web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Portret i rrallë, rrëfehet jeta e Taqi Fundos, aristokratit të fundit të qytetit të Korçës

5 Dhjetor 2025, 11:18, Kulturë Ilia Ballauri

Portret i rrallë, rrëfehet jeta e Taqi Fundos, aristokratit të

Një kapitull i çmuar i historisë së Korçës del në dritë përmes fragmenteve nga vepra në punim “Bota ime e djeshme. Korça ashtu si e jetova unë”, ku studiuesi dhe kujtuesi i qytetit, Ilia Ballauri, sjell portretin e një prej figurave më të veçanta të qytetarisë korçare: Taqi (Dhimitër) Lluka Fundo (1894–1980).

Taqi Fundo ishte vëllai i madh i intelektualit Zai Fundo, por me tjetër nënë, Evgjeni Gjeorgji Shuken, nga një familje e pasur voskopojare me rrënjë të thella në emigracionin austro-hungarez, paraqitet në këto kujtime si një aristokrat i rrallë, i fundit i një bote që po zhdukej.

Taqi Fundo vjen në dëshminë e Ballaurit si një njeri me kulturë të gjerë europiane, njohës i disa gjuhëve, greqishte të vjetër e të re, turqisht, frëngjisht, italisht dhe lexues i autorëve që në atë kohë vështirë gjendeshin në Korçë.

Ballauri përshkruan një njeri me sjellje të ëmbël, pamje fisnike, mendje të mprehtë dhe logjikë të pakrahasueshme, që me praninë e tij qetësonte gjithçka.

I pasur dhe tregtar i njohur, Taqi Fundo solli në Korçë sobat majolike italiane me firmën “Lluka Fundo e bijtë”, të cilat ruhen ende sot në disa shtëpi të vjetra.

Por pasardhësi i një familjeje të nderuar voskopojare u godit rëndë nga regjimi komunist: i shpronësuar, i sekuestruar, i dënuar, torturuar dhe i përndjekur, duke humbur gjithçka, madje edhe triskën e bukës në vitet e zymta të të ashtuquajturës “Furra e Vdekjes”, që korçarët e brezit të vjetër e kujtojnë me tmerr.

Nga Ilia Ballauri

TAQI (DHIMITËR) LLUKA FUNDO. Nxjerrë nga materiali në punë e sipër: “Bota ime e djeshme. Korça ashtu si e jetova unë” (Kujtime, ngjarje, përshtypje, mbresa, mendime, skica, etj.) (Volumi i 2-të)

Taqi (Dhimitër) Lluka Fundo, (1894 - 1980) ishte vëllai i madh i Zai Fundos, por me tjetër nënë, Evgjeni Gjeorgji Shuken, prej një familjeje të njohur, të pasur voskopojare, me emigracion të hershëm në Perandorinë Austro-hungareze. Taqi ishte martuar me Eftiqia Stavraq Ballaurin, vajzën e kushëririt të parë të tim eti. Taqi u përkiste njerëzve të rrethit të ngushtë, të familjes së tim eti.

Taqin e kam njohur nga pranë, kur ai ishte plak në vitet '70-'80 të jetës së tij e derisa ndërroi jetë; unë në këtë kohë isha 19-26 vjet. Për të kam folur edhe diku tjetër dhe e shoh me vend të shkruaj dy fjalë përsëri në këto kujtime të miat të hershme.

Taqi ishte ndoshta një nga aristokratët e fundit që unë arrita të njoh në jetën time, me një kulturë të veçantë, me një sjellje të ëmbël e një të folur plot elegancë, me një shprehje të fytyrës që qetësonte çdo gjë, me një mendje të mprehtë dhe një logjikë të pakrahasueshme, Taqin e kam përpara edhe tani që po shkruaj këto rreshta. Ai ishte njohës i disa gjuhëve, greqishte të vjetër dhe të re, turqisht, frëngjisht, italisht, përfshi edhe vllahishten që e fliste gjithë melodiozicitet. Kish një nivel që lexonte që në atë kohë në Korçë, Otto Weininger, Luter Burbankun, çështje të hormonologjisë, etj., etj. Taqi Fundo urrente që në thelb komunizmin, kish një shpirt të lirë, të fortë dhe të paepur. Kish vuajtur burgjeve, ku ishte torturuar e goditur me çizme në kokë dhe fytyrë. Ai ishte i pasur, tregtar, që mbushi Korçën me soba-pore majolike, sjellë nga Italia, me siglën a stampën e tij “Lluka Fundo e bijtë”, vendosur që në fabrikën italiane, soba këto që gjenden ende sot në ndonjë familje të vjetër korçare. Ai ishte i shpronësuar, i sekuestruar, i dënuar, i përndjekur, i përbuzur, madje edhe pa triska buke dhe i uritur, në kohën e tmerrshme të “Furrës së Vdekjes”, në Korçë që sot, nuk përmendet, por që prindërit tanë dridheshin e qanin kur e kujtonin atë lloj furre, etj.

Vitet e fundit kur e kam njohur nga pranë, jetonte në një ambient të improvizuar, të ndërtuar në oborrin e shtëpisë së Stavraq Ballaurit që ai e kish kthyer në një ambient plot shije, për mua gjithë dritë dhe ambienti ku mësoja ato që nuk mësoheshin askund. Vitet e fundit të jetës atij iu gangrenizua këmba, ia prenë dhe vinte rrotull me një karrocë me rrota, përsëri me atë pamjen e tij që qetësonte gjithçka. Prej Taqi Fundos, unë (si i rritur pa babë) mësova shumë për Voskopojën, më futi një dashuri që nuk m'u shkul gjithë jetën për këtë qytet, për njerëzit që kishin jetuar aty, Taqi më ndihmoi të përmirësoj italishten, (ashtu si edhe kimisti i vjetër Taqi Dimço, në po ato kohë, për frëngjishten). T. Fundo më futi pasionin për bujqësinë, më edukoi që të dua lirinë, të drejtën, të ëmblën, të urrej diktaturat dhe mbi të gjitha prej tij, kuptova se ç’është finesa e shpirtit.

Taqi Fundo ishte modeli i njeriut më të mirë, ndër tre-katër të tillë që, unë njoha gjatë gjithë jetës sime, deri sot që jam 75 vjet.

Me keqardheje më duhet të them se nuk kam mundur të gjej një foto të këtij njeriu sot, por ai ishte i pashëm edhe kur ishte 80 vjet./ CNA





09:55 Kulturë Agim Xhafka

Në pishinë…

Ndërsa ecja qetë në digën e liqenit, ashtu siç bëj çdo dit...

Lajmet e fundit nga