web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Një jetë kushtuar artit/ Zamira Kita rrëfen rrugëtimin e saj në aktrim

9 Prill 2024, 12:41, Qyteti im CNA
Një jetë kushtuar artit/ Zamira Kita rrëfen rrugëtimin e saj
Zamira Kita, aktore

Korça është një nga qytetet ku arti e kultura zënë një vend mjaft të rëndësishëm në histori. Qytetaria korçare shpalos çdo ditë e më shumë dashurinë për artin, e më në veçanti për teatrin dhe veprat e shumta që janë shfaqur në këtë qytet.

Në reportazhin e radhës, shikuesit do të kenë mundësi të njohin më tepër një nga ikonat e teatrit “Andon Zako Çajupi”, aktoren e mirënjohur jo vetëm në juglindje, por në të gjithë vendin, të veçantën Zamira Kita.

Zamira, prej një jete është pjesë e trupës teatrale të teatrit, ndërsa mban prej disa vitesh edhe detyrën e drejtueses së këtij institucioni.

Në një intervistë mjaft të bukur për CNA TV, Zamira tregon kujtimet e saj më të bukura si aktore në teatër, në filma, pasionin për radion, bashkëpunimet e saj më të veçanta, marrëdhënien me kolegët e saj gjatë gjithë karrierës, e shumë e shumë të tjera.

Një jetë kushtuar artit/ Zamira Kita rrëfen rrugëtimin e saj

Prej moshës 3-vjeçare, si një fëmijë me shumë iniciativë, ajo recitonte para klasës, ndërsa në moshën 11-vjeçare u ngjit për herë të parë në skenën e teatrit. Talentin për aktrim, artistja e ka pasur brenda vetes, e ky talent u nxit e u mbështet akoma më tepër nga babai i saj, i cili dikur ka qenë aktor amator, por nuk hoqi dorë nga ushqyerja e vajzës për të aktruar.

"Në fakt unë që e vogël kam pasur shumë dëshirë të recitoj, të këndoj, ndonëse skam vesh muzike fare, por kam marrë gjithmonë iniciativën të dal para shoqeve, mësuesve, klasës. Që 3 vjeç zgjidhesha që të recitoja. Mbaj mend që mami bënte disa fustane të bukura që përkonin me festën që ne bënim, me motive popullore, me shtiza me grep. Kam qenë gjithmonë në qendër të vëmendjes. Ngadalë-ngadalë fillova të ushqehem me dashuri për teatrin nga babai im që ishte një aktor amator. Ai filloi të më marrë në estradën e trikotazhit, ku luaja me të tjerët, luaja një fëmijë pasi atëherë filatura ishte një repart më vete. Si një fëmijë i pafajshëm vija në dukje gabimet që bënin të tjerët. Që atëherë s'u ndava kurrë nga teatri. Jam ngjitur në skenë në moshën 11-vjeçare për herë të parë, në skenën e teatrit 'Andon Zako Çajupi'. Më pas babi më ka ushqyer me dashuri për teatrin, jam marrë me aktivitete në kohën e gjimnazit, kur afroi koha për të zgjedhur degën për t'u bërë aktore ka qenë babi ndër të paktët njerëz që më nxiti dhe nuk më pengoi. Më ka frymëzuar, më ka ndjekur të gjitha provimet në Akademinë e Arteve, në janar dhe qershor dhe profesori im Kadri Roshi thoshte: 'Është i veçantë babai i Zamirës sepse nuk le asnjë provim pa parë'. Më bënte edhe vërejtje. Unë e kam parë babain tim të luajë dhe kam kuptuar që i ngjisja shumë atij, këtë talent e kam trashëguar prej tij. Madje dhe një të metë që kisha, që precipitoja shumë, e kisha nga babi. Sot që luaj besoj nuk e kam më problemin e precipitimit se e shoh që kam fituar përvojë, vetë vitet dhe puna e madhe më kanë bërë të jem më e saktë në rolet e mia", ka rrëfyer ajo.

Zhanri i komedisë i përshtatet aq bukur aktores korçare, në dukje më i thjeshtë, por që kërkon impenjim. Megjithatë, Zamira dashurinë e saj ka dramën.

"Komedinë e kam shumë brenda Zamirës, më shkon shumë, por drama më pëlqen më shumë. Duket sikur komedinë e bëj më thjesht, më lehtë, pa mundim, nuk është ashtu, por drama më pëlqen shumë dhe emocionin në dramë duhet ta ruash për të mos e konsumuar shpirtin, momentin, skenën dhe është më e vështirë", tha aktorja për CNA.

