web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Nga Viktor Zhusti/ Respektuesi im i vjetër dhe tani “armik” i ri

30 Dhjetor 2025, 15:39, Opinione Viktor Zhusti

Nga Viktor Zhusti/ Respektuesi im i vjetër dhe tani “armik” i

Pas një jave stuhie, kur Deti Facebook u përzie me keq se ai Adriatik dhe cunami ngriti në sipërfaqe e nxorri në breg, vlera dhe zgjyrë, për aq kohë të mbetura në errësirë, tani që u vërtetua, nga të dy anët e llogoreve, sa të gatshëm e me gisht në këmbëz ishim (ca nga vigjilenca, ca nga rajallëku e ca për hakmarrje), TANI, që, më në fund, u mor vesh mirë:
•? ?kush ka frikë dhe nga kush,
•? ?kush është çdonjeri e me kë,
•? ?kush është spiun dhe i kujt,
•? ?kush turpëroi veten dhe para kujt,
•? ?kush është patronazhist dhe i kujt,
•? ?kush është mashtrues dhe përse,
•? ?kush e ka fjalorin më të pasur dhe me se,
•? ?kush meriton respekt dhe prej kujt,
•? ?kush nxiu faqen dhe para kujt, TANI që yryshi, inati e verbëria,
me të cilën iu sulëm për ta shqyer njeri-tjetrin, disi ka rreshtur, të mbushemi me frymë dhe të pyesë gjithsecili veten:
"përse dhe kujt i shërbeu gjithë kjo" ?!
Dhe, duke "lëpirë plagët" (siç bëjnë egërsirat kur mbaron ose tërhiqen nga përleshja), duke u munduar, me sa mend kemi, na kanë mbetur a na kanë lënë (pavarësisht se nga ç'anë e llogores jemi reshtuar), të gjejmë:
"Ia vlejti ?! Kush fitoi dhe cfarë ?!"
Ndamë, ç'kishim për të ndarë: mendimet, opinionet, përshtypjet, konsideratën, antipatitë, urrejtjen,vrerin, njollosjen, partitë… pa llogaritur që hidhërimi dhe armiqësia që le pas gjithë kjo, nuk është si "çudia më e madhe që zgjat vetem tri ditë".
Gjithë ky sulm i furrishëm dhe i papritur, më vërtetoi që askush nuk të ndjek e kontrollon më tepër se njerëzit të cilëve nuk u pëlqen ose u ke shkelur në kallo.

*****
Lexoj shumë komente e deklarata që, reagimi im qe pasojë e kërcënimit që më është bërë (?!) nga që reagimi erdhi dy ditë pas postimit të fotografisë. Në atë postim vura dhe një foto të mesazhit që i dërgova bashkëluftetarit të tij të afërm, dhjetë minuta pas takimit, pra, qënkam kërcënuar para se të shihnin foton !!!
Nuk janë të paktë ata që, me të drejtë, pyesin përse nuk reagova menjëherë pas postimit, por prita dy ditë dhe, kjo për faktin se nuk i bëra të njohura mesazhet e shumta (mund t’ia ve në dispozicion kujtdo), mesazhe tepër lutëse që fotua të hiqej ose të ndryshohej diçitura: "erdhi na takoi... na dha energji pozitive... ju pres në protestën e të shtunës..."
Nëse bashkëpuntorët, do t'ia raportonin shefit të gjitha këto, do ishte evituar edhe zhurma dhe kryqëzata.
S'jam indiferent dhe as i shenjtë që, kur më godasin, të them "Fali Zot se nuk dinë ç'bëjnë" Jo ! JO ! E njoh dhe e kontrolloj fytyrën time, madje dhe atë "zonë gri" të ndërgjegjes dhe nëse (në disa raste) dua dhe fal, fal jo se s'dinë ç’bëjnë, por i keqardhur, nga që e kuptoj përse e bëjnë !
Duke mos u pajtuar me një thënie të mençur që për të tilla raste këshillon: "mos u nevrikos me ata që flasin keq për ty, thjeshtë mëshiroi. Janë njerëz të plagosur, të pasigurt, të dobët dhe, përpiqen të gjejnë tek tjetri gjithcka negative që kanë brenda vetes. Kujtojnë se duke përçmuar tjetrin,do fitojnë vlerën që u mungon", vendosa të reagoj, madje dhe më ashpër e hidhur nga ç’më njohin, jo nga motua "derri do plumb", por nga që ndjeva se heshtja dhe tërheqja u dha shumë zemër luftëtarëve, të bindur që heshjen dhe mirësinë mund të përdoren si shkallë për të të hipur mbi shpinë.
Reagimi i militantëve qe i ashpër dhe i papërmbajtshëm: sforco, britma, çjerrje, linçime, përdhosje, s'u la asgjë pa nëpërkëmbur e përlyer, u kalua çdo masë, u harrua cdo vlerë, “u flak, siç thotë Marksi, bashkë me ujin e pistë dhe foshnja” e s'mbeti asgjë për t'u shijuar.
Që të përbuzësh një vlerë (e ke çmuar dikur) duhet të njohësh, të vlerësosh, të kesh konsideratë e të nderosh, së pari, veten. Paturpësia, nuk mund dhe as duhet të konsiderohet guxim e kurajo, nga që zbulon formim të mangët, karakter të dobët, madje, në kohën e sotme dhe të EKSPOZON. Dikur, "atë" (të marrin, hajdutin, mashtruesin, perversin, xhahilin...) e njihte vetëm familja, mundet lagjja e, shumë-shumë fshati, kurse tani, përmes Facebook-ut, nami merr berihanë...

