web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

VIDEO-Pasioni për serenatat korçare/ Rrëfimi i artistit Tomi Kondakçi

5 Prill 2024, 19:49, Qyteti im CNA

VIDEO-Pasioni për serenatat korçare/ Rrëfimi i artistit Tomi

Korça është qyteti i serenatës! Një traditë shumëvjeçare që vijon të ruhet me aq fanatizëm nga korçarët e vjetër të qytetit. Serenata për këta figura të njohura është ndjenjë, emocion, dhimbje e gëzim njëkohësisht.

Cna Tv nëpërmjet rubrikës së reportazheve sjell për shikuesit personazhe të vyer të Korçës, ashtu siç është Tomi Kondakçi, që të gjithë e njohin në qytet. Një qytetar model, një këngëtar me vlera, një kitarist i shkëlqyer që nuk heq dorë nga pasioni i tij për serenatën. Artisti korçar me shumë kënaqësi pranoi të fliste për këtë pasion, që e ka shoqëruar gjatë gjithë jetës, prej fëmijërisë e deri më sot që është në moshën 65 vjeçare. Instrumentin e kitarës, Tomi e ka mësuar vetë, me ndihmesën e parë të dhënë nga kushëriri i tij, duke e patur si detyrim ta mësonte vetëm për faktin se këngës i duhej edhe kitara.

"Pasioni ka qenë gjithmonë, që në fëmijërinë time, kënga kryesisht. Kitara jo se ishte pasioni im, por më duhej për të shoqëruar veten dhe u detyrova ta mësoja. E mësova vetë, ndihmesën e parë e kam marrë me kushëririn tim të parë që është kitarist pavarësisht se tani është i moshuar dhe nuk merret me atë pjesë. Shtysë kisha atë për kitarën pastaj e vazhdova vetë. U bë pjesë kitara bashkë me këngën."

Për korçarin e njohur serenata është shtylla e tretë e muzikës korçare, krahas këngës popullore dhe asaj qytetare të përfaqësuar nga Kori Lira. Të këndosh serenatë është të pranosh të bukurën, e pikërisht këtu është vlera thotë Tomi.

"Serenata është shumë e bukur. Serenata nuk është tona faktikisht, janë ndikime, por gjëja më pozitive ishte që serenata në atë kohë, mund të dilje rrugëve dhe ta këndoje si të doje. Huazimet janë kudo në gjithë botën, ajo që është e bukur, pëlqehet. Ne arritëm që e kapëm, pëlqyem dhe e vendosëm, dhe është një nga shtyllat e treta të muzikës korçare. Kemi populloren, muzikën qytetare korçare, "Korin Lira" dhe serenatën. Kjo është këmba e tretë e muzikës korçare dhe është një evolim, pasi njerëzit që pëlqyen serenatën kanë pëlqyer dhe pranuar të bukurën. Pikërisht këtu është vlera. Ishin të tjerë ata që bënin serenatë, sot po degjeneron."

65-vjeçari me keqardhje tregon se ditët e sotme serenata ka humbur vlerën dhe origjinalitetin e saj. Ai e konsideron serenatën dy kitara rrugës, kënduar ëmbël e duke përcjellë emocion. Por çfarë ka ndikuar në transformimin e kësaj rryme muzikore?

"Serenata sot nuk është serenatë. Serenatë quheshin dy kitara rrugës, ëmbël, dhe përcillje emocion. Sot doli ritmi, dhe gjithë serenatat, edhe ato që kanë qenë serenata, u kanalizuan në sistemin e ritmit, të kompjuterit. Humbi emocioni, ajo që këndohej shumë ngadalë, shumë ëmbël, shumë bukur, u fut në ritëm që ska asgjë të përbashkët. Ky është një gabim që ne nuk e ruajmë, të tjerët e futën ndërsa ne nuk dimë ta ruajmë."

Të moshuarit e këndojnë serenatën ashtu siç ka qenë traditë, duke mos i ndryshuar këngët e duke mos dalë jashtë karakterit. Tomi nuk ka preferuar asnjëherë të jetë pjesë e aktiviteteve të organizuara, madje thotë se kurrë nuk bëhet pjesë e organizimeve por "mbledhjet" me shoqërinë bëhen krejt rastësisht.

