web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

BSH mban të pandryshuar normën bazë të interesit në 2.5%/ Inflacioni shënon rritje gjatë tremujorit të dytë të vitit

2026-07-01 16:38:03, Ekonomi CNA

BSH mban të pandryshuar normën bazë të interesit në

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në një konferencë për shtyp, ka njoftuar se Këshilli Mbikëqyrës i BSH ka vendosur të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 2.5%, duke vlerësuar se qëndrimi aktual i politikës monetare është i përshtatshëm për të garantuar stabilitetin e çmimeve dhe mbështetjen e rritjes ekonomike.

Sejko gjatë fjalës së tij bëri të ditur se inflacioni është rritur gjatë tremujorit të dytë të vitit, kryesisht për shkak të shtrenjtimit të naftës në tregjet ndërkombëtare. 

Sipas Bankës së Shqipërisë, ekonomia shqiptare vijon të shfaqë ritme të qëndrueshme rritjeje. Të dhënat e INSTAT tregojnë se Prodhimi i Brendshëm Bruto u rrit me 3.7% në tremujorin e parë të vitit 2026, i mbështetur nga rritja e konsumit, investimeve private dhe eksporteve.

Edhe tregu i punës ka vijuar të përmirësohet. Punësimi në sektorin privat jobujqësor u rrit me 2.2%, ndërsa paga mesatare u rrit me 11.5%. Papunësia mbeti në nivelin 8.4%.

Banka e Shqipërisë thekson se rritja aktuale e inflacionit pritet të jetë e përkohshme dhe lidhet kryesisht me goditjen nga çmimet e energjisë dhe naftës në tregjet ndërkombëtare. 

Megjithatë, institucioni vlerëson se pasiguritë mbeten të larta për shkak të tensioneve gjeopolitike dhe zhvillimeve në tregjet ndërkombëtare të energjisë. Për këtë arsye, Këshilli Mbikëqyrës do të vijojë të monitorojë situatën dhe është i gatshëm të ndërhyjë me politikën monetare nëse rreziqet për stabilitetin e çmimeve do të shtohen.

Përveç normës bazë të interesit në 2.5%, Banka e Shqipërisë la të pandryshuara edhe normën e depozitës njëditore në 1.5% dhe normën e kredisë njëditore në 3.5%.

Fjala e plotë e guvernatorit: 

Sot, në datën 1 korrik 2026, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin e Ndërmjetëm të Politikës Monetare.

Informacioni i marrë në analizë tregon se inflacioni i çmimeve të konsumit ka shënuar rritje në tremujorin e dytë, kryesisht si pasojë e rritjes së çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare, ndërsa ekonomia shqiptare ka vijuar të rritet në gjysmën e parë të vitit dhe tregjet financiare janë shfaqur të qeta.

Politika monetare e kujdesshme dhe konsistente e ndjekur nga Banka e Shqipërisë ka vijuar të japë një kontribut pozitiv, nëpërmjet ruajtjes së stabilitetit monetar dhe krijimit të kushteve financiare të përshtatshme për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.

Përditësimi i parashikimeve le të pandryshuara pritjet tona për të ardhmen. Ekonomia shqiptare pritet të vijojë të rritet me ritme solide dhe pranë potencialit gjatë tremujorëve në vijim, ndërsa inflacioni pritet të rritet lehtësisht mbi objektiv në gjysmën e dytë të vitit dhe të kthehet gradualisht drejt tij në periudhën vijuese. Këto parashikime vijojnë të kushtëzohen nga supozimi se tensionet gjeopolitike do të reduktohen gradualisht dhe çmimi i naftës do të normalizohet në të ardhmen. Megjithatë, balanca e rreziqeve mbetet në kahun e sipërm për inflacionin dhe në kahun e poshtëm për rritjen ekonomike.

Në këto rrethana, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar qëndrimin e politikës monetare, duke mbetur vigjilent ndaj zhvillimeve në tregjet botërore dhe ndikimit të tyre në inflacion dhe në aktivitetin ekonomik në vend.

