web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Veliaj, si kamikaz ndaj drejtësisë

1 Janar 2026, 18:00, Aktualitet CNA

Veliaj, si kamikaz ndaj drejtësisë

Kryebashkiaku Erion Veliaj ka treguar sjelljen e tij prej kamikazi ndaj drejtësisë, ndaj prokurorit Olsi Dado që kreu hetimet ndaj tij dhe bashkëshortes Ajola Xoxa, si dhe ndaj gjyqtarit që dha vendimin për arrestimin dhe lënien e tij në burg.

Veliaj u arrestua datën e 10 shkurtit të 2025, dhe që prej asaj dite nisi dhe fushata e tij kundër drejtësisë, prokurorit dhe gjyqtarit.

CNA ka raportuar në dhjetëra shkrime gjuhën e ashpër, kanosëse, me fyerje, me shpifje, me sharje ndaj prokurorit Ols Dado.

Disa nga termat e përdorura nga Veliaj ishin “vrasës me pagesë”, “lunatik”, “Ols Violina”, “i paepur”, “lëpirës” etj.

Më poshtë po sjellim vetëm disa prej rasteve.

Në 10 shkurt 2025 Erion Veliaj u arrestua, pas hetimeve të kryera nga prokurori Olsi Dado dhe me vendim të marrë nga gjyqtari Erion Bani. Po atë ditë Veliaj reagoi me status në rrjete sociale duke sulmuar prokurorin të cilin e cilësoi lunatik dhe të paditur epsharak.

Veliaj, si kamikaz ndaj drejtësisë

Fill pas këtij komenti, një tjetër pasoi ditën e nesërme po me të njëjtën gjuhë fyese.

Në 11 shkurt Veliaj tregonte se si e kaloi natën e parë në qeli, ndërsa prokurorin Olsi Dado e cilësoi një individ pervers, ndërsa aktakuza sipas Veliajt ishte haluçinante dhe perversitet kriminal.

Veliaj, si kamikaz ndaj drejtësisë

Në 13 shkurt erdhi një reagim i tretë në lidhje me disa specifikime të bëra ndaj tij në dosjen hetimore. Veliaj e cilësoi si ‘kurdisje të një paçavureje’ të dhënë që ka mësuar në sallën e gjyqit se dënimi i tij ishte shkruar me shkrim dore mbi dosje, gjë për të cilën akuzoi prokurorin Dado.

Veliaj, si kamikaz ndaj drejtësisë

Në 14 shkurt, Veliaj mohoi faktet që rëndojnë ndaj tij, ndërsa dosjen hetimore e cilësoi dosje prej sigurimsi të Ols Dados. Këtë të fundit e fyeu duke e cilësuar si Ols violina. Sallën e gjyqit të gjyqtarit Erjon Bani e cilësoi thertore. Për gjyqtarin tha se u bë njësh me prokurorin, duke marrë kështu përsipër të hetonte dhe gjykonte veten.

Në 15 shkurt, vijoi duke thënë “violina Ols Dados në seancën e pengmarrjes, te thertorja e adashit tim" duke fyer sërish dyshen Dado-Bani. Prokurorin vijoi ta quante violinisti dështak dhe lunatik.

Në 16 shkurt, vijoi fyerjet duke e cilësuar prokurorin Ols Dado prokuror pervers, violinist dështak dhe lunatik. Gjyqtarin Erjon Bani e cilësoi adashi kasap, gjykatësi i thertores. Veliaj shtoi dozën e fyerjeve duke thënë se drejtësia ka përfunduar në logjikën njëqelizore të një parameci funksional!

Në 18 shkurt, e cilësoi dosjen hetimore romanin e gjatë të Ols Violinës, ndërsa shtoi “më ka ngritur akuzë në thertoren e Erjon Kasapit”.

Më pas “mori përsipër” edhe të bëjë vetting-un e Olsi Dados, edhe pse ky i fundit e ka kaluar vetting-un në 2022 dhe ka rezultuar pa probleme në të tria kriteret, pasurinë, pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin.

 “Kështu është kur të bëjnë prokuror shoqet dhe të marrin në SPAK shokët - pa kriter e pa procedurë, e kështu, një miks mes injorancës e arrogancës bëhesh vrasës i gatshëm dinjitetesh njerëzore", tha Veliaj.

Po në të njëjtën ditë (në 18 shkurt) tha se është i burgosur pa gjyq, edhe pse gjyqi ju bë në 12 shkurt dhe u theksua në një seancë maratonë të gjitha shkeljet e kryera nga kryebashkiaku.

19 Shkurt, vijoi e njëjta retorikë, ndërsa fyerjeve iu shtuan të tjera epitete.

“Shikoni se sa prej sigurimsi është strategjia banale e shejtanbudallait, që m’u qep mua me një letër anonime (autori i së cilës nuk çuditem të jetë Ols Angoni ose Nesti Dado, po ky është thjesht dyshim i arsyeshëm, jo provë)”, tha ndër të tjera Veliaj.