"Nuk ke pse i ndryshon, nuk është më serenatë sepse del jashtë karakterit. Të marrësh pleqtë më të moshuar se unë, ata e këndojnë siç e këndonin serenatën. Po i fute nëpër kompjutera, s'janë më. Unë më mirë të ndjek ata sesa ritmin që më përcakton kompjuteri, pa motiv e pa emocion. Nuk organizohemi. Ku del bëj atë që dua unë, jo atë që duan të tjerët. Kudo kam kënduar, në cddo klub të Korçës. Nuk marr pjesë në aktivitete, s'më pëlqejnë organizimet."

Të jesh në një tavolinë me Tomi Kondakçiun merr një kënaqësi shumë të madhe, jo vetëm me biseda e diskutime të ndryshme, por edhe duke kënduar e duke marrë emocione të forta nga ajo çka përcjell zëri i mrekullueshëm i këngëtarëve korçarë, e në veçanti  i Tomit. Ndërsa e pyesim se si ka ndryshuar jeta e tij sot, artisti me një buzëqeshje në fytyrë, thotë se është e njëjta. Nëse ke shpirt, mbush një hapësirë bosh - thotë ai.

"Histori kam patur shumë të tilla, po varet sa vend le në shpirt. Dikush thotë që thjesht jam me Tomin dhe hajde të bëjmë diçka. Me mua këndon çdo njeri, do ti le vend atij për të kënduar. Qëllimi është për të qëndruar aty ku duhet. Di apo s'di, nuk ka gjë sepse e ndihmoj unë, por puna është që atë që ishte të jetë ashtu siç ishte. Këtë duhet ta bëjë çdo kush, ka shumë pleq që e ruajnë atë formë."

"Jeta ime siç ka qenë, është. Ne flasim për kohën, njeriu në kohë është i pavlerë. Sa përjeton ti në veten tënde, ajo është koha. Mund të vuash shumë por përjeton shumë brenda vetes e kjo është pjesë e shpirtit. Nëse nuk e ke shpirtin brenda, të shkuara ti kesh. Nëse e ke shpirtin, e mbush një hapësirë bosh."

Për Korçën është fat të ketë një personazh kaq të veçantë e të dashur, pasi Tomi Kondakçi jep edhe kontributin e tij në mësimdhënien e kitarës për brezat e rinj. Ka shumë fëmijë që duan ta mësojnë kitarën e kjo është diçka shumë pozitive për të ardhmen. Megjithatë, 65 vjeçari duket pak skeptik, për sa kohë teknologjia po ze vendin më të madh edhe në krijimin e këngës. Ai thotë se muzika nuk lind vetëm për faktin se duam të bëjmë muzikë. Për të, muzika është ndjenjë!

"Ka të rinj, dëshirën e kanë dhe kjo është gjë e mirë. Mirëpo kjo, me teknologjinë që doli, ne po largohemi nga muzika. Dëgjojmë një koncert të bukur në Vienë për shembull, ata kanë qindra vite që ruajnë formën e orkestrës siç ka qenë. Dhe nuk ndryshojnë ata, të futin teknon. E kanë të vështirë? Absolutisht fare! Janë mjeshtra, por ruajnë krijuesit dhe krijesat që e vazhdojnë këtë punë. Muzika nuk lind se duam të bëjmë muzikë, muzika është ndjenjë. U ule 5 minuta, e shkruajte, aq është. Është ngacmim, por kë ngacmon? Emocioni është edhe gabimi kur bën duke kënduar, kështu është realisht por ne këtë se pranojmë."

Personazhe si Tomi Kondakçi po lenë gjurmë në historinë e figurave të nderuara të Korçës, duke shpalosur vlera të mëdha, me zërin e mrekullueshëm që të jep emocion dhe të mbush shpirtin. Vetëm qytetarët e vjetër mund ta kuptojnë realisht se çfarë ndjenje përjetojnë kur dëgjojnë artistë si Tomi Kondakçi dhe korçarë të tjerë të cilët e mbajnë serenatën me origjinalitetin e saj. Cna Tv do të vazhdojë të sjellë për shikuesit personazhe të vyer të Korçës, për tu dhënë atyre vlerësimin që meritojnë./ CNA





Lajmet e fundit nga