Inflacioni i çmimeve të konsumit shënoi një nivel mesatar prej 2.9% në muajt prill-maj, duke regjistruar rritje nga vlera mesatare prej 2.5% e tremujorit paraardhës. Në ngjashmëri me ecurinë e inflacionit në tregjet botërore, evropiane dhe rajonale, kjo ecuri u diktua – në masën më të madhe – nga rritja e çmimeve të karburanteve. Ndërkohë, paralelisht me të, rritja e inflacionit pasqyroi edhe rritjen e çmimit të ushqimeve të papërpunuara dhe të disa artikujve të shërbimeve, të cilët kanë një peshë të madhe të naftës në strukturën e kostove të tyre. Nga ana tjetër, inflacioni i çmimit të qirave shënoi rënie, ndërsa ai i artikujve të tjerë të shportës pati një ecuri më të stabilizuar.

Rritja e inflacionit në tremujorin e dytë ishte në përputhje me pritjet tona dhe pasqyron efektet direkte dhe indirekte të goditjes së ofertës në tregjet botërore. Këto efekte kanë sjellë rritjen e shpejtë të inflacionit të importuar dhe të atij jobazë. Nga ana tjetër, ecuria relativisht e balancuar e kërkesës dhe ofertës agregate, efekti frenues në inflacion i forcimit të kursit të këmbimit, si dhe pritjet e ankoruara për inflacionin, vijojnë të ruajnë inflacionin bazë dhe atë total pranë objektivit.

Sipas të dhënave të INSTAT-it, vëllimi i aktivitetit ekonomik në vend u rrit me 3.7% gjatë tremujorit të parë të vitit 2026. Zgjerimi i tij u mbështet nga rritja e konsumit familjar, e investimeve private, si dhe e eksportit të mallrave e shërbimeve, ndërkohë që politika fiskale ruajti natyrën e saj konsoliduese. Në aspektin sektorial, rritja ekonomike vijoi të udhëhiqet nga zgjerimi i aktivitetit në sektorët e shërbimeve dhe të ndërtimit, ndërsa sektori i bujqësisë dhe ai i industrisë vijuan të tkurren. Informacioni i disponuar sugjeron për ritme dhe strukturë të ngjashme rritjeje edhe gjatë tremujorit të dytë.

Rritja e kërkesës për mallra e shërbime është pasqyruar në përmirësimin e mëtejshëm të treguesve të tregut të punës. Sipas të dhënave të INSTAT-it, punësimi në sektorin privat jobujqësor u rrit me 2.2% në tremujorin e parë, paga mesatare në sektorin privat u rrit me 11.5%, ndërsa papunësia mbeti në nivelin 8.4%. Rritja e shpejtë e punësimit dhe e pagave në sektorin privat jobujqësor vijon të sinjalizojë praninë e disbalancave midis kërkesës dhe ofertës në tregun e punës. Këto disbalanca nuk janë transmetuar ende në rritje të kostove të prodhimit dhe inflacionit të çmimeve të konsumit, si pasojë e absorbimit të tyre pjesërisht nga rritja e produktivitetit dhe pjesërisht nga rënia e marzheve të fitimit për njësi. Megjithatë, ecuria e tyre në të ardhmen vijon të mbetet një faktor rreziku mbi inflacion.

Përtej inflacionit, zhvillimet ekonomike të gjysmës së parë të vitit vijojnë të tregojnë përmirësim edhe të treguesve të tjerë të stabilitetit ekonomik e financiar të vendit. Borxhi i huaj dhe ai publik kanë ardhur në rënie, bilancet financiare të bizneseve dhe familjeve janë të shëndosha e likuide, sektori bankar paraqitet solid dhe rezistent ndaj goditjeve, ndërkohë që tregjet financiare shfaqen të qeta dhe kushtet financiare vijojnë të mbeten stimuluese.

