Përgjegjësit e “rrugëve prej letre”/ Pse projektet e gabuara po shkatërrojnë milionat e shqiptarëve
Dy ditë më parë CNA dhe mediat e tjera raportuan shembjen ...

Kush e sabotoi investimin 80-milionësh që do të shpëtonte Tiranën nga ujërat e zeza, i ashtuquajturi Projekti Japonez për Tiranën e Madhe.
Në mes të Tiranës, përtej lokacionit “Pallati me shigjeta”, lumi i Lanës shndërrohet në një vorbë ku derdhen totalisht të gjitha ujërat e ndotura të kryeqytetit, të bardhat dhe të zezat.
Lumi i mbeturinave njerëzore moleps pothuaj gjithë zonën perëndimore të kryeqytetit, duke përfunduar në Adriatik me një ngarkesë të frikshme kimike dhe bakterologjike.
Cilësia e jetës së banorëve që fati e ka sjellë të jetojnë pranë këtij segmenti të Lanës, nuk ka asnjë lidhje me stadin aktual të zhvillimit të shoqërisë njerëzore.
Ata janë gjatë gjithë kohës të rrezikuar nga shpërthimi i sëmundjeve epidemike, sidomos gjatë muajve të ngrohtë të vitit, kur kutërbimi i jashtëqitjeve njerëzore arrin kulmin për shkakun se uji në Lanë është i pakët.
“Nuk ka asnjë lumë në Europë të ndotur sa Lana. Madje, është aq keq, sa kur bëjmë matjet e ngarkesave bakteriale, niveli i ndotjes shënon përtej maksimumit që pranojnë instrumentet” – konfirmoi situatën për BIRN Aleks Miho, Profesor i Departamentit të Biologjisë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës.
Pushteti u ra tam-tameve të zgjidhjes së situatës me ujërat e ndotura të Tiranës në vitin e largët 2008, kur qeveria japoneze ndihmoi me një kredi të butë financimin e fazës së parë të një impianti trajtimi që do t'i përpunonte.
Entuziazmi ishte i madh. Më në fund, Tirana mund të quhej një qytet europian.
Punimet nisën në 16 qershor 2014. Impianti i trajtimit, sipas studimit të konsulentit japonez dhe shqiptar, u përcaktua të ndërtohej, thellë në Kashar, aty ku edhe kuotat e terrenit e lejonin.
Fitues të tenderit për Kontratën e Punës ishin bashkimi i kompanisë japoneze “Kubota Corporation” dhe asaj italiane “Costruzioni Dondi”, me një vlerë kontrate prej rreth 81 milionë eurosh.
Një vit e ca më pas, më 14 janar të vitit 2016, Erion Veliaj, kryetari i Bashkisë së Tiranës, gjatë një vizite në impiant, e quajti një projekt ambicioz, më të madhin në Europën Juglindore, që do të shmangte infektimin edhe për ata që bënin plazh atje tej, në Durrës.
“Nga projekti do të përfitojnë 350 mijë banorë të Tiranës, pra gjysma e popullsisë zyrtare... ...për projektin e pastrimit të ujërave të ndotura në Tiranë është menduar që në vitin 1960. Me gjithë padurimin që këto projekte të ecin sa më shpejt, besoj se është ecur më shpejt në këto dy vite (2016-'17), me këtë projekt, sesa në 50-60 vitet e fundit”, – deklaroi me vetësiguri Veliaj.
Fillimisht punët me projektin shkojnë mirë e bukur. Nga viti 2014 deri në vitin 2017 në terren realizohet rreth 67 për qind e investimit.
Por, pas fitores së Partisë Socialiste, në zgjedhjet e vitit 2017, situata, me projektin e shumëlëvduar, ndryshon.
Drejtuesit e projektit, ata që e kishin ndjekur qysh nga dita e parë, për shkakun se disa ishin pjesë e Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim dhe disa të tjerë profesionistë të lirë që nuk bënin kompromis me punën, largohen, kush me dorëheqje të detyruar, e kush me urdhër largimi nga detyra.
