web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Dështimi i Ballkanit të Hapur/ Analisti për CNA: Projekt i pamenduar mirë, jo strategjik

22 Tetor 2025, 20:46, Politikë CNA

Dështimi i Ballkanit të Hapur/ Analisti për CNA: Projekt i

Altin Gjeta, analist dhe pedagog në Universitetin e Birminghamit në Britaninë e Madhe në intervistë për CNA TV ka folur për samitin e Ballkanit Perëndimor që po mbahet në Londër.

Gjeta tha se ky është një samit i përvitshëm që kur u themelua Procesi i Berlinit nga kancelarja Anegla Merkel.

Analisti u shpreh se, ky samit ka në fokus të tij sigurinë në Ballkanin Perëndimor, por edhe më gjerë në Evropë, çështjet e emigracionit, të cilat kanë një peshë të rëndësishme për Mbretërinë e Bashkuar, e cila e udhëheq këtë vit samitin e procesit të Berlinit.

“Është një samit i përvitshëm tashmë, qysh kur procesi i Berlinit u themelua në 2014 nga kancelarja gjermane Angela Merkel në atë kohë. Por prej luftës në Ukrainë, mendoj që çështjet e sigurisë kanë dalë në plan të parë në kontinentin evropian edhe ky samit ka në fokus të tij sigurinë në Ballkanin Perëndimor, por edhe më gjerë në Evropë, çështjet e emigracionit, të cilat kanë një peshë të rëndësishme për Mbretërinë e Bashkuar, e cila e udhëheq këtë vit samitin e procesit të Berlinit dhe sigurisht vendet të cilat e kanë mikpritur samitin, në përgjithësi janë përpjekur që në axhendën e përgjithshme të përfshijnë edhe çështje të cilat janë me interes të tyre kombëtar. Pra, është një mbledhje e liderëve të Bashkimit Evropian.

Procesi i Berlinit deri më tash ka arritur të prodhojë rreth 43 produkte, të cilat janë marrëveshje, në, struktura të caktuara, të cilat synojnë gjithnjë e më shumë të përafrojnë Ballkanin Perëndimor me Bashkimin Evropian, por gjithashtu edhe të forcojnë lidhjet mes vendeve dhe një nga këto mekanizma ka qenë parashikimi i krijimit të një tregu të përbashkët rajonal. Gjithashtu ka projekte të rëndësishme për ndërlidhjen me infrastrukturë, me hekurudhë, autostrada mes vendeve dhe është bërë një progres i rëndësishëm do të thoja unë edhe në çështjen e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave. Megjithatë, një ndër problemet e procesit të Berlinit është që nuk ka një sekretariat, nuk ka një organizëm i cili është i përhershëm dhe ndjek implementimin e marrëveshjeve, sepse një pjesë e rëndësishme e këtyre marrëveshjeve nuk janë jetësuar dhe nuk ka përditësim mbi progresin që është bërë në marrëveshjet e nënshkruara”, tha Gjeta.

I pyetur nëse mund ta cilësojmë si të dështuar projektin “Open Balkan” të iniciuar më parë nga kryeministri Edi Rama, Gjeta për CNA tha se  fakti që është mbyllur tregon që ka qenë një projekt i pamenduar mirë, jo strategjik dhe aktorët evropianë dhe amerikanë i janë rikthyer idesë origjinale, pra procesit të Berlinit.

“Po fakti që procesi i Ballkanit të hapur nuk vijon edhe është ndërprerë prej më shumë se dy vitesh tashmë, tregon që ka qenë një projekt i pamenduar mirë, jo strategjik edhe aktorët evropianë dhe amerikanë i janë rikthyer idesë origjinale, pra procesit të Berlinit. Edhe në një kontekst krejt të ri ndërkombëtar, ku Evropa dhe demokracitë perëndimore gjenden në një moment të vështirë do të thoja unë. Edhe sigurisht ata synojnë që Ballkani Perëndimor të mbetet stabil, i qëndrueshëm dhe të përafrohet gjithnjë e më shumë me Bashkimin Evropian.

Unë personalisht mendoj që nuk është bërë sa duhet, për shkak se objektivi, objektivat e lidershipit evropian në përgjithësi kanë qenë elektorale të momentit, nuk është parë përtej cikleve zgjedhore, sepse fakti që ne gjendemi më shumë se 10 vite pas inicimit të procesit të Berlinit, kur asnjë nga vendet e Ballkanit Perëndimor nuk është integruar në Bashkimin Evropian. Madje ka pasur probleme me çështjet e sigurisë dhe tensione, siç ju e dini, në shtator të 2023-it në veri të Kosovës, njerëz të armatosur, të organizuar dhe të mbështetur me shumë gjasa nga struktura shtetërore në Serbi, realizuan një sulm terrorist në një territor të një shteti tjetër të pavarur. Po ashtu marrëdhëniet mes Serbisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës, nga ana tjetër, janë problematike për shkak se Serbia aty nxit tendenca separatiste, pra ndarëse, kërkon ta disintegrojë Bosnjën, duke shkëputur Republikën Srpska, e cila udhëhiqet nga serbët e Bosnjës.

Dhe mendoj që fakti që një nga shtyllat kryesore politike të procesit të Berlinit, siç ishte dhe mbetet zgjidhja e problemeve bilaterale mes vendeve, nuk është realizuar, do të thotë që në nivel politik procesi nuk ka pasur suksesin e pritshëm. Edhe mendoj që edhe ky samit nuk është se do të prodhojë diçka krejt të rëndësishme, për shkak se fatkeqësisht, mendoj unë, është krijuar një lloj ndërvarësie jo e shëndoshë mes vendeve të Ballkanit dhe Bashkimit Evropian për përgjithësi, fuqive perëndimore. Pra është pritur shumë më shumë nga vendet e rajonit për progres të mundshëm duke parë nga diktati, nga humori, nga oreksi, apo vullneti i vendeve evropiane për t'i integruar në Bashkimin Evropian, sesa janë ndërmarrë hapa konkret, të cilat do t'i përafronin automatikisht këto vende me standardet e Bashkimit Evropian. Edhe mendoj që kjo marrëdhënie jo e shëndetshme ka krijuar një lloj status quo-je, pra një lloj ngecje, e cila është vështirë tash të thyhet për shkak se edhe ndërvarësia ka krijuar mungesë orientimi, por edhe vullneti dhe vizioni për ta shkëputur atë, sepse Perëndimi tashmë është më pragmatist në një rend ndërkombëtar multipolar dhe kërkon që të zgjidhë krizat, e menjëhershme me të cilat përballet, pra siç është lufta në Ukrainë, konflikti në Lindjen e Mesme, por edhe me një lloj tërheqje eventuale të vlerave të demokracisë që ka ndodhur brenda vetë kontinentit evropian. Pra është i kapur, nga disa probleme dhe mendoj që progresi në drejtim të integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian do të jetë problematik, pavarësisht se flitet për një përshpejtim të procesit”, tha Gjeta./ CNA





Lajmet e fundit nga