*****
Nga komentet e disave, kuptova që paskam prerë degën mbi të cilën qëndroja, pasi nuk është vetëm njeri që deklaron: "kisha respekt për ty, po pas kësaj e hoqa respektin" !
Respektuesi im i vjetër dhe tani “armik” i ri ! Respekti nuk është prizë për të karrikuar telefonin.
Ti (keq me vjen), s'ke pasur kurrë respekt për mua, pasi (më fal), nuk e kupton atë si koncept e kategori. E ke dëgjuar, e përsërit.
Pse kishe respekt per mua e di ? Po pse e hoqe e di ?
Se unë (miqësisht ta them), edhe pse e kishe edhe pse e hoqe, nuk ndjehem i keqardhur. Nuk më vjen keq që të humba, trishtohem që të kisha. Do më ngrohte e dhimbte respekti yt, nëse do kuptoja që ti, respekton, së pari, veten tende.
Nuk mund ti pengoj njerëzit të mendojnë ç’të duan, aq më tepër kur ky është i vetmi ngushëllim për ta, por s'mund ta le pa theksuar atë që me ka mësuar jeta dhe ndonjë libër: "njeriu është i bukur, kur është i bukur nga brenda, gjithë të tjerat, konsumohen, prishen, thyhen, grisen, plaken... dhe, bukuria për të cilën e kam fjalën (besoj kuptohemi), ashtu si karakteri, respekti, dinjiteti, as nuk fitohen dhe as mund të humbasin nga një foto..

*****
Në këtë vend, sado të fshihesh, nuk mbetet gjë pa dalë në mexhlis. Shumë nga vigjilentët vigjëlues, duke lexuar "midis reshtave", nuhatën që, qënkam kërcënuar nga "Ai" për bukën e gojës (besoj e kanë metaforikisht se pothuaj tani ha fare pak bukë) dhe ç'është më e ndyra, më paska futur po "Ai", për të sabotuar protestën…(nuk u rreshqiti as ky fakt) e nga të gjitha këto, më qendisën një karakteristikë plot epitete pikante: i pafytyrë, pa dinjitet, pa karakter, i shitur, i futur, i infiltruar, madje dhe pa k...ëllqe !
Po dale, dale, se kjo s'është gjë ! Disa, nuk besoj (sinqerisht nuk besoj) se janë nga të mbeturit pa punë nga që "Shtëpia e Gjetheve" u bë muze, zbuluan se qënkam dhe "spiun i grekut" ("Ç'fakt do më shumë, ai dhe telefonin e mban në greqish !!!" ose "Na mytën grekt").
Sapo lexova këto, mendoj të denoncoj Zanën që telefonin e ka në italisht dhe Zeqon e Gjonin, në anglisht, spiunime që mund të shërbejnë si master për "poliagjent" !
Dikush, i pangopur me damkën "SPIUN" me cilëson dhe "Sorosian", po (lavdi Zotit), tani për tani e ka lënë me kaq. Me zemër të dridhur pres mos nxjerrë në dritë dhe faktet se, të them të drejtën, pushkatimi është melhem para Fejsbukimit, Instagramimit apo tik-tokimit…
Një tjetër (s'mbeti gjë pa dalë), zbuloi që u katandisa AKTOR në Shqipëri, nga që më zbuar nga Greqia (as më pak, as më shumë se një “Non-grata)!
Një tjetër i pamëshirshëm (s’u ngop nga thika që nguli, po dhe e përdredh) e thellon aktakuzën kur deklaron se jam futur në burg për 7 kg drogë (që është shpifje, se në të vërtetë ishin 12), ndërsa një tjetër, “i mirëinformuar”, denoncon që kam futur në burg dhe 7 veta të tjerë ( tjetër shifje kjo, se në "grupin e strukturuar kriminal”ishim vetëm 4) dhe (ah, kokë, kokë) të gjitha këto, vetëm nga pakujdesia për të ndërruar gjuhën e telefonit ! Megjithatë, me që iu hapën petët lakrorit, s'më mbetet tjetër veç të spiunoj dhe veten:
Po ! E vërtetë ! Jam spiun ! Telefoni që zbuluat, është e keqja më e vogël, unë dhe lexoj, shkruaj, përkthej e shikoj dhe teatër në Greqi. Vërtet “spiun”, po "spiun i kompletuar" ama, ë !
Tani, që nisët të hapni varrin, lutem, mos përtoni, gërmoni ca më thellë, të mos dalë më e keqja që kam ose që ka zënë disa...
Thuhej që kollën dhe dashurinë nuk i fsheh dot, pas kësaj, u dashka shtuar: spiunllëkun.