Albens Alite, në këtë kohë koordinator i projektit, i vetmi nga personazhet e lidhur më këtë çështje, i cili pranoi të flasë për BIRN, tha se, me largimin e stafit të vjetër, gjithçka nisi të shkojë shumë keq.
“Nuk e di se për çfarë arsye, por e them me përgjegjësi se stafi i ri nuk e vijoi projektin me të njëjtën dëshirë dhe përkushtim. Drejtori i ri i projektit nuk dinte asnjë fjalë në aglisht – gjuhë me të cilën komunikonim me japonezët, por edhe gjuha e dokumenteve të pafundme që pasqyronin eurinë e kontratës. Kështu, volumet e punimeve për vitin 2018 zbritën në nivelin më të ulët, vetëm 5 për qind realizim, ndërkohë që një vit më parë, më 2017, kur drejtonte stafi ynë, ishin 20 për qind” – shpjegoi Alite.

Kjo situatë vazhdon deri në 4 korrik 2018, kur z. Arben Skënderi, në cilësinë e drejtorit të ri të Përgjthshëm të Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve, njofton kontraktorin, me anën e një komunikimi zyrtar, të nënshkruar prej tij, për ndërprerjen e kontratës.
Deri në këtë kohë punimet ishin kryer rreth 70 për qind, ose në vlerën 56 milionë euro, ndërkohë që qeveria japoneze kishte aprovuar një zgjatje të afatit për marrëveshjen e huasë, deri në deri më 24 tetor 2019.
Drejtori i Projektit, Arben Skënderi, njëkohësisht Drejtor i AKUK, i pyetur nga BIRN se për cilat arsye vendosën ta ndërprisnin kontratën dhe nëse ishte kosumuar detyrimi ligjor për t'u konsultuar me JICA-n (Agjencinë Japoneze të Bashkëpunimit Ndërkombëtar) për vendimin e marrë, preferoi të mos përgjigjej.
Ndërsa Damian Gjiknuri, ish-ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, i cili komunikoi me BIRN, tha se: “Vendimi (i prishjes së kontratës) është motivuar nga dështimi i zbatimit të kontratës. Kjo do të thotë se prishja e kontratës nuk është shkelje, por zbatim kontrate”.
Ndërprerja e projektit ndodhi pikërisht në kohën kur punimet ishin drejt përfundimit dhe kur shumëkush po mendonte ceremoninë e prerjes së shiritit të inaugurimit.
“Në dijeninë time punimet u ndërprenë në një kohë kur duheshin edhe 10,5 milionë euro të tjera shtesë për punimet, që projekti të finalizohej. Në këtë periudhë ishte parashikuar që impianti të niste funksionimin, me kapacitet të plotë, në vitin 2019”, tha për BIRN ish-koordinatori Albens Alite.
Në realitet, plani për ta ndërprerë kontratën kishte nisur pak muaj më parë, në mars 2018, kur Ministria e Infrastrukturës, bazuar në një audit të kërkuar nga ministri Damian Gjiknuri, paditi drejtuesit e vjetër të projektit, në Prokurorinë për Krime të Rënda, për “shpërdorim detyre në bashkëpunim” duke u komunikuar mediave një dëm prej 21 milionë eurosh.
Menjëherë pas publikimit të akuzave, më 30 mars 2018, z. Ardian Alushi, ish-drejtori i Projektit, i cili u kallëzua për “shpërdorim detyre”, reagoi flakë për flakë në media.
Sipas tij: “Auditet politike të MIE, të inicuara nga ministri Damian Gjiknuri, janë thjesht shërbime për shefat që duan të fshehin korrupsionin e vërtetë të tyre… Gjyqet politike ‘të bekuara’ nuk tregojnë asgjë më shumë se mjerimin aktual të administratës që është tashmë pre e gjuetisë së shtrigave në emër të drejtësisë”.
Sipas kallëzimit penal, në adresë të ish-drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve, z. Ardian Alushi dhe dy ish-koordinatorëve të projektit, z. Klevis Biçaku dhe z. Albens Alite, dëmi prej miliona eurosh ishte shkaktuar për dy arsye.
