web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Mesazhi i Kryepiskopit Joan: Lumturia e vërtetë buron nga jeta shpirtërore

1 Janar 2026, 12:59, Aktualitet CNA

Mesazhi i Kryepiskopit Joan: Lumturia e vërtetë buron nga jeta

Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij, Imzot Joani mbajti sot Liturgjinë e parë Hyjnore për vitin 2026.

Mesha u mbajt me rastin e 1 Janarit, që kremton dy ngjarje të rëndësishme fetare: rrethprerjen e Jezu Krishtit dhe përkujtimin e Shën Vasilit të Madh.

Në fjalën e tij, Kryepiskopi theksoi se, ndonëse Viti i Ri nuk është festë fetare, çdo dimension i jetës njerëzore mund të shenjtërohet.

Kryepiskopi theksoi se lumturia e vërtetë buron nga një jetë e thellë shpirtërore dhe nga afrimi me Perëndinë, teksa u cituan fjalë të Shën Agustinit dhe episode nga Ungjilli, për të theksuar se vetëm fjala e Zotit është “fjalë jete” dhe burim gëzimi i qëndrueshëm.

Predikimi i plotë i Kryepiskopit: 

Sot ne festojmë dy festa të mëdha. Është rrethprerja e Zotit tonë Jezu Krisht dhe përkujtimi i një nga peshkopëve më të shquar të kishës ortodokse, Shën Vasilit të Madh.

Gjithashtu kemi dhe fillimin e vitit të ri. Viti i ri nuk është një festë fetare, por çdo gjë që është njerëzore është dhe fetare. Madje Perëndia për këtë erdhi, që për të prekur çdo lloj hapësire profane e për ta shenjtëruar atë gjë. Prandaj dhe kisha në urtësinë e saj i shenjtëron gjërat. Çdo gjë që preket nga Zoti kthehet në një gjë të shenjtëruar.

Dhe sot, në fillimin e një viti të ri, që është vit civil, jo kalendarit fetar, por përsëri është një nxitje për ne për një rifillim të ri. Së pari le të mendojmë: Përse ne urojmë në çdo 1 Janar të gjithë njerëzit 'një jetë të lumtur', 'gëzuar'? Dhe përsëri vit pas viti po kjo gjë. Pa dyshim që njerëzit kuptojnë që diçka mungon tek ta. Tek gjithë ne, mungon. Dhe të gjithë duan lumturinë e megjithatë nuk e arrijnë.

Njerëzit për të arritur këtë gjë bëjnë gjëra të ndryshme. Dikush përpiqet të bëhet i famshëm, dikush të mbledhë pasuri sa më shumë, e megjithatë në fund fare nuk e gjen lumturinë. Shikoni Solomonin, ishte mbreti më i pasur i Lindjes. Pasuritë e tij ishin pafund, verat më të mira, shërbëtorë, gjithçka që donte e kishte. E megjithatë në librin e tij që ka shkruar thotë: 'Kotësi e kotësive, e gjitha është kotësi'. Sepse ato gjëra nuk mund ta mbushin shpirtin e njeriut.

Me të drejtë Shën Agustini thonte që: 'O Zot na ke krijuar sipas ikonës tënde e ne nuk mund të gjejmë prehje nëse nuk pushojmë tek Ty'. Sepse njeriu nuk mund të ngopet me lugë të zbrazët. Dhe gjithë këto gjërat e tjera të jashtme janë lugë të zbrazëta, nuk e ngopin dot shpirtin e njeriut. Ajo që e ngop shpirtin e njeriut është një jetë e thellë shpirtërore.

