web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Pendohet Mancini: Nuk duhet të kisha lënë Italinë për Arabinë Saudite

24 Dhjetor 2024, 19:05, Sport CNA

Pendohet Mancini: Nuk duhet të kisha lënë Italinë për

Largimi nga drejtimi i Italisë, është një nga pengjet e Roberto Mancinit. Trajneri 60-vjeçar, i cili mbetet në historinë e futbollit italian për triumfin e bujshëm në Kampionatin Europian 2021, u largua nga “axurrët” në gusht të vitit 2023, duke kaluar në stolin e kombëtares së Arabisë Saudite. Largimi i tij erdhi pas një periudhe të tensionuar me Federatën Italiane të Futbollit dhe një ofertë tepër të majme financiare nga sauditët, e cila dukej e parefuzueshme.

Sidoqoftë, aventura e Mancinit në Lindjen e Mesme zgjati shumë më pak sesa pritej. Tekniku, që kishte nënshkruar një kontratë deri në vitin 2027, u shkarkua pas vetëm një viti për shkak të mungesës së rezultateve. Në drejtimin e Arabisë Saudite, Mancini regjistroi vetëm shtatë fitore në 18 ndeshje, një bilanc i dobët që nuk justifikonte pritshmëritë e larta që lidhen me emrin e tij dhe investimin e madh financiar që federata saudite kishte bërë për të.

Duke reflektuar mbi vendimin e tij për t’u larguar nga Italia, Mancini pranoi në një intervistë për “Rai” se, nëse do të mund të kthehej pas në kohë, do ta kishte shmangur largimin nga kombëtarja.

“Nëse do të mund të kthehesha në kohë, nuk do të kisha marrë vendimin për t’u larguar nga drejtimi i Italisë. Të drejtoja atë kombëtare, ishte gjëja më e bukur. Ndoshta nuk i kemi trajtuar gjërat drejt me presidentin e Federatës Italiane, ndoshta kemi qenë në një periudhë të vështirë, ndoshta mund të kishte shkuar ndryshe, por nuk kam asgjë kundër tij”, tha Mancini.

Pas largimit të tij, Italia e ka vuajtur mungesën e një lideri të qëndrueshëm në stol. Megjithëse trajneri Luciano Spalletti, që mori drejtimin pas Mancinit, ka bërë përpjekje për të rikthyer stabilitetin, hapat e parë të epokës së re kanë qenë të ndërlikuar. Ndërkohë, Mançini është i papunë, duke reflektuar mbi një vit të trazuar që e pa atë të largohej nga një projekt i suksesshëm dhe të përfundonte me duar bosh në një aventurë që nuk e përmbushi as financiarisht, as profesionalisht.





Lajmet e fundit nga