Së pari, për shkak të rritjes së kostove të punimeve, si pasojë e efektit, që shkaktoi formula e rregullimit të çmimeve. Thënë me fjalë të tjera, në këtë periudhë pati një zhvlerësim të pandalshëm të Jen-it – monedhës japaoneze me anë të së cilës ishte lëvruar kredia, - përkundrejt euros.
“E vetmja mundësi në këtë situatë për të përballuar koston e projektit ishte që të kërkonim nga qeveria japoneze të shtonte shumën e këtij borxhi me sasinë afërsisht 10.5 milionë euro (që mungonte si shkak i zhvlerësimit të Yenit). JICA u tregua e gatshme të asistonte në këtë procedurë, duke dhënë edhe miratimin e saj, me kushtin qe kjo kërkesë zyrtare të bëhej në fund të projektit, atëherë kur fondet e marrëveshjes së vjeter të ishin ezauruar” - shpjegon ish-koordinatori z. Albens Alite.
Së dyti, sipas auditit, dëmi ishte shkaktuar për shkak të mosparashtrimit për diskutim, analizim dhe vendim, në Këshillin Teknik të AKUK, të problematikës së shkaktuar nga rrëshqitja e dherave, pranë impiantit të Kasharit.
“Edhe kjo akuzë nuk qëndron, pasi kostot nga fenomene të paparashikuara mbuloheshin nga shuma e akorduar në Kontigjencën e projektit, e pasqyruar në kontratë në rubrikën ‘variation orders'” - shpjegoi ish-koordinatori z. Albens Alite.
Prokuroria e Tiranës, pasi dosja i kaloi “për kompetencë” nga krimet e rënda, nuk u nxitua të merrte masa ndaluese ndaj 3 të akuzuarve, të cilët i hetoi në gjendje të lirë.
Përfaqësuesit e akuzës kishin të drejtë me mosnxitimin. Pas një hetimi disamujor, ata dalin në përfundimin se “në veprimet e punonjësve të Drejtorisë së Përgjithshme të Ujësjellës-Kanalizimeve nuk konstatohen elementë të veprës penale të "shpërdorimit të detyrës”.
Në vendimin e Gjykatës së Tiranës, të datës 5 tetor 2018, që certifikoi gjetjet e Prokurorisë, shkruhet:
“Në përfundim të hetimeve... arrihet në konkluzionin se nuk konstatohen elementë të veprës penale të ‘Shpërdorimit të detyrës’ apo ndonjë vepër tjetër penale nga ana e zyrtarëve të DPUK-së. Çdo veprim i zyrtarëve të DPUK-së ka qenë i autorizuar dhe miratuar nga ana e Agjencisë Japoneze të Bashkëpunimit Ndërkombëtar dhe (Bankës Japoneze për Zhvillim), si autoritete të parashikuara në marrëveshje për mbikqyrjen dhe miratimin e procedurave të tenderimit dhe të transferimit të parave. Nuk janë kryer veprime në kundërshtim me ligjet dhe aktet nënligjore nga ana e të kallëzuarve, të tilla që të formojnë elemëntët e veprës penale të ‘Shpërdorimit të detyrës’... Në kushtet kur mungon veprimi apo mosveprimi i kundraligjshëm, si element i domosdoshëm i anës objektive të çdo vepre penale, çështja penale duhet të pushohet”.
Pra, edhe sipas vendimit të gjykatës, drejtuesit shqiptarë të projektit, duke filluar nga drejtori i Projektit z. Ardian Alushi, në asnjë rast nuk kishin vepruar jashtë termave ligjorë dhe në asnjë rast nuk kishin vepruar me iniciativën e tyre, por vetëm me dakodësinë dhe nën mbikëqyrjen e JICA-s japoneze, me qendër në Beograd.
Një vit pas ndërprerjes së projektit, në auditin e tetorit 2019, Kontrolli i Lartë i Shtetit, jo vetëm që vendoset në të njëjtën linjë me gjetjet e Prokurorinë e Tiranës, por shkon më tej.
