LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Anëtari i Gjykatës së Lartë, Clarence Thomas pranon udhëtimet/ 3 fluturime me avionin e donatorit republikan

31 Gusht 2023, 20:56, Kosova & Bota CNA
Anëtari i Gjykatës së Lartë, Clarence Thomas pranon
Anëtari i Gjykatës së Lartë, Clarence Thomas

Anëtari i Gjykatës së Lartë, Clarence Thomas, po pranon se bëri tre udhëtime vitin e kaluar me një avion privat në pronësi të njërit prej donatorëve më të mëdhenj të Partisë Republikane, Harlan Crow.

Është hera e parë pas disa vitesh që Gjykatësi Thomas raporton se është mikpritur nga zoti Crow. Në një raport që u bë publik të enjten, gjykatësi 75-vjeçar thotë se po vepronte në përmbushje të udhëzimeve të reja për gjyqësorin federal për raportimin e udhëtimeve. Por, në raport nuk përfshihen udhëtimet e mëparshme të bëra me shpenzimet e zotit Crow, ndër të tjera edhe një udhëtim në vitin 2019 në Indonezi, me një jaht në pronësi të sipërmarrësit të pasur dhe njëkohësisht donator për kauzat konservatore.

Raporti u paraqit ndërsa është shtuar vëmendja ndaj çështjeve të etikës në Gjykatën e Lartë, pas disa njoftimesh se Gjykatësi Thomas ka marrë prej vitesh nga zoti Crow dhurata të shtrenjta që nuk i ka raportuar, përfshirë udhëtime falas.

Zoti Crow ka blerë gjithashtu shtëpinë në Xhorxhia ku vazhdon të jetojë nëna e Gjykatësit Thomas dhe ka paguar për dy vitet e arsimimit në një shkollë private të një fëmije të rritur nga Gjykatësi Thomas dhe bashkëshortja e tij, Ginni.

Sipas artikujve të faqes së lajmeve investigative në internet ProPublica, u mësua se edhe Gjykatësi Samuel Alito nuk raportoi një udhëtim privat që bëri në Alaska në vitin 2008, të paguar nga dy donatorë të pasur republikanë, interesat e njërit prej të cilëve ishin në mënyrë të përsëritur të përfshira në çështje të paraqitura në Gjykatën e Lartë.

Agjencia e lajmeve Associated Press njoftoi gjithashtu në korrik se Gjykatësja Sonia Sotomayor, e ndihmuar nga anëtarët e stafit të saj, ka vizituar kolegje gjatë dekadës së fundit për të nxitur shitjen e librave të saj.

Anëtarët e Gjykatës së Lartë nuk kanë një kod të detyrueshëm etike dhe i kanë rezistuar idesë që të miratojnë një të tillë, apo që t’iu vendoset nga Kongresi. Në pranverë, të nëntë gjykatësit nënshkruan një deklaratë për etikën, të paraqitur nga Kryetari i Gjykatës së Lartë, John Roberts, tek Komisioni i Senatit për Gjyqësorin. Gjykatësi Roberts ka pranuar se mund të bëhet më shumë nga gjykatësit për të trajtuar shqetësimet etike.

Por as kjo deklaratë dhe as komentet e Gjykatësit Roberts nuk arritën të qetësojnë senatorët demokratë. Komisioni me shumicë demokrate miratoi në korrik një kod etike për gjykatën me një votim sipas linjave partiake. Ky legjislacion ka pak shanse të kalojë në Senat, ku i duhen votat e të paktën nëntë senatorëve republikanë, të cilët e kundërshtojnë atë me forcë. Shanse të pakta për miratim ka edhe në Dhomën e Përfaqësuesve me shumicë republikane.

Një ndër udhëtimet që ka raportuar Gjykatësi Thomas është në një vilë në Malet Adironack, në shtetin Nju Jork, ku sipas ProPublica-s ai shkon çdo vit.

Udhëtimi tjetër është për në Dallas, ku ai mbajti fjalime në konferenca të sponsorizuara nga Instituti Amerikan i Sipërmarrjes, një organizatë konservatore.

Gjykatësi Thomas vuri në dukje se zyrtarët e gjykatës i kishin rekomanduar që të shmangte udhëtimin me linja komerciale, për njërin nga udhëtimet në mesin e muajit maj, për shkak të shqetësimeve për sigurinë e gjykatësit pas daljes në shtyp të opinionit të gjykatës për abortin.

Gjykatësi pranoi gjithashtu me vonesë se zoti Crow kishte blerë shtëpinë në Savannah, Xhorxhia, ku ende jeton nëna e gjykatësit. Gjykatësi Thomas dhe anëtarë të tjerë të familjes së tij kishin patur pronësinë e shtëpisë, së bashku me dy prona të tjera në afërsi. Shitja u përfundua në vitin 2014, por Gjykatësi Thomas tha se kishte menduar gabimisht se nuk i duhej ta raportonte për shkak se “shitja kishte rezultuar në humbje kapitale”.

Duke raportuar se së bashku me bashkëshorten kanë pasuri në vlerë 1.2 deri në 2.7 milionë dollarë, Gjykatësi Thomas korrigjoi kështu edhe disa gabime të tjera nga raportimet e mëparshme. Tashmë përfshihen në raport llogari bankare që mungonin vitin e kaluar, me vlerë 100 mijë deri në 250 mijë dollarë, si dhe një siguracion jete në emër të bashkëshortes së tij që vlerësohet në vlerën rreth 100 mijë dollarë.

Gjykatësi Thomas vuri në dukje se po shqyrton edhe mundësinë e korrigjimit të raportimeve të mëparshme.

Raportet e përvitshme financiare të Gjykatësve Thomas dhe Alito u publikuan të enjten, gati tre muaj më vonë se raportet e shtatë gjykatësve të tjerë. Gjykatësve Thomas dhe Alito u ishte dhënë një zgjatje e afatit me 90-ditë.

Gjykatësi Alito raportoi pasuri në vlerë 2.8 milionë dollarë deri në 7.4 milionë dollarë. Ndërkohë që pjesa më e madhe e investimeve të tij janë në formë bonosh, Gjykatësi Alito vazhdon të ruajë aksione në kompani energjitike dhe të fushave të tjera, për shkak të të cilave është i detyruar ndonjëherë të tërhiqet nga shqyrtimi i çështjeve të paraqitura në Gjykatën e Lartë.

Në një artikull të pazakontë në gazetën “The Wall Street Journal”, Gjykatësi Alito u shpreh se nuk kishte ndonjë detyrim për të raportuar udhëtimin për në Alaska apo për t’u tërhequr nga ndonjë çështje gjyqësore ku përfshihej donatori në fjalë./ VOA

Lajmet e fundit nga