web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Kush e financon Ervin (Sali Salianjin)?

2 Qershor 2026, 15:51, Politikë CNA

Ervin Salianji, që së fundmi është quajtur dhe "Sali Salianji," në takimin që mbajti me disa demokratë të inatosur përpara Akademisë së Arteve, ku deklaroi publikisht se kishte shkelur të gjitha qarqet e vendit, kishte zhvilluar takime me mijëra demokratë dhe ky qe aktiviteti përmbyllës që zhvilloi në Tiranë.

Në fakt, çdo angazhim politik i një individi është një zgjedhje personale. Ervin Salianji zgjodhi të ishte me Berishën, pastaj u bë me Lulin, mori drurin dhe u ra demokratëve, e tradhtoi Lulin, më pas u bë prapë me Saliun, tani i doli Saliut kundër.

Përtej karriges që kërkon, ka një pyetje: Kush e financon? Cili është burimi i të ardhurave të Ervin Salianjit për të gjitha këto aktivitete?

Një parti politike deklaron të ardhurat, shpenzimet në KQZ, ka një strukturë përgjegjëse. Ligji për partitë politike e mirëpërcakton.

Lind pyetja tjetër:

Kush do t'i deklarojë të ardhurat dhe shpenzimet e Ervin Salianjit, Partia Demokratike?

Sepse ai mban logon zyrtare të partisë. Apo Ervin Salianji do të shkojë vetë në KQZ dhe t'i deklarojë këto të ardhura? Partia Demokratike ka ekonomistë që bëjnë bilancet dhe raportimet në KQZ sipas ligjit. Po shpenzimet dhe të ardhurat e Ervinit kush do t'i deklarojë? Cili ekonomist? Cili financier? Se ato nuk kalojnë nga PD-ja zyrtare edhe pse ai mban logon në takimet e tij.

Salianji tha 12 qarqe, në fakt janë më shumë takime, përfshi dhe takimin në Tiranë. Me një përllogaritje të thjeshtë, të gjitha këto kushtojnë disa qindra mijëra euro.

Thjesht dhe vetëm aktivitet si ai i zhvilluar në Tiranë, një ledwall, një regji, karriget, lëvizja e njerëzve apo shpenzimet për të fjetur, dreka e darka, të paktën shkon rreth 5000 euro. Morëm shembull Tiranën.

Të shkosh në një aktivitet në Korçë, do të paguash një sallë, e cila kushton të paktën rreth 500 euro. Do të shpenzosh karburant, dhe Salianji nuk lëviz vetë, po lëviz me dy-tri mjete, plus dhe karburantin që marrin mjetet e tjera, do të duhen të paktën edhe 500 euro të tjera, minimalisht.

Fonia dhe regjia për transmetimin do të kushtojë jo më pak se 200 deri në 300 euro në vendin më periferik.

Dreka, darka dhe hoteleria, kur je me shoferë, me dieta, me njerëz të tjerë me vete, nuk mundesh dot ta mbulosh pa 1000 euro, me gjithë ushqimin për stafin, njerëzit apo takimet me shpenzimet e veta.

Prandaj një ikje në një rreth kushton të paktën sa eventi në Tiranë, ndoshta edhe shumë më tepër. Pa folur për angazhimin e njerëzve që paguhen muaj për muaj, njerëzit që mbajnë rrjetet sociale, pagesat që bëhen për të dalë në media.

Kush e financon Ervin Salianjin?

Ai ka të ardhurat e një rroge si ish-deputet. A mundet me 1 milion apo 1.5 milionë lekë të vjetër në muaj t'i mbulojë këto shpenzime?

Kush janë sponsorët e tij? Cilët janë biznesmenët?

Ervin Salianji duhet të bëjë transparent çdo shpenzim të tij dhe burimin e tyre. Cilët janë biznesmenët që e financojnë? Çfarë aktivitetesh kanë? Sa janë shumat që japin dhe si i shpenzon këto shuma Salianji?

Këto bilance ose duhet t'i depozitojnë në KQZ nëpërmjet Partisë Demokratike, ose duhet t'i deklarojnë në tatime. Janë fakte publike me foto, video, të gjitha takimet, përfshirë dhe daljet në media ku me pagesë e ku ato pa pagesë. Muaj të tërë lëvizjesh me makinë. Dhe jo me makina të vogla që harxhojnë 5 apo 10 litra naftë në 100 km, por me makina luksoze e me njerëz që e shoqërojnë.

Janë qindra mijëra euro shpenzime të ngrëna, të pira, të fjetura, foni, regji, ledwall-e në pak kohë, në pak javë.

Kush e financon Ervin Salianjin? Nga vijnë këto para?

"Babalja" nuk do të përgjigjet. As Sali Salianji s'do të përgjigjet. Por duhet bërë transparenca. Dhe në këtë rast është SPAK-u që duhet të hetojë kush e financon Ervin Salianjin, përtej akuzave të hedhura nga PD-ja dhe Berisha se ai u shit gjatë kohës që ishte në burg.

Në burgun e Fierit ai ka qenë me drejtorë të “5D”-së, me elementë të botës së krimit, për të cilët PD e akuzon (nuk po pyesim kush ia financoi flokët, shokët e burgur apo G.D.-ja. Tani Salianji hap një thes me para dhe shpenzon në evente, në takime. Kush e financon, cili është burimi i të ardhurave? Këtu fillon dhe mbaron transparenca e “Babales”, "Sali Salianjit"./ CNA





Lajmet e fundit nga