KLSH liston edhe një numër gabimesh, me pasoja të rënda, të kryera nga zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës dhe ata të Drejtorisë së Përgjithshme Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Mbetjeve.
Sipas auditit “Zgjidhja e kontratës është bërë në mënyrë të njëanshme nga MIE, nëpërmjet AKUKM, në kundërshtim me marrëveshjen e financimit dhe me kushtet e kontratës së lidhur me kontraktorin. MIE dhe AKUKM, për zgjidhjen e kontratës, nuk ka marrë miratim paraprak nga financuesi - Banka Japoneze për Zhvillim - JICA”.
Po sipas auditit të KLSH-së, MIE dhe AKUKM jo vetëm që kanë gabuar me ndërprerjen e kontratës, por, ata vetë, janë fajtorë për vonesat pasi “...nuk kanë marrë parasysh sugjerimet dhe vërejtjet që ka bërë Këshilli i Mosmarrëveshjeve për mungesën e hapësirave për të kryer punimet, mungesën apo vonesa të tejzgjatuara të pagesave në vlera bllokuese ndaj kontraktorit, vonesa në likuidim të TVSH-së dhe pagesat e situacioneve, mungesa apo vonesa të theksuara bashkëpunimi në lidhje me marrjet e lejeve, miratimet e punimeve, etj.”.

Në përfundim KLSH shkruan se ndërprerja e kontratës ishte e gabuar, tesktualisht:
“… nga auditimi mbi ligjshmërinë e arsyeve në bazë të të cilave është justifikuar ndërprerja e kësaj kontrate, u konstatua se Kontraktori i ka plotësuar të gjitha kushtet kontraktuale, ndryshe nga ç’pretendohet në shkresën e AKUKM nr. 2004, datë 04.07.2018.”
Po kështu, auditi i KLSH-së del në përfundimin se “akti për ndërprerjen e kontratës dhe arsyet e justifikimit të ndërprerjes nuk qëndrojnë dhe janë në kundërshtim me kushtet e kontratës dhe marrëveshjen e financimit, duke iu referuar pikës 20.2, kushtet e përgjithshme të kontratës”.
E sqaruar pak më tepër, vendimi për ndërprerjen e kontratës është bërë pa asnjë kontakt dhe miratim nga Bordi i Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve (Dispute Adjudication Board).
“Bordi i Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve është i parashikuar në kontratë. Tre anëtarët e tij janë paguar ‘full time’ nga projekti, por askush nuk e mori mundimin t'i mblidhte dhe t'i pyeste. Anëtarët e bordit janë si gjyqtarët e Shkallës së Parë në vlerësimin e pretendimeve të palëve. Në fillim, e gjithë mosmarrvëshja duhet të kalonte sitën e Bordit, pasi mund të ishte rasti që aty të dakordësoheshin, duke shmangur ndërprerjen e kontratës dhe pasojat e mëtejme” - shpjegon ish-kooordinatori Alite.
Padia në Arbitrazh

Por ka edhe më keq. Gjatë vitit 2018, duke qenë se zgjidhja e kontratës ishte bërë në mënyrë të njëanshme, pra pa miratim paraprak nga JICA-s, kontraktori “Dondi-Kubota” e paditi shtetin shqiptar në Gjykatën Arbitrazhit, Dhoma Ndërkombëtare e Tregtisë, Londër.
Shuma e pretenduar, si zhdëmtim për humbjet e kompanive, ishte edhe më e madhe se ajo e kredisë japoneze – plot 90 milionë euro.
Autogoli që nëpunësit e shtetit shqiptar i kishin bërë vetës ishte aq fëminor, sa në faqen e OPEN DATA, bazuar në një raport të Ministrisë së Financave për detyrimet e papambetura, shkruhet tekstualisht: “Ndërprerja e kontratës është bërë në mënyrë të njëanshme nga MIE nëpërmjet AKUK, në kundërshtim me marrëveshjen e financimit dhe me kushtet e kontratës së lidhur me kontraktorin”.