Shfaqja "Kapitulli i dytë" me regjisor Qëndrim Rijanin është vepra që Zamira e veçon nga të gjitha të tjerat, vepër e cila për rol i ka dhënë personazhin e Xhenit, një rol me situata komike dhe dramatike që e prezantoi më së miri talentin e artistes. Historia që mbart kjo vepër e bën atë edhe më emocionuese.

"Shfaqjen që kam më përzemër është 'Kapitulli i dytë' që është vënë në skenë nga Qëndrim Rijani, ai punoi për herë të parë në Korçë për të mbrojtur diplomën. Ne ishim 4 aktorë që luanim, me Sotiraq Bratkon, Blerta Belliun dhe Mateus Frrokun. Unë e kam një nga veprat më të dashura për të mos thënë që është shfaqja që dua më shumë. Ishte një rol me situata edhe komike edhe dramatike. Ishte një shfaqje që zhvillohej në skenë ku ishte edhe publiku, dhe ishin realizuar dy dhoma, e imja dhe e burrit tim që u dashurova me të. Kjo ka kaluar diçka në jetë më përpara, është ndarë, rigjen një dashuri të re, atij i ka vdekur gruaja dhe rigjen dashurinë me Xhenin. Mirëpo ai nuk shkëputet dot nga dashuria e madhe e gruas së tij dhe kjo e bën të vuajë shumë Xhenin që luaja unë. Është një rol shumë i bukur, dhe unë e kam realizuar shumë mirë atë rol. E gjithë shfaqja ishte me emocion, madje ishte dhe rikthimi i Sotiraq Bratkos për herë të parë", tregoi aktorja.

“Nëse i numëroj rolet, nuk e di sa mund të jenë”, - thotë artistja korçare.

Një jetë kushtuar artit/ Zamira Kita rrëfen rrugëtimin e saj

Ndër rolet më të mira dhe më të bukura ajo veçon disa, por thekson pa ndrojtje se ka edhe role që mund të mos jenë ndier nga publiku.

"Pastaj kam role të tjera shumë të bukura, Ivnën, Bernarda Albën, në komedinë "Puthja", Eftiqinë te Jovan Bregu, kam një rol fantastik në një vepër të sjellë në skenë nga Ilir Bokshi. Pra kam shumë, nëse kujtoj 'Valle vdekje' kam një rol që më pëlqen aty. Kam role të dashura, mbase dhe role që mund të mos i kem bërë mirë, jo dështim, por që sjanë ndier shumë nga publiku. Nëse i numëroj rolet nuk e di sa mund të jenë, shumë", tha Zamira Kita.

Në karrierën e saj artistike, Zamira Kitën e kemi parë të luajë me figura mjaft të njohura në Shqipëri. Bashkëpunimet mes artistëve kanë sjellë për publikun kënaqësi mjaft të madhe, saqë i bën këta të fundit të jenë pjesë e çdo shfaqjeje që shfaqet në Korçë dhe më gjerë. Yllka Mujo zë një vend të rëndësishëm në zemrën e Zamirës, po ashtu edhe Luiza Xhuvani. Një tjetër aktor fantastik që ajo përmend është edhe Ndriçim Xhepa, Robert Ndrenika, Mirush Kabashi, figura shumë të dashura për shqiptarët.

"Unë gjithmonë kam vlerësuar Yllka Mujon dhe Luiza Xhuvanin. Liza është më e vogël se unë, por e kam vlerësuar sepse ka bërë role shumë në teatër e shumë në kinematografi. Yllka Mujon e veçoj, është aktorja më e mirë që kemi ne. Idhull s'mund të them që kam pasur. Eva Alikaj është një aktore e mirë, vitet e fundit ka shkëlqyer Olta Daku, pra ka aktore shumë të mira që unë i kam përzemër. Ndriçim Xhepën do ta veçoja, një aktor me shumë role në filma dhe teatër. Po ashtu të vjetrit Robert Ndrenika, Reshat Arbana, Mirush Kabashi, Timo Flloko, kemi pasur dhe kemi aktorë. Edhe brezat e rinj vijnë të përgatitur, talente që duhen mbështetur, sepse edhe ne, në një podcast që kisha kohët e fundit më thanë a ka Yllka Mujo të reja? Dhe thashë që edhe Yllka Mujo kur ka qenë e re, s'ka qenë Yllka Mujo. Njeriu fiton përvojë, fiton eksperiencë dhe konsolidohet me talentin e tij dhe performancat e veta", u shpreh aktorja.