E njëjta gjuhë linçuese vijon në 21 dhe 22 shkurt.

“Ols Violina, që po panë një grua të mençur, të hijshme, të aftë, profesioniste, të pavarur, të dlirë, të artikuluar, të lexuar e të arrirë, i sulen si pitbull me jargë e skërmitje, për t’i thënë vetes 'jam i fortë, shih si futem në fustane dhe e mbaj gruan e targetit 9 orë në inkuizicion'”, tha Veliaj në një status të 21 shkurtit.

Në 23 shkurt retorika u ashpërsua duke kaluar deri në kanosje, teksa Veliaj i thotë Olsi Dados se nuk e di se me kë ka të bëjë.

“Ky 'kolegu' im Ols Angoni as nuk e ka idenë se me kë është ngatërruar, megjithëse e quan veten Bruce Willis hajvani dhe u tregon muskujt atyre ushtarëve të BKH (tani hajde Bruce, jepi, fute edhe këtë te kërcënimet që i kam bërë kafkës tënde të mbështjellë me shollë).

Nuk e ka idenë, dështaku, dhe nuk ka se si ta ketë në fakt, po do t'ia mësoj unë, ja kështu, me durim, pak nga pak, derisa t’i dalë boja kësaj menderhanes që gatoi për mue dhe ta neverisin të tërë, mbase përveç atyre që e përdorin si vegël të llojeve të ndryshme.”

Është ky kërcënimi i hapur më i fundit që Veliaj i bën prokurorit të çështjes së tij.

Një tjetër status pasoi po këtë të diel ku Dado u cilësua nga Veliaj një “pis që godet për llogari të Sali fundërrinës, e kam të pamundur ta pranoj se SPAK-u mund të ketë surratin e Ols Angonit!”, ndërsa prokurorin e cilësoi një “vrasës me pagesë”.

Pra, Erion Veliaj ka bërë me dhjetëra postime publike, sulmuese ndaj prokurorit dhe gjyqtarit që u morën me çështjen e tij.

Por nuk mjaftoi me kaq. CNA publikoi dosjen nga përgjimet e Veliajt ku u zbuluan dhe dirigjimet që u bënte mediave për të sulmuar prokurorin Ols Dado.

CNA prej rreth 136 ditësh publikoi mashtrimin publik të kryebashkiakut Erion Veliaj dhe gazetarit të familjes, Mero Baze, të cilët pretendonin se Ols Dado ishte në konflikt interesi pasi i kishte kërkuar Veliajt një shtesë mbi lejen e ndërtimit por kryebashkiaku e kishte refuzuar dhe për këtë arsye i konsideronin si hakmarrje hetimet ndaj Veliajt dhe arrestimin e tij.

Si Mero Baze dhe Veliaj nuk publikuan as dokumentin me firmën e Ols Dados dhe as refuzimin me firmën e kryebashkiakut. (Dokumenti nuk ekziston si inceneratori i Tiranës).

Nga burgu i Durrësit Erion Veliaj thurte skenare dhe sulme ndaj prokurorit që më pas mediat e dirigjuara nga ai i ushtronin si sulm ndaj drejtësisë, ndaj prokurorit.

Fillimisht sulmeve të tij ndaj drejtësisë iu bashkua dhe kryeministri Edi Rama, i cili në fakt ka mbajtur qëndrime të ndryshme ndaj drejtësisë duke thënë se institucioni është i pavarur dhe se PS i ka dhënë shpatën në dorë për të ndëshkuar çdo shkelës të ligjit, çdo të korruptuar dhe të inkriminuar.

Veliaj qëndron në burgun e Durrësit për 13 akuza për 5 vepra të rënda penale, korrupsion, pastrim i produkteve të veprës penale, futja e sendeve të ndaluara në qeli, shpërdorim detyre dhe fshehje pasurie.

Ai vazhdon të përdorë taktika të ndryshme për t’iu shmangur seancave gjyqësore duke shtyrë seancat për gjykimin e tij, pasi SPAK-u i dërgoi dosjen në gjykatë për 13 akuza.

Edhe pse tashmë është lënë në burg me të gjitha vendimet e gjykatave, edhe pse ndodhet përballë fakteve dhe provave, nuk shkon të përballet me drejtësinë, por vazhdon të bëjë manovra dhe skenare për shtyrjen e proceseve gjyqësore.

Vetë SPAK-u në një reagim publik ka theksuar se janë shtyrë seancat për shkak të mungesave të pajustifikuara të mbrojtësve të të pandehurve apo dhe kërkesave të padrejta të tyre, duke penguar përfundimin e gjykimit paraprak brenda afateve të parashikuara nga Kodi i Procedurës Penale.

Pra, skema është e qartë dhe taktikat e Veliajt për të shtyrë proceset gjyqësore./ CNA





Lajmet e fundit nga