Duke njohur situatën, në auditin e tetorit 2019, KLSH-ja paralajmëronte se gjyqi mund të humbej nga shteti shqiptar, duke u shprehur: “Duke marrë në konsideratë paligjshmërinë e zgjidhjes në mënyrë të njëanshme të kontratës, ka shumë gjasa që kontraktori këtë çështje ta fitojë...”
Më tej në të njëjtin audit, KLSH-ja, mbështetur në padinë e Dondi&Kubota në Arbitrazh, shkruan se kontraktori kërkon 55 milionë euro nga humbja e punimeve të kryera dhe pagesave ndaj Kontraktorit, plus 10 milionë euro për pagesat të konsulentit (supervizorit), plus 20 milionë euro të tjera për shkak të “ndërprerjes së kontratës në kushtet kur Autoriteti Kontraktor nuk i ka vënë në dispozicion sheshet dhe nuk e ka paguar sipas kontratës”.
Sipas KLSH-së, dëmi do jetë më i madh, pasi do të ketë shpenzime shtesë, si pasojë e degradimit të punimeve të kryera, shpenzime për sigurinë e objektit, shpenzime për pagesat e avokatëve, shpenzime gjyqësore etj. Po sipas KLSH-së në llogari shtohen edhe interesat e kredisë së dhënë nga qeverise japoneze, që do të paguhen për një investim që nuk është kryer.
Gjykata e Londrës del me vendim në vitin 2023. Siç edhe të gjithë e prisnin, vendimi e detyron qeverinë shqiptare të paguajë një dëmshpërblim prej 13.5 milionë eurosh bashkimit të kompanive “Dondi-Kubota” si dhe 2 milionë euro të tjera për shpenzimet gjyqësore.
“Në vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit ajo ju njohu vetëm punimet e fundit, që ata kishin kryer, dhe nuk ju ishte paguar fatura. Gjykata u rrëzoi pretendimet për dëme nga prishja e kontratës dhe fitimin e munguar etj. Ishte rezultati më i mirë i mundshëm. ...nëse është kështu, shteti ka fituar dhe nuk ka humbur. Kjo vërteton vendimmarrjen e drejtë të MIE-së për këtë kontratë, pasi kontraktori kishte shkelur kushtet e kontratës” – argumentoi ish-Ministri Damian Gjiknuri për BIRN.
Dëmi real
Sot jemi në fillim të vitit 2026. Që nga vendimi i ndërprerjes së kontratës në mënyrë të njëanshme, i korrikut 2018, kanë kaluar 7 vite e gjysmë, puset e thella e të rrezikshme të Projektit - në rrugën që të çon për në lagjen “Kombinat”, vijojnë të shihen si pasoja të ndonjë anomalie mendore, ujërat e zeza të Tiranës vijojnë të derdhen në Lanë, banorët e kryeqytetit vijojnë të jetojnë mes fekaleve, shteti shqiptar po paguan një gjobë 13.5 milionë euroshe të Arbitrazhit, e cila tejkalon shumën që duhej për përfundimin e punimeve të Projektit... po vijon të shlyejë këstet e kredisë japoneze, ndërkohë pajisjet, dhjetëra - miliona euroshe “Made in Japan”, të impiantit, po ndryshken...
Dëmin e kishte parashikuar edhe auditi i KLSH-së, i vitit 2019, sipas të cilit “ekziston mundësia që punimet e kryera, deri më tani, të amortizohen plotësisht. Kantieri i Kontraktorit është totalisht i braktisur (jo i demontuar). Punimet janë lënë në mes. Nga nxitimi, për të nxjerrë Kontraktorin nga kantieri, nuk janë kryer punimet konservuese si izolimi i betoneve dhe i hekurit, mbyllja dhe taposja e pusetave, sistemimi i zonave me rrezikshmëri rrëshqitjeje, mbyllja e puseve të mikrotunelit, etj. Strukturat janë në mëshirë të kushteve atmosferike, ujit, baltës, diellit dhe bimësisë. Për më tepër gjatë kësaj periudhe nuk u kryen as shërbimet mirëmbajtëse, si pastrimi i kanaleve, mirëmbajtja e rrjetit të drenazhimit, ndezja e pompave për ruajtjen e punimeve të rrjetit të kanalizimeve të kryera, etj. Po ashtu dhe punimet e mikrotunelit, duke qenë të pa lidhura, ekziston mundësia që pusetat të lëvizin, duke humbur kuotën dhe të dalin jashtë përdorimit...”