Zamira Kitën nuk e gjejmë vetëm në teatrin e Korçës dhe në teatrot e qyteteve të tjera në Shqipëri. Aftësia dhe talenti i saj i madh ka bërë që me shumë punë e përpjekje të bëhet pjesë e shumë filmave të realizuar në vendin tonë. Ka qenë viti 1986 kur Zamira mori pjesë në filmin e saj të parë, "Eja", e pas saj edhe në disa telenovela shqiptare. E veçanta në karrierën e Zamirës mbetet një bashkëpunim shqiptaro-zviceran, me filmin "Yllka", ku artistja është vlerësuar në kategorinë e aktoreve femra më të mira për rol të dytë. Një kujtim mjaft i bukur ky për Zamirën që e tregon me aq nostalgji.

Një jetë kushtuar artit/ Zamira Kita rrëfen rrugëtimin e saj

"Unë kam bërë shumë filma, filmin tim të parë 'Eja' e kam filluar në vitin 1986, ndërsa në 1989 kam pasur një film tjetër dhe më vonë me ndryshimin e sistemit kam pasur telenovela si 'Tifozët', 'Komuna e Parisit'. Kam bërë filmin 'Yllka' në Zvicër, si bashkëpunim shqiptaro-zviceran, në të cilin unë kam shkëlqyer pasi kisha një rol me humor që më shkonte shumë dhe kam kandiduar në festivalin e filmit me tre burra. Ishin tre aktorë që luanin rolet e meshkujve, dhe unë isha e vetmja në femrat dhe hyra në kategorinë e aktorëve më të mirë për rol të dytë. Kohët e fundit kam pasur filmin 'Në kuadër të dashurisë', ku luaja me Ndriçim Xhepën në krah si bashkëshorti im, me çiftin simpatik Olta Gixhari dhe Luiz Ejlli, me Sarën, Roerdin dhe shumë të tjerë. Jam ndier shumë mirë me rolin karakter që kam pasur atje. Më pas ka qenë seriali 'Hot' me Ermal Mamaqin, me Drilon Hoxhën në rolin e nënës së tij në filmin 'Ego'. Filmi më pëlqen shumë, por emocionin që të jep teatri nuk ta jep filmi, megjithatë janë zhanre të bukura, të ndryshme, shumë të dashura për mua", zbuloi aktorja.

Për një artist, krahas familjes dhe miqve, publiku është mbështetja më e madhe. Emocionet që përcjell aktori në skenë drejt publikut, i sjell kënaqësi jo vetëm aktorit, por edhe shikuesve që janë aty në çdo shfaqje për të parë Zamirën.

Një jetë kushtuar artit/ Zamira Kita rrëfen rrugëtimin e saj

Ndërsa e pyesim për ndonjë rast të një vlerësimi nga publiku, Zamira tregon një nga momentet më të bukura që ka përjetuar pas një shfaqjeje, ku u mbulua me lule nga studentë dhe pedagogë të universitetit "Fan Noli" dhe për të ishin emocione aq të forta sa s'mundej të mbante dot as lotët. Ajo veçon edhe një pikturë me dedikime nga nxënësit e klasës së vajzës së saj Enirës, që sot e mban në zyrë dhe e sheh çdo ditë duke marrë mbështetje prej tyre.

"Kjo është shumë interesante. Ka ndodhur diçka para disa vitesh, tani së fundmi, kam pasur një shfaqje komedi a variete nuk e kujtoj mirë. Në fund të shfaqjes janë ngjitur në skenë thuajse 30 studentë dhe pedagogë të universitetit 'Fan Noli', dhe më kanë mbuluar me lule. Kur them që s'mund t'i mbaja, lulet i lëshuam përdhe, nuk e di u krijua një situatë sa fillova po qaja. Nuk e kuptoja, ditëlindjen nuk e kisha atë ditë, ndonjë ngjarje të rëndësishme nuk kisha, nuk e kuptova çfarë kishte ndodhur. Pyeta se çfarë është kjo dhe një pedagog i universitetit tha 'mirënjohje është Zamira, dashuri, duam të ta shprehim, të themi që ti je shumë e mirë dhe ne jemi me fat që të kemi në qytet.' Dhe një tjetër rast që më ka bërë shumë përshtypje ka qenë një pikturë që e kanë bërë nxënësit e klasës së vajzës sime Enirës, e gjithë klasa kanë bërë në pikturë portretin tim të filmit 'Eja' dhe anash të gjithë nxënësit kanë shkruar diçka për mua. Unë e ruaj atë, është shumë emocionuese", rrëfeu Zamira Kita.