*****

Shumë nga militantët opinioniste, të angazhuar për të zgjidhur problemet thelbësore të Kombit dhe Demokracisë, me të drejtë që s’gjejne kohë që, vetëm një çast,
të kthejnë shikimin brenda vetes, se ndryshe, do kishin vënë mendjen para gjuhës, para se të linçonin dikë që e konsiderojnë
"të llogores tjetër". Jepi dinjitet dhe "armikut" që të vlerësosh fitoren tënde, se fakti që dikush, shpreh simpati për dicka e dikë, nuk duhet të shërbejë si argument për baltosje, se Demokracia, presupozon lirinë e të shprehurit, jo sharjes e shpifjes, presupozon debat, jo kryqëzim e kacafytje, presupozon votim të lirë, jo nostalgji për rezultatet 99.99%
Ckërmitët dhëmbët, më quajtët frikacak, shërbëtor, të shitur, komunist... vetëm se arrita e nxorra nga goja (si s'mu tha gjuha) që "Shqipëria bëhet vetëm nga ata që po luftoni" !
E thashë ! E pranoj ! Më ndjeni ! Gabim ! Fatal ! MIOP !
Po, "miop europian, ama", ë !
Diçka që vërtet më bëri të mendohem: disa nga ata që më konsideruan "vegël qorre" e pushtetit, zbuluan arsyen dhe shpallën sheshit pse jam i tillë. “Nga frika mos më "presë nafakën e pensionit" ose tamam-tamam (dhe nuk ia futin kot), se mos tani, “në lulen e moshës”, lëpij ndonjë kockë në formë posti. Se, po të mos kishin këto dyshime, nuk do shkruanin dhe, jo vetëm njeri: "të kanë kërcënuar", "s'je burrë", "s'ke këllqe"...
U tmerrova nga kjo pasqyrë që m'u vu përpara ! Si dreqin u katandisa kështu dhe në këtë moshë ! Dhe, i thashë vetes: Epo, kur do korrigjohesh, o njeri ! Mjerë ti, po mjerë dhe Ai !
Jo i Gjati, jo, i Madhi !
Jo i Pushtetëshmi,
i Gjithëpushtetëshmi !
Jo ky tek shkallët, Ai në Qiell, që,si s'lëshon një rrufe dhe të lahej, një herë e mirë, kjo… mesele.

****
Burrat e vërtetë edhe mërziten, edhe dështojnë edhe qajnë dhe (herë-herë) i tregojnë dobësitë.
Edhe rrëzimi, thekson një i mençur, dhuratë është, pasi kthehet në mësim, në përvojë,
veç, mos harrojmë, për asnjë çast të marrim me vete NJERIUN, pa harruar MIRESINË, brenda zemrës sonë.
Prandaj, duke ju falenderuar që bëni gjithçka për të mirë (“ai që të rreh, të do”), më lejoni, ju lutem, më lejoni të shprehem, të revoltohem, të kundershtoj, të jem ky që jam dhe ashtu siç jam: njeriu që ka gabuar (dhe jo pak),
që është rrëzuar (dhe keq),
që është ngritur (çdoherë),
që nuk është dorëzuar (më së shumti), i shigjetuar (nga të papunët), që ka falur (dhe shumë),
që është përkrahur e inkurajuar (nga që dicka modestisht ka ofruar).
Tani, nga ngjitja e 84 shkallëve, nga që është lartësi marramendëse, vërtet dukem prej të gjithëve, por dhe unë, më besoni, nuk jam aq keq nga sytë.
Më gjykoni dhe ju gjykoj.
Më dënoni e duke qënë se ju kuptoj, s’ju ve dhe faj.
Për të ngjitur 84 shkallë, kam ecur, nxituar, vrapuar, kam gabuar e rrëzuar, jam ngritur e ringritur, dhe përsëri vazhdoj të eci, pa bastun pa u mbështetur, pa frikë, i pa kërcënuar, duke parë akoma përpara, drejt, larg, dhe çuditërisht, horizontin e shikoj pa mjegull e re të zeza…
Vazhdoj të eci, dhe të krijoj. Nuk mund të kthehem prapa për të ndryshuar fillimin, por, nga ku jam, mundem dhe përpiqem të ndryshoj fundin.





15:10 Opinione Ditmir Bushati

Kosova si burim shprese

Pa para lumë, pa luks, pa koncerte që i paraprijnë tubimev...

11:27 Opinione Edmond Spaho

PD ka rënë në moçal

Unë jam kundërshtar i thekur dhe i vendosur i Ervin Salian...

19:34 Opinione Ylli Manjani

Unë jam Europian!

Unë jam Europian. E dua shumë Europën historike e kulturo...

10:36 Opinione Ardi Stefa

Partia e Salianjit

Unë besoj se Salianji dëshiron të krijojë një parti. Ësht...

18:39 Opinione Klodian Tomorri

Virusi i Rilindjes

Doli një kronikë dje në media për rikonstruksionin e pavij...

Lajmet e fundit nga