Por humbja, sipas ish-koordinatorit të projektit, Albens Alite, është edhe më e madhe akoma.
“E them me përgjegjësi. Të kënaqur nga bashkëpunimi me ne, misioni i JICA-s, disa herë na kishte përsëritur se, nëse do kërkohen fonde shtesë për mbarimin e projektit, apo për financimin e një faze të dytë të tij, me qëllim për të trajtuar edhe pjesën e mbetur të ujërave të ndotura të Tiranës, pra një trajtim shtesë për më tepër se 350 mijë banorë të tjerë, ata, japonezët, ishin të gatshëm t’i siguronin fondet me të njëjtin interes shumë të ulët dhe të asistonin edhe në rrugët proceduriale që ne duhet të ndiqnim me qeverinë japoneze për t’i përfituar”.
Përpjekjet për zgjidhje
Mbetur me duart përpjetë, pa impiant dhe me fatura të rënda financiare, qeveria shqiptare nisi tratativat me qeverinë japoneze me qëllimin për të gjetur një zgjidhje për përfundimin e projektit.
Kontaktet me japonezët i deklaroi, më 30 prill 2023, gjatë një interviste televizive, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili, sa duket, kishte informacion të mangët, sidomos sa i përket hetimit penal dhe rezultatit të tij.
“Qeveria e Berishës dhe Metës, në atë kohë, morën një kredi dhe harxhuan të gjitha paratë, duke bërë vetëm 30 për qind të punëve, që është granti i famshëm japonez. Për atë, u arrestuan gjysma e partisë së Ilir Metës dhe një pjesë e partisë së Sali Berishës dhe një pjesë janë akoma në burg. Pra, si mund të harxhohen 90 për qind e parave me 30 për qind të punës?...
Ne kemi kontaktuar me qeverinë japoneze, unë dhe Kryeministri kemi negociuar një mundësi, një opsion, për t’u thënë atyre, që ndodhi - çfarë ndodhi, por pas vendimit të gjykatës, ne jemi të përgatitur, që, me qeverinë japoneze, t'i bëjmë një shtesë grantit, për ta përfunduar këtë punë...
Ministrja Balluku ka qenë promotore për çfarë duhet të paguhet nga ne, për të bërë një rivlerësim të pjesës që është investuar. Kështu që, shpresojmë që gjykata do ta zhbllokojë.”
Kjo deklaratë tregon se krerët e shtetit, ata të vitit 2023, ishin/janë bërë pishman për ndërprerjen e kontratës dhe, sa duket, kanë arritur të bindin japonezët për vazhdimin e kontratës.
Vetë JICA - Agjencia Japoneze e Bashkëpunimit Ndërkombëtar, iu përgjigj interesit të BIRN, duke sqaruar se “Projekti vijon dhe kredia është e vlefshme”.
Fajtorët ende pa emër
Në këtë pikë, kur qeveritarët tanë harxhuan kohë e impenjim duke iu lutur, apo ulur në gjunjë, japonezëve që të riktheheshin, pyetja më e thjeshtë do të ishte: Po përse ne shqiptarët nxituam të shkonim te ndërpreja e projektit?
Përse Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) nxitoi të ndërpriste kontratën për projektin në mënyrë të njëanshme?
Në komunikimin e tij me BIRN, ish-ministri i MIE, Damian Gjiknuri pranoi se “13.5 milionë eurot e gjobës së Arbitrazhit, janë investuar (në projekt) dhe u takojnë (punëmarrësve)”. Por këtu ka një problem. Ish-ministri pranon se kontraktorët kanë marrë hakun, po atëherë ku konsiston krimi, apo dalja jashtë hakut, që e shtyu atë, dhe të tijtë, të ndërprisnin projektin?
