LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Raporti, rritja e çmimeve të banesave ndikohet nga pastrimi i parave

1 Dhjetor 2023, 07:30, Ekonomi CNA
Raporti, rritja e çmimeve të banesave ndikohet nga pastrimi i parave
Foto ilustruese

Tirana cilësohet si një nga shtatë kryeqytetet kryesore evropiane me nivele të larta të papërballueshmërisë së blerjes së një banese.

Një raport i Komisionit Ekonomik për Evropën në Kombet e Bashkuara që ka bërë një vlerësim të profilit të Shqipërisë në aspektin e zhvillimit urban, strehimit dhe menaxhimit të tokës nënvizon gjithashtu se rritja e çmimeve mund të jetë ndikuar ndoshta edhe nga pastrimi i parave.

“Zhvillimet formale të organizuara synojnë segmente të banesave me çmime të larta. Deri në 32 për qind e pronave rezidenciale dhe komerciale të shitura në gjashtëmujorin e parë të vitit 2021 janë blerë nga jorezidentë; pastrimi i parave ndoshta ka qenë një faktor kontribuues i rritjes së çmimeve në Tiranë dhe në zonat bregdetare.

Tirana është ndër shtatë qytetet kryesore evropiane me nivele të larta të papërballueshmërisë së banesave”, thuhet në raportin e dedikuar për Shqipërinë.

Ky i fundit në këtë kontekst analizon se blerja e një banese nga familjet me të ardhura të ulëta është bërë e vështirë ose e papërballueshme.

“Në këtë sfond, ndërtesat me shumë apartamente të trashëguara nga epoka socialiste vuajnë nga mungesa e investimeve dhe mungesa e mirëmbajtjes. Shkalla e mbipopullimit për popullsinë e përgjithshme është më shumë se 58 për qind, që është më e larta në Evropë, me përjashtim të Malit të Zi.

Këto pabarazi strukturore në tregjet e banesave e bëjnë të papërballueshme aksesin në strehim për grupet me të ardhura të ulëta”, vlerëson raporti.

Dokumenti i publikuar së fundmi parashtron se në Shqipëri, neni 59 i Kushtetutës njeh të drejtën për strehim të përshtatshëm dhe të përballueshëm si një prej objektivave socialë të shtetit shqiptar dhe neni 18 për barazinë, siguron mbrojtjen e grupeve të ndryshme shoqërore kundër çdo forme diskriminimi.

“Megjithatë, pas privatizimit masiv dhe ndërtimeve informale në vitet 1990, sektori i banesave në Shqipëri dominohet nga zotërimi privat i shtëpive, me shumë shtëpi të reja të vetëndërtuara dhe ndërtesa të tjera të ngritura fillimisht ilegalisht dhe në zonat e banuara.

Sektori me qira i banesave sociale (qoftë publik, privat apo i përzier) në Shqipëri është shumë i vogël, duke përfaqësuar rreth 0.1% të totalit të banesave të banuara.

Ky sektor nuk mund të konkurrojë tregun privat. Tregu i banesave me kredi hipotekore sapo po zhvillohet(pjesa e pronarëve të shtëpive që paguajnë një kredi të tillë është më e vogël se 1 për qind).

Kjo është pjesërisht për shkak të rolit të rëndësishëm të sektorit informal dhe të vetëndërtuar ku aktiviteti i ndërtimit bëhet përmes parave “cash” dhe remitancave”, thuhet në raport./ Revista Monitor 

Lajmet e fundit nga