çete drejtorësh arrogantë e kaq. Por kjo nuk është e vërteta. Të gjithë ata që të bënin të urreje televizorin me deklaratat dhe llomotitjet e tyre patetike janë aty. E njëjta varfëri mendore, e njëjta retorikë, i njëjti vegjetim, i njëjti humus kulturor plus një kolazhi anonimësh. Do të ishte e padrejtë të mbështilleshin të gjithë me këtë gjykim të kondicionuar nga dëshpërimi, sepse opozita ka edhe personalitete, edhe njerëz të ndershëm, edhe intelektualë, por jo shumë dhe të relativizuar siç i ka edhe maxhoranca, por jo ?pushteti?.

Ndoshta projekti i Bashës për ringritje duhet të fillojë nga brenda për të dalë jashtë. Të rivitalizojë ata që nuk e kanë humbur besimin e opinionit publik, sepse karrierat politike nuk ndërtohen nga një kombinim rastësish. T?i bindë shqiptarët që PD-ja nuk është pronë private, por mundësi konkurrimi nëpërmjet vlerave. Po kaq të nevojshme e ka ?të pensionojë? çdokënd mbi të cilin kanë rënë tentakulat e korrupsionit.

Ndarja më e rëndësishme sot është ?hajdutë? dhe ?jo hajdutë?, të tjerat relativizohen. Te kjo ndarje rri e varur krejt struktura sociale e Shqipërisë. Ndoshta nga fakti që nuk është prekur nga ky epitet i rëndë, zonja Topalli kërkon që ?qengji? të bëhet ?luan?, duke përzier të drejtën që ka për mungesë motivimi dhe frymëzimi nga opozita me shmangien nga vendimmarrja e lartë e këtij formacioni.

Por Lulzim Basha nuk duhet të bëhet ?luan?, se luanët me furinë e tyre veçse kërkojnë pre e gjah. Dhe ai ndoshta as në ëndërr nuk ka parë luanë, por një politikan komunikues dhe i fjalës së mbajtur, duke kërkuar nga çdo faktor i kësaj shoqërie të djathtë apo të majtë, qoftë, së pari, dy gjëra përbashkuese: mbështetje për dekriminalizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve të lira në vend pa tentuar ndryshimin e bindjeve të tyre.

Duhet t?u japë një kauzë bindëse grupeve shoqërore dhe individëve pse duhet t?i bashkohen PD-së, duke hipotekuar garancitë morale se një ditë nuk do të qeverisë me hajdutë dhe shakllabanë. Gjithashtu energji duhet të shfaqë brenda PD-së aktuale për të kompaktësuar demokratët, duke rikthyer përfaqësimin e grupeve më të spikatura të tyre me rindërtimin e kujtesës historike. Demokratët janë më pak se të djathtët, ndaj duhet t?i thërrasë ata jo si shef, por si partner pa asnjë paragjykim.

Të motivojë të demotivuarit nga politika, zonën gri, jo me premtimin bajat se zëri i tyre do të dëgjohet, por duke u dhënë akses në propozimet politike, duke ecur i vendosur drejt çdo gjurme jomajtiste në Shqipëri, qofshin emra, parti, si dhe zëra autoritarë që përfaqësojnë elitën e mendimit në vendin tonë është hapi i kushtëzuar i radhës. Njerëzit, që të besojnë, duhet të të njohin dhe njohja nuk është lexim deklaratash, por akte publike në forme mendimi të pavarur që e kanë ndikuar dhe e ndikojnë shoqërinë. Njerëzit nuk duhet të gjenden përballë alternativës që të bësh karrierë në PD, duhet të jesh kunatë e një miku apo mik i ndonjë kunati.

Lulzim Basha gjendet përballë provimit të vjeshtës, ndaj ajo paraqitet si një stinë e trazuar për të. Nëse kjo periudhë e zë pa hapur kantierin për një PD të re, koha do ta zërë ndër vete dhe askush nuk do të ndiejë keqardhje për të, por vetëm për faktin që mundësia për të shpresuar për demokraci normale tkurret deri në dhimbje. Basha e ka një shans dhe nuk duhet paragjykuar, por ndihmuar.





06:22 Opinione

Tre pikë dhe vapë

Nga Artan FUGA Pasionet na drejtojne mendjen.Kur na i moren ...

Lajmet e fundit nga