“Edhe papërgjegjshmëri, edhe dembelizëm, edhe injorancë mund të ketë qenë. Mund të ketë qenë edhe për idiotësi hakmarrjesh partiake, por në asnjë rast ndërprerja e kontratës, ndaj punëmarrësve, që po realizonin këtë projekt, nuk kishte lidhje me logjikën. Këtë të fundit e them me siguri të plotë”, shpjegon ish-koordinatori i projektit, Albens Alite.
Po sipas Alites “punëdhënësi ka të drejtë ta prishë kontratën, në mënyrë të njëanshme, vetëm kur kontraktori ka realizim të ulët punimesh dhe në rastin kur ai, punëdhënësi, i ka përmbushur të gjitha detyrimet e tij kontraktuale ndaj kontraktorit. Në rast të kundërt, faji është i punëdhënësit. Për më tepër, përpara prishjes së kontratës, punëdhënësi duhet të bëjë edhe llogaritë, se sa është kostoja eventuale e prishjes së kontratës si dhe të ketë një plan të qartë dhe urgjent për zëvendësimim e kontraktorit. Të gjitha këto ata i bënë gabim dhe kjo është shumë serioze”.
Kjo është historia e bllokimit, për 7 vite, e investimit për impiantin e ujërave të ndotura të Tiranës, një histori që rrëfen se si zyrtarët e shtetit, ata që paguhen me paratë e buxhetit, që vijnë nga xhepat e shqiptarëve, jo vetëm hodhën në erë një mundësi të artë për të shpëtuar Tiranën nga ujërat e ndotura, jo vetëm dërguan në kalendat greke realizimin e pjesës së mbetur të projektit, jo vetëm mbytën Tiranën me mbeturina organike njerëzore, jo vetëm dënuan shtetin shqiptar me gjithsesj 15.5 milionë euro në Gjykatën e Arbitrazhit, por edhe përzunë japonezët që premtonin ta zgjidhinin përfundimisht, të gjithë problemin e ujërave të ndotura të kryeqytetit të shqiptarëve.
Por, edhe pse ka një grup qartësisht të dukshëm fajtorësh, faji ka mbetur jetim dhe pa asnjë përgjegjës për ndërprerjen e projektit dhe dëmin ekonomik të shkaktuar shtetit, në një kohë që hetimi nuk gjeti asgjë të paligjshme në punën e të akuzuarve për shpërdorim detyre.
“Larg politikes, majtas apo djathtas, duhet ndërhyrë urgjentisht. Sepse kimikatet e ujërave të bardha, solucionet me të cilat lahen rrobat, enët, e të tjera, depërtojnë dhe shkatërrojnë përbërjen e tokës. Dhe toka nis e pjell kancer. Kancer, që vendoset te bimët që ushqen bagëtitë, të mishi, te qumështi. Për më keq, në afërsi të këtij segmenti të Lanës, ka disa biznese që marrin ujin e pijeve joalkoolike nga thellësitë e tokës. Jemi të gjithë të rrezikuar”, thotë Profesor i Departamentit të Biologjisë, Aleks Miho.
Por edhe japonezët e JICA – Agjencisë Japoneze e Bashkëpunimit Ndërkombëtar, në përgjigjen për BIRN, shkruajnë se qëllimi i projektit, ka lidhje pikërisht me ndotjen e mjedisit:
“Ky projekt synon të përmirësojë cilësinë e ujërave nëntokësore dhe të lumenjve... Pritet që të kontribuojë në përmirësimin e kushteve sanitare dhe mjedisit shtëpiak të banorëve të zonave përreth...”
Sot, nga ndërprerja e punimeve, kanë kaluar 7 vite dhe me gjasë do kalojnë edhe disa të tjera, deri në përfundim të projektit, që sigurisht do kohë të riaktivizohet dhe të përfundohet. Shkak-pasojë ne helmuam dhe do helmojmë tokën, dhe më tej Adriatikun, për rreth 10 vite, deri në përfundim të projektit.
Me këtë kohë të shkuar, nëse japonezët nuk do të ishin përzënë, ka të ngjarë të ishte përfunduar edhe faza e dytë, e premtuar e projektit, që parashikonte përpunimin total të ujërave të ndotura të Tiranës.