Prandaj le të mundohemi ta fillojmë dhe këtë vit të ri me një jetë shpirtërore, sepse pa jetën shpirtërore, jeta e njeriut fillon e thahet. E shikoni sot në gjithë botën, jeta është tharë. Njerëzit janë të dëshpëruar, edhe kur janë të pasur, sepse mungon ajo që është më kryesorja: ushqimi shpirtëror. Kisha përpiqet të na kujtojë vazhdimisht ne sa i rëndësishëm është ushqimi shpirtëror. Pa dyshim ne ishim krijuar si qenie për të qenë gjithmonë të lumtur, sepse Zoti është gjithmonë i lumtur. E çdo shenjt që kungohet me Perëndinë e gjallë, nuk është i dëshpëruar. Proverbi i vjetër i krishterë kështu thonte: 'Nuk ka shenjt të trishtuar'. Trishtimi na vjen ne pikërisht nga kjo gjë, se jemi larguar nga burimi i jetës. Dhe thirrja e Zotit nëpërmjet kishës është pikërisht për ta nxitur ne që t'i afrohemi këtij burimi të jetës, për të pasur një jetë të thellë.

Fjalët e ungjillit janë burimi i jetës. Ju kujtoj vazhdimisht episodin kur Krishti u dha nxënësve një mësim shumë të rëndë për ta e disa prej tyre u larguan. Dhe Zoti iu drejtua dhe rrethit të tij më të ngushtë dhe i thotë: 'Doni të ikni dhe ju? Ikni'. E Shën Pjetri përgjigjet: 'Ku të shkojmë o Zot? Ti ke fjalë jete'. Fjalët e tjera ndoshta mund të jenë fjalë të mira, s'mund të jenë të këqija, por përsëri vetëm fjalët e Zotit janë fjalë jete.

Prandaj dhe në këtë fillim viti, le të përpiqemi që të bëjmë një rrugëtim me fjalët e jetës, me fjalët e ungjillit. Ato i japin shpirtit gëzim dhe i japin dritë. Lumturia është diçka që e kërkojnë të gjithë njerëzit. Njerëzit janë përpjekur vazhdimisht të arrijnë lumturi. Ideologjitë e fundit që patën gjithë botën për të krijuar një rend shoqëror të drejtë me barazi, për të krijuar parajsën në tokë, po pa Zotin, dështojnë. Dhe jo vetëm që dështojnë, po në vend të parajsës sjellin ferrin. Sepse nuk mund të ketë gëzim ku Zoti nuk është i pranishëm. Atje ku është e keqja, nuk ka gëzim. Prandaj profeti Isaia thotë: 'Nuk ka gëzim për të paudhët'. Sepse çdo gjë që është e keqe nuk sjell dot gëzim. Gëzim sjell vetëm prania e Zotit. Prandaj le të përpiqemi për të studiuar më tepër ungjillin e për të medituar rreth fjalëve të tyre. E nuk mjafton dhe kjo gjë, por duhet ta praktikojmë në jetën tonë të përditshme. Nëse e bëjmë një fillim të mirë të kësaj gjëje, të parët që do kemi gëzimin do jemi ne. E një njeri që ka gëzim, e përhap gëzimin dhe te të tjerët. Ashtu si një njeri i trishtuar përhap trishtimin dhe te të tjerët. Sepse ne jemi qenie komunitare, prekemi dhe ndikohemi nga njëri-tjetri.

Prandaj dhe kisha ka këtë kujdes shumë të madh për të na kujtuar vazhdimisht ne. Në këtë ditë viti të ri, si peshkopi juaj do t'i thoja disa fjalë grupeve të ndryshme.

Do t'i thoja të gjithë atyre që janë sëmurë, janë të varfër, në vetmi: mos dëshpërohen. Zoti erdhi si një i varfër, lindi në grazhd. Nuk pati një vend as ku të lindte, as dhe ku të varrosej s'kishte varr. Dhe Zoti ka një dashuri të jashtëzakonshme për ata që janë në nevojë. Atje ku janë njerëzit që janë në nevojë, aty është i pranishëm dhe Zoti. Ndoshta ne e shohim ose nuk e shohim. Ai e identifikon veten me njerëzit që janë në nevojë: 'Isha i uritur dhe më dhatë të ha, isha i zhveshur dhe më veshët, isha në burg dhe spitali e erdhët më patë'. Dhe kur njerëzit do i thonë 'Zot, kur të pamë ty dhe t'i bëmë ose s't'i bëmë këto?', Ai tha: 'Të gjithë atyre që ia keni bërë, ose s'ia keni bërë, i keni bërë për mua'. Duke identifikuar veten pikërisht me të varfrit, kjo gjë mund të na japë ngushëllim shumë të madh. Sepse Zoti është gjithmonë pranë vuajtjes së njeriut.

