web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

"Babagjyshi i Vitit të Ri"

26 Dhjetor 2025, 15:28, Opinione Auron Tare

"Babagjyshi i Vitit të Ri"

Një zile telefoni në Komandën Qendrore të Mbrojtjes Ajrore të Amerikës së Veriut (NORAD) ra vetëm pak minuta para se ora të shënonte 12 të natës. Telefonin e ngriti një oficer amerikan, NënKolonel Harry Shoup, i cili ishte në shërbim atë natë krishtlindjeje të vitit 1955.

Në anën tjetër të linjës, një zë fëmije e pyeti nënkolonelin nëse Babagjyshi me dhurata po vinte në qytetin e tij apo ishte ende larg. Nënkoloneli i bazës sekrete, e strehuar thellë në tunelet e malit Cheyenne, për një çast u hutua. Por menjëherë pas kësaj, me një buzëqeshje, filloi t’i thoshte fëmijës se ai ishte vetë Babagjyshi dhe se karroca e tij, e mbushur me dhurata, po i afrohej fshatit ku ai po e priste me padurim.

Oficerët e tjerë të pranishëm menduan fillimisht se nënkoloneli po bënte shaka, por sapo ai mbylli telefonin, një tjetër zile ra sërish në Qendrën Sekrete të Mbrojtjes Ajrore. Edhe një fëmijë tjetër donte të dinte se ku ndodhej Babagjyshi me dhurata. Për më shumë se një orë, nënkoloneli i Forcave Ajrore iu përgjigj telefonatave të fëmijëve që vazhdonin të telefononin qendrën sekrete të mbrojtjes ajrore.

Çfarë po ndodhte atë natë Krishtlindjeje te Vitit 1955?

Versioni i kësaj ngjarjeje të pazakontë, i treguar nga vetë nënkoloneli shumë vite më vonë, është një nga historitë më të bukura se si rastësia e fatit krijoi traditën e famshme të “gjurmimit” të Babagjyshit të Krishtlindjeve, i cili, i nisur nga Poli i Veriut, shpërndan dhurata për fëmijët në mbarë botën.

Një reklamë e publikuar nga departamenti i dyqaneve Sears në një qytet të vogël amerikan te Kolorados njoftonte se fëmijët mund të telefononin në dyqanin e lodrave për të pyetur rreth udhëtimit të Babagjyshit dhe karrocës së tij. Por, për shkak të një gabimi shtypi në gazetën lokale ose për arsye që nuk u sqaruan kurrë plotësisht numri i botuar ishte ai i Qendrës Sekrete të Komandës Qendrore Amerikane të Mbrojtjes Ajrore, e cila monitoronte çdo lëvizje të mundshme nga hapësirat sovjetike.

Ky gabim i vogël bëri që të lindte tradita tashmë e famshme e “monitorimit” të fluturimit të Babagjyshit dhe karrocës së tij nga Poli i Veriut drejt qyteteve dhe fshatrave anembanë botës, ku fëmijët e presin me padurim për të sjellë dhuratat e ëndërruara.

Më 25 dhjetor 2025, kjo traditë e lindur nga një gabim shtypi në vitin 1955 vazhdon ende. Komanda Qendrore Amerikane e Mbrojtjes Ajrore mirëpret mbi një mijë vullnetarë, të cilët natën e Krishtlindjeve u përgjigjen telefonatave të fëmijëve nga çdo cep i Amerikës, që duan të dinë se ku ndodhet Babagjyshi së bashku me lodrat e tij.

 

 

 





19:34 Opinione Ylli Manjani

Unë jam Europian!

Unë jam Europian. E dua shumë Europën historike e kulturo...

10:36 Opinione Ardi Stefa

Partia e Salianjit

Unë besoj se Salianji dëshiron të krijojë një parti. Ësht...

18:39 Opinione Klodian Tomorri

Virusi i Rilindjes

Doli një kronikë dje në media për rikonstruksionin e pavij...

21:45 Opinione Sonila Meço

Avokati i sh(popull)imit

“Nuk ka mjekë spitali. Shkojmë nga Përmeti në Tepelenë për...

13:54 Opinione Çim Peka

Mjaft është mjaft!

1-Partitë e vogla nuk pranojnë kandidat nga PD prandaj PD ...

Lajmet e fundit nga