Gjithçka ndodhi, sepse dikush, në zenit të pushtetit, mendoi, në rastin më të mirë, të realizonte hakmarrje politike dhe, në rastin më të keq, përtoi t'i shkonte projektit deri në fund - një rast i pastër dhe i qartë për nisjen e një hetimi për përgjegjësit e situatës.
Një hetim që duhet t'i shkojë së vërtetës deri në fund, qoftë edhe me akuzën e konsumimit të një krimi shtetëror, ndaj gjithë shqiptarëve që paguajnë taksa, për të marrë shërbimin e parë elementar njerëzor, që është kanalizimi dhe largimi i ujërave të ndotura./reporter
Dy ditë më parë CNA dhe mediat e tjera raportuan shembjen ...
Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit mbi auditimin fin...
CNA prej ditësh ka publikuar pjesë nga raporti përfundimta...
Më 23 prill 2025, Mentor Krrashi nga Sukthi i Durrësit, u ...
Ziflo Gjonca denoncon në emisionin “Stop” mungesën e antiv...
Dritan Mandro, banues në Fier, është drejtuar në emisionin...
Auditimi i KLSH-së mbi disponibilitetin e barnave për traj...
Auditi tematik mbi disponibilitetin e barnave për trajtimi...
Një tjetër skandal i rëndë del në dritë në sistemin shënde...
Javën e kaluar emisioni “Stop” në Tv Klan transmetoi një r...
Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit mbi auditimin fin...
Një tjetër rast konkret nxjerr në pah problemet e mëdha me...
Raporti i KLSH mbi auditimin financiar dhe të përputhshmër...
Kontrolli i Lartë i Shtetit në një raport për Fondin e Sig...
Një auditim i kryer nga Kontrolli i Lartë i Shtetit ka nxj...
Në fund të muajit nëntor, Bankers Petroleum nisi, përmes p...
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar probleme të shumta ...
CNA ka kryer prej ditësh një vëzhgim, prej së cilit ka kon...
Pacientët me sëmundje tumorale prej vitesh hasin probleme ...
Një skemë mashtrimi ka tronditur Tiranën, ku Odeta Hoxha k...
Një denoncim në CNA solli edhe publikimin e disa dokumente...
Një mal me dokumente për një rast flagrant, në emër të sho...
Partia Demokratike ka denoncuar një tender të zhvilluar ng...
Nga vera e vitit 2020, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Eri...
Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) vendosi këtë të hën...
Vettingu i KPA-së vendosi këtë të enjte shkarkimin e p...
Suela Salavaçi, me detyrë prokurore në Prokurorinë e T...
Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka rikthyer në detyrë pro...
Raportohet se një aksident ka ndodhur mbrëmjen e sotme në ...
Një aksident rrugor ka ndodhur pasditen e sotme në zonën e...
Një operacion i Policisë Kufitare i erdhi në ndihmë një sh...
Raportohet se një person është mbytur pasditen e sotme në ...
Forca e punës, treguesit e punësimit dhe papunësisë janë t...
Ditën e sotme vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosfer...
Shqipëria po përballet me sfida të rëndësishme në zhvillim...
Ditën e hënë vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferi...
Një zjarr ka shpërthyer në një zonë biznesi në Madrid, ku ...
Që nga publikimi i një memorandumi mirëkuptimi javën e kal...
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, siguroi sot se ...
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, do t'ua dorëzojë trofe...
Në Bibliotekën “Thimi Mitko” në Korçë u zhvillua promovimi...
Ambasada e Shqipërisë në Zvicër ka organizuar një mbrëmje ...
Këtë të mërkurë u nda nga jeta aktori i shquar i kinematog...
Jeta e Moikom Zeqos qe krijim dhe kërkim i pandalur. Ai e ...
Tregu i punës në Shqipëri vijon të karakterizohet nga pesh...
Dy motorët e ekonomisë që përmenden më shpesh janë ndërtim...
Nëse do të kërkosh pulsin e ekonomisë, nuk mjafton të dëgj...
Një nga temat që ka trazuar më fort ekonominë është kursi ...