Do t'i thoja fëmijëve, që ndoshta janë një moshë e re tani, por le të mundohen që ta lexojnë ungjillin vazhdimisht. Sepse në moshën e njomë zë vend akoma më thellë kjo gjë. Sa më e freskët dhe e pastër të jetë shpirti i njeriut, aq më lehtë mund të mbijë fara e ungjillit, e fjalëve të ungjillit.

Do t'i thoja të rinjve, janë në një moshë shumë të rëndësishme për të vendosur për jetën e tyre. Një gabim i madh mund t'ju shkatërrojë jetën e tyre. Historia na tregon ne se si disa gabime që kanë bërë në rini kanë shkatërruar jetën e tyre deri në fund. Prandaj le ta ruajnë atë pastërti që i ka dhënë Perëndia, e le ta shtojnë e ta kultivojnë, sepse ata do kenë gëzim e do gjejnë një qëllim në jetë.

Do t'i thoja atyre që Perëndia i ka bërë të pasur dhe i ka dhënë diçka: le të falënderojmë Perëndinë së pari për këtë gjë e le të mendojnë që pasuria nuk është e tyre vetëm. 'I Zotit është dheu dhe gjithçka që ndodhet në të', thotë psalmisti. Gjë që do të thotë që pasuria është e Zotit. E nëse na jep neve një pjesë, ne duhet të jemi kujdestarë të asaj pasurie, jo vetëm për veten tonë, por ta bashkëndajmë edhe me të tjerët.

Do t'i thoja dhe familjarëve: Mos ta humbin dashurinë e parë që kanë pasur me njëri-tjetrin. Le të jetë familja një vend i ngrohtë e të jetë një vend ku ka paqe, sepse ajo do rrezatojë një gëzim jo vetëm tek ju, po dhe tek fëmijët. Fëmijët që do rriten në familje që ka sherre, grindje, do mbeten të plagosur për gjithë jetën. Prandaj familja thuhet që është e shenjtë, po shenjtëria qëndron ku ne zbatojmë fjalët e ungjillit. Që do të thotë kemi fuqinë për të falur njëri-tjetrin. Sepse nëse nuk falni njëri-tjetrin, nuk mbahet asgjë; as familja, as martesa, as miqësia. Në një vend ku ka sherre, grindje dhe inate, nuk do ketë asnjëherë paqe dhe as gëzim.

Do t'i thoja atyre që janë të moshuar. Pa dyshim që jeta e njeriut është një udhëtim. E dalëngadalë të gjithë ne i afrohemi fundit të udhëtimit. Le të përgatitemi edhe për fundin e udhëtimit për të takuar Perëndinë. Vitet që na kanë mbetur gjithsecilit nga ne, le t'i shfrytëzojmë për t'ju afruar Zotit. Sepse një ditë nga kjo botë do largohemi. Ja për hatër të jetojë dikush 100, më shumë nuk do jetojë. Dhe e rëndësishme është çfarë do thotë Zoti në fund të udhëtimit tonë. Nëse Zoti na aprovon në jetën tonë, kemi fituar gjithçka. Edhe sikur të kemi humbur gjithçka në këtë botë. E kundërta, nëse Zoti na dënon, sikur gjithë botën të kemi fituar... Njerëzit më të pasur në botë, jemi bërë më të famshëm, përsëri kemi humbur.

Prandaj fillimi i këtij viti le të jetë për gjithsecilin nga ne një thirrje për të ecur me fjalët e Zotit dhe për t'u përgatitur për të takuar me Perëndinë.

Në këtë ditë do doja t'ju uroja të gjithëve ju një vit të mbarë e të bekuar dhe gëzuar dhe për shumë vjet./CNA 





Lajmet e fundit nga