Kjo tablo pasqyron, ndër të tjera, edhe kontributin e politikës sonë monetare. Reagimi në kohë dhe konsistent ndaj zhvillimeve në inflacion ka bërë të mundur ruajtjen e stabilitetit të çmimeve, kontrollin e pritjeve për inflacionin, funksionimin e qetë të tregjeve financiare, frenimin e shpejtësisë së forcimit të kursit të këmbimit, si dhe përmirësimin e kushteve të financimit.

Për rrjedhojë, tregjet financiare vijojnë të karakterizohen nga likuiditet i bollshëm, norma të ulëta interesi, si dhe një përqasje pozitive ndaj kreditimit.

Kushtet e favorshme financiare janë pasqyruar në zgjerimin e shpejtë dhe me bazë të gjerë të kredisë për sektorin privat. Portofoli i kredisë shënoi një rritje vjetore prej 13.8% gjatë muajit maj, duke vijuar të shfaqë tregues të mirë cilësie, rritje graduale të peshës së kredisë në Lek, dhe orientim drejt financimit të projekteve të investimit të bizneseve dhe blerjes së banesave për familjet. Në këtë mënyrë, rritja e kredisë bankare ka vijuar të mbështesë zgjerimin e konsumit dhe të investimeve të sektorit privat, duke dhënë një kontribut pozitiv në rritjen ekonomike.

Përditësimi i parashikimeve të skenarit bazë sugjeron se goditja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare do të sjellë një rritje të lehtë të inflacionit mbi objektiv gjatë tremujorëve në vijim. Megjithatë, kjo rritje pritet të jetë kalimtare; me përfundimin e efektit direkt të goditjes dhe kontrollin e efekteve indirekte të saj, inflacioni pritet të zbresë gradualisht drejt objektivit në afatin e mesëm. Po ashtu, ekonomia shqiptare pritet të ruajë ritme pozitive rritjeje gjatë viteve në vijim, të përafërta me vlerësimet tona për potencialin e zgjerimit të aktivitetit ekonomik.

Bazuar në informacionin e disponuar dhe pritjet për një normalizim të tensioneve gjeopolitike dhe të çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare, goditja e ofertës në tremujorin e dytë pritet të ketë pasoja kalimtare në ekonominë shqiptare. Megjithatë, kjo goditje vijon të përbëjë një burim rreziku dhe pasigurie mbi ekonominë botërore dhe atë shqiptare. Për rrjedhojë, balanca e rreziqeve mbetet e zhvendosur në kahun e sipërm për inflacionin dhe në kahun e poshtëm për rritjen ekonomike.

Bazuar në sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi:

-të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 2.5%;
-të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore, në nivelin 1.5%;
-të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë njëditore, në nivelin 3.5%.

Këshilli Mbikëqyrës gjykoi se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm për momentin. Ky qëndrim mundëson përmbushjen e parashikimeve të skenarit bazë, duke i ofruar ekonomisë shqiptare kushte të përshtatshme monetare për kthimin e inflacionit në objektiv. Gjithashtu, ai adreson pasigurinë mbi ecurinë e ekonomisë dhe të inflacionit në të ardhmen, duke ofruar kohën e nevojshme për një vlerësim më të plotë të ndikimit që rritja e çmimeve të naftës do të ketë në inflacion.

Këshilli Mbikëqyrës vëren se reagimi i politikës monetare do të vijojë të orientohet, në çdo rast, drejt respektimit të objektivit të stabilitetit të çmimeve, duke u kujdesur që goditja e ofertës të mos shndërrohet në presione të qëndrueshme dhe afatgjata inflacioniste.

Këshilli Mbikëqyrës do të monitorojë me kujdes e në vazhdimësi situatën. Bazuar në të dhënat e reja, ai mbetet i gatshëm të reagojë në kohën, kahun dhe me forcën e duhur, ndaj çdo rreziku material mbi stabilitetin e çmimeve. /CNA





Lajmet e fundit nga