Krahas shumë komplimenteve të bëra nga publiku, dhe jo vetëm, edhe nga kolegë, artistë, regjisorë, Zamira sjell në vëmendje një nga komplimentet më të vyera që ka marrë nga regjisori kosovar, Ilir Bokshi.

"Publiku më do, patjetër, ndërsa një kompliment të madh, të rëndësishëm, të bukur që kam marrë në jetën time dhe që e veçoj si shumë interesant, nga Ilir Bokshi, regjisor i Kosovës. Luaja në shfaqjen 'Kopshti i qershive', guvernante dhe Iliri erdhi më takoi dhe më tha: 'Zamira, si ka mundësi? Unë e kam vënë në Prishtinë këtë vepër dhe e kam shkurtuar guvernanten. Dhe këtu e shikoj që ai është roli më i bukur i kësaj vepre'. Dhe ky për mua ishte një kompliment shumë i madh sepse unë kisha spikatur dhe e kisha bërë rolin në mënyrë të tillë sa atë e kisha lënë pa fjalë", tregoi ajo.

Teatri e filmi zënë vendin më të madh në karrierën artistike të Zamira Kitës, por një dashuri tjetër e saj është radioja. Ndonëse e larguar prej thuajse 16 vitesh nga radioja, ajo edhe sot e kësaj dite ka nostalgji kur dëgjon zërin e saj në disa prej reklamave të realizuara ndër vite. Dëshira për të komunikuar me publikun, për t'u recituar poezi, për t'u drejtuar atyre edhe pyetje, i rikthen dëshirën për të bërë një emision, por për shkak të angazhimeve të mëdha, s'mundet ta realizojë dot.

Një jetë kushtuar artit/ Zamira Kita rrëfen rrugëtimin e saj

"Kam radion, më pëlqen shumë. S'mund të them gazetaria sepse ajo është një term shumë i gjerë, një profesion shumë më i madh, por radioja më pëlqen shumë. Të komunikoj me publikun, t'u lexoj atyre fragmente romanesh, novelash, t'u recitoj poezi, tekste këngësh, të bëj lojëra, pyetje. Sa herë hyj në radio për të incizuar ndonjë gjë që më duhet për punën time them do kthehem të bëj një emision, pastaj e shikoj që koha nuk më lë. U bënë tashmë 16 vjet që jam larguar, kthehem herë pas here që bëj ndonjë rubrikë të vogël, por kur dëgjoj në Radio Korça zërin tim, që vazhdojnë akoma të jepen disa reklama, kam shumë nostalgji."

Zamira Kitën do vazhdojmë ta kemi të angazhuar me shfaqje, së shpejti me veprën "Vasha" e Maksim Gorkit, një rol që e pret me shumë kënaqësi ndonëse është rol i vështirë.

"Tani do të më shihni në skenën e teatrit sepse ne do të vëmë 'Vashën' e Maksim Gorkit, me Enke Fezollarin, ndërkohë fillon dhe një projekt tjetër, por unë atje nuk do të luaj sepse është më shumë me të rinj dhe më vjen shumë mirë që Fatos Berisha nga Kosova vjen në Korçë për të realizuar një vepër me të rinj të qytetit. Ndërsa te 'Vasha' unë do të luaj Vashën dhe aty do të me shihni. Është një rol shumë i bukur, i vështirë, po e pres me shumë kënaqësi dhe besoj se do punoj e do bëj një gjë të bukur."

Të flasësh për artisten korçare do të duhet jo thjesht në reportazh, pasi Zamira Kita ka dhënë dhe po jep shumë për artin në Korçë e më gjerë.

Çdo ditë e angazhuar me projekte, bashkëpunime dhe organizime aktivitetesh, çka e bën aktoren një nga personazhet më të dashura që ka Korça. Një jetë në skenë, më e dashura për publikun, me qindra role fantastike, e bëjnë Zamirën një ikonë të qytetit./ CNA





